Kreu Letërsi shqipe në përkthim Muhamed Mufaku El-Arnaut: … një ëndërr për parajsën

Muhamed Mufaku El-Arnaut: … një ëndërr për parajsën

Gazeta e madhe “Al Araby” për botimin në arabisht të “Midis krimeve dhe mirazheve” të Besnik Mustafaj

Pas dekadash të përkthimit të letërsisë moderne shqiptare në arabisht, i cili pothuajse u kufizua në një autor të vetëm – Ismail Kadare – deri në atë masë sa dukej sikur Shqipëria nuk kishte shkrimtarë të tjerë, shtëpia botuese “Alaan Publishers and distributors” ndërmori në vitin 2022 një nismë duke botuar romanin “Një sagë e vogël” me autor shkrimtarin Besnik Mustafaj. Romani u prit mirë, pasi prezantonte një brez të ri shkrimtarësh që kishte dalë nga “manteli” i Kadaresë (1936–2024) dhe tashmë ishte bërë i njohur në Europë, pas përkthimit të shumë veprave të tij narrative, të cilat ndryshonin ndjeshëm nga ajo që lexuesi arab ishte mësuar të shihte përmes përvojës së Shqipërisë si “kështjella e fundit e stalinizmit në Europë”, siç njihej Shqipëria atëherë.

Ndryshe nga Kadareja dhe marrëdhënia e tij e ndërlikuar me regjimin totalitar – i cili, megjithatë, kishte meritën e përhapjes ndërkombëtare të romaneve të tij – Besnik Mustafaj i përkiste brezit pasardhës (i lindur në vitin 1958), që mori pjesë së bashku me një grup shkrimtarësh e intelektualësh në rebelimin ndaj regjimit. Ky rebelim nisi me një protestë studentore në fund të vitit 1990, duke e detyruar regjimin të pranonte pluralizmin politik. Kjo shënoi fundin e monopolit të Partisë së Punës mbi pushtetin dhe themelimin e partisë së parë jo-komuniste (Partisë Demokratike), në të cilën Besniku, bashkë me të tjerë, luajti rol themelues – më saktësisht më 12 dhjetor 1990.

Ai mori pjesë gjithashtu në themelimin e forumit të parë për të drejtat e njeriut në Shqipëri, që çoi drejt zgjedhjeve të para të lira parlamentare në pranverën e vitit 1991, ku Besniku fitoi një vend si deputet i partisë së tij në parlamentin e ri. Më pas, u dërgua në Paris si ambasadori i parë i Shqipërisë demokratike, ku i erdhi një ofertë nga botuesi i njohur francez, Hubert Nyssen, për të shkruar një libër mbi përvojën e kalimit nga diktatura në demokraci në Shqipëri.

Botimi në frëngjisht, me titullin “Midis krimeve dhe mirazheve” doli në vitin 1992 dhe hapi rrugën për përkthime të tjera, si botimi italisht në 1993 dhe ai gjerman në 1997. Një ribotim i ri u bë në vitin 2019, me rastin e 30-vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit, ku libri u përzgjodh ndër 30 librat më të mirë që trajtojnë rënien e regjimeve komuniste. Në vitin 2023, u botua edhe përkthimi në turqisht i librit, ndërkohë që në gjuhën shqipe janë bërë pesë botime, më i fundit në vitin 2022.

Vendosi të jepte dorëheqjen nga funksionet politike për t’u kthyer te letërsia

E njoha Besnikun si poet, ashtu siç ishte në prag të përballjes me diktaturën. Në vitin 1990 i botova disa poezi. Më pas, e njoha edhe si romancier dhe si person, mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë viteve 2018–2024. Artikulli im mbi romanin “Një sagë e vogël”, botuar në gazetën “Al-Araby Al-Jadeed”, kontribuoi në hapjen e rrugës për përkthimin e tij në arabisht si romani i tij i parë në këtë gjuhë. Më vonë botova një tjetër artikull për librin e tij “Midis krimeve dhe mirazheve”, duke përfshirë dhe përkthimin e parathënies së tij tërheqëse në të njëjtën gazetë. Vazhdoja ta lexoja e ta përktheja pjesë-pjesë, herë duke ndalur e herë duke rifilluar, derisa ndodhi rrëzimi i diktaturës së Asadit më 8 dhjetor 2024.

Atëherë vendosa ta përfundoj për ta botuar, pasi ai libër ofron një përvojë të pasur në luftën kundër diktaturës dhe në vizionin e pas-diktaturës. Nga përvoja e Europës Lindore, u bë e njohur shprehja se kalimi nga demokracia në diktaturë është më i lehtë sesa kalimi nga diktatura në demokraci. Kështu lindi edhe titulli i librit “Midis krimeve dhe mirazheve”: krimet përfaqësojnë çfarë ndodhi gjatë regjimit diktatorial, ndërsa iluzionet pasqyrojnë periudhën e zgjatur të tranzicionit demokratik në Shqipëri. Autorit, duket qartë, i janë thyer më shumë se një iluzion – qoftë rreth ëndrrës së parë, qoftë rreth Partisë Demokratike që ai vetë ndihmoi të themelohej, apo edhe rreth Partisë së Punës që vendosi të shndërrohej në “parti socialiste” si pjesë e procesit demokratik.

Jeta më deshi të jetoj në më shumë se një diktaturë, të ashpër e të butë, mes Sirisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Në pranverën e vitit 1988, ndodhesha në Damask, në kuadër të një bashkëpunimi me “Enciklopedinë e Madhe Arabe” për shkrimin e materialeve mbi Ballkanin – me theks te Shqipëria dhe shqiptarët që ishin në vëllimin e parë. Në atë kohë, më erdhi një ftesë nga Seksioni i Enciklopedisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për një vizitë dyjavore me qëllim njohjen me përvojën e tyre dhe për t’u furnizuar me botimet më të fundit.

Shqipëria që gjeta në terren ishte tronditëse, krejt ndryshe nga imazhi që kishim për të në Kosovën fqinje, ku unë jetoja. Prandaj mezi qëndrova një javë, pavarësisht të gjitha tundimeve që u ofroheshin të ftuarve nga jashtë. U shtira i lodhur për të ikur nga “ëndrra e parajsës”, siç thotë Milan Kundera. Ishte një diktaturë mbytëse, ku Enver Hoxha vazhdonte të qeveriste nga varri (kish vdekur më 1985), ndërsa Stalini vijonte të ngrihej hijerëndë nëpër përmendore, në të vetmin shtet të Europës Lindore që nuk kishte rrëzuar ende asnjë simbol.

Udhëheqësit dhe shoqëruesit shqiptarë në Tiranë krenoheshin se kryeqyteti i tyre ishte më i pastri në Evropë – në kuptimin që ishte pa ndotje nga makinat (pasi në Tiranë kishte vetëm automjete të partisë dhe institucioneve shtetërore) dhe pa drogë e prostitucion. Ideologjia zyrtare ishte një përzierje unike mes marksizmit të skajshëm dhe nacionalizmit shqiptar. Kështu, edhe pse Shqipëria u shpall në vitin 1967 “shteti i parë ateist në histori”, nga ana tjetër, nuk e inkurajonte seksin para martesës.

Libri i tij u rendit mes 30 librave më të mirë për rrëzimin e regjimeve komuniste

Pas kalimit në demokraci, e cila lejoi shqiptarët të udhëtonin lirshëm, një e treta e popullsisë u shpërngul drejt vendeve të “ëndrrës europiane”, nga Greqia fqinje deri në Britani. Më vonë u shfaqën mafiet shqiptare që u specializuan në trafik droge dhe prostitucion. Shqipëria u bë vend i përshtatshëm për pastrim parash, në bashkëpunim me elitat e reja në pushtet.

Besniku ishte, mbi të gjitha, shkrimtar. Është e vërtetë se u mor me politikë për të rrëzuar diktaturën, u bë deputet, ambasador në Paris dhe ministër i Jashtëm në kohën e demokracisë, por në një moment të vitit 2007, vendosi të japë dorëheqjen – për habinë e të gjithëve – dhe të rikthehej në letërsi. Dhe ia doli: botoi disa romane që u përkthyen në disa gjuhë të huaja dhe u bë një nga shkrimtarët më të spikatur të brezit që do të pasonte Kadarenë.

Asokohe, Besnikut i ra në sy një fakt domethënës: askush nga shokët e betejës për demokraci nuk dëshironte të kthehej te profesioni i vet i mëparshëm, ai ku dikur kishte shkëlqyer. Sepse “kënaqësia e pushtetit” ishte kthyer në strehën e lavdisë dhe të korrupsionit. Por “kënaqësia e pushtetit” nuk ishte më pak joshëse as për Partinë Socialiste në opozitë – trashëgimtaren e Partisë Komuniste – e cila e kishte provuar më herët dhe iu rikthye me forcë, falë mbështetjes së mafieve shqiptare që pastronin paratë e tyre në vend. Kështu, ajo mbeti në pushtet që nga viti 2013 e deri më sot, ndërsa përgatitet për zgjedhjet e radhës në vitin 2025 – në një kohë kur Partia Demokratike, e cila dikur udhëhoqi tranzicionin nga diktatura në demokraci, është shpërbërë nga brenda për shkak të korrupsionit dhe përplasjeve mes fraksioneve të saj.

Besniku, pra, ka më shumë se një mirazh në librin e tij. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, ai ka shkruar një epilog të gjatë me titull “Ëndrra për parajsën”, ku me guxim vendos pikat mbi “i” për sa i përket “pranverës shqiptare dhe rrëzimit të diktaturës”, duke sqaruar distancën e vështirë mes “ëndrrës për parajsën” dhe “parajsës që pritet të bëhet realitet” – një përvojë që mund të jetë shumë e vlefshme për rastin sirian dhe për vende të tjera me histori të ngjashme.

Autori është shkrimtar dhe akademik me origjinë kosovaro-siriane. Teksti është marrë nga parathënia e përkthimit arabisht të librit “Besnik Mustafaj – Midis krimeve dhe mirazheve: Mbi pranverën shqiptare dhe rënien e diktaturës”, që pritet të botohet së shpejti nga shtëpia botuese “El-Ān Nāshirūn wa-Mawazziʿūn” në Aman.

Exit mobile version