Kreu Letërsi Shënime mbi libra Tefë Topalli: Botohen në shqip përkthimet nga Dom Jak Zekaj

Tefë Topalli: Botohen në shqip përkthimet nga Dom Jak Zekaj

(Botimet “Fishta”)

Në vitin 1991, në gazetën lokale të Shkodrës “Jeta e Re” qe botuar një shkrim me titull “Letërsi në heshtje”, me një jetëshkrim të shkutër të klerikut dom Jak Zekaj, ish-famullitar

në Qelëz (Pukë) më vonë në Zadrimë, në Ipesjkvinë e Sapës, deri sa, me vendim shtetëror u mbyllën kishat e xhamitë dhe u ndaluan praktikat fetare në çdo cep të Shqipërisë. Ky klerik kishte mbaruar studimet e larta për filozofi e teologji në Seminarin Papnor “Kolegja Saveriane”, ndër të rrallët studentë të kësaj dege, që nuk doli jashtë vendit, ndonëse ishte shquar në cilësi, në mënyrë të veçantë në përvetësimin e gjuhëve të huaja klasike dhe moderne, aq sa quhej mes profesorëve dhe bashkëstudentëve “gjuhëtari”. Dinte me gojë e me shkrim: greqishten e vjetër, latinishten (si lëndë të detyrueshme), frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. Ai shfrytëzonte literaturë biblike në gjuhën aramaike dhe sllave kishtare, lexonte në greqishten e re dhe tekstet e vjetra agjiografike. Në vitet 1950 ai vujati dënimin me burg për 3 vjet në kampet e punës dhe doli me të drejtë meshe. Në atë shkrim që përmendëm më lart, krijimet e tija letrare u quajtën letërsi në heshtje, sepse gjatë gjithë jetës, pa e hequr penën nga dora, edhe kur shërbente në fshatrat e Dekanatit që ai kryesonte në rrethin e Pukës, druhej se e ndiqnin për idetë e tija antizogiste e më vonë, kur iu ndalua shërbimi fetar në popull, ruhej e kontrollohej për propagandë antikomuniste, megjithëse nuk u muer asnjëherë me politikë….Kaloi 23 vite pranë të afërmëve të tij në Baqël të Zadrimës (Lezhë), ku kishte lindur në vitin 1906. Ndërroi jetë më 1996.

Dom Jak Zekaj la një trashëgim të pasur letrar në dorëshkrim: në fletore me letër të dobët, kartela, kartona të rastit, fletë, ku shkruhej me vështirësi, të lidhura në blloqe të mëdha, me spango, edhe këto me shtesa e korrigjime, me prurje të reja si në palimpseste, vjetëruar e zverdhur nga koha, pothuajse të palexueshme, ose të vështira për t’u transliteruar (shkrimi i tij nuk ishte aq shembullor, sa mendimet që shprehte në të shkruar!), gjë që dukej se ai shkruante për vete, për të lexuar vetë. Ndodh që në fshatin  e tij, Baqël, të jetonte edhe mësuesi universitar, Msc. Fran Palushi (pedagogjikas i Shkodrës), i cili nuk ishte ndalur asnjëherë të afrohej për çështje gjuhësie e letërsie me famullitarin dhe mikun e prindërve të vet, kështu që u mësua t’i lexojë, kuptojë dhe interpretojë dorëshkrimet e tij. Mësuesit pasionant, edhe kur dom Jaku nuk ishte më, iu dorëzuan veprat prej familjarëve dhe ai, ka punuar e po vijon t’i shkruajë të gjitha me bukurshkrimin, faqe për faqe, të gatshme tashmë për t’i radhitur në kompjuter e përgatitur me shpjegimet filologjike: leksikore dhe frazeologjike, bashkë me kërkesa të tjera historike, etnografike dhe zakonore, falë të dhënave që garanton IA.

***                                               

Në vitin 1927, kur Jak Zekaj ishte student teologjie në Kolegjën Saveriane të Shkodrës, e dallohej në vlerësim prej profesorëve të huaj dhe vendës, ishte caktuar, me miratim të Eprorëve të Universitetit Pontifical Gregorianum (Romë), të shkonte në Innsbruck për sistemimin e Bibliotekës, së bashku me nji hingliz, nji françez, nji gjerman e un shqiptar; kryesisht tue veçue libra e dorëshkrime simbas giuhve të ndryshme e tue iu vue skeda secilit, e kta skeda tue i rreshtue nder katalogë e skedarë alfabetikë të veçantë.[1] Gjatë punës, një ditë, kolegu gjerman i thërret të shohë një dorëshkrim, ku përmendeshin Albanien, Albaner dhe Turkei. Sigurohen se dokumenti ishte i paregjistruar dhe Zekaj nis ta këndojë e të njihet me përmbajtjen. Me të vërtetë që njëra pjesë (më e gjata) shkruante për vendin tonë, e merr dhe kthehet bashkë me të në Shkodër, sapo kreu shërbimin në Austri. Që atëherë e sot, ky dorëshkrim ishte si enigmë, me përmbajtje Top Secret-e, me autor një pseudonim, për të cilin ende në ditët tona, manuale e botime enciklopedike austro-gjermane, nuk japin të dhëna. Autori i nënshkruar i këtij Ditari (se kështu nis e thuret fabula: me ditë e me data, muaj e vite) Gehpart Hohenlohe, paraqitet si oficeri më influent i Oborrit Perandorak të Franz Josephit, kishte fituar besimin absolut të Kancelarisë së sundimit të Madhërisë së Tij dhe ky vetë adhuronte jo vetëm çiftin mbretëror, por edhe gjithë politikën e Perandorisë Dualiste. Ai u bë mik i afërt i vëllait të Perandorit, Karl Maximilian, me të cilin kalonte orë e ditë të tëra, në lidhje besimi e sigurie të padyshimtë. Madje, edhe pinin e dëfreheshin bashkë, kur një çast nga kjo gjendje anormale, nxorën edhe shpatat,…….që i ulën të dy me përbetime miqësie të pashkelur, edhe kur Karl Maximiljani u ngarkua me vizitën shtetërore në Stamboll, bashkë me Gehpartin, edhe gjatë rrugës në kthim nëpër viset shqiptare të asaj kohe; edhe kur vetë Perandori vizitonte Veriun e pushtuar të Italisë, ku i bëjnë atentat të parealizuar…deri edhe kur Arqiduka kunorëzohet mbret i Meksikës dhe atje vritet nga vendësit kryengritës….! Kjo pjesë zë 70 faqe përshkrimi të jetës në oborrin e lartë perandorak të F.Josephit.

Ajo që na intereson dhe bëhet shkak që dom Jak Zekaj t’i hynte përkthimit të librit (Ditar apo punë agjenturore), i përket pjesës së dytë, me titull “Klubet shqiptare jashtë vendit”. Është koha kur politika e jashtme e Austro-Hungarisë bëhet aq aktive edhe  për çështjen shqiptare, ndryshe, për pavarësinë e Shqipërisë. Ky dokument që ka lidhje me ndikimin e Austrisë në mbështetje të Pavarësisë sonë Kombëtare, në programin e saj drejt autonomisë dhe shkëputjes së plotë nga Perandoria osmane, përshkruan përpjekjet që bën i dërguari i Franz Jozefit për t’u njohur jo vetëm me programin e Shoqërisë së Stambollit, por për të ndikuar tek veprimtarët e saj, nga Samiu, Naimi, Pashko Vasa e Kristoforidhi, stimujt që premtonte Perandoria e Vjenës, me pak fjalë, aventurën dhe rrisqet që provoi agjenti i Ministrisë së Jashtme, i ndjekur nga spiunë e zbulues turq, dhe atyre që donin ta minonin veprimtarinë kulturore në të mirë të pamvarësimit të vendit tonë.                                                                   *

Libri i dytë është një ribotim i romanit të shkrimtarit Bernard Arens (S.J.), luksemburgas, autor i disa veprave relogjioze dhe sociale e historike në gjuhën gjermane, “Djali i myftisë” (Tregim i Orjentit), u përkthye prej J. Zekajt dhe u botua në vitin 1932, nga shtypshkronja “Zoja e papërlyeme”. E vetmja kopje u gjet në bibliotekën e Universitetit “L.Gurakuqi” të Shkodrës; përgatitur e pajisur me shpjegime prej T.Topallit. Autori Arens ngrihet kundër antagonizmave mes besimeve fetare dhe merr si temë një ngjarje reale, të përgjakshme që ka ndodhur në Damask, ku prej shekujsh kishte pasur një bashkëjetesë mes muslimanëve (shumica) dhe Maronitëve (pakicë), një etni a komunitet i krishterë në Liban e Siri. Në vitet 1950, numri i këtyre të fundit ishte rreth gjysmë milioni besimtarë. Kisha e tyre është themeluar nga Shën Maroni, vdekë † më 410; nga kjo bashkësi ka lindur edhe poeti i madh libanezo-amerikan, Khalil Gibran. Maronitët kombinojnë elementët e krishtërimit me ritet e kulturën e rajonit të Lindjes së Mesme, sidomos, në Liban e Siri…Në qendër të fabulës romanore të Arens-it janë dy fëmijë të moshës 10-12 vjeçare: Omari – djali i vetëm i Myftisë së Damaskut dhe Metri – i biri i Maksudit, tregtar i përmendur maronit. Këta shkonin si vëllezër binjakë dhe adhuronin njëri-tjetrin në lojëra dhe veprime, pothuajse e kalonin kohën e lirë së bashku, ndërkohë që ishin betuar se do ta mbronin shoku-shokun, në çdo rrethanë e rrezik. Fëmijët u bënë dëshmitarë të një ploje të përgjakshme, kur po ktheheshin shtegtarët e Mekës (pelegrinët), kur persona e grupe të caktuara nxisnin vëllavrasje, djegie e shkatërrime në qytet, me synimin të dëmtonin e të zhduknin nga kryeqyteti, në radhë të parë, tregtarët maronitë, që mbanin në këmbë ekonominë e popullatës. Romani vë në plan të parë miqësinë e pafajshme të moshës fëminore, pa mëllefe e mëri, pa kontradikta e ngarkesa hakmarrëse mes dy besimeve; ata kalojnë shumë peripeci e rreziqe, situata kur duhej të fshiheshin e të ndërronin veshjen, për të mos u njohur nga forcat kriminale; arrijnë të keni mbrojtje nga një grup françeskanësh, që këtu vijnë e përfaqësohen prej At Pacifikut, i cili flijohet në mbrotje të të pafajshmëve, fëmijë e të rritur, gra e vajza e banorë të paqtë e qytetarë të ndershëm. Rruga “Gjerade”u bë skena e një gjakderdhjeje të paparë, me gjithë përpjekjet e disa figurave historike, si Abd-el-Kaderi (1808-1883), shërbëtori Hasan, konakët e mëdhenj të  Salih Gjeorbacit dhe grupi i tregtarëve, të cilët bënë gjithçka që të shpëtonin turmat e ndjekura prej gjaksorëve! Edhe murgeshat e kuvendit, edhe Ipeshkvi i vetëm grek, tek i cili gjetën strehim dy ipeshkvij bashkë me njëzet priftërinj, e mbi njëmijë shpirt njerëzish në ikje nga tmerri, morën në mbrojtje jetën e atyre që ishin në rrezik, nga egërsia dhe urrejtja e damashenëve e shtegtarëve të Mekës, nxitur edhe prej Myftisë, që, në hidhërim të të birit, kërkonte vetëm hakmarrje. Fundi tragjik i romanit bën thirrje për tolerancë fetare dhe besimi të lirë, jo vetëm për atë ngjarje të Damaskut, por kolizioni (konflikti) në emër të religjionit, nuk duhet bërë asnjëherë e në asnjë vend të botës…. Përmbajtja e romanit të përkthyer prej dom J.Zekajt, nuk del as ngjarjet ditët tona, jashtë koherencës së vatrave të zjarrit që po ndodhin në rajone të ndryshme të planetit….

Libri i tretë “Përkthime” (me 316 faqe), dëshmon punën e palodhur, këmbëngulëse dhe të pandërprerë që ka bërë përkthyesi, me trashëgiminë e përjetshme që ka njerëzimi prej klasicizmit grek: Eskili, Euripidi e Sofokliu- duke zgjedhur skena e akte nga tragjikët e mëdhenj; pas tyre, nga Theokriti, me  17 Idilet e famshme të kohës së tij (Ciklet e këngëve bukolike); Shekspiri, Shilleri e Gëte, pa lënë jashtë edhe poetë e autorë të shekujve të mëvonshëm letrarë modernë, nga letërsia italiane, si: Severino Ferrari, Vittorio Alfieri dhe Ugo Foskolo. Dimë me siguri se përkthyesi, këta tre të fundit i ka sjellë në shqip drejtpërdrejt nga origjinali; po kështu themi se edhe dy poetët me famë botërore: Shileri dhe Gëte, i shqipëroi nga gjermanishtja, gjë që dëshmohet nga përkthimet që u janë bërë veprave të tyre, para tij, prej traditës sonë në këtë gjuhë, nga L.Poradeci, S.Luarasi, Pashko Gjeçi, Shpëtim Çuçka (Fasuti), para gjithë këtyre, nga L.Shatoja, etj. Njohësi i mirë e poetikës së dom Jakut, Fran Palushi, pohon se ai ka ditur të lexojë e të shkruajë edhe në greqishtën e vjetër, por do të jetë e guximshme të thuhet sot se ky përkthyes mund të vihet këtu pranë emrit aq të lartë të S. Papakristos ! Mundet që fragmentet me skena e akte të përzgjedhura nga klasikët helenë, të jenë shqipërime prej italishtes…. E njëjta gjë duhet menduar edhe për pjesët skenike të tragjedive të mëdha të Shekspirit “Makbethi” dhe “Oteli” (e ka mashkullorizuar emrin  e Arapit të Vendikut,“Otello”, jo sipas Nolit!).

Shtrojmë pyetjen: çfarë e tërhiqte përkthyesin tonë nga letërsia klasike dhe nga autorët e mëvonshëm, çfarë kriteri kishte ai si tëheqje përmbajtjesore dhe stilistike ?

Nga poeti sirakuzian (shek.III, Para Krishtit), dom Jaku përzgjodhi idylet më të bukura e tërheqëse, “tue u dhanë ngjyrën shqipe, herë-herë edhe largue pak prej origjinalit, per me iu përshtatë ma tepër gjuhës sonë e zakoneve të thjeshta të blegtorëve shqiptarë, ….pasi kangët e Theokritit m’u duken se u pergiasin kangëve shqiptaro-ilire e bisedat e barinjve të Theokritit kuvendeve intime të barijve tonë,…tue ba çmos, n’anë tjeter, me ruejtë madhnin e poezis greke.” (f. 85). Përkthyesi është përpjekur t’u qëndrojë nesnik kanoneve të rregullta të poetikës greke: pa rimë, por hartuar sipas gjatësisë së zanoreve (me këmbë), me metrin e theksat logjikë e ritmikë, duke karakterizuar deri në hollësi personazhet barinj: djem e vasha që bien në shoqëri e dashtuni të virtytshme, në sajë të vetive morale e fizike, përherë në njohje të drejpërdrejta e me fli,  blatuar Zotave e dhurata për njëri-jetrin!

Nga Eskili (Shekulli V-VI, para Krishtit), autori ka pëlqyer skena e akte nga trilogjia “Orestia”: Agamemnonin – silësuar si kryevepra e kryeveprave, Keoforet (ku spikat thellësia psikologjike e artit eskilian), dhe Eumenidet (ku gjykohet çështja e veprës mëmëvrasëse që ka kryer Oresti). Përkthyesi ka vënë shënimin “Përkthime ad litteram”, (f. 231), por nuk është e lehtë të vërtetohet ad litteraliteti jo vetëm këtu, por në asnjë vepër letrare, kur bëhet ai kalim nga gjuha e kultura e gjuhës dhënëse me të dhënat e gjuhës marrëse, b.f.: lexojmë shprehjet: s’erdha gand,  i shtoj varrës së vjetër, nergut qeshë thirrë, rriten e përhapen (me endiadë, sç thoshte Justin Rrota), thanie pa trillim, mendje tinzare, do t’i xa fill, kan me e sadomë, ka me i qeshë fitimi ej. A përputhen këto idioma me paralelet e greqishtes së vjetër ?!? Nga tragjiku tjetër i madh helen, Sofokliu (Shek. V para Krishtit), kemi fragmente e skena të “Elektrës” dhe “Ajaksit”, kurse prej Euripidit, na vjen tragjedia e famshme “Medea”, bash skena ku ajo hakmerret kundër të shoqit, Jasonit kurorëthyes, duke i vrarë të dy fëmjët para tij ! Në përkthimet nga letërsia klasike, na është dashur që, për lexuesin, të bëhen mjaft shpjegime të panteonit grek, për hyjni të Olimpit, persona historikë, ngjarje dhe rite të shoqërisë së lashtë greke, mënyrën e jetësës dhe vetitë shpirtërore e morale të banorëve që përshkruajnë autorët e njohur.

Prej Shekspirit, në bllokun e përkthimeve, vjen skena finale e tragjedisë “Oteli”, deri në vetëvrasjen e gjeneralit me ngjyrë, skenë ku arrin kulmin më parë, me vdekjen pa faj të Desdemonës, dhe  fundin e Jagos intrigant ! Kurse prej “Makbeth-it”, lexojmë vetëm aktin V, bashkë me skenat V; VI, VII, gjithë veprimin e zhvilluar në Kështjellën Dunsinane, kur ngadhnjen edhe Makdaffi, si mbret i denjë i Skocisë.

Prej gjermanishtes, përkthyesi ynë ka lënë 13 pjesë poetike të përzgjedhura nga poeti gjerman Heinrich Heine (1797 -1856), si: Në maj, Prej lotëve të mi, Eprorin mik madhnoje, Drandofillja plakë, poema “Anija e robëve, Lavertari, Anniversarium, Mushku, Kalorësi Olaf. Janë poezi lirike, me rimë të pasur e metër në tetërrokësh, si te “Dass Mer erschalt in Sonnencchein” (Nën zheg i ndezun deti):

“Nen zheg i ndezun deti

shkelxen tue farfuritë,                     

vllazen, kur t’des, i shkreti,                  

Ju lus në valë të tij me m’qitë.

Per det kam pasë dashtni !

Gjithmonë ai mue me valë,

ket zemër ma ka shkri

e n’gzim atij i jam falë. (f. 17)

Por poezia më e goditur (poemëz) e Haein-es i vjen lexuesit ajo me titull “Das Sklavenschift” (anija e robëve, skllevërve), në 36 strofa katërshe në 12-rrokëshe, ku poeti gjerman ngrihet me forcë kundër shtypjes e shfrytëzimit të njeriut.

Dyzet faqe përkthim kemi nga Gëte (1749-1832), kryeisht nga Fausti: Votra e shtrigës, Nata e Valpurgës, Pijetorja “Auerbach”, Pleshti, Darsmja e arit e Oberonit e e Titanjes, Dhoma e Margeritës, Lypsi, Ushtarët (Tekst kënge). Kemi pasur kënaqësinë letrare e gjuhësore që, fragmentet e sjella nga dom Jaku, t’i krahasojmë me përkthimet e njohura, deri edhe me botimin e fundit të tragjedisë së poetit gjerman “Fausti”, brenda së cilës, edhe baladen e njohur, aq shumë e përkthyer në gjuhën tonë, “Mbreti i Tulës”: nga Ndre Mjeda, V.Bala, Lame Kodra, P.Jorgoni, P.Kruja dhe Sh.Çuçka; janë modele që do t’i vlenin teorisë së përkthimit, me të gjitha përkatësitë, nga leksiku, frazeologjia dhe sinaksa e përsosur, që kërkojnë vargjet e organizuara brenda strofës, apo edhe në monokolonë, si ky pasazh në gojën e Mefistofelit:

“Ishte diku ‘i farë mbretit

që mbante në shpí pranë vetit,

me tjerë nji plesht asgan….

dashtni dhe xue me i falë

aq tepër sa nuk ban,

sikur ta kishte djalë.

E thirri nji ditë terzinë:

e ky me të shpejtë ia mbrrini

dhe mbreti, me pak fjalë,

i tha terzis kadalë:

“Terzi, hiç, pa vonue,

për plesht, ti me m’punue,

t’goditme per salona,

e giuj e pantallona.”

Po teshat, t’ preme mndashit,

me pejna e me shirita,

sekezit e kumashit,

i ndrisin në trup si drita.

Me ‘i kryq dhe ngulë n’krahnuer,

u ba tamamd kaluer….” (f. 59-60)

Në përkthimet nga gjermanishtja, mbi bazën e origjinalit të tragjedisë “Fausti”,

përkthyesi ynë ka ruajtur variacionet e metrave dhe ritmit poetik, njëherësh edhe rimat e llojeve të ndryshme, qoftë edhe duke nxjerrë jashtë harmonisë fonetike vargun e parë e të tretë të strofave gjashtërrokëshe, në monologun e Margeritës, si f.v.:

“Gjak më pikon zemra,

pa pagjë unë jam,                          

as kurr në kto zaje                          

me e pasë nuk kam.                      

Tamzat e shkreta                            

m’rrahin pâ prâ,

e shiset të gjitha

m’janë derdhë n’asgjâ.    

Ç’hap i madhnueshem,                

se ç’trup me shije;                          

buzqeshje e ambël,                        

ç’shikim dashtnijet !                      

 Nji vorr ku s’gjindet

 ndeshi në shikim,

â bâ krejt bota

për mue helmim.

Un’prej dritoret,

até veç thrras;

kur të dal e lumtun,

mbas tij do t’ngas.

T’merr mensh kur t’flasë

 vetëm pak fjalë,

 me ledhatime,

kur t’puthë kadalë…

Pâ dâ me e puthun,

dersâ me u mekë,

nen puthje të tija…

mandej me dekë…

*

Përzgjedh përkthyesi Zekaj edhe  një sonet prej Severino Ferrrarit (1856-19050), poet dhe pedagog i njohur letërsie në universitetet italiane, duke ruajtur strukturën e vështirë të këtij lloj vjerëshërimi, me rregullat e ngurta gjuhësore – sintaksore, si dhe rimat sipas skemës, një ndërtim që na kujton Mjedën e tingëllimave të jashtëzakonshme në poemat e tij klasike. Është poezia “Ivorfni mysterjoz” (f. 82)    

Mbyllet ky cikël prej tre librash, përkthyer nga 10 autorë europianë, me poetin, prozatorin, dramaturgun dhe kritikun italian të kohës së pararomantikëve Niccolò (Ugo) Foscolo (1778-1827). Jak Zekaj ka zgjedhur pjesë nga 4 aktet me 3 skena të tragjedisë “Riçjarda”, vepër dramatike që trajton historinë e dashurisë ndërmjet djaoloshit Guido dhe vajzës Ricciarda; për të cilën shkrimtari Silvio Pellico shkruante më 1812: “Është një tragjedi, e gjitha me dashuri, po edhe e tmerrshme, përshkuar nga dhëmbshuria e përdëllimi, nga njëra anë dhe, për mizorinë e ashpërsinë, nga ana tjetër, pa munguar efektet e miqësisë, dashurisë dhe vëllazërisë.” (f. 308)                                         

  Botimi i trashëgimisë letrare të dom Jak Zekajt, letërsisë së tij që u gjenerua më shumë se gjysmë shekulli më parë, ka një rëndësi gjuhësore në lëmë të studimeve dialektore, për të parë sisteme të ndryshme në rrafshin morfologjik, leksikor dhe sintaksor; në mënyrë të veçantë mjetet e lidhjes së ndërtimeve sintaksore, rolin e formave të pashtjelluara në funksione predikative, fjalësin e pasur, frazemat që dalin në të folme të ndryshme të hapësirës veririore, si dhe drejtëshkrimit të kohës, pa lënë jashtë edhe përdorimin e leksemave nga gjuhët e huaja, një vështrim aq i pastër, sa i takon krijimtarisë së tij edhe në lëndën e sjellë në përkthime. Puna për botimin e shkrimtarisë së Jak Zekajt vijon këtij viti, me veprën satirike: Parodinë e madhe kundër Mbretit Zogi I i shqiptarëve.  


[1]  Dom Jak Zekaj, Innsbruck, 12.5.1927.

Exit mobile version