Kreu Letërsi Bibliotekë Suzana Varvarica Kuka: ARTI, në ndryshim të mendjeve të njerëzve

Suzana Varvarica Kuka: ARTI, në ndryshim të mendjeve të njerëzve

“Neuroestetika e një artisti(në psikologjinë e krijimtarisë së Edi Ramës)” i studiuesit dhe historianit të artit Oltsen Gripshi

Titulli i librit “Neuroestetika e një artisti(në psikologjinë e krijimtarisë së Edi Ramës)” i studiuesit dhe historianit të artit Oltsen Gripsi, kam mendimin se të shtyn ta lexosh me vëmendje e kujdes, së pari se titulli intrigon së tepërmi dhe së dyti kërshëria të nxit të gjesh lidhjet e neuroestetikës me stimujt krijues të artistit. Kur parasheh me kujtesë pamore artin grafik të vizatimeve të artistit Edi Rama, të kryera në zyrën e tij mbi shkresat e shumta dhe në kohën e bashkëbisedimeve tekniko-politike, si dhe modelimin e tyre në volume tri përmasore në mjedise ekspozimi, në mënyrë të menjëhershme, kupton se titulli i këtij libri është adekuat. Kjo do të thotë se titulli dhe imazhi janë plotësisht të përshtatshëm me njëri-tjetri dhe të nxisin të lundrosh në brendësi të thelbit të tyre. Në thellësi të këtij libri, përmes faqeve me kah shkencor dhe artistik gjen disa arritje të autorit.

Së pari teksti i këtij libri e shqyrton artin përmes shkencës së Neuroestetikës, që është një shkencë shumë e re, e formalizuar në fund të shekullit XX, e cilësuar një nëndisiplinë e estetikës së aplikuar të kohëve të fundit. Neuroestetika është një term i shpikur në vitin 1999 nga profesori neurobiolog britanik Semir Zeki, i lindur në Turqi në 1940 dhe mori po prej tij përkufizimin zyrtar në vitin 2002. Semir Zeki e veçoi Neuroestetikën si studimi shkencor i bazave nervore për kontemplimin dhe krijimin e një vepre arti, që thjeshtë do të thotë vëzhgim i aktit të të menduarit ose shqyrtim i diçkaje me një fokus të qetë, të menduar mirë dhe të gjatë mbi procesin krijues.

Studiuesi dhe historiani Oltsen Gripshi, për të shpalosur arritjet e rezultateve në fushën e hulumtimeve sa shkencore aq dhe artistike mbi një krijimtari kompakte të artistit Edi Rama ka studiuar dhe është mbështetur në segmente të ndryshme të algoritmeve të kësaj nëndisipline bashkëkohore të estetikës së aplikuar, si dhe në disiplinën shkencore të psikologjisë. Në këtë mënyrë ai shkruan se: “Në diskutimin mbi një estetikë të re stilistike, e cila të shpie më pas në një qasje të re perceptuese – konceptuale, si bërthamë lëvizëse në gjetjen e përgjigjeve, ato, njëkohësisht legjitimojnë edhe një përkufizim të ri, që është psikologjia”. Në këtë studim autori mbështetet tek psikologjia për të gjetur elementet e zhvillimit të ndjenjave, mendimeve dhe sjelljeve të artistit në mesin e faktorëve biologjikë, mjedisorë dhe shoqëror. Përmes saj ka kuptuar dhe parashikuar sjelljen apo aktin krijues të artistit si një zhvillim individual ashtu dhe si ndikim në formimin e personalitetit. Gjithashtu studiuesi shkon edhe më thellë në përdorimin e metodave psikologjike duke i dhënë vend psikologjisë së neuroshkencës për ta kuptuar aktin krijues si një ndryshim dhe zhvillim të vazhdueshëm. Studiuesi i artit duke pasë përpara imazhet e neurografikës dy përmasore të artit mbi letër të Edi Ramës synon të na përçojë atë sesi faktorët e jashtëm, siç është mjedisi, në këtë rast zyra e punës, materialet e artit, fletët e daktilografuara, si dhe siç janë marrëdhëniet, e konkretisht ato të drejtëpërdrejta të artistit me bashkëbiseduesin në mjedisin e tij të punës dhe të krijimtarisë neurografike, ndikojnë në njohjen e personalitetit artistik. Ndërsa faktorët e brendshëm siç janë truri dhe sistemi nervor janë komponentë që vlerësojnë dhe aktivizojnë mendërisht stimulimin mbi aktin krijues. Në realitet kam mendimin se  funksionalitetet e faktorëvet të jashtëm dhe të brendshëm gjatë procesit krijues, në këtë rast produkti i neurografikës mbi fletët rastësore të artistit Edi Rama, janë një proces krijimi instiktiv, po aq rastësor, që në një kohë shumë të shkurtër pas krijimit të tyre janë vlerësuar mendërisht si sisteme kërkimore të shenjave abstrakte, të lindura prej nxitjes së ndjesive të pavullnetshme, por të praktikuara në vazhdimësi nga një tru i ditur dhe dorë artisti e stërvitur mjaft mirë.       

Së dyti hyrja e neuroestetikës në studimet shqiptare mbi artin pamor në fushën e historisë së artit ndodh për herë të parë dhe sillet me seriozitet nga studiuesi Oltsen Gripshi. Teksti studimor i këtij libri, për të shqyrtuar dhe arritur rezultate mbi vlerën e veprave të artit të artistit Edi Rama është ndërtuar mbi binomin: shkencë e neurologjisë dhe proces krijues. Studiuesi e veçon veprën e artistit Edi Rama si një prurje plot interes për fushat studimore të Neuroestetikës mbi aktin perceptues dhe aktin krijues, duke zbuluar më parë aktin e artit dy permasor neurografik të artistit, i cili evoluon më pas në një krijimtari tri përmasore si imazh i volumeve të skulpturës abstrakte të realizuara në teknikën e qeramikës. Më parë studiuesi Oltsen Gripshi ka vëzhguar me shumë kujdes pikturën dhe skulpturën e Edi Ramës, të cilat burojnë nga njëra – tjetra, dhe ka zbuluar dhe vlerësuar rëndësinë e bashkëveprimit të mënyrës së krijimit me psikologjinë e krijimit. Ai i është qasur neuroestetikës, kësaj fushe studimi që heton shkencërisht bazën neurologjike dhe biologjike të përvojave estetike për të arsyetuar mbi kategoritë estetike siç janë më të zakonshmet gjykimet mbi të bukurën e jo vetëm. Të zbuloj të bukurën në krijimtarinë e artistit është thelbi i këtij teksti shkencoro-artistik. Qëllimi i studiuesit është të arsyetojë mbi ekzistencën e së bukurës, harmonisë dhe masës së parimeve të arteve pamore në artin neurografik dhe neuroplastik të Edi Ramës. Në libër një bashkëveprim i tillë shpaloset në kapitullin “Psikologjia si psikika e imazhit fenomenologjik”.

Së treti teksti i librit i përket jo vetëm veprës unike të Edi Ramës, por edhe shpalosjes së personalitetit të artistit Edi Rama, i cili për studiuesin Oltsen Gripshi është shëmbëlltyra antropike e realitetit. Që thjesht do të thotë se artisti është personazhi njerëzor, i cili ka prodhuar gjithçka prej veprimtarisë së tij krijuese në prani të botës fizike dhe politike ku bën pjesë gjallërisht. Libri është i lustruar me veprën e artistit Edi Rama dhe teksti zhvillohet në kapituj të kuptueshëm, ku evidentohet sesi aktivizohen fenomenet e nenëvetëdijes krijuese, të psikikës së imazhit, të neuroestetikës si sintezë e imazhit, të estetikës semiotike, të fenomenit të pavetëdijes së gjuhën pamore, si dhe dhjetëra koncepte të tjera, të cilat i referohen perceptimit përmes formulave dhe algoritmeve shkencore. Studiuesi për të zbuluar plotësisht veprën e artit dhe aktin e krijimit njerëzor analizon së pari psikikën biologjike të artistit në aktin veprues e krijues që herë është i pavullnetshëm dhe herë i vullnetshëm. Dhe Oltsen Gripshi mbështetet tek të gjitha fenomenet e lartëpërmendura duke evidentuar bashkëpunimin shkencor të Neuroestetikës dhe Estetikës. Ky bashkëpunim sjell rezultatin se truri percepton dhe reagon ndaj artit, bukurisë dhe përvojave të tjera estetike, se truri përpunon informacionin shqisor dhe gjeneron një përgjigje, duke përfshirë një gjykim mbi krijimin e së “bukurës” ose “të shëmtuarës”, si dy prej koncepteve bazë të filozofisë dhe estetikës. 

Së fundi, për mendimet që unë po shpreh, por aspak kaq të pakta rreth këtij libri, lidhen me mendimet e Giuliano Lombardos,  i lindur në Romë më 1971, artist dhe profesor i Teorisë së Perceptimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia, që shprehet se: “Në procesin e shqyrtimit më të afërt dhe zbulimit se arti mund të marrë çdo formë, si grafika, vizatimi, piktura, skulptura etj., shihet se tipari më dallues i artit, (në ditët e sotme), nuk është të magjepsë dhe të çudisë publikun me një nga format e këndshme (të lartëpërmendura), por është të “ndryshojë mendjet e njerëzve”. Kam mendimin se ky është një përcaktim sa i hershëm dhe aq bashkëkohor i qenësishëm mbi funksionin e artit, që është një funksion që koha çdo kaherë ia sugjeron vçeprës së artit. Këtë përcaktim të Lombardos, studiuesi Gripshi në kapitullin “Estetika semiotike: thelbi gnoseologjik përtej formave” tenton ta thotë në mënyrën e tij kur shkruan se: “Edi Rama e përdor formën…tkurrja e realitetit në thelbin e veçorive të tij elementare reflektohet në interpretimin e tyre përmes gjuhës së stilizuar e të thjeshtëzuar pamore…(ajo është)… Një lloj përhumbje brenda një labirinthi ngjyrash dhe një assamblage formash të ngjashme me shkrimin kuneiform, ku gjithkush kërkon të zbulojë misterin dhe botkuptimin që fshihet pas mesazheve”.

Shpeshherë mendoj se të shqyrtosh një vepër arti është vërtet të zbulosh një mister dhe kur zbulon një mister në imazhin e saj natyrshëm ndryshon mënyrën e të menduarit, kaq e domosdoshme në kohën tonë, që ecën me hapa galopante.  Natyrisht që ta bësh këtë duke përfshirë apo u udhëhequr nga nëndisiplina shkëncore e neuroestetikës nuk është gjë e thjeshtë dhe lehtë, është një impenjim neurofilozofik, që të shtyn të mendosh seriozisht për ekzistencën në vijueshmëri, për qenien njerëzore dhe realitetin e kohës së sotme. Mendoj se Oltsen Gripshi, i udhëhequr nga dijet mbi neuroestetikën, psikologjinë dhe estetikën, duke i vënë në përdorim funksionet e tyre krahasuese dhe hulumtuese gjatë shqyrtimit të krijimtarisë artistike me përmbajtje ekzistencialiste dhe formë abstrakte, e lindur prej personalitetit politik dhe njeriut artist Edi Rama, me studimin e tij shkencor, ia ka dalë me sukses të na shpreh se krijimtaria artistike ndikon në “ndryshimin e mendjeve të njerëzve”.

Tetor 2025

Ps. Tekst i përgatitur për promovimin e librit “Neuroestetika e një artisti(në psikologjinë e krijimtarisë së Edi Ramës)” i studiuesit dhe historianit të artit Oltsen Gripsi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë më datë 14 tetor 2025.

Exit mobile version