Kreu Letërsi Bibliotekë “E trishtë kjo shpresë”, poezi nga Odise Kote

“E trishtë kjo shpresë”, poezi nga Odise Kote

1-   Lampe Duza*

O ishull në kërthizë të botës,
ku kapërthehen, perleshen
ndërgjegjet e Afrikës dhe Europës.
Ishull me emer shkëmbi dhe drite,
për marinarët dhe të zhdukurit e Mesdheut.
  
Këtu në Lampe Duza
Liria dhe Vdekja kanë tjetër çmim.
Edhe dielli, edhe uji, edhe toka.
 
Këtu varrosen iluzionet
dhe vdesin idealistët çdo ditë,
histori të pabesueshme ikjesh,
tragjeditë.
 
Në Lampe Duza, resortet e qejfit atje tej,
lyhen me krem, kripen
shalë kurvash,
dhe llogari bankare offshore.
 
Ti o ishull misterioz, kaq i vogël,
je tempull i turpërimit të botës!
Ti i ke vjedhur gjumin njerezimit
dhe arsyen e mallkimit të vetvetes …
  
Në ujërat e tu,
ka më shumë skelete njerëzish
se sa peshq,
Këtu janë mbytur Homeri, Shekspiri,
Pirandelo, madje dhe morali e Dario Fo.
 
Dramat e tyre tani
janë barka të thjeshta letre,
që fëmijët lekurëzinj
i flakin me përbuzje,
i lëshojnë si anije në detin e mallkuar…

V. O Lampe Duza* – ishull përfund Siçilisê në mes të detit Mesdhe, midis Maltës e Libanit, mbi Afrikën veriore ku mijëra emigrantë që synojnë Europën gjejnë vdekjen. Ishulli luksoz me 6 mijë banorë është vetëm 20.2 km.


2 – Lilak* Gjirokastre …

Ç’dehje je, lilak i murit,
Ç’fërgêllimë, ç’dritë mbi terr.
Mbirë egër, vesk i trurit,
Frymë më jep, frymë më merr.
  
Zjarrth’ i prushtë, si ujvarë,
Flakëz hëne për çdo verë.
Dimrit ngrin kujtim’ të saj,
Lilak i kuq, lilak i verdhë. 
 
Dhe i ngrirë kujtim’ i saj
Regëtin në limfë, me shpresë.
Janë dy sytë, gjurmë pafaj,
s’shuhet dot, as nuk vdes.
 
 Dy gërsheta, vrap i krisur,
Rënë mbi gure ca premtime.
Puthje e parë, që u stampua,
Si një blic vetëtime.
  
Ç’dhimbje je, lilak i gurit,
Sipër, sipër, ç’dritë mbi terr.
Mbirë egër, vesk i trurit,
Frymë më jep, frymë më merr.
 
 Frymë më jep, frymë më merr…

Lilakë – jargavanë tê mëdhenj që mbijnê e rriten sipër mureve të gurit.


3-  Vetëdija ime bën meshë …

Anije e vjetër, mbetur deteve,
vetëdija ime, bën meshë tek imzot Noli,
mbi petale manushaqesh e bajamesh,
maji e prilli.
  
Gjuhën e mbrojnë, e përkëdhelin,
zogjtë shtegëtarë,
me tê gjithë fuqinë e lirisë
dhe kërshërinë e zbulimit.
 
 
Pesha e fjalës këtu nuk është e tepërt,
as koha nuk ështê e zbrazët,
dhe ka shije të vjetër besnikërie …
 
 
Lëkurën e trashë,
të mot – mot udhëtimeve,
tharë kripës,
lyer me krem psallmesh,
e nderim në horizonte Ilirie …
  
Anije e vjetër, e vogël, mbetur deteve,
vetëdija ime, bën meshë tek imzot Noli,
atje ku takohen retë dhe dallgët,
në hapësira qielli.
  
Dhe shndrrohet shpend
që fluturon i lirê,
me gjithë përmasën guximtare
e kërshërinë e zbulimit.

4- Veten mos e humb!

Me duf fëmije, me të qara
Për ego botën mos e tund.
Gjej një motiv e bëj përpara,
Veten mos e humb! 
 
Në kohë të çmendur, të tërbuar,
Në turp mëkati a në kurth.
Ti mos u ndje i mënjanuar,
Veten mos e humb!
  
Kur gjen të lodhur, zemërthyer,
Të japësh shpirt, ti mund.
Në dallgë fati, lumërrëmbyer,
Veten mos e humb!
  
Një ftesë njeriu të kesh rrugën,
Se e vërteta djeg e shkurmb.
Ti me revoltën ndaje bukën,
Veten mos e humb! 
 
Ti kurrë mos hesht, profet i ri,
Mërzinë nga rrënjët shkund.
Dënuar je, veç me liri,
Veten mos e humb! 
 
Rrebel i kotë e me të qara
Për ego botën mos e tund.
Gjej një motiv e bëj përpara,
Veten mos e humb!

5- Ura e Zonjës …

Je grua a ëndërr që shkel përmbi urë,
sa shekujt të thirrën – ura e zonjës?
Ç’klithma, tmerre, mbytur në lumë,
të shkulin egërsisht mend’t e kokës.
 
Në ç’prita e zjarre shkoi këmbë e vogël,
në ç’tehe prese, përgjuar me plumb.
Qorr qorrimi, lëngatë e tejngopur,
djegur, përzhitur, i gjithi shkrumb.
 
Ku u dha dhe u tret ajo puthja fatale,
që si gjarper pickon ende në brinjë?
S’gjetën shpêtim në balada, në vaje,
çfarë s’dinë të gjorët, ose dinë gabim…?
 
Je grua a ëndërr që shkel përmbi urë,
sa shekujt të thirrën – ura e zonjës?
Mos vallë trupi yt u zgjat nêpër lumë,
për të ftuar dashnorët e botes…?

V. O – Ura e Zonjës, udhës për në Labovën e Kryqit.


6- Fitorja s’më ka bërë …

Fitorja s’më ka bërë fitimtar, anjëherë,
kur fitoren s’kam ndarë me kënd, përveç Unit.
Mes meje dhe hiçit, tatepjeta – humnerë,
Lodhur gjithë kohës nga ulja e volumit.
  
I brishtë si akull liqeni para shkrirjes,
të jetosh me hijen e asaj që do.
Distancë mes gjërave, kërkim i kuptimit,
në labirinthe pengimi që shfaq ajo.
 
Trishtohemi që ikin copëza kujtese,
përditë.Të lumtur që kemi mbetur gjallë.
Përgatitemi për luftë, ankthe mbijetese,
s’përgatitemi të humbasim si ushtarë.
 
Të vegjël na mësuan, kujdes nga ujku,
kur rreziku i vërtetë vinte nga delet.
Jo përshtatje, ndryshim! Fat ka humbesi,
mbi muret absurde kapërcyen heshtjet.
 
 
Fitorja s’më ka bërë fitimtar, anjëherë,
kur fitoren s’kam ndarë me kënd, përveç Unit.
Mes meje dhe hiçit, tatepjeta – humnerë,
Lodhur gjithë kohës nga ulja e volumit …


7- E trishtë kjo shpresë që lind nga humbja …

Thellësia ka diçka që bën të ndihesh zot,
Pas çdo krahu hedhur, nis diçka e re.
Fryma shkon ngadalë, atje tej tek bregu,
Marinari varr më të mirë paska detin!
 
O zog që më ndjek dallgëve, a ke të dashur?
Më thuaj se unë di të ruaj sekrete.
Flasin pulëbardhat, eh ç’shpendë besnike,
Më prekin herë pas here frikën dhe flokët.
 
Si mund të bëj kërkime për një mrekulli,
Asgjë nuk është ashtu siç duhej të ishte.
Erë aventure fryn mëngësh e jakë këmishe.
Gjithë dita not pas një lajmi të pamundur.
 
Po i ndoqe ëndrrat, kurrë nuk i kap dot.
Kur duan ato të kthehen, ti nuk je aty…!
  
E trishtë kjo shpresë që lind nga humbja …

Exit mobile version