Kreu In memoriam Fatbardh Amursi: Poeti Vehbi Skënderi i tradhëtuar si nga lufta dhe nga...

Fatbardh Amursi: Poeti Vehbi Skënderi i tradhëtuar si nga lufta dhe nga paqja

“Jam i tradhëtuar nga lufta dhe paqja.”-një varg tronditës nga një ish partizan dhe poet i paqes, ku fitimtari trajtohet si një i mundur. Për anologji: kush ia plasi shpirtin Fishtës, të shkruante vargjet të mbushura me maraz: “T’a dijë Shqypnija/Prá, e sheklli mbarë/Se mâ mbas sodit/Un s’jam Shqyptár”?! Gogoleshët e politikës, do thoshte Noli. Intelektualët levantinë, do ia pasonte Konica. Gjysmë të kulturuarit, do i bashkohej Eqerem bej Vlora. Ata, që për dështimet e tyre, fajsojnë atdheun, do e përmbyllte Kadare. Fjalët e Mitrush Kutelit se: “Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira.”, do i shkonin dhe Vehbi Skënderit, i cili: “Ishte shembulli i pastërtisë shpirtërore, i njeriut me zemër të hapur e të sinqertë…Jam i sigurt se krijimtaria e tij poetike do të çmohet gjithmonë e më shumë, sepse ka lënë pas krijime artistike të bukura, të sinqerta e plot ndjenja frymëzuese.”-shkruan për të shkrimtari Naum Prifti. Por, superioriteti moral, në një mjedis të ndoturish përngjan me dritat e një qyteti, kur mbi të nis një sulm ajror. (Nëse në sporte respektohet fair play, në arte për fat të keq, morali kalorsiak: mungon.) Ndërsa poeti Moikom Zeqo do shprehej besimplot: “Emri i lirikut gjenuin të çuditshëm Vehbi Skënderi nuk do të harrohet asnjëherë. Për këtë jam i bindur.” Të ishe “lirik i çuditshëm” dhe “shembull i pastërtisë morale”, nuk të priste fat tjetër nga ai i Lasgush Poradecit.

Nëse poeti i valles së yjeve, Lasgushi, ndoqi të dashurën hollandeze nga aeroporti në aeroport dhe s`e arriti, një tjetër poet, partizan i çetës së Haxhi Lleshit, i mbijetuari i tri plagëve, me teserën e komunistit të 44-ës, bir i një kleriku të lart nga Erseka, me shkollim në medresenë e Tiranës, Vehbi Skënderi, merr për grua vajzën më të bukur të Pogradecit nga shtëpia e Gushajve, një kurbetli ky i Amerikës, i cili qe kthyer në vendlindje si tregtar i suksesshëm, mirëpo ziliqarët nuk mund të duronin një burrë të hijshëm allafrenga, i kamur, me sqimë, ndaj i thurën intrigën dhe e vrasin mu në mes të bulevardit të qytetit. Dhëndërrit të Gushajve nuk i shkonte në mend, se edhe ai ishte i përshtatshëm për t`i mveshur një faj. (Bukuroshja pogradecare, Lili, do njehësohej me poezinë, duke mbajtur për poetin fillin e Arianës, ndonëse filli i jetës së tij do bëhej lëmsh.) “Ti e di mirë që nuk ma mbushin synë dafinat e fanfarat./I pamë që të gjitha. I provuam./E dimë ç’është fyerja, gënjeshtra e hakmarrja./Pse m’i dhuron, e dashur, këto lule mua?/Nga dashuria a nga keqardhja?” Ngaqë dafinat (çmimet letrare) dhe fanfarat (Çmimi i Republikës) nuk i patën duk, duke mos pritur nderim prej askujt, kërkon të dijë: e dashura, tufën me lule, po ia jep nga dashuria apo keqardhja? Vehbi Skënderi është ndër të rrallët, i cili nuk kërkon të nxjerrë përfitime prej vuajtjeve. Nuk ia pa hajrin partizanllëkut e jo më të qënit i persekutuar. Me sa duket indiferencën ndaj dafinave dhe fanfarës, ofiqeve e nishaneve, thua se vuan nga thjeshtësia proletare, ka të ngjarë t`ia kenë marr për modesti si e si të përligjnin menjanimin, duke e trajtuar si asket: poetin me ashik të kohës?! “O babagjysh Fisnik! I drejtë dhe besnik sa s’ka!/Pse s’u tregove pak dinak e pak i mençëm?/Pse u besove këngëve dhe ëndërrave të mëdha?!/Dhe deshe që të jesh deri në varr i ndershëm?/O babagjysh Bujar, trim si askush dhe horr!/Pse more shtatë plagë, sulm më sulm dhe s’re dëshmor?/O babagjysh Hero, që ike si kusar:/E ku të dergjen kockat, pa emër e pa varr?!” E shkruar në ditën e dëshmorëve më 5 maj 1975 nga një ish partizan me plagë në trup, i flakur nga radhët si i padëshirueshëm, merret me mend drama e tij, vetëm se besoi tek këngët dhe ëndërrat e mëdha dhe, nga pozita e deheroit: i këndon heroizmit. (Të të njihet si fajsi, pse u besove këngëve dhe ëndrrave të mëdha, duke shkruar për to, është si t`u thuash amerikanëve, se meritën për të qenë vendi më i lirë në botë e kanë prej francezëve, të cilët i dhuruan Statujën e Lirisë. Edhe poema “Ëndërr industriale” e Kadaresë u shkrua duke besuar “tek këngët dhe ëndërrat e mëdha”, ndaj: tentativat për ta politizuar atë, shihet si një avaz gogoleshësh e levantinësh.) Ngaqë, poeti V. Skënderi, s`është mësuar të flasë për veten, i drejtohet një tjetri, ku dëshmorin e marrin për horr dhe heroin për kusar. Një nga arsyet që raportet me të vërtetën i kemi të deformuara është se dëshmimtari i rremë parapëlqehet ndaj atij okular, ku më zell ka për prishjen e provave se sa këmbëngulja për të gjetur fakte. Cili mori përsipër të dëshmonte historinë nuk u nëpërkëmb nga falsifikatorët, nuk pati fatin e Laokontit?! 

Vehbi Skënderi, autor i disa librave, njohës i gjuhëve: rusisht, italisht dhe frengjisht, (mësimi i gjuhëve tregon dhe orientimin nga Lindja në Perëndim) ndër më të njohurit e kohës, i cili, me propozimin (bekimin) e poetit Lasgush Poradeci në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat, asesi, në kulmin e energjive krijuese, jeta do i merrte rrokullimën për shkak të fejtonit “Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve” referuar Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, i cili nuk u botua, por që kaloi dorë më dorë nga kryeredaktori i “Zërit të Popullit” Todi Lubonja tek sekretari i parë i Tiranës, e cilësuar prej këtij të fundit: si vepër armiqësore. Në vitin 1974, poetin e përjashtojnë nga Partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, e heqin nga puna, duke ia kthyer librat në karton dhe atë vetë e degdisin në punëra të rëndomta deri në hamall. (Në një farë mënyre poetët ngjasojnë me heroin mitik, Atlasin, që mbante botën në kurriz.) Fejtoni u gjet si sebep, pasi shkaku, sipas meje, duhet kërkuar tek krijimtaria e tij në lulëzim, pasi, nga viti 1969 deri më 1974 ai boton 6 libra në pesë vite, si: “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), “Vjersha dhe poema të zgjedhura”-Kolana e poezisë shqipe (1973). As plagët, as tesera, as librat, as miqtë e shokët nuk mjaftuan ta shpëtojnë poetin kundrejt një aparatçiku. Në përballjen e poetëve me zyrtarët, të gjitha betejat, i kanë fituar këta të fundit. 

Babai ishte i drejtë si një shenjtor, por jetoi mes djajësh, do shprehet e bija, Elida Buçpapaj, e cila kujton me mall mëngjesin, kur i ati, ngrihet nga shtrati, ulet në makinën e shkrimit duke iu rikthyer krijimtarisë, i përjetuar ky çast, si një ringjallje. I ringjallur pa u rehabilituar?! “Kur nuk m’i hidhte sytë askush, sikur të kisha dreqin,/aq sa dhe gratë llafazane, sa më vështronin mua heshtnin,/Kur farefis, vëllezër ç’kisha: “s’të kemi gjë”-më thanë e ikën:/I vetmi te kjo virane tokë;/i vetmi që s’ma kishte frikën, ish qeni Dik./Më ndiqte pas kudo që veja! Putrën më zgjaste e më tokte./…Më shtrihej gjithë gaz në prehër, llastohej shpesh si kalama/Mes njerëzve, midis kalecave-pa çarë kryet hiç për ta./E ndonëse unë e lutja shpesh: Ki mendjen, Dik! Ruaju pak!/…E ja, për këtë “krim”, s’di si…/I miri Dik, tinëzisht, të varën!” As përkëdhelitë e qenit Dik nuk ia duruan. Poeti i nëmur duhej lënë vetëm. Nëse ti mbylleshe në vetvete, të akuzonin se ishe mbyllur në “kullën e fildishtë”? Të linin vetëm dhe të bënim me faj për vetminë?! Të përzënë dhe të thonë: pse ike?! (Dikur të linin vetëm, ndërsa tani je ti, që zgjedh vetminë.)

Në diktaturë, Vehbi Skënderi, shkroi disa libra, edhe kur iu dha e drejta e botimit në vitin 1984, ai përsëri botoi, por, a mund të thuhet për të se ishte poet i realizmit socialist, kur prej vitesh punoi si redaktor gazetash, revistash dhe në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”? Pse aq të ashpër me të, kur nuk u dënua për krijimtari të gabuar, por, për një fejton të pabotuar, ku kishin firmën dhe të tjerë? Donin t`i mvishnin një faj për të larë hesapet me të. I tradhëtuar njësoj, si nga lufta dhe paqja, gjithsesi ia doli të ngadhnjente, mbi ata që tundnin flamujtë e fitores. Se ai nuk e kishte betejën me humbësit, por me fitimtarët.

Nuk u ndesh me të dobtit, por me të fortët, duke përdorur arsenalin, që të ofron dashuria, ndërkohë që ndaj tij ushqehej urrejtje. Sfidantë jemi mësuar t`i shohin në radhët e kreshnikëve, epikëve, ata që pinin qumësht zanash për të përmbysur botën, ndërsa ai pinte “nektar perëndish” pa qenë në Olimp. Nuk zgjodhi rrugën e Prometeut, por të erosit, Afroditës e cila në “Iladë” është e vetmja perëndi, që plagoset. “Gruaja çdo prangë do ta këputë./(Qoftë dhe zinxhirë i artë)”-bëhet fjalë për prangosjen e shpirtit. “Hyn në çdo labirint skutë më skutë/Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë./Ndez miliarda qirinj në xhami e kishë.” I goditur rënd, duke parë gjithandej: paqendrueshmëri, rrëshqitshmëri karakteresh, silueta që të vidhen, sepse jeta nuk i afroi njerëz tek të cilit të mbështetej, por të tillë që t`u ruhej, ngushullimi i tij do mbetej veçse, mikja e zemrës. “Mike! Pse më jep përditë krahë Dashuria?! Dhe shpesh m`i këput krahët?/Mike! Ndarja qënka më afër nga takimi ynë.” Mëdyshje zë e thellohet: “Pastaj s`di si: Më shfaqesh si Ylber./Pastaj s`di si: Në gjoksin tënd më merr:/Më ngre lart në Qiell! Dhe vrik më hedh në Ferr./Dhe s`di në ç`breg: Më nxjerr apo s`më nxjerr?!” Ngaqë bëjnë ç`të duan me të, hedhur sa andej e këndej, i mësuar me humbjen e shokëve dhe miqëve, shqetësohet kur mikja: herë e ngre në qiell dhe herë e flak në ferr, si me qenë një lodër e fatit në duart e saj, se nuk do ta humbasë miken e tij, si e vetmja pikë mbështetëse e jetës. (Poeti vuante nga sëmundja e zezë e depresionit. Për ta kuptuar sfilitjen, po e ilustroj me vargjet e tij: E ndonëse jam me ty, kudo që je,/Prapë më zë frymën hiçi e vetmia./Si çdo fëmijë: qesh, thërras, ha dhé!/Dhe mund të shqyej malin nga mërzia!”) Kundër vetes kishte kohën, fatin, por jo dashurinë e mikes. (Shumë poetë ia kanë dalë, falë mikeshave. Ben Blushi: “Sa të dashura ka pasur (Lasgushi)? Shumë, tha Maria (e bija). Sa shumë? Po një greke quhej Eleni, një rumune Lula, një austriake Marjeta, shumë ka pasur.”-i përgjigjet vajza e poetit, duke kujtuar së bashku dhe holandezen.)

Edhe në kohë privimesh, njeriu i kultivuar, nuk i ul pretendimet. Edhe pse nuk e lanë të gëzohej, lirizmi i tij vazhdon të jetë një thirrje në kërkim të së bukurës. “Oh! Shpesh sulmojmë kot drejt yjeve që s`i njohim/Me ditë e me vite, qiellin pa anë matim,/Një hap larg bukurinë-dhe s`kemi sy ta shohim,/Një hap lumturinë-s`kemi duar ta kapim!” Një poet, që u tradhëtua nga lufta dhe nga paqja, kurrësesi nga një grua. “U njohëm një buzëmbrëmje./Kur dita që po shkonte, çapej si me dy mendje.”-Nëse dita shkon me një mëdyshje, mos dhe e dashura po shfaq teka, hezitim? “Erdhe të ikësh prapë, si zanat e legjendave/Apo erdhe të vendosësh ekuilibër?/Në këtë katrahurë,/Në këtë pyll pa lisa, pa pisha e pa drurë!” Nëse shqiptari nuk bën dot pa një fuqi madhore, kur rrëzohet tirani ai bëhet me diktatorin, kur bie diktatori bëhet me autokratin, këtë fuqi madhore poeti ia njeh vetëm femrës, e vetmja që mund të vendosë ekuilibër brenda tij, në mos drejtpeshim në një shoqëri të çorientuar. “Mos u beso betimeve të erës e flakës së nxituar!/Ajo që kërkon ti është më tej. Më larg! Ndoshta tre male lart./Ajo që kërkon ti është më thellë…/Sa ndjen hapat e tua, hov deti valë-valë. I bukur e i madh:/Me pelerinë blu nxiton të të mbulojë, edhe të të mbështjellë./Mos i beso! Mos i beso aspak! Po luaj e qesh, si çajkat nëpër dallgë!/Ajo që kërkon ti është më tej!/Ndoshta tre male larg. Ndoshta tre yje lart.”-Nëse në një poezi këshillon se bukuria është një hap larg teje, heroinës i thotë se ajo që kërkon është përtej maleve dhe yjeve, duke lartësuar shpirtin e njeriut të kultivuar. I tradhëtuar dhe i shvleftësuar vetëm një poet lirik mund të dalë garant në njësitë matëse të bukurisë. Aq i hollë është në përjetim, aq e çmon çastin, që s`do ta lërë të ikë, sa loja me imazhet e mirazhet të tërheq magjishëm: “Nga erdhën? Shih, ç’rosa të egra arrakate!/… Me ty erdhën! Ti m’i prure!/Pse hesht? Tani as heshtja, as fjala s’ka më vlerë…/Ik, po të duash. Po këto çaste nuk t’i lë./Janë të miat./Nuk t’i fal dot. Me hir e me pahir, s’m’i shkul dot kurrë!/Unë fal gjithçka: ujin, dritën, zjarrin./Rininë. Gjakun. Këngën… Çdo mirësi e pasuri të kësaj jete./Këto s’ia fal askujt. As yllit, as pyllit, as detit, as varrit!/As ty nuk t’i fal dot!” Thua të jetë një pasuri iluzive me të cilën ai ushqen shpirtin e boshatisur? “Ik, po të duash! Po këto çaste nuk t`i lë!”-një reagim, që mund të shkaktojë habi, se ajo që mbetet fill pas ikjes së dashurës, qënkish përjetimi më i rrallë, që mund ta regjistrojë vetëm shpirti i një liriku, sikurse teleskopët e fuqishëm sjellin në tokë foto të mahnitshme nga galaktika. “Më deh ky fllad që dheu përhap në prill,/Që nga çdo pemë e nga çdo shkurre fryn./Dhe ndoshta një dëshirë apo një trill,/As vetë nuk e di nga po më shtyn.” Në monografinë kushtuar Tolstoit, Romeo Rolan, vë në dukje përjetimet dehëse të kontit Tolsto në natyrë. “Mos harro/Që të m’i kthesh prapë këto çaste fluturake,/Që i more me vete kur ike.” Pikërisht pse çasti është fluturak, i pafiksueshëm, i cili materializohet vetëm me prani njerëzore, poeti nuk i përton aventurës. “Ju nuk e kuptoni! Ju s’keni folur kurrë me pulbardha!/Duan të më marrin prapë me vete si detar./Më shkulin dhembshurisht me sqep të gjitha thinjat e bardha./Dhe ngjitem e zbres, si ujk deti, kreshtë më kreshtë/Pa çarë krye hiç se ku po më shpie dallga!”

Por, vjen një ditë dhe poeti i drejtohet vetes, ngaqë ka shumë për t`i thënë: “Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbeten/Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë-sërë,/I hapim von` defterët, e von` shoshitim veten!/E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë:/Kam një bilanc të mjerë!”-janë vargjet e para të poezisë “Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbeten”, e cila u bë shkak dhe i kësaj eseje. Gjithkush ka një çast, kur i bën gjyqin vetes, kur kthen kokën dhe do të dijë se çfarë ka lënë pas. Më parë se At Zef Pllumi të shkruante “Rrno për me tregue”, ishte Petro Marko Plaku, i cili interviston Petro Markon e Ri si të ishte një dialog midis Gavril Darës Plaku dhe Gavril Darës i Riu. Pse flitet me veten (plaku dhe i riu) dhe jo me një të dytë? Sepse, ai i dyti mungon. Pale i treti apo i katërti. Vehbi Skënderi në ballafaqimin me veten sheh një bilanc të trishtë. “E si kalojnë vitet, rritet kamata e fajit…/Kam dashur t’i nxë krejt, të tëra gjuhët e erërave/Dhe nuk po mund t’i nxë,/Jam nisur t’u gjëmoj në fluturim skifterëve/Dhe s’po kap dot asnjë!/Kam dashur që të ngre Qytetin më gazmor/e më të drejtë në botë,/Po vetëm pak haliçë në themel kam vënë./Kam dashur të mbjell vreshtë çdo akullnajë të ftohtë/Po vetëm pak fidanë më kanë zënë!/E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute:/Shtegtimin, ndarjen, vdekjen-a s’di ç’dreq i thonë,/E shtyj, për miqësi, një çikë më tutje…/Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë!” Kërkon të fitojë kohë, për të ndrequr bilancin. Kjo poezi është shkruar në vitin 1991. Poeti u largua nga kjo botë 20 vite më vonë, më 13 qershor 2011, ditën e Shna Ndout. Nuk mund të mos habitesh, se ku e gjeti fuqinë ta shtyjë vdekjen 20 vite më tej? S`ka tjetër veç dashurisë. “Dhe në mos të të shpëtoftë ajo, (hëna)/ndoshta të merr me vete në hapsirë/Ku në mos qofsh e lumtur je e lirë.” Lumturia dhe liria nuk mund të jenë bashkë. Për hir të njërës duhet sakrifikuar tjetra. Poeti ka zgjedhur të sakrifikojë të parën: lumturinë. Kujtesa ime libër, me mijra e mijra fletë, mbushur plot hollësira:/Plot vjollca e gjëmbaçë. Dhe lisa, që i ka grirë kalbësira./Kam një të mirë: unë mbaj mend./ “Nëna më thosh dikur: “O bir! Pse pi çdo helm? Pse nuk harron diçka?” Ju, mëkatarë, që e tradhëtuat në luftë apo në paqe, mos u trëmbni, gjithë sa poeti mbante mend i keni të shkruara këtu, tek këto poezi e këto vargje, ku dashuria nuk i ka lënë kohë dhe vend të merret me ju.

Exit mobile version