Kur dera e restorantit u hap, Ema shtangu. Para saj, papritur, ishte shfaqur një hapësirë bosh e errët. Tepër e errët. Iu duk sikur iu këput diçka brenda vetes. Jo aq nga ndriçimi tepër i zbehtë i shandanëve e abazhurëve të shumtë, sesa nga ajo grykë pus e errët tutje në thellësi. Nuk e dija që paska edhe restorante të tillë, pëshpëriti e trembur. Ishte mësuar me të tilla hapësira në skenën e teatrit, por kjo iu duk e tjetërllojtë. E pakuptueshme, e zymtë, e frikshme. Një boshësi fatligë, përplot mistere. Ngjashëm me emrin e vetë restorantit, “Korbi i Bardhë”. Çorientues e ogurzi. Po ku i dihet, mendoi, mbase edhe ogurbardh. Ndieu marramendje.
Duket sikur jemi vetëm ne, i tha përtueshëm Arianit. Ky detaj nuk ishte përmendur në takimet midis avokatëve të palëve… Një darkë që nis pas orës dhjetë të mbrëmjes, duket të jetë një darkë e ndërlikuar, shtoi ajo, ndërsa e kapi lehtë nga krahu. Ashtu duket, ia ktheu ai. Por, në të vërtetë, më shumë se darkat e fundjavës, i ndërlikuar, madje i çuditshëm, është vetë restoranti. As ai nuk e dinte se ekzistonte, por siç kishte dëgjuar së fundmi, ishte i vetmi i këtij lloji në Tiranë. Kishte një enigmë ndjellëse dhe frenuese njëkohësisht, brenda tij. Dhe i personalizuar, vetëm për dy njerëz të caktuar. Nuk mund të ndodhë që, në fundjavë, ndërsa je duke kaluar në trotuar, shikon rastësisht tabelën me këtë emër antitezë dhe futesh brenda. Jo, nuk është e mundur. Kalimtarët e zakonshëm ndiejnë diçka nguruese. Diçka penguese që, sidoqoftë, mbetej e pakapshme për ta. Piktura e korbit të bardhë në tabelën mbi derën e restorantit, ua mjegullonte edhe më tepër mendimet. Dhe të ndrojtur, ata ecin tutje…
Ky restorant ishte konceptuar i tillë që në nisje. Ditët e javës punonte normalisht, si çdo restorant tjetër. Kurse në fundjavë, të Shtunën e të Dielën, transformohej pothuajse i tëri. Përshtatej vetëm për dy klientë… Së pari në mendjen e pronarit kishte lindur idea e darkave të fundjavës. Dhe më pas, ajo e funksionimit gjatë ditëve të javës. Të shtunën paradite, restoranti ndryshonte krejt. Më shumë i errët sesa me dritë. I zymtë, kur i priste klientët, por me një ndriçim premtues kur i përcillte. Një tavolinë e vetme shërbimi në secilën darkë. Pronarit i mjaftonte kjo tavolinë me vetëm një djalë e një vajzë. Asnjëherë më shumë. Asnjëherë më pak. Pavarësisht sa pije e ushqim harxhohej, pagesa ishte e njëjtë. Natyrisht, tepër e kripur. Por kjo është diçka e papërfillshme për klientët. Ishin darka të pangjashme, të shpikura enkas nga vetë pronari, kushedi në ç’gjendje mendore… Nuk gjenden askund tjetër. Që t’u përshtatej natyrës së veçantë të djemve, tavolina e kësaj darke dukej si të ishte vendosur në brezin e mjegullt midis botës reale dhe asaj të nëndheshme, prej nga, ata çuna, edhe vinin. Dukej se gjithçka aty brenda, kishte diçka nga jeta secilit prej tyre dhe, gjithashtu, nga jeta e pronarit, nga e shkuara e tij e zymtë.
Në darkat e këtij restoranti, përgjithësisht, ka mirëkuptim, dhënie fjale për mbajtje fjale. Shpresë. Plane për të ardhmen. Nuk ka kërcënime. Por as përkëdhelje të tepëruara. Janë, si të thuash, edhe darka, edhe zyra për premtim martese. Flitet në mënyrë të kursyer. Dhe me zë të ulët. Të pranishmit qeshin pak ose aspak. Thjesht, aty këtu, ndonjë buzëqeshje. Të dy janë të përqëndruar te rrëfimi i jetës së vet. Çfarë të tregojë e çfarë të ruajë brenda vetes. Kthesat e befta midis palëve janë të pazakonshme. Ka një harmoni, gati- gati shenjtë, në synimet e tyre. Ji e qetë, i tha Ariani Emës. Do fitojmë atë që dëshirojmë. Dhe, në këmbim, do flijojmë diçka që, në rrethana të tjera, nuk do t’a bënim, ia ktheu ajo. Po, pikërisht. Merr diçka të çmuar nga njeriu përballë, për t’i dhënë diçka të paçmuar nga vetja…
Në mes të sallës qëndronin në këmbë, të veshur me kostume të zinj dy burra, nga cilët ajo njihte vetëm njërin, Dritanin. E kishte takuar, kinse rastësisht, dy- tre herë më parë, në prani të dy avokatëve… Është nga ata të botës së përtejdetit, i kishte thënë Ariani. Çfarë?, e kishte pyetur Ema, me sy të shqyer. I botës së përtejme? Ah, jo, jo. Desha të them se është pasuruar në Perëndim me punë underground, të errëta… Në prapaskenë Ariani dhe avokati i Dritanit, kishin punuar fort për të qartësuar gjithçka. Përfshirë edhe darkën në këtë restorant, sado që u ishte dukur disi i mistershëm. Por pikërisht këtu, në këtë darkë do të arrihej diçka e rëndësishtme për Emën e Dritanin. Shpresohej që e nesërmja të ishte krejt ndryshe për të dy. Do i gjente së bashku, në një lidhje martesore të lakmuar nga të dy…
Shkojmë, i pëshpëriti Ariani, mos u turbullo. Ajo nuk pati kohë t‘i përgjigjej, por insktivisht, bëri përpara. Burrat lëvizën. Dritani u spostua anash dhe ngriti paksa dorën e majtë në formë përshëndetjeje. Dora tjetër, rrëmbimthi, pasi preku orën Rolex, rrëshqiti vrulltas drejt ijes së tij, ku, pa dashur, preku diçka të akullt. Idiot, i pëshpëriti vetes. Ti që nuk je trembur nga çfarë ke parë, atje poshtë, po ligështohesh përpara kësaj vajze të imtë, këtu lart? Mbahu, i tha sërish vetes. Para teje është fati yt. Ringjallja jote. Jeta tjetër. A nuk ke rrezikuar aq shumë pikërisht për këtë moment? Harrove sa e ke dëshiruar këtë darkë të shndritshme? Të kujtohet ku ishe kur Ralfi, vëllai yt i vogël, të foli, për herë të parë, për këtë lloj darke? Po, i pëshpëriti vetes Dritani, në xhunglën kënetore plot krokodilë, përtej oqeanit, në kontinentin e largët… Dhe ja ku jam tani. Ja ku e kam bekimin që do më shpëtojë… Ose, ndoshta, do më vrasë, mërmëriti ai. Ishte ende në gjendje të turbulluar. Mrekullia që po i afrohej jetës së tij, çuditërisht, iu kryqëzua vrulltas me idenë e vdekjes.
I veshur sipas modës së fundit, dukej sikur tiparet e prera të portretit të tij ishin lëmuar papritur. Zemrën e ndieu t’i përpëlitej. Një bishë e zbutur, tha me vete… Por nuk e kuptonte pse nuk po ndihej aspak i qetë brenda atij kostumi. Ai që për vite të tëra kishte mbajtur veshur mantelin e vdekjes dhe nuk ishte ligështuar kurrë, tani po dridhej nën atë veshje aristoktate. Mos u kontrakto, i tha vetes nën zë. Dhe mos u djersit. Të kam porositur mijëra herë për këtë moment. Ruaj qetësinë, të lutem. Dhe, të përgjërohem, kujdes nofullat… Jam me fat që ky restorant është gjysëm i errët dhe nuk më lexohet asgjë nga këto që po heq, mendoi. E kam dashur gjithmonë errësirën. E kam pasur aleate mbi tokë, por edhe “poshtë saj”, ku për dhjetë vjet kam bërë trafik droge… Një hienë e vërtetë.
Tani jam i bekuar prej fatit tim të miqësohem me këtë veshje që po më shtrëngon pamëshirshëm për fyti, pëshpëriti pa zë Dritani. Me këtë kostum me njolla të padukshme krimi… Ndoshta, diku në të është edhe gjaku i Ralfit. Një çpim i mprehtë i përshkoi dhunshëm trurin… Fshiji nga kujtesa rrobat e të shkuarës, i tërhoqi vëmendjen vetes sërish. Nga ky çast e sa të kesh jetë, kjo do jetë veshja jote… Të duket e rëndë? E parehatshme? Prit fare pak, sa të kalojë kjo darkë. Në mëngjes do ndihesh krejtësisht ndryshe. Siç nuk je ndier kurrë më parë… Do shkosh ti si i marrë drejt kostumeve dhe të tjerat e kësaj jete mondane në të cilën je futur tinëzisht. Nuk do presësh të vinë ato tek ti…
Ankthi po e pushtonte përsëri. Ndoshta ngaqë kujtova Ralfin, psherëtiu… Duhet të rikthehem në jetë edhe për atë. Por durimi po i sosej, edhe pse mundohej t’a shtypte brenda vetes tërë këtë pasiguri. Nofullat e tij paksa të dala, po bëheshin më të theksuara nga shtërngimi dhe po ia deformonin në mënyrë të pabesueshme fytyrën. Ishte betuar para kësaj darke se nuk do ia lejonte vetes këtë zgjerim kërcënues të fytyrës në pjesën e poshtme të saj. Por nuk po ia dilte. Të mallkuarat. Do më marin në qafë. Do më kthejnë sërish në xhunglën time. Por nuk pati më kohë të merrej me pandehmat e veta. Ema ndodhej përpara tij. Me pallton e gjatë, poshtë të cilës dukej fustani blu i shkurtër dhe çizmet e gjata. Dukej vezulluese.
Ndërsa afrohej, ajo nuk e kishte vënë re gjendjen konfuze të Dritanit. Ndoshta sepse edhe vetë lëkundej nëpër trazime të brendëshme. Por nga afër, ajo dalloi tendosjen e portretit të tij. Kushedi si i dridhet zemra të shkretit, mendoi ajo. Një burrë i fortë me zemër të trembur. Pikërisht prej pranisë së saj. Ajo nuk mund ta merrte me mend kurrsesi se nervozizmi i Dritanit lidhej me mosbindjen e nofullave të tij dhe me bezdinë prej kostumit Armani. Të parat i deformonin fytyrën, tjetri i zinte frymën. Dhe kujt? Atij që nuk kishte njohur kufij. Që nuk i kishte njohur limite. Askund, as në dete a oqeane të tërbuar, as në humnera malesh. Të gjitha së bashku, një xhungël vrasëse të cilën ai e kishte dominuar. Puna e tij quhej e nëndheshme, e errët, por ishte e lidhur me mbitokën dhe banorët e saj… Ema nuk kishte si t’i kuptonte tërë ato dalldi që po përjetonte Dritani. Përkundrazi, asaj po i pëlqente natyra e fortë e këtij 40 vjeçari. Siguria e vështrimit të tij. Madje, edhe ligështimi i tij në ato çaste… Mirëmbrëma, tha ajo, me një ulje të lehtë të kokës. Mirë se erdhe, ia ktheu Dritani… Nuk pati shtrëngim duarsh. Kushedi pse.
Në një kënd të sallës, në atë anë ku nuk kishte dritare, ishte vendosur tavolina e ndriçuar fort, e shtruar posaçërisht për darkën. Në kontrast të thellë me pjesën tjetër të restorantit. Tavolinat e tjera, përballë, nxinin prej shpërfilljes. Pranë Dritanit, Ema kuptoi se po ndihej e mbrojtur nga ajo hapësirë e zymtë e kërcënuese që e kishte tronditur në hyrje.
Pronari i restorantit, Leoni, disa hapa më tutje, ndiqte atë që ndodhte para tij dhe argëtohej në heshtje. I mësuar me situata të tilla, ai dinte me saktësi tronditëse si ndiheshin klientët e tij në ato çaste të para. Dikur, edhe ai vetë kishte qenë një prej tyre. Pikërisht në këtë restorant, të cilin e kishte ideuar vetë, sipas shëmbëlltyrës së jetës së tij. Duke qenë pronar i restorantit, kishte qenë, gjithashtu, edhe klienti i parë i tij. Madje, në të njëjtën tavolinë. Ai e dinte se ky ambient dukej i huaj e mbase edhe tronditës për vajzat që hynin në të. Por jo më pak hutues ishte edhe për djemtë. U bënte përshtypje, veçanërisht, fakti që ishin të vetëm. Një tavolinë në tërë atë hapësirë të frikshme e të ndriçuar fare pak. Ata nuk mund ta dinin se në letrat e xhiros dhe të taksave llogariteshin shumë më tepër tavolina e klientë. Por kjo ishte punë që e rregullonte ai vetë. Me një apo shumë tavolina, me dy apo shumë klientë, për ata nuk ishte e rëndësishme. Për synimin e tyre, ky ishte restoranti i duhur. Koha e kishte provuar diçka të tillë.
Në atë kohë radha e pritjes ishte e gjatë. Leoni i shikonte klientët duke u afruar te njëri tjetri tërë druajtje, siç shkohet drejt diçkaje të panjohur, të çuditshme. Diçka e ngjashme me tërheqjen e kobshme të humnerës. Ai i merrte me mend moskuptimet e tyre, frikën dhe turbullimin e atyre minutave të para … Por nesër, thoshte ai me vete, do jenë krejt ndryshe. Do e kujtonin me mirënjohje këtë restorant dhe pronarin e tij. Pikërisht këtu jeta e tyre ishte ndarë më dysh. Ndoshta, më pas, do të donin të riktheheshin për një gotë verë. Por kjo do të ishte e mundur vetëm gjatë ditëve të javës. Për fundjavë ky restorant ishte vetëm për një darkë… Në një kënd të tij, ishte bari për rrethin e ngushtë të miqve të Leonit. Mezi dallohej atje tutje, në fund. Edhe më i zymtë se hapësira tjetër e restorantit. Shumica e klientëve ktheheshin, pikërisht, në këtë bar vetëm disa kohë pasi kishin qenë klientë të darkës së posaçme. Mbase një ditë do rikthehej për një kafe edhe ky djalë, mendonte Leoni.
Në momentin e duhur, që vetëm ai e dinte, nxitoi drejt tyre. I përshëndeti dhe duke u kthyer nga tavolina e vetme e ndriçuar, i ftoi të dy palët. Duke ecur në krah të Dritanit, Leoni i pëshpëriti: Rrini pa merak. Por, që ta dish, telefoni nuk do të të punojë këtu brenda. Është bllokuar që në hyrje. Te “Korbi i Bardhë” jeni të sigurtë. As kamera, as… Madje, në këndin ku ndodhet tavolina, nuk ka as dritare. Ok, mjeshtër, i tha Dritani. Ndërsa me vete mendoi se ky kënd i shurdhër, e bënte edhe më të mistershëm këtë restorant. Pronarin e tij, edhe më të pakuptueshëm.
Ende pa u ulur, Dritani u kthye nga dy avokatët dhe i pyeti nëse ishin marrë vesh për gjithçka. Po, u përgjigjën të dy, në të njëjtën kohë. Mirë atëherë, takohemi nesër. Ata përshëndetën dhe u larguan. Ndiheshin të dy të qetë për punën që kishin bërë. Jo vetëm si profesionistë, por edhe emocionalist, sepse e pëlqenin këtë bashkim të Dritanit me Emën. Veçanërisht Ariani që e kishte Emën shoqe fëminie. Pas shkëlqimit në teatër, ai kishte vënë re fikjen e menjëhershme të yllit të saj. Por pas disa kohësh ajo ishte shfaqur sërish me një program televiziv, mjaft të ndjekur. E po ashtu, edhe në fushën e reklamave televizive. Me talentin dhe imazhin që ke ti, i thoshte shpesh Ariani, cili biznes nuk të lakmon. Kishin biseduar shpesh për këtë gjë kur takoheshin. Dhe kur kolegu i tij, Roberti, avokat i Dritanit, i kishte folur për një klient të pasur, për të cilin po punonte së fundi, Ariani vetëtimthi kishte kujtuar Emën. Është nga ata të emigracionit të egër, kishte shtuar Roberti. Edhe pse nuk kishte biseduar ndonjëherë për të ardhmen e saj, Ariani e kishte ndier se asaj do i pëlqente lidhja pikërisht me një patner të tillë. Kështu kishte nisur kjo histori, nga një bisedë e rastit, deri te kjo darkë e pazakonshme.
Dritani dhe Ema u ulën përballë njëri tjetrit. Ndërkaq ia behu kamarieri. “Clase Azul Tequila Master” sa për fillim, tha ai, duke u treguar shishen. Dhe, pa pritur përgjigje, mbushi ngadalë gotat e gjata e të ngushta, me fund të trashë… Porosia e darkës, si çdo gjë tjetër, ishte bërë më herët. Në kuzhinë gjithçka ishte gati. Pritej vetëm një shenjë.
Më në fund, Ema, ja ku jemi, kaq afër sa të ndiej edhe pulsin, i tha Dritani.Ti nuk e mer dot me mend sa shumë nevojë kam pasur për ty. Sa me ngulm të kam kërkuar. Si në ethe. Nuk do të ta harroj kurrë këtë që bëre për mua.
Ja ku më ke, iu përgjigj Ema, me një buzëqeshje të kursyer. Por, të të them një sekret? Edhe unë të kam kërkuar dëshpërimisht. Veçanërisht, gjatë këtyre viteve të fundit. Jo vetëm në rrugë apo nëpër bare, por edhe në ëndërrat e mia të pista për të ardhmen. Nuk e kam kuptuar asnjëherë pse u vonove kaq shumë.
Nuk u vonova unë. Rruga ishte e gjatë dhe tepër e vështirë. Në netët e nxehta e plot lagështi të Ekuadorit nisa ta bindja veten se për një lundërtar të errësirës, siç isha unë, ndoshta rruga e gjatë mund të ishte më fatlume. Nuk duhej të ngutesha. Rruga e shkurtër, mund të rastiste të ishte një rrugë pa krye. E ndërprerë. Gjarpërore e ndarë më dysh. Po aq e mënxyrshme, si të mos më ishte caktuar fare rrugë kthimi…
Je me fat, atëherë. Arrite. Rruga të ishte caktuar dhe ti ia dole.
Po. Por pasi u ktheva këtu, kuptova se udhëtimi im nuk kishte të mbaruar. Kisha përshkuar, ndoshta, vetëm gjysmën e rrugës. Atë ku tmerri kishte qenë i dëndur. Gjysma tjetër, bulevard me gunga, me gozhdë të mprehta, ndodhej këtu në Tiranë. Në dritë të diellit. Kode të tjera, krejtësisht të ndryshëm, për nga forma, por në thelb të njëjtë, me ata me të cilat isha mësuar. Dhe as më pak të dhunshëm. E as më pak mizorë. Një labirinth i vërtetë. Grabitqar. Nga një zyrë në tjetrën. Nga një kat në tjetrin. Nga një godinë në tjetrën. Sa më lart ngjitesha, aq më të fryrë duhej t’i kisha zarfat. Zarfat e rëndë, si magjistarë të vërtetë, më fshinin në çast çdo njollë të asaj që e unë doja të pastroja. Unë, njeriu i errësirës, i botës brutale të trafikut të drogës, u mësova me trokitjet e matura në derë. Me zyrtarë të parfumosur. Por grykës të vërtetë. Me uri të pashuar për para të thata… Pasi e tundnin zarfin përpara fytyrës si për t’a peshuar, e fusnin në sirtar dhe, aty për aty, zbardhnin të zezën, të bardhën e nxinin. M’u deshën vërtet disa kohë, por ia dola. Kur arrita në fund të bulevardit, gungat, papritur, humbën, gozhdët u rrafshuan… Kisha harxhuar një pjesë të pasurisë. Por nuk kisha humbur. Përkundrazi, kisha fituar shumë më tepër. Sepse pjesa tjetër e pasurisë, e shndrruar tashmë në biznese, ishte kthyer në pasuri të pastër, të ligjshme. Prandaj më dukej se isha bërë dyfish më i pasur. Një pasuri e pastër si pluhuri i bardhë, me të cilin isha marrë për një dekadë. Dhe jo vetëm pasuria, por edhe unë vetë isha kristal, gjithashtu. Isha bërë dikush tjetër. Si me magji, u shndrrova në një zotëri të vërtetë. Nuk kapërceva ndonjë ylber. Ishte, thjesht, ylberi i zarfeve… U ndieva aq i lumtur sa nuk e përmbajta veten dhe, pikërisht, diku afër Urës së Madhe të Bulevardit, kërceva përpjetë… Diçka që nuk ia kisha lejuar vetes kurrë. As më parë dhe as më pas. Më në fund, me zë të lartë, bërtita “Fitova”… Vetëm pas kësaj, nisa të kërkoj… për “ty”!