Përktheu Skënder Buçpapaj
Eeldrop dhe Appleplex morën me qira dy dhoma të vogla në një pjesë me emër të keq të qytetit. Këtu ata nganjëherë vinin në mbrëmje, nganjëherë flinin e, pasi bënin një sy gjumë, ata gatuanin tërshërë dhe në mëngjes niseshin drejt adresash të panjohura për njëri-tjetrin. Ata rrallë flinin, më shpesh bisedonin apo shikonin nga dritarja.
Ata i kishin zgjedhur dhomat dhe lagjen me kujdes të madh. Ka lagje të liga me zhurmë dhe lagje të këqija me heshtje, dhe Eeldrop e Appleplex parapëlqyen këtë të fundit, si më të keqen. Kjo ishte një rrugë me hije, dritaret e saj ishin me perde të rënda; dhe mbi të varej reja e një respekti që ka diçka për të fshehur. Megjithatë ajo kishte përparësi ndaj lagjeve më harrakate rreth e rrotull, dhe Eeldrop e Appleplex vrojtonin nga dritaret hyrjen qendrore të një rajoni të policisë nga ana tjetër e rrugës. Kjo në vetvete përbënte një tundim të papërmbajtshëm në sytë e tyre. Nga koha në kohë heshtja e rrugës prishej; sa herë që një keqbërës arrestohej, një valë e zemërimi shtjellej në rrugë dhe përplasej mbi dyert e stacionit policor. Pastaj banorët e rrugës, në veshjet e tyre të shtëpisë, do të zgjatnin qafat nëpër dyer: pastaj vizitorët e huaj do të vargoheshin në rrugë, me kapele në kokë; pak më vonë qendra e mjerimit ngujohej në birucën e saj. Pastaj Eeldrop dhe Appleplex ndërpritnin bisedën e tyre dhe nxitonin për t’u bashkuar me turmën. Secili ndiqte linjën e vet të hetimit. Appleplex, i cili kishte dhuntinë e një komunikimi të jashtëzakonshëm me klasat e ulëta të të dy sekseve, hynte në biseda me kalimtarët, dhe shpesh nxirrte prej tyre histori të plota dhe kontradiktore: Eeldrop kishte një sjellje më pasive, dëgjonte bisedën e njerëzve në mes tyre, i regjistronte në mendjen e tij betimet e tyre, teprinë e tyre të fjalosjes, mënyrat e tyre të hakërrimeve, dhe klithmat e viktimës nga salla e drejtësisë brenda. Kur turma shpërndahej, Eeldrop dhe Appleplex ktheheshin në dhomat e tyre: Appleplex i shënonte rezultatet e pyetjeve të tij në blloqe të mëdhenj, të renditur në bazë të natyrës së çështjes, nga A (tradhti bashkëshortore) në Y (turpe me kafshët). Eeldrop tymoste i përhumbur. Mund të shtohet se Eeldrop ishte një skeptik, me një prirje për misticizëm dhe Appleplex një materialist me një prirje drejt skepticizmit, dhe se Eeldrop kishte studiuar teologji e Appleplex kishte studiuar shkencat fizike dhe biologjike.
Ishte një motiv i përbashkët i cili bënte që Eeldrop dhe Appleplex të qëndronin ndaras kohë pas kohe, nga terrrenet e punëve të tyre të përditshme dhe nga veprimtaritë e tyre rëndom shoqërore. Të dy përpiqeshin t’iu iknin jo mjediseve të rëndomta, të respektuara apo edhe familjare, por zonave tejet të përpikta, tejet të rehatshme, tejet strehë pëllumbash, dhe, – në gjuhën e atyre të cilët ata kërkonin t’i shmangnin – ata dëshironin “të kapnin shpirtin e njeriut në individualitetin e tij konkret”.
“Pse”, tha Eeldrop, “ai spanjolli i dhjamur, i cili u ul në tryezë me ne sonte dhe dëgjoi bisedën tonë me një kureshtje rastësore, pse ishte ai vetë për një moment një objekt me interes për ne? Mbante pecetën pulitur në mjekër të tij, bënte zhurmë të pakëndshme duke ngrënë dhe duke mos ngrënë, mënyra e tij e thyerjes së bukës në mes gishtave të trashë më bëri shumë nervoz: ai kishte veshur një jelek të zbërdhulët dhe çizme të zeza me maja ngjyrë kafe. Ai ishte tejet i shëmtuar e vulgar; i përkiste një tipi që shumë lehtë mund të klasifikohet në çdo qytezë provinciale të Spanjës. Megjithatë, në do rrethana – kur ne ishim duke diskutuar martesën, dhe ai papritmas u përkul përpara dhe bërtiti: “Unë kam qenë i martuar një herë” – ne ishim në gjendje ta lironim atë nga klasifikimi i tij dhe ta konsiderojmë për një moment si një qenie unike, një shpirt, megjithatë i parëndësishëm, me një histori të vetën, një herë e përgjithnjë. Janë këto momente që ne i çmojmë dhe të cila vetë po i shpalosim. Sepse çdo e vërtetë jetësore është e pazonja t’i shkojë përshtat një rasti tjetër: thelbësorja është unike. Ndoshta kjo është arsyeja pse është kaq i lënë pas dore: për shkak se është i padobishëm. Çfarë kemi mësuar në lidhje me atë spanjoll është paaftësia e tij që t’i shkojë për shtat çdo spanjolli tjetër, ose madje as ta çojë në mendje. Me tatëpjetën e teologjisë ortodokse dhe të teorisë së saj të admirueshme të shpirtit, rëndësia unike e ngjarjeve është zhdukur. Një njeri është i rëndësishëm vetëm pasi ai është i klasifikuar. Prandaj nuk ka asnjë tragjedi, apo nuk ka vlerësim të tragjedisë, çka është e njëjta gjë. Ne kishim qenë duke folur për djaloshin Bistwick, i cili tre muaj më parë u martua me shërbëtoren e nënës së tij dhe tani është i vetëdijshëm për faktin. Kush e vlerëson të vërtetën e çështjes? Jo të afërmit, se ata preken vetëm nga mirëdashja, sa i përket interesave të Bistwick, dhe kryesisht nga ndjenja e tyre kolektive e turpit të familjes. Shpirtlig e njeri që nuk vret mendjen, çka merret thjesht si dëshmi për domosdoshmërinë e reformës së ligjit të divorcit. Bistwick është klasifikuar në mesin e të martuarve të palumtur. Por se ç’ ndjen Bistwick kur zgjohet në mëngjes, çka është fakti i madh e i rëndësishëm, askush nga ata që nuk janë në dijeni nuk mund ta kuptojë. Rëndësia e tmerrshme e rrënimit të një jete është anashkaluar. Burrat janë të lejuar vetëm të jenë në klasa të lumtura apo fatkeqe. Në Rrugën Gopsum një burrë vrau dashnoren e tij. Fakti i rëndësishëm është se për njeriun akti është i përjetshëm, dhe që për pjesën e shkurtër të mbetur të jetës, ai është tashmë i vdekur. Ai është tashmë në një botë tjetër nga e jona. Ai e ka shkelur kufirin. Fakti i rëndësishëm është se u bë diçka e cila nuk mund të zhbëhet – një mundësi të cilën asnjë prej nesh nuk e kupton derisa e përballim vetë. Për fqinjët e tij fakt me rëndësi është me çfarë e vrau burri atë? Dhe saktësisht në ç’ kohë? Dhe kush e gjeti trupin? Për ‘publikun e shkolluar’ rasti është vetëm dëshmi për çështjet e Dehjes ose Papunësisë, ose disa kategori të tjera gjërash për t’u reformuar. Por bota mesjetare, duke këmbëngulur në përjetësinë e dënimit, shpreh diçka më afër së vërtetës.”
“Ajo që ti thua”, u përgjigj Appleplex,” kërkon aderimin tim matur. Unë duhet të mendoj se, në rastin e spanjollit, dhe në shumë raste të tjera interesante që kanë ardhur nën vëmendjen tonë në hyrje të stacionit policor, ajo që ne e kapim në atë momentin e vëzhgimit të pastër për të cilën krenohemi, nuk është e huaj për parimin e klasifikimit, por më e thellë. Ne mundnim, nëse na pëlqente, të bënim koment të shkëlqyer mbi natyrën e spanjollëve provincialë, ose për varfërinë e skajshme (si është quajtur mjerimi nga filanthropistët), ose për shtëpitë me vajzat punëtore. Por i tillë nuk është qëllimi ynë. Ne synojmë eksperiencën në qendrat e veçanta ku është vetëm e keqja. Ne shmangim klasifikimin. Ne nuk e mohojmë atë. Por kur një njeri klasifikohet, diçka humbet. Shumica e njerëzve jetojnë me monedha letre: ata përdorin terma të cilat janë thjesht të mira për realitete të tilla, ata kurrë nuk e kuptojnë monedhën reale.”
“Unë do të shkoja edhe përtej kësaj,” tha Eeldrop. “Shumica jo vetëm që nuk kanë një gjuhë që mund të shprehë diç tjetër pos njeriut të përgjithësuar; ata, në pjesën më të madhe, janë të pavetëdijshëm për veten e tyre si asgjë tjetër pos njerëz të përgjithësuar. Ata janë para së gjithash zyrtarë të qeverisë ose shtylla të kishës, ose sindikalistë, ose poetë, ose të papunë; ky katalogim nuk është i kënaqshëm vetëm për njerëzit e tjerë, për arsye praktike: është i mjaftueshëm për veten e tyre, për jetën e tyre “të shpirtit “. Shumë prej tyre nuk janë mjaft të vërtetë në çdo moment. Kur Wolstrip u martua, jam i sigurt se tha me vete: ‘.. Tashi unë jam duke konsumuar bashkimin e dy prej familjeve më të mira në Filadelfia.”
“Pyetja është”, tha Appleplex, “çfarë duhet të jetë filozofia jonë. Kjo do zgjidhur menjëherë. Zonja Howexden më rekomandon mua të lexoj Bergsonin. Ai shkruan shumë zbavitshëm për strukturën e syrit të bretkocës.”
“Aspak,” e ndërpreu mikun e tij. “Filozofia jonë është krejt e parëndësishme. Thelbësore është që filozofia jonë të mbijë nga këndvështrimi ynë dhe të mos kthehet qëllim në vetvete për të shpjeguar pikëpamjen tonë. Një filozofi për intuitën ka disi më pak të ngjarë të jetë intuitive sesa ndonjë tjetër. Ne duhet shmangim pasjen e një platforme.”
“Por të paktën,” tha Appleplex, “ne jemi….! ”
“Individualistë. Jo!! dhe as anti-intelektualistë. Edhe këto janë etiketa. ‘Individualisti’ është një anëtar i një turme krejtësisht si çdo njeri tjetër: dhe turma e individualistëve është më e papëlqyeshme, sepse ajo ka pak karakter. Nietzsche ishte një njeri-turme, ashtu si Bergsoni është një intelektualist. Ne nuk mund t’i shpëtojmë etiketës, por le të jetë diçka që nuk përbën asnjë dallim, dhe nuk shkakton asnjë brerje të ndërgjegjes. Mjafton që ne të gjejmë etiketa të thjeshta, dhe të mos i shfrytëzojmë më tej ato. Unë jam, unë të rrëfej ty, në jetën private, një nëpunës-banke….”
“Dhe duhet, sipas vizionit tënd, të kesh një grua, tre fëmijë, dhe një kopsht perimesh në një periferi,” tha Appleplex.
“Ky është saktësisht rasti,” ia ktheu Eeldrop, “por unë nuk e kisha menduar të nevojshme ta përmend këtë detaj biografik. Meqë është natë e shtunë, unë do të kthehem në periferinë time. Nesrën do ta kaloj në atë kopsht….”
“Unë do t’i bëj vizitë zonjës Howexden”, murmuriti Appleplex.
II
Mbrëmja e së dielës në periferitë ishte gri dhe e verdhë; kopshtet e shtëpive të vogla në të majtë dhe në të djathtë ishin rrethuar me shermashek, me barishte dhe shkurre jargavani; gjelbërimi tropikal i Londrës së Jugut ishte i pluhurosur lart dhe i mykur poshtë, ajri i vakët gumëzhinte plot miza. Eeldrop, në dritare, e mirëpriste erën e tymosur të jargavanit, gramafonët, korin e kishës baptiste dhe sytë e tri vajzave të vogla që luanin karta në shkallët e Stacionit Policor.
“Në një natë si kjo,” tha Eeldropi, “Unë shpesh mendoj Sheherazaden dhe pyes veten se çfarë është bërë me të.”
Appleplex u ngrit pa folur dhe u kthye te dosjet të cilat përmbanin dokumentet për “Hetimin e Shoqërisë Bashkëkohore”. Ai e hoqi fashikullin Londër nga midisi i Barcelonës dhe Bostonit ku ai kishte qenë gabimisht, dhe i shfletoi letrat rrufeshëm. “Zonja që ti përmend,” u kujtua ai më në fund, “të cilën unë e kam renditur jo tek S. por si Edith, alias Sheherazade, ka lënë vetëm pak dëshmi në zotërimin tim. Ja një llogari e vjetër lavanderie që ajo ta ka lënë ty ta paguash, një çek i tërhequr prej saj dhe i shënuar ‘R/D?,’ një letër nga nëna e saj në Honolulu (në fletë me rreshta të gjerë), një poemë e shkruar në një faturë restoranti – ‘Atthisit’ – dhe një letër nga ajo për Lady Equistep, në një fletë të bukur shënimesh, që përmban disa informata të dëmshme, por të këndshme për Lady Equistep. Pastaj janë ca vërejtje të miat në dy fletë letre me format të madh. ”
“Edith,” murmuriti Eeldrop, i cili nuk e kishte pasur mendjen te ky katalog, “Unë pyes veten se çfarë është bërë me të.” Nuk është kënaqësi, por plotësi e jetës… të djegësh ndonjëherë një perlë në mes të flakës së gjallë,” këto ishin fjalët e saj. Çfarë kureshtjeje dhe pasioni për eksperiencën! Ndoshta ajo flakë është shuar vetvetiu tashmë.”
“Ti duhet të informohesh më mirë,” foli Appleplex rëndë, “Edith darkon ndonjëherë me zonjën Howexden, e cila më tregon mua se pasioni i saj për eksperiencën e ka çuar atë tek një pianist rus në Bayswater. Ajo gjithashtu thuhet të jetë e pranishme shpesh në Dhomat Anarkiste të Çajit, dhe zakonisht mund të gjendet në mbrëmje në Cafe de l’Orangerie.”
“E pra,” ia kheu Eeldrop, “unë pranoj se parapëlqej të pyes veten se çfarë është bërë me të. Unë nuk doja të mendoja për të ardhmen e saj. Sheherazadja e plakur! E përfytyroj atë shumë të majmur, me gjoks të plotë, me flokë të verdhë, duke jetuar në një apartament të vogël me një shërbëtore, duke shëtitur në Park me një qen race leshtor, të lëvizë në veturë me një agjent burse. Me një uri të tërbuar për ushqime dhe pije, kur të gjitha uritë e tjera i ka shfryrë, të gjitha uritë e tjera i ka shuar përveç urisë së pangopur në rritje të kotësisë; duke bredhur kodrinave mbi dy këmbë të hapëta, duke u lëkundur nëpër vetura, duke u lëkundur drejt një fundi diabetik në një vend të lagësht bregdetar.”
“Pikërisht tashi ti sapo e pé atë flakë të ndritshme duke u shuar,” tha Appleplex, “tashi do ta shikosh duke pikëluar, çka dëshmon se vizioni yt u bazua në imagjinatë, jo në ndjenja. Dhe pasioni për eksperiencën – ke mbetur kaq pakthyeshëm para-rafaelit sa të besoni në të? Kush është ajo qenie reale, me një zanafillë të vërtetë të instiktit, që ka besuar ndonjëherë në pasionin për eksperiencën? Pasioni për eksperiencën është një opinion i të sinqertëve, një kredo vetëm e kurrkushëve. Personi i pasionuar është i pasionuar për këtë apo atë, ndoshta për gjëra më pak të rëndësishme, por jo për eksperiencën. Por Marius, des Esseintes, Edith… ”
“Por ki parasysh,” tha Eeldrop, i vëmendshëm vetëm për faktet e historisë së Edith dhe ndoshta duke mos vënë re vërejtjet e Appleplex, “karrierën e saj të pazakontë. E bija e një akorduesi pianoje në Honolulu, ajo siguroi një bursë në Universitetin e Kalifornisë, ku u diplomua me Nderime në Etikën Sociale. Ajo pastaj u martua me një profesionist bilardoje në San Francisko, pas një njohjeje dymbëdhjetëorëshe, jetoi me të dy ditë, u bashkua me një kor muzikor komedie dhe u divorcua në Nevada. Ajo u kthye disa vjet më vonë në Paris dhe u bë e njohur për të gjithë amerikanët dhe anglezët në Dome du Cafe si zonja Short. Ajo u rishfaq në Londër si zonja Grifiths, botoi një vëllim të vogël vargjesh, dhe u pranua në disa qarqe të njohura për ne. Dhe tani, sikurse unë ende këmbëngul, ajo është zhdukur nga shoqëria krejt. ”
“Kujtimi i Sheherazades,” tha Appleplex, “është për mua si krem karameli Zog prej kumbullash të thata në një shtëpi pushimi në Bloomsbury. Nuk është synimi im për të paraqitur Edith si thjesht të pandershme. As nuk është ajo një figurë tragjike. Unë dua të di se pse ajo mungon. Unë nuk mund ta analizoj atë në ‘tërësinë e kombinimit të elementeve të njohur’, por më mungon së prekuri diçka sigurisht e papërshtatshme për analizë.
“A është Edith, pavarësisht së kaluarës së saj romantike, duke ndjekur ngultas njëfarë qëllimi të fshehur të saj? Janë migrimet dhe kërkimet e saj shenjë e ndonjë rrjedhoje të anashkaluar? Gjej te ajo një sasi vëzhgimi mendjemprehtë, një fond të shkëlqyer kriticizmi, por unë nuk mund t’i lidh ato në ndonjë vizion të veçantë. Sarkazma e saj në kurriz të miqve është e lezetshme, por unë dyshoj nëse është më shumë se një përpjekje për ta modeluar veten nga jashtë, nga shkaku i armiqësive, për të theksuar izolimin e saj. Gjithkush thotë për të, ‘Sa përkryer është ajo e padepërtueshme! ” Unë dyshoj se brenda ka vetëm konfuzionin e një papafingoje të pluhurosur.”
“Unë i shqyrtoj njerëzit,” tha Eeldrop, “nga mënyra si i imagjinoj ata teksa zgjohen në mëngjes. Unë nuk nisem nga kujtesa, kur imagjinoj Edith si zgjohet në një dhomë plot me rroba, gazeta, kozmetika, letra dhe ca libra, erën e Violetës së Parmës dhe duhanit bajat. Rrezet e diellit depërtojnë përmes qepenave të thyera, dhe qepenat e thyera që e mbajnë diellin jashtë derisa Edith të mund ta detyrojë veten të jetë e pranishme ditën tjetër. Megjithatë, vizioni nuk më jep më shumë dhimbje. Unë mendoj për të si një artiste pa as forcën më të vogël artistike. “
“Temperamenti artistik -” filloi Appleplex.
“Jo, jo ai,” Eeldrop e zbrapsi tej këtë mundësi. “Unë dua të them se ajo që e mban në formë artistin është puna që ai bën; ndaje atë nga puna e tij dhe ai ose thërmohet ose ngurtësohet. Nuk ka asnjë interes për artistin përveç punës së tij. Dhe ka, siç e the ti, njerëz që sigurojnë material për artistin. Tashi poema e Edith ‘Atthisit’ dëshmon përtej çdo hije dyshimi se ajo nuk është një artiste. Nga ana tjetër, kam menduar shpesh për të, siç kam menduar edhe këtë mbrëmje, sa iu përket mundësive për qëllime poetike. Por njerëzit që mund të jenë material për artin duhet të kenë në vete diçka të pavetëdijshme, diçka që ata nuk e marrin vesh ose nuk e kuptojnë plotësisht. Edith, në dritën e asaj që quhet maskë e saj e padepërtueshme, e paraqet veten shumë mirë. Unë nuk mund të përdor atë; ajo e përdor tejet plotësisht. Pjesërisht për të njëjtën arsye, unë mendoj se ajo nuk arrin të jetë një artiste. Ajo nuk jeton fare me instinkt. Artisti, në një pjesë të tij, është një kërkues, nën mëshirën e përshtypjeve, dhe një pjesë tjetër e tij lejon që kjo të ndodhë për hir të vënies në përdorim të kreaturës së palumtur. Por tek Edith ndarja është thjesht racionale, pjesa e ftohtë dhe e shkëputur e artistit, ajo në vetvete e ndarë. Materiali i saj, eksperienca që ka, e cila tashmë është një produkt mendor i përthithur tashmë nëpërmjet arsyes. Prandaj Edith (unë vetëm në këtë moment arrij ta kuptoj) është me të vërtetë personi më i disiplinuar që ekziston, dhe më racionali. Asgjë nuk ndodh kurrë tej ajo; çdo gjë që ndodh është e bërë prej asaj vetë.”
“Dhe prandaj po ashtu,” vazhdoi Appleplex, duke i kapur fijet, “Edith është më pak e shkëputura e të gjithë personave, pasi për t’u shkëputur duhet shkëputur nga vetvetja, të dalësh kundruall dhe të kritikosh me ftohtësi pasionet dhe peripecitë e vetes. Por tek Edith kritiku është duke e stërvitur luftëtarin. ”
“Edith nuk është e palumtur.”
“Ajo është e palumtur, ndoshta”.
“Por përsëri them, ajo nuk është tragjike: ajo është tepër racionale dhe në karrierën e saj nuk ka progresion, nuk ka rënie apo degjenerim. Gjendja e saj ekziston njëherë e përgjithmonë. Dhe nuk do të ketë katastrofë….
“Por unë jam i lodhur. Unë ende pyes veten se çfarë Edith dhe zonja Howexden kanë të përbashkët. Kjo e fton konsideratën (ju nuk mund të kuptoni lidhjen) e grupeve dhe të shoqërisë, një subjekt që ne mund ta trajtojmë nesërmbrëma.”
Appleplex dukej pak i sfilitur. “Unë jam i zënë duke darkuar me zonjën Howexden,” tha ai. “Por do të reflektoj mbi temën para se të takohemi përsëri.”
1917
Shënim i përkthyesit: Eeldrop dhe Appleplex (Illdrop dhe Apëllpleks) janë skeptikë që e kalojnë gjithë kohën duke vëzhguar njerëzit, duke krahasuar intuitën dhe filozofitë e tyre të individualizmit. Tregimi i autorit T. S. Eliot është një dialog filozofik. Kjo vepër thellohet në kompleksitetet e përvojës dhe individualitetit njerëzor, të përshtatura përmes bisedave të dy burrave, Eeldrop dhe Appleplex, ndërsa ata përballen me natyrën thelbësore të ekzistencës njerëzore dhe kuptimin e jetës në një botë të mbushur me klasifikime dhe pritje shoqërore. Tregimi trajton tema të rënda të identitetit, perceptimit dhe thelbit të realitetit, duke përzier elementë si të mendimit ekzistencial ashtu edhe të kritikës sociale. Eeldrop dhe Appleplex janë dy personazhe të veçantë që bëjnë një jetë të kufizuar në një pjesë të qetë dhe të pandershme të qytetit. Ata angazhohen në biseda reflektuese që analizojnë natyrën e njerëzimit dhe mënyrat se si individët shpesh reduktohen në stereotipe. Përmes diskutimeve të tyre rreth temave të ndryshme, përfshirë figurën enigmatike të Edith, ata meditojnë mbi rëndësinë e përvojave unike kundrejt klasifikimeve të përgjithësuara. Eeldrop, një skeptik me njohuri teologjike, dhe Appleplex, një materialist i interesuar në analizën sociale, eksplorojnë perspektivat e tyre të kundërta mbi jetën individuale, duke zbuluar një dëshirë të thellë për të kuptuar shpirtin njerëzor në formën e tij autentike dhe jo përmes lenteve të etiketave shoqërore. Në fund të fundit, tregimi paraqet një meditim mbi kërkimin e kuptimit brenda kufizimeve të jetës moderne dhe dëshirën për marrëdhënie të vërtetë ndërnjerëzore mes kategorizimit dërrmues.