Kreu Letërsi Bibliotekë “Tiranës” poemë nga Elida Buçpapaj

“Tiranës” poemë nga Elida Buçpapaj

Tirana dashuri tiranike
me thundër malli
të vë përposht, të mposht
që se shpërbën koha
formulë e pazbërthyeshme
në asnjë laborator
virus, kolerë, Covid
që paradoksalisht
të mban frymën gjallë
nektar Zotash
rebus i pazgjithshëm
nga inteligjencia artificiale
që se djeg as acidi, as zjarri
krater vullkani
nuk e rrëzon asnjë dekret
asnjë diktator apo grushtshtet

***
Tirana mall i krisur,
grimuar si kristali mijra grimcash,
mijra grimcash i ngjitur
përrua i ndërgjegjes
na thith e tërheq si manjeti
forcë graviteti

***
Tirana qytet i përhumbur
i shpyllëzuar
mall resh sipër yjesh
i gurëzuar
rreth qafës lidhur nyjesh
i nyjëzuar
zjarr i mbuluar, i fikur
dhè i ligështuar, i ligur
prej shpopullimit
s’do të ngopesh kurrë
me fytyrat e bijve
nga dashuria të ngjizur
nga urrejtja klasore
të vrarë e të ikur

*
Tirana qiell i mbirë
me gjëmbaçë
nga pritja sfilitur
ku malli fluturon
mbi rropulli resh davaritur
skifter krahëhapur,
i tendosur,
nën qiellin e përgjuar
për liri i uritur

*
Tirana
gravura të ngadhnjyera
relikash
Ura e Tabakëve
Xhamia e Et’hem Beut
Sahati miniaturë tiranase
e Big Benit
qytet pa rrugë shinash
pa stacion treni –
dëshmitar i vetëm
qielli i thellë, blu,
bukuri e ciflosur
e syve ngjashërenjë të reve
muranë e murosur

*
tek kangjellat e tyrbes
së Dervish Hatixhesë
kapur për dore
gjyshe e mbesë
ndezin qirinj
e Zotit i luten me përgjëresë
pa zë me mërmëresë
t’ju shpëtojë
nga fermani i shortit
birin dhe atin…
mbi Dajt një re e gjakosur,
lulemullagë e pafajsisë
bie në gropën pa emër
për të pafatin

*
Tirana trekëmbësh i lutjeve
nga buzë të dridhura jetimësh
të etërve jetëshuar
gjoksshpuar
nga breshërimat

*
Nga gazet e zinj
symbushur lot
për herë të fundit
ia hodhën amanetet
Lanës
Senës së Tiranës
pak para se trupat e tyre
të binin si drurë të sharruar
në gropat vulëhumbura
rrethinave të kryeqytetit
me yllin e kuq kryqëzuar

*
askush si pa ata djem nënash
etër të rinj fëmijësh zemërmardhur
veç terri i zi
lajmëtar i mandatës
ia nguli sytë
skuadrës së pushkatimit
bashkë me kukuvajkat
dhe lakuriqët e natës

*
pa varre do mbesin,
pa u vajtur nëna, gruaja
trashëgimtarët
tiranasit, qytetarët
pa qirinj dhe buqeta lulesh
emra të zhdukur
grumbuj eshtrash humbur
pa nam e nishan
periferive të Tiranës
shpërndara nëpër
gërmime e humbëtì
aty ku pëllumbat
sapo u rriten pak krahët
ikin, marrin arrati

*
Tirana malli im i djegur
shkrumb e hi
kosë hënore e qytetit qeli
nën qiellin e mavijosur
me hematoma
torturash mavi

*
familjet gdhiheshin
po s’ngryseshin
se vinin kamionët
i ngarkonin si rrangulla të vjetra
të vegjël, prindër e pleq
me rrobat e trupit i dëbonin
në humbëtira gulagësh i internonin

*
fëmijët zemërharabelë
pyesnin se
kur do të ktheheshin
në shtëpitë e tyre në Tiranë
të luanin me shokët
të ndiqnin në klasë
vijimin e mësimit
ndërsa mësuesja të nesërmen
dorëngrirë do t’ju vinte vizë
mbi emrat në regjistër
pa dhënë asnjë shpjegim
trashëgimtarë bijësh armiku
degë të sapombira
të një pylli të tërë të ri
sythe e bula,
pleq, djem, vajza, gra e burra
brez pas brezi mbi ta
si Yll i Verdhë Davidi
do t’ju ngjitej në lëkurë vula

***
ata të gjithë Tiranë
të luteshin t’i mbroje
besonin tek ty
pa llogaritje
të gatshëm për çdo provë e bast
të deshën me gjithë shpirt siç ishe
me një Pallat Mbretëror
pa monark,
pa skeptër e kurorë
pa apostuj, pa samizdat*
me nje Pallat Kulture ikonoklast

*
braktisja ateiste
u mbyti besimin jetim
në fund të detit Adriatik
e dashuria e tyre për ty
nuk vlejti asnjë grosh
e tash Tiranë e dashur
nga dhimbja e zvogëluar
sa një grusht
je e gatëshme për bijtë e tu
me Perënditë të grushtohesh
ashtu e dërmuar
në çdo cep të botës t’i kërkosh
nën mavijosjen e qiellit mavi
shpuar tej për tej në zemër
nga turjelat e qiellçjerrëseve bosh

*
Tirana prej tetë dekadash
e gjitha një ish
ish Radio Tirana
ish Bulevardi Zogu i Parë
ish Shtypshktonja Gutenberg
ish Hotel Bristol
ish Kafe Kursal
ish Libraria Lumo Skëndo
ish Shtëpia e Oficerëve
ish Kafe Rinia
ish Kafe Flora
ish Pastiçeri Agimi
Tirana vetëm ish
pa asnjë gjurmë e shenjë
sikur s’ish

*
ish shtëpia e Nënëdajës
ish Pazari i vjetër
ku im atë blinte kajmak
për gruan e tij të bukur
shtatzanë
ish birraritë e vogla
ku tymi dhe era e mishit
nën shoqërinë e krikllave të birrës
brënda të ftonin
të shijoje panine të ngrohta
me qofte zgare me rigon

*
ish Banja Publike
ish Shtëpia e Gjetheve
ish klithmat me oh dhe oi
ish torturat shnjerëzore
ish Kinema Republika
ish Partizani i Panjohur
ish ylli i përgjakur i Muzeumit
ish piramida
ish Lidhja e Shkrimtarëve
ish komiteti qendror
ish rrëzimi i diktatorit
gjithçka një ish
sikur
kurrë s’ish

*
ish reklamat e filmave
tek ish komitetit egzekutiv
Ish Instituti i Kulturës Popullore
ish stacioni i trenit
ish Teatri Kombëtar
i hedhur në erë në mesnatë
me skenat, rekuizitat,
kostumet e Hamletit,
Ofelisë, Dezdemonës, Jagos
me sportelin e biletave
kolltukët e platesë, llozhave
i masakruar barbarisht
në ditën e kijametit
në shekullin njëzetë e një
e gjithë Tirana një ish
sikur s’ish
e gjitha veç
një grumbull kaosi rrapullish

*
Tirana ime e gjitha një ish
ish qytet ateist
me kishë katolike
kishë ortodokse
me minare e xhami
e mishmash partish

*
Tirana një ish hamam
otomanizmi komunist
prej arratisë së mbretit
deri nën vrundujt
e avujve të narkoshtetit
me disa toponime fluide
Dajti, Lana, Ura e Tabakëve
Kombinati, Kinostudio,
Spitali, Selvia, Braka
ka mbetur qielli i ngjyer
nga kuq në mavi prej honi
me 300 ditë me diell të palumtur
që djegin si flakë inkuizicioni

*
por malli mbetet tatuazh në lëkurë
i qepur me makinën e gjyshes Singer
që historitë e familjesi fshihte
nën qerpikë me pengun
se do t’i merrte me vete
në botën tjetër
pa na i treguar
se muret vigjëlonin, veshëngritur
sypagjumë, natë e ditë
duke përgjuar

**

Tirana pa trolejbusë
e shina tramash
pa bare e klube nate
pa zgjoje fantazish e fantazmash
e dehje të çmendura
pa agjensi udhëtimesh,
për lamtumira me lot ndarjesh
si balada flijimesh

*
të gjithë brënda
në një vathë delesh
kullosnim në bulevardin e madh
shtylla kurrizore e qytetit
nga jugu në veri
nga Materniteti
tek Korpusi Universitar
mollë e ndaluar ishte dija
për shumë djem e vajza tirane
edhe në dashuri ishte e ndaluar të bije
vëllai i madh çekan mbi krye
morali komunist të ndiqte hije
duhej të jepte vizë dhe lejë partia

*
ajo vajza me sy të trishtë
si të Sylvia Plath
nuk lejohet ta dashuroni
se s’ka biografi të mirë
kujdes ai djali me kaçurela biond
si të Byronit
urrejeni sa të mundni
gjyshin e ka të arratisur në Amerikë
të jatin e ka në burg
është vetë kolera mos e afroni

***
rinia e Tiranës fytyrbukura
jetonte ditë krahëkëputura,
me përjashtim të rrugës
me emrin ilegal Broadway
ku ëndërrohej pa doganë
për fluturime pindarike
mbi Harley Davidson
të shpranguar, duke uluritur me shpirt
këngët e Jimmy Hendrix,
Rolling Stones e John Lenonn
dhe kush e di
ndofta dhëmbështrënguar
hitin rebel të Sam Cooke
A change is gonna come

*
ndodhte që mendimet
çliroheshin
prej pyllit
me gjëmbaçë kaktusesh
e bridhnin të lira
në bulevardin veri-jug
nga Materniteti
ku kishim lindur ne
e gjithë rinia
tek Korpusi Universitar
gjallërohej e lëvizte jeta
si një Lum Rin sysh të ndezur
jerm zjarrmie
i gatshëm për udhëtime
ndërplanetare
e histori të ndaluara dashurie

*
Tirana ime e veshur kokë e këmbë
me dok e terital
mbathur me këpucë uniforme, të rënda
takat e larta high heels
ishin mbeturina borgjeze, të huaja
vajzat nuk i shihnin as në ëndërr
e kishin të ndaluar

*
qytet me rrugë pa auto
pa semaforë të kuq, të verdhë, të gjelbër
me linja autobuzësh të mjera
me ndejtëse të shqyera, pis, të ndyra
ku varfëria luante tragjedi e drama
me damar të prerë
nga vuajtjet dhe traumat

*
Tirana ime e burgosur e ndërgjegjes
nuk kishe ku të shkoje e nga të vije
i gjithë globi dhe universi
ndahej me gjyshe, dajo, xhaxhallarë,
halla e teze
që sot bëjnë gjumin e trazuar
nëpër varreza pa qetësi e paqe
mes gjëmbaçësh kryeneçë e shkurresh
prej mallit për të dashurit
që i kanë të shpërndarë nëpër botë larg,
për t’ju ndezur qirinj e sjellë buqeta lulesh

***
Tirana dashuri tiranike
me thundër malli
të vë përposht, të mposht
që se shpërbën koha
formulë e pazbërthyeshme
në asnjë laborator
virus, kolerë, Covid
që paradoksalisht
të mban frymën gjallë
nektar Zotash
rebus i pazgjithshëm
nga inteligjencia artificiale
që se djeg as acidi, as zjarri
krater vullkani
nuk e rrëzon asnjë dekret
asnjë diktator apo grushtshtet

***
Tirana mall i krisur,
grimuar si kristali mijra grimcash,
mijra grimcash i ngjitur
përrua i ndërgjegjes
na thith e tërheq si manjeti
forcë graviteti

*samizdat – aktivitet disident, shpërndarje në mënyrë klandestine e literaturës letrare apo publicistike të censuruar kryesisht në BRSS

Janar-Mars, 2024

(Nga libri Skaterr që autorja po përgatit për botim)

Exit mobile version