Pak ditë më parë, në Athinë, u bë promovimi i romanit “Vajzat e mjegullës” i shkrimtarit Namik Dokle, përkthyer në greqisht nga Mihalis Naços dhe botuar nga shtëpia botuese e Athinës By the book. Në promovim foli edhe shkrimtari Thanas Medi.
Me Namik Doklen-shkrimtar jam njohur më shumë vitet e fundit, kur ai i është kthyer tërësisht letërsisë. Diçka kam shkruar për romanin e tij “Dhjetë gram nder”, ku ndesha një zë ndryshe, që bënte dallimin. Ai ka shkruar dhe më herët letërsi, por më tepër më është fiksuar si gazetar dhe politikan aktiv. Angazhim që e braktisi një ditë, për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë. Me siguri ka thënë: “Mjaft me politikë, deri këtu, boll jam marrë. Tani do merem me veten time”. Mund të ishte dhe sot deputet apo kryetar parlamenti, se këta politikanët nuk shkulen lehtë nga karrikja, por u ktheu shpinën këtyre ofiqeve, për të mbajtur një tjetër. Një që, aq sa ç’duhet merituar, aq të ngelet dhe si pasaporta më autentike, atë të të qenit shkrimtar.
Dua të besoj se ka qenë shkrimtar që në krye të herës, që në fëmijëri, edhe pa hedhur një rresht në letrën e bardhë, por duke u trazuar me më të mëdhenjtë e fisit, dëgjuar histori, përralla e legjenda, duke u shoqëruar me plakat e vjetra të fshatit, me gjyshet e tij, dëgjuar këngët e vajzave që u dhurojnë lule djemve, pse jo, njësoj si heroi kryesor i romanit “Vajzat e mjegullës”. Që s’është i ri si botim, por që ka një si “rini të përjetshme”. Ka romane me temën e ditës, të së sotmes dhe harrohen a vjetërohen shumë shpejt, nganjëherë sapo mbyll faqen e fundit. Ashtu siç ka të tjerë që sjellin të kaluarën e afërt apo të largët dhe nuk vjetërohen kurrë. Tek këta të fundit hyn dhe “Vajzat e mjegullës”, që ditët e fundit u botua edhe në greqisht, në Athinë.
Zakonisht, për çdo autor, nuk janë të gjithë librat njësoj, njëri të paktën do bëjë dallimin, do ngelet majë për prurjen e tij letrare, thënë ndryshe, do jetë “fëmija i përkëdhelur”. Dhe këtë atribut për Namik Doklen, duket se e ka romani “Vajzat e mjegullës”. Një libër me zanafillë të hershme, që duhet të ketë pikuar që herët në ndërgjegjen krijuese të autorit, është gatuar ngadalë, nëpër vite. Për tu shfaqur një ditë në dritë si shpërthim i shumëngjyrshëm, befasues, i mrekullueshëm. Vënë një gur të rëndë në muret e letërsisë shqiptare, si ai që u dha Zoti goranëve.
Ngjarjet e ditës të këtij romani janë vendosur në një kapërcyell epokash, në vitet 50-të të shekullit të kaluar. Kur në Shqipërinë e sapo dalë nga Lufta e Dytë Botërore, hidhen themelet e diktaturës komuniste. Është momenti kur e vjetra duhet t’i lëshojë terren së resë, kur e reja ka lindur e vjetër dhe e vjetra mbetet e re. Duke mbartur cilësi të larta mbijetese, që kanë triumfuar nëpër breza. Është çasti kur kohët përplasen dhe nuk janë si vazhdim të njëra-tjetrës, por si përjashtim të njëra-tjetrës. Të prirura për gjakosje e jo pajtim. Kur e tashmja kërkon ta zhbëjë të kaluarën, lënë të shuhet nën mjegullën e haresës. Veç kohëve të mëdha, romani të shtegton dhe në kohë të tjera, më të vogla. Si ato të perandorive të kaluara, asaj osmane, në kohë luftrash e paqeje, kohë emigrimi të brendshëm e të jashtëm, kohë njeriu që endet në të gjitha trevat e Ballkanit për të fituar bukën e gojës. Për të mbajtur familjen, duke bërë të vazhdojë jeta edhe në një nga skajet më të largët a të humbur të botës, atje ku është Gora. Ku janë goranët, një popullsi ndryshe nga të tjerët e po aq dashamirës për këdo. Që janë kapur pas një gërxhi e nuk pranojnë ta lëshojnë atë.
Kështu, “Vajzat e mjegullës” mund ta quajmë dhe një roman shumëkohësh. Shumë historish që dalin nga njëra-tjetra e jetojnë përmes njëra-tjetrës. Ashtu siç mund ta quajmë dhe roman realist, pasi sjell të vërteta të pamohueshme që, për mirë apo për keq, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetët e njerëzve. Por edhe roman i realizmit magjik, pasi e jashtëzakonshmja me të zakonshmen, e pabesueshmja me të besueshmen, realja me magjiken, shkojnë dorë për dore. Duke e bërë rrëfimin më të gjallë, më të larmishëm, më shumëngjyrësh e po aq, më të besueshëm. Nuk do ta tepronim edhe po ta quanim një roman etno-kulturor, meqë ashta e tij, shtylla kurrizore është një etni e caktuar. Një etni e çuditshme, e veçantë, si e braktisur diku mes maleve të Shqipërisë së veriut e që s’i ndahet mjegulla e hirtë e harresës. Si e mbrujtur me shumë etni të tjera, qënë në ato vise prej qindra shekujsh, trashëguar në breza histori, mirësi, tradita, cilësi të larta njerëzore. Janë goranët. Është Bukojna, që sepse më kujtoi Makondon e Markezit. Fshat që i kapërcen përmasat e veta, pasi dhe njerëzit që e banojnë atë rendin gjithandej për të mbijetuar. Si me kufij e pa kufij, meqë merr nganjëherë përmasat e vetë botës. Zoti u dha një gur goranëve, ky i mbeti kur ndante të mira për njerëzinë, por ata ditën të jetojnë bukur edhe në rrethana tepër të vështira. Nga gurët çelën lule, çeli jeta, me të mirat dhe të këqijat e saj, me gëzimet dhe hidhërimet. Rriti shtatin një etni sa e dashuruar me veten, aq dhe me të tjerët, të ndryshmit prej saj. U mbajt tek rrënjët e veta, që s’qenë, veçse një copë vend, një copë jetë në larminë e saj, duke marrë e dhënë edhe me tjetrin.
Këtij romani mund t’i ngjisnim dhe mjaft cilësi të tjera, por s’mund të mos përmendnim një veti tepër të kapshme të tij. Ai nuk lexohet, përjetohet. Është rasti kur autori nuk e braktis kurrë lexuesin dhe lexuesi e shikon veten të shkrirë me autorin. Shkrirje që vjen nga fakti se nuk kemi një rrëfim të ftohtë, akademik, por diçka krejt tjetër. Një rrëfim plot ngjyra, plotë jetë. Rrëfim që prek sytë, thellon të menduarit dhe trazon shpirtin. Duke bërë që lexuesi të mos ngelet aspak indiferent, t’i rri përherë ndezur flakëza e kureshtjes. Dhe autorit njëkohësisht, mos i shterrojë për asnjë çast zelli i të rrëfyerit.
Do desha të ndalesha shkurtimisht tek disa nga veçoritë më pikante të këtij romani. E ku të parës do t’i referohesha gjetjes së goditur artistike. Që s’është tjetër, veçse vështrimi i botës përmes syrit të një fëmije. Një adoleshenti që nuk e kupton jetën dhe priret fort për ta njohur sa të mundet më mirë, më në thellësi atë. Me naivitetin, sinqeritetin, pafajësinë e moshës, përvojën e fituar ndërkohë që, të gjitha bashkë, ushqejnë të vërtetën e pamohueshme nga askush. Duke qenë i kudo ndodhur e kaluar nëpër duar të gjitha fijet, të dukshme apo të padukshme, të romanit. Duke i lënë hapësirën e duhur si hulumtimeve e mendimeve të veta, aq dhe bëmave të të tjerëve. Duke ndërlidhur të shkuarën me të tashmen, të vjetrën me të renë, të vërtetat me legjendat, realen me përrallën. Përshkruar a shënuar hapësira të reja e të lashta, mjedise të njohur e të panjohur, dhënë personazhe kalimtarë apo skalitur figura emblematike. Kështu, vjen tek ne Gora, Bukojna, mjegulla e përhershme, e hirtë, si shpirti i trishtë i njerëzve që banojnë në ato anë. Vijnë bjeshkët me hasmëritë e pajtimet, brezi i butë i kufirit që kurrësesi nuk duhet shkelur, këngët e vajzave te shtatë portat, aksioni që i rrëmben ato, festa e Shën Gjergjit, pashai i mallkuar, xhamia e djegur, kisha ku merret uji i bekuar, vendet e dorëzimit të detyrimeve shtetit, bodrumi i organizatës, Stalini i fshati, (çdo fshat në Shqipërinë e kohës e kishte një të tillë), komiteti me ballkon e komiteti pa ballkon në qytet, ardhja e vllehëve, çuditë e çifutëve e plotë e plotë të tjera. Pa harruar figurat që duken si shtylla që mbajnë në këmbë vetë godinën e romanit. Me në krye Majkën, plakën treqint vjeçare që e harroi zoti ta marrë, si simbol i mençurisë së thuktë popullore e historisë që nuk humbet. Historisë që s’dorëzohet lehtë e nuk vdes kurrë. Bashkë me plakat e tjera, gjyshet e rrëfyesit apo Anadollen që tregon përrallat më të bukura. Apo mësuesi, “Djali nga Shkodra” që, me atë mbyllje lapidare të romanit, ngjan si Krishti i kohëve të reja. I vrarë, i mbetur pa varr, ngjitet në qiell, meqë jeta në tokë e përjashton atë.
Mozaiku kompozicional. Ku gjejmë të gërshetuar historinë, kujtesën dhe mitin. Ku nuk vihet vetëm individi përballë diktaturës, por edhe komuniteti përballë rrezikut të shuarjes së identitetit. Me tri shtresa të ndërkallura: asaj të kujtesës personale (fëmijëria, zbulimi i botës), kujtesës kolektive (ritet, legjendat, traditat e zonës) dhe kapërcyellit kohor aktual. Përplasjes historike të dy botëve të papajtueshme me njëra-tjetrën, (e vjetra nën ingranazhet e regjimit komunist).
Gjuha. Shqipja sot, në rrethana emigrimi të shqiptarëve gjithandej botës, është më e kërcënuar se kurrë prej varfërisë leksikore, mësymjes artificiale të leksikut të huaj, drunjëzimit të saj e humbjes së gjallërisë, ngjyrave, elasticitetit. Gjë që nuk ndodh aspak te “Vajzat e mjegullës”. Përkundrazi, me pasurinë, lokalizmat që shtojnë ngjyrat dhe e mbajnë gjuhën më pranë rrënjëve, fjalët e reja, autori nuk i bën nder vetëm krijimtarisë së tij, por gjithë letërsisë shqiptare.
Sipas thënies “Stili jam unë”, Namik Dokle në këtë roman i ngjan një përroi të rrëmbyeshëm të maleve të Gorës, që vërshon majtas-djathtas si pa rregull, veçse në të vërtetë gjithçka është nën një komandë të rreptë, gati të padukshme. Konçiz, i zhdërvjelltë, prozaik e poetik njëherësh, i tejmbushur me detaje të pëzgjedhur, me metafora, alegori e simbole që janë si shtigje nga do kalojë e gjithë rrjedha e romanit. Përherë e stërpikur nga humori, një ironi e hollë që shpesh arrin në kufijtë e sarkazmës e që shërben edhe si “vaj rrëshqitës” gjatë trajtimit të aspekteve a temave tepër delikate. Por edhe si hijeshi leximi, duke e bërë rrëfimin të dashur e tërheqës.
Letërsia nuk edukon, vetëm sa e realizon ‘’edukimin’’ përmes mesazheve që përcjell te lexuesi. Dhe me të tillë ky roman është mjaft i pasur, por më në krye sikur rri njëri: Nëse harrohet e kaluara, harrohet vetëdija, rrënjët. Zhduket identiteti. Historia përsëritet.
Në mbyllje, do shtoja se “Vajzat e mjegullës” është romani i goranëve. Ndryshe, saga e goranëve. Të cilëve vetëm emrin u kisha dëgjuar deri dje, për të mu bërë të njohur, të afërt nëpërmjet këtij romani. Për të më mbetur në kujtesë si njerëz të lirë, që e duan jetën, e duan Gorën sa ç’duan dhe Shqipërinë e gjithë të tjerët, të ndryshëm prej tyre. Që janë të zotë të jetojnë në majë të shkëmbit, vijnë nga shekujt duke trashëguar nëpër breza cilësitë më të mira, mjaftuar me brumin e tyre. Nga ana tjetër, si të harruar në cepin më të largët të botës, shoqëruar nga mjegulla që i kërcënon me asfiksim, që s’dijnë saktësisht se çfarë janë. Dijnë vetëm se janë goranë. Dhe se nuk kanë shkrimtarë të tyre a njerëz të arsimuar, nuk kanë pothuajse asgjë, përveç këngëve të tyre të pikëlluara. Një etni si në askund, por njëherazi edhe si të jetë vetë qendra e botës. Pasi komunitetet e vogla janë pjesë e së tërës, ato pasurojnë historinë e njerëzimit, ku ky mund të shoh si në pasqyrë vetveten. E pikërisht për këtë, duhen ruajtur e jo asgjësuar, duhen ndihmuar të ngrihen e mos lënë të rrëzohen. Pasi kështu edhe vetë bota bëhet më e plotë, më fisnike, më e bukur. (E shtova dhe një mesazh, si pa dashur).
Namik Dokle, faleminderit për romanin e mrekullueshëm që na dhe! Faleminderit edhe se më ktheve pasionin e hershëm të leximit, të kohës së fëmijërisë a rinisë së vonë, kur nuk i mbyllja sytë pa e shpënë deri në fund një libër.