Kreu Letërsi shqipe në përkthim Tatjana Dordevic: “Ëndrra italiane” e shqiptarëve, një roman mbi izolimin e një...

Tatjana Dordevic: “Ëndrra italiane” e shqiptarëve, një roman mbi izolimin e një populli të lënduar

Pas vdekjes së Enver Hoxhës, sekretarit të përgjithshëm të Partisë së Punës të Shqipërisë, në vitin 1985, familja shqiptare e quajtur Tota, e përbërë nga katër motra dhe dy vëllezër, u strehua në ambasadën italiane në Tiranë duke kërkuar azil politik. Një ngjarje e paprecedentë – e pa ndodhur kurrë më parë jo vetëm në Shqipëri, një vend i izoluar nga regjimi totalitar që zgjati katër dekada dhe që vuri në provë gjashtë protagonistët e romanit “Ëndrra italiane”. Totat, të cilët në fakt quheshin Popa, u larguan nga ambasada vetëm pesë vjet më vonë, pas negociatave të gjata ndërkombëtare dhe një jete të mbyllur dhe të monitoruar vazhdimisht. Ky libër i shkrimtarit të njohur shqiptar Ylljet Aliçka flet për diktaturën, kujtesën, por edhe pritshmëritë e një bote ndryshe, asaj perëndimore, të cilën shqiptarët e regjimit të Hoxhës rrallë e shihnin në televizion. Shpresa për të gjetur shpëtimin në Itali, në rastin e Totas, u kthye në një Odise të gjatë me një fund thuajse tragjik. Për t’u thelluar në temat e trajtuara në këtë roman, titulli shqip i të cilit “Valsi i Lumturisë” është huazuar nga kënga “Valzer per un amore” e kantautorit italian Fabrizio De André, intervistuam autorin Aliçka, të cilin e takuam në Milano.


Subjekti i këtij libri tregon historinë e vërtetë të familjes Popa. Kur vendosët ta shkruani këtë libër dhe pse?

Në kohën time të gjithë ishin të informuar për çështjen Popa. Historia e famshme e Popajve u bë një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare, për t’u harruar disi pas rënies së komunizmit. Më duket se në vitin 2005, ose disa vite më vonë, lexova një artikull në Corriere della Sera që tregonte fundin banal të kësaj familjeje. Vendosa të tregoj historinë e gjashtë motrave e vëllezërve, njerëz që besonin fort në imazhin perëndimor të parajsës. Individë të cilët  menduan se me të hyrë në ambasadën italiane, gjithçka do të zgjidhej shpejt dhe se brenda pak ditësh do të transferoheshin në Itali. Nuk ndodhi kështu, kaluan mbi pesë vite në dy dhoma nëntokësore të ndërtesës së ambasadës dhe të rrethuar nga mbikëqyrja e rreptë e rreth qindra ushtarëve shqiptarë që mbanin nën shënjestër selinë diplomatike italiane. Ishte kjo shkërmoqje e ëndrrave të asaj familjeje që më nxiti për të shkruar historinë e tyre. Ëndrra e tyre korrespondonte me ëndrrat e një populli të izoluar. Megjithatë, duhet thënë se sado e mbështetur në ngjarje reale, romani është gjithashtu fryt  dhe i imagjinatës.

 Pse i quan Tota në roman kur në realitet quheshin Popa?

E shmanga emrin e vërtetë për shkak se gjatë kohës që po shkruaja librin, një pjesë prej tyre ishin ende gjallë, pra për të shmangur  ndonjë keqkuptim. Takova një nga motrat e fundit Popa, e cila jetonte në periferi të Durrësit, në mjë situatë vërtet të mjeruar. Shkova për ta vizituar dhe ajo nuk e dinte që unë isha shkrimtari i librit. Më tha se kishte dëgjuar që “dikush me emër të çudiçëm, një ambasador, burrë i keq, kishte shkruar një libër për të, duke vënë në dyshim moralin e saj”. U përpoqa të justifikoja shkrimtarin, por nuk u dorëzua. Për shkak të gjithë asaj që kishte përjetuar, ishte tepër e brishtë mendërisht.

 Me vdekjen e diktatorit Hoxha, vëllezerit dhe motrat  Tota donin si gjithë të tjerët të merrnin pjesë në varrim, por nuk u lejuan sepse ashtu sic shkruani ju, ishin “Familje e deklasuar, qe nuk kanë biografinë e duhur për të marrë pjesë në funeralin e Diktatorit”. A mund të shpjegoni sesi u u kufizua jeta e individit shqiptar deri në këtë nivel kaq absurd?

Shumë vite pas diktaturës, një shok më tha se në raportet e shërbimit sekret kishte gjetur dokumente e relacione, ku përshkruheshin  mënyrat e qarjeve pas vdekjes së Udhëheqësit, bie fjala : “ Filani kishte një fytyrë të trishtuar, por nuk derdhi lot. Për këtë arsye nuk e meriton të marrë pjesë në funeralin e Udhëheqësit”.Mënyra se si njerëzit vajtuan vdekjen e diktatorit është komplekse, lotë dhembjeje, lotë shkaktuar nga frika, të vërtetë apo fallco. Edhe ata që nuk donin të qanin, qanin. Në libër kam hedhur disa rerlacione të shërbimeve të fshehta të cilët  merrnin shënim mënyrat e qarjeve për të kuptuar kësisoj se sa besnikë ishin njerëzit ndaj sistemit apo sa shumë po shtireshin. Ka skena aty të njerëzve që shtriheshi në mënyrë historike përtokë, shkulin flokët dhe përplasin grushtat në kokë për të treguar besnikërinë e tyre.

Titulli origjinal i librit është huazuar nga kënga Valzer per un amore nga kantautori italian Fabrizio De André. Për më tepër, ju shpesh përmendni disa këngë të Fabrizio De André në libër. Si ka ardhur kjo?

Jam anëtar themelues i Fondacionit De André dhe jam takuar e njohur Fabrizion dhe gruan e tij Dori. Kam ardhur disa herë në Itali për ta vizituar sa ishte gjallë. Në ‘96 më ftoi shkova në Sardenjë me gruan time për ta vizituar. Në kohën e komunizmit të Hoxhës kam qenë një fans i fshehtë i tij. Në atë kohë, çdo gjë që vinte nga Perëndimi ishte e ndaluar në Shqipëri. Më pas, kur ra Muri, përktheva disa nga këngët e tij dhe botova një libër të vogël në shqip me këngë nga De André, Leonard Cohen dhe Georges Brassens, kantautorët që i admiroja. Më pas ia dërgova këtë libër Fabrizios, i cili më duket u prek. Më pas më telefonoi dhe kështu lindi miqësia jonë.

Në roman, Totat ndihen si heronj që luftuan diktaturën shqiptare me mënyrën e tyre të të vepruarit dhe dëshirojnë të trajtohen si të tillë. Megjithatë, sapo hyjnë në rutinën burokratike të azilkërkuesve, ata përplasen me realitetin. Por a është pikërisht këtu ku fillon rënia e tyre reale?

Pas pesë vjet negociatash, në vitin 1990 Totat  mbërritën në Itali dhe u transferuan në një kamp refugjatësh. Më pas, kundër dëshirës së tyre, ata u sistemuan në disa banesa publike ku jetojnë  të harruar nga të dy vendet, në pamundësi për t’u integruar në atdheun e tyre të ri dhe për t’i dhënë kuptim lirisë së tyre. Tota janë viktima të një sistemi burokratik, por në të njëjtën kohë janë edhe pararendës të eksodit të madh migrator nga Shqipëria në Itali. Realisht mbërritja e anijes tregtare Vlora me 20 mijë shqiptarë në bord ndodhi gjashtë vjet më vonë. Libri flet edhe për paaftësinë burokratike të Italisë për të menaxhuar emigracionin.

Ky libër u botua në Shqipëri në vitin 2013 dhe u përkthye në italisht në vitin 2016, duke rrëfyer një pjesë të historisë së vërtetë, jetën e personazheve që shpresojnë për lumturinë, por që në fund nuk e gjejnë. Sa e vështirë ishte për ju të përballeni me tragjedinë e Popajve?

Kur shkruaj përpiqem të shkëputem nga historia, dhe natyrisht zgjedhja e këndvështrimit të secilit nga librat e mi ndikohet nga bindjet e mia ideologjike dhe politike. Përpiqem të ç‘dramatizoj ngjarjet e mëdha traumatike përmes ironisë. Mund fdhe të thuhet se Endrra italiane është një libër tragjikomik. Përpiqem të përdor një gjuhë të thjeshtë për të trajtuar tema komplekse.

Ëndrra italiane është libër që flet për kërkimin e një jete më të mirë e që përfundon në një fat tragjik të njerëzve, viktima të situatës në të cilën u gjendën. Çfarë është lumturia për ju?

Nuk besoj shumë në konceptin e lumturisë. Disi më shumë në fatkeqësitë dhe se të gjitha fatkeqësitë e të tjerëve mund të më ndodhin edhe mua. Sa më shumë të përgatitemi për fatkeqësitë, aq më pak zhgënjeheni kur ato ndodhin. Tota pasqyron epokën në të cilën ata jetuan. Izolimi i të gjithë ne shqiptarëve ka lënë plagë të thella. Ata ishin viktima të sistemit dhe realitetit në të cilin jetonin. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kishte edhe nga ata që ishin besnikë ndaj sistemit dhe nuk i përjetuan apo nuk u n djenë fatkeqë.

 Pas më shumë se 30 vjetësh nga ndryshimi i regjimit në Shqipëri, sa të forta janë pasojat e komunizmit edhe sot?

Sipas bindjes sime, në sistemin komunist jo të gjithë ndiheshin të lënduar, vetëm një pjesë e popullsisë, vetëm ata që u persekutuan, sepse përsëri sipas mendimit tim version shqiptar i komunizmit kishte frikë nga barazia!!! Për shembull, nëse dikush nuk ishte i përndjekur politik, ndërkohë që i persekuar ishte ishte dikush tjetër, instiktivisht ky ishte një burim lumturie për jo të persekutuarin, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Edhe sot situata është e ngjashme: ata që dominojnë jetën e të tjerëve ndjehen më të lumtur se të tjerët në një vend ku ende nuk janë shëruar ende plagët e së shkuarës.

P.S.

Ylljet Aliçka është një ndër shkrimtarët e njohur bashkëkohorë shqiptarë, ish-ambasador në Francë, Monako dhe Portugali. Ai ka shkruar vepra të shumta, shumë prej të cilave janë përkthyer në mbi 12 gjuhë, përmbledhje të ndryshme me tregime, romane dhe disa skenarë të bazuar në librat e tij: filmi Slogans, me regji të Gjergi Xhuvanit, fitoi çmimin e kritikës së të rinjve në Filmin në Kanë 2001. Festivali dhe Çmimi i Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio 2001…

Ndër librat e tij botuar në Itali: I compagni di pietra (Guaraldi, 2006), Un sogno italiano (Rubbettino 2016), Gli Internazionali (Rubbettino 2019), Metamorfosi d’una capitale (Castelvecchi editore 2021). Në proces botimi “Storie di gente comune” (Castelvecchi editore).

revista letrare GariwoMAG, Milano

Exit mobile version