Kreu Letërsi Botime të reja “Terr dhe bashkëpunëtorë”, roman nga Sigitas Parulski

“Terr dhe bashkëpunëtorë”, roman nga Sigitas Parulski

Botim i ri nga Ombra GVG
Përktheu Elisa Ivanaj

Të shkruash për masakrën ndaj hebrenjve në Lituani është gjithashtu e turpshme
Kam lindur në veri të Lituanisë, në periferi të qytetit të vogël të Obeliait. Për të qenë më i saktë, pranë tokave të një ish-çifligu, në një nga ato shtëpizat e vjetra që u përkisnin punëtorëve, të cilat edhe sot e kësaj dite, kanë po ato çatitë e stilit të vjetër me pllaka guri.
…në drejtim të veriut, përtej mullirit me erë që kishte kohë që nuk e kapte më erën, midis shkurreve dhe barit, ndodhej një varrezë e vjetër. Gurët e varrit të zbukuruara me shenja të mëdha, të pakuptueshme e gjithë kënde, qëndronin aty, të kërrusura dhe të ngrira në pozicione të ndryshme. Ne, fëmijët që jetonim në territorin e çifligut, zakonisht bënim lojëra me luftë aty. Të rriturit e quanin atë “varreza e hebrenjve”, dhe këto fjalë për ne fëmijët kishin një tingull jashtëzakonisht të mistershëm, pothuajse si fjalët “piratë” ose “thesar”, ngaqë nuk kishte pasur asnjë hebre në qytezën tonë prej shumë kohësh.
Kurrë nuk kishim dëgjuar të flitej për hebrenjtë e fshatit tonë, as në shkollë e as në shtëpi. Ishte sikur ajo varrezë të datonte që nga kohërat e piramidave të Egjiptit ose që nga koha e Akropolit. Në vitin 2010 po vizitoja të afërmit e mi në Londër. Kushëriri im i dytë, Ernesti, së bashku me gruan e tij, Daivan, që në atë kohë punonte si atashe kulturore në Ambasadën e Lituanisë në Mbretërinë e Bashkuar, me mirësjellje më sugjeruan që të qëndroja tek ata dhe të shikoja qytetin, meqë nuk e kisha vizituar më parë. Një ditë, vizituam Muzeun Perandorak të Luftës, dhe rastësisht, aty hasa diçka që më tronditi, më pikëlloi dhe më bëri të ndieja turp. Në pjesën kushtuar Holokaustit, është një diagram që tregon ku dhe sa hebrenj janë vrarë në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe në atë diagram gjeta edhe qytezën time fatkeqe, në veri të Lituanisë, ku ishin shënuar vetëm numrat dhe thjesht këto fakte: 1.160 hebrenj janë vrarë aty nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas. Nuk di si ta shpjegoj, por papritur u ndieva i demaskuar. Për dyzet e pesë vjet nuk kisha pasur fare interes për këtë temë, e kisha shmangur, i kisha bërë bisht sepse, me shumë gjasa, i isha trembur së vërtetës. Tani e vërteta kishte marrë formë dhe ishte paraqitur në trajtën e fakteve të pandryshueshme.
Nuk mund të kishte qenë më e qartë. Ishte diçka që e dinin të gjithë dhe ishte e turpshme. Për mua ishte shokuese. Ishte sikur diçka më kërciti në kokë. Dhe gjëja më e keqe ishte turpi. Turpi se unë, ashtu si shumica e lituanezëve, isha përpjekur në të gjitha mënyrat e mundshme të shmangia një të vërtetë të thjeshtë. Në atë moment, në Muzeun Perandorak të Luftës në Londër kuptova se çfarë nënkuptonte në doktrinën e krishterë biseda i Shën Pavlit gjatë rrugës për në Damask.


Një argument tjetër, ndoshta shumë i çuditshëm, por jo më pak i rëndësishëm, që ndonjëherë e kam dëgjuar edhe nga mamaja ime, ishte se hebrenjtë kishin vrarë Jezu Krishtin, dhe ja pse kishin marrë këtë ndëshkim kaq të tmerrshëm. Kur kam lexuar dokumentet dhe kujtimet në lidhje me torturat, poshtërimin dhe vrasjen e hebrenjve në Lituani, e kam hasur disa herë këtë argument. Është paradoksale, që sipas mënyrës së të menduarit të lituanezëve, Jezui nuk ishte as hebre. Ndoshta prej kësaj më lindi ideja që në roman t’u vija anëtarëve të skuadrës ekzekutuese emrat e dishepujve të Krishtit dhe ja pse ata e quajnë veten “apostuj”. Sigurisht, kjo është letërsi, por kisha nevojë për një formë, një lloj konteksti fetar, sepse krishterimi ishte një forcë shumë e fuqishme në Lituani në mesin e shekullit të njëzetë. Edhe gjatë periudhës sovjetike, feja ishte një ndër mënyrat kryesore sesi lituanezët e shprehnin identitetin e tyre, vetëdijen kombëtare dhe rezistencën ndaj pushtimit. Në lidhje me këtë, akoma më shumë rëndësi kishte gjuha dhe letërsia. Me themelimin e Sajudisit, lëvizjes për pavarësinë e Lituanisë, në përpjekje për të çliruar Lituaninë nga Perandoria Sovjetike, poemat dhe këngët folklorike kishin më tepër rëndësi se armët. Në mbledhjet e Sajudisit, fjalimet mbaheshin nga poetë dhe shkrimtarë, pra me pak fjalë nga ata që e njihnin shumë mirë gjuhën lituaneze dhe shkruanin në këtë gjuhë. Patjetër, reputacioni i letërsisë dhe i atyre që e krijojnë, sot, nuk është më i njëjti siç ishte atëherë, por personalisht m’u duk e rëndësishme që të bëja një përpjekje të vetëdijshme që të shkruaja një libër në lituanisht për lituanezët që kanë marrë pjesë në masakrat e hebrenjve. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për mua, por për të gjithë popullin tonë.
Çështja e pendimit është e ndërlikuar. Një person që pendohet publikisht dhe shfaq shumë zell, gjithmonë do të shihet me dyshim, kjo ngaqë pendimi është një ndjenjë e brendshme, tepër delikate, siç është edhe turpi. Që prej asaj dite kur pashë atë tabelë në Muzeun e Londrës, kur pashë shifrat, më ka shoqëruar gjithnjë një ndjenjë turpi. Shkrimtari im i preferuar polak është Witold Gombrowicz, i cili kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij në mërgim. Ai thoshte se nuk ka rëndësi çfarë kompleksesh ka një shkrimtar, rëndësi ka që ai të jetë në gjendje t’i shndërrojë ato në fakte kulturore. Nuk e di nëse kam arritur me sukses ta shndërroj fajin në një fakt kulturor që përshkruan ndonjë cilësi. Disa njerëz i shndërrojnë fajin dhe turpin në armiqësi. Të tjerë, të nxitur nga përvoja të tilla ndërmarrin udhën e ndërgjegjësimit. Vërtet që nuk mund ta them nëse libri im është thjesht një arritje statistikore më shumë, apo një shenjë e ndërgjegjësimit, e një marrëdhënieje më reale me ekzistencën. Unë këtë nuk e di.
Fragment nga parathenia e librit
“Terr dhe bashkëpunëtorë”

Exit mobile version