Kreu Letërsi Bibliotekë Konstandin Dhamo: GAZ 69 (tregim)

Konstandin Dhamo: GAZ 69 (tregim)

Kishte disa ditë rresht që, në trotuarin përgjatë kafenesë Killing Time, qëndronte një GAZ 69 .Herën e parë e vështrova me habi dhe kërshëri, sepse paraqitja e tij nuk po më përputhej me atë çka më kishte mbetur në kujtesë; e përfytyroja më të madh dhe më të zymtë dhe, mbi të gjitha, më agresiv.E si mund ta përfytyroja ndryshe, përderisa ai çdo herë më lëvizte në sfondin njëngjyrësh të diktaturës, duke çuar vaj dhe mort kudo që ndalte?

Tashmë, që nga kafeneja ku isha ulur, e vëreja dhe e vëreja me përkushtimin e një spektatori të vëmendshëm në sallën e një teatri, i cili priret çdo çast për të ndjekur ngjarjet dhe fatet e personazheve,ndonëse objekti që kisha unë ballë për ballë nuk lëvizte dhe nuk bëzante.

Po kush ta kishte vallë këtë relikte të Sigurimit të shtetit komunist, këtë metaforë të mynxyrtë të tij, që rrinte haptazi dhe si pa turp aty, midis makinave të tjera,të modeleve të fundit, mu si ai gangsteri që ka marrë garanci të plotë nga kapot e policisë se, nuk e trazon njeri?

E pra, kush e kishte dhe nga ta kishte nxjerrë në një gjendje aq të mirë teknike?

Sepse, të paktën, kështu ta linte përshtypjen nga pamja e jashtme.

Me atë të gjelbrën e shpifur ushtarake, mushamanë e zezë blozë,parafangot me forma dhe vëllime të plota, si nofulla të shtrënguara, me grilën e lartë të radiatorit dhe, me fenerët e rrumbullakët si sy të shqyer, ajo makinë m’u duk veçse e shëmtuar dhe e mjerë, ndonëse në përgjithësi,automobilat e prodhuar tri apo katër dekada të shkuara, të pëlqejnë dhe të joshin së tepërmi, kur i ndesh rrallë  e më rrallë nëpër rrugët e përmbytura nga trafiku,duke të ngjallur një nostalgji të ëmbël,  të përftuar edhe nga mbresat e filmave të periudhës së tyre…

Një mëngjes, një mëngjes të atyre të dielave të boshatisura të TIranës, e gjeta përsëri ndanë trotuarit gjashtëdhjetenëntëshin, që po të më lejonte drejtshkrimi, do të kisha dashur ta shkruaja gjashtenënçin… 

Te xhami i derës së shoferit, te xhami i ngushtë si frëngji, i kapur te mushamaja, jo drejt e te korniza mtalike e derës, ishte ngjitur një letër, ku shkruhej:

                    Shitet

               Me çmim të arsyeshëm

               Cel 0692484764

Iu afrova dhe nisa t’i vij rrotull,siç i vihet edhe një kali që shitet dhe, më pas e ngjesha fytyrën pas xhamit dhe këqyra brenda në kabinë: ndenjëse të zeza, kruskotë e zezë, timon dhe levë e gjatë marshesh e zezë; një kult i vërtetë i të zezës, në atë skëterrën si qeli ambulante burgu, ku të fusnin me pranga ndër duar dhe, të ngjeshnin në mes dy agjentë të ngjallmë si derrat !

Por ja sot,shitej me një çmim të arsyeshëm…

– Ej ; – m’u afrua një burrë rreth të pesëdhjetave – si po të duket?

– Pash Zotin, ku e ke rrëmuar ? Jotja është?

– Ende po.Ku e kam rrëmuar, the? Pse, pak të tilla kishte nëpër tunelet dhe nëpër magazinat e ushtrisë? Përse po çuditesh? Unë pandeha se deshe ta blije.A e di ti se, çfarë makine është kjo? Tank ore tank!Ma kanë kërkuar shumë njerëz deri tani, por unë dua ta heq aqsa e kam ndarë mendjen që në fillim.Bjeri, bjeri llamarinës me çokun e dorës! – më propozoi, por në fakt i ra vetë bam bam bam – E dëgjove çfarë tingulli kumbues nxori? Ç’kanë makinat e blinduara më tepër? Asgjë.

– Unë or mik, nuk do ta blija këtë makinë kurrë; nuk do ta merrja madje, as edhe po të ma falje.

– Mos u mërzit, mos u mërzit, sepse ka plot nga ata që ma kërkojnë.

– Çfarë pune ke bërë, apo edhe çfarë pune bën tani?

– Kam qenë kapter ushtrie, mareshall me një fjalë,siç talleshim ne mes njeri – tjetrit; tani shes materiale ndërtimi në një pikë shumice.

– Të lumtë ty,ja që u bëre vërtet mareshall…

– E mora vesh unë; ty të pëlqen kjo BMW X5 këtu, apo ai Lexus pas saj; shkëlqejnë ato, shkëlqejnë, janë të bukura, të shpejta, luksoze sa më s’ka, por me këtë nënoken time asqë krahasohen …

… Korb i zi që çan e krakëllin krak krak nëpër natë! Kush kishte lënguar duke e shkruar këtë varg për këtë përbindësh të Sigurimit ?Nuk po më vinte kurrsesi ndër mend autori, por kush ta kishte shkruar tjetër, përveçse ndonjëri nga ata poetët e pushkatuar, të mbetur pa varr, apo ndonjëri nga ata të burgosurit gjatë diktaturës po aq vite sa edhe vetë Mandela;krak krak korb i zi nëpër natë…

Nuk ka arrestim në emër të popullit  që të mos jetë kryer me këtë makinë,e cila i kallte datën kujtdo që e haste përpara,pale të të ndalte te dera e shtëpisë !

Por këtë makinë nuk e përdorte vetëm Sigurimi Shqiptar; këtë makinë e përdornin për të njëjtin qëllim të gjithë vendet e Europës Lindore, të ashtuquajtur vende të demokracisë popullore, duke përfshirë pa dyshim edhe vetë Bashkimin Sovjetik, ku kjo makinë prodhohej…

GAZ 69! Duke përsiatur për të, filloi të më dukej sërish agresive, madje këtë herë më shumë nga ç’më kishte mbetur në përfytyrimin tim, aqsa për një çast m’u bë sikur do t’i zgjoheshin instinktet, do të përndizej dhe, të gjitha ato makina farfuritëse përqark, do t’i ngjeshte shuk në një qoshe!

GAZ 69, Gorkovski AvtoZavod,e plotësova këtë akronim dhe,atëherë u kujtova se kjo makinë prodhohej në uzinën e një qyteti që mbante emrin e shkrimtarit Maksim Gorki,emër që tashmë ia kanë hequr, ashtu si edhe Stalingradit, etj…

Por ky akronim në gjuhën shqipe formon një fjalë që ka disa ngjyrime dhe ja : gaz – ndjenjë gëzimi,hareje dhe kënaqësie…

Por ky GAZ vetëm gaz nuk sillte…

Pas ndonjë muaji u ktheva përsëri te kafeneja Killing Time dhe përsëri e gjeta gjashtëdhjetenëntëshin ndanë trotuarit.Nuk po iu ndaka këtij vendi, e shpotita me vete kapterin e qerestesë; o e shet këtu rrotull, o plas!

Mirëpo, kur iu afrova makinës, vura re se, ajo letra e ngjitur te xhami, tek e cila shkruhej shitet, nuk ishte më.Pa dale…

– Ulu këtu nëse dëshiron – më ftoi me shumë mirësjellje në tryezën e tij një ish i burgosur politik, duke buzëqeshur intrigueshëm – Gjithmonë kam dashur të pi një kafe me ty, por ti se ç’vjen me ca tipa që unë nuk i honeps fare.Heu ; s’mbahet mend sa vite kemi që njihemi së largu , kështu ?

E falënderova dhe u ula, për më tepër, ngaqë nuk pashë të kishte tryezë të lirë.

– Po shihja atë makinën aty, atë makinën e Sigurimit; ka kaq kohë që i zoti i saj e parkon këtej me kokëfortësi, gjersa ta heqë qafe.

– O,e ka hequr qafe sakaq,e ka hequr qafe; gjithmonë gjendet një budalla në kësi rastesh.Ia bleva unë…

– Ti , ti i burgosuri i ndërgjegjes !?

– Po, po unë; aqsa më kërkoi.

– Të shohim çfarë do të na kallëzosh …

– Për burgun asqë do ta hap gojën, sepse për çudi , ka filluar të më duket sikur riprodhoj përmendsh ca historira të të tjerëve , por për Gazin , po : i kisha aq para pra…

– Nuk e pata fjalën te paratë jo, por desha të di se, si mundesh pikërisht ti të futesh, e pale ta ngasësh atë makinë! Atë makinë me të cilën një ditë të mallkuar erdhën dhe të lidhën me pranga! Nuk të kap frika dhe paniku si dikur? Nuk acarohesh ?

– Ah,sa mirë e ngas unë atë makinë, sa mirë e ngas.U gëzova si kalamajtë, kur e pashë për herë të parë, aty te trotuari dhe, menjëherë më lindi dëshira ta bëj timen.Nuk u rrëqetha nga frika se mos kishin ardhur të më arrestonin prapë, jo,jo.Nuk jemi më në vitet ’70 apo ‘80; jemi në vitin 2007, thellësisht në demokraci…

Me atë makinë po vetëkryej një psikoterapi të dobishme dhe të suksesshme.Ja, tashmë e zotëroj unë mjetin e robëruesve të mi.Kam filluar ta luaj arrestimin tim, ta tall dhe ta përqesh dhe, për rrjedhojë edhe ta zhdramatizoj.Shih, çfarë itinerari përshkoj: nisem nga shtëpia që kam pasur, kur më vunë prangat dhe vete deri te burgu i vjetër i Tiranës, tek i cili më hodhën në fillim. Gati – gati po zbatoj atë formulën  plumbi del me plumb.

Në fillim, mbi xhamin e përparmë, vura fotografinë, ku kishin dalë kokë më kokë ime më me tim atë, duke buzëqeshur, siç i kishte urdhëruar para shkrepjes fotografi dhe, sa herë e ndalja Gazin për pak çaste ndanë portës së zezë të burgut, bashkëbisedoja me ta, dënueshmërisht të mirit, si me Zotin vetë ! Ata vdiqën në pikëllim njeri pas tjetrit, gjatë kohës që unë isha në birucë , kështu që s’i varrosa dot, sepse nuk më dhanë leje. Por, bashkëbisedova me ta dhe u qetësuan kur i sigurova se tashmë isha krejtësisht i lirë …

Pas shtatë ditësh, si të vazhdoja të kryeja një detyrim moral të njëmendtë, ngjita po n’atë vend fotografinë e ish të fejuarës sime!  Njëzetvjeçare,me flokë të gjatë që s’harrohen, ajo shndrit n’atë pozë, tek të vështron me çiltërsi…

Edhe ish të fejuarën e çova gjer te porta e burgut, por nuk bashkëbisedova; veçse i urova jetë të lumtur në familjen e saj të re, paçka se u shkëput prerazi prej meje, që atë ditë që më arrestuan…

Dhe nënqesh unë me ironi kur mbërrij përpara burgut ; ironinë, sidoqoftë s’e e shmanga dot. Nuk kam menduar të hakmerrem ndaj spiunëve të mi,sepse ne të burgut përbëjmë një si sekt fetar më vete, që predikon përparësisht urti dhe paqëtim, por të paktën këto ecejaket e përcaktuara në fillim, si të ditës së arrestimit e tash së fundmi edhe revani shpërthyes udhëve ngado, po ma qetësojnë shpirtin së tepërmi, siç ta thashë një herë, prandaj një ditë t’afërme do të qesh me të madhe ja, duke e pasur në dorën time tashmë timonin e kësaj makine…

Exit mobile version