Kreu Letërsi Bibliotekë “Tablo dimri”, poezi nga Klara Kodra

“Tablo dimri”, poezi nga Klara Kodra

UJI I JETËS

… dhe vajza iku (nëpër shtigje përralle),
Iku në male, fusha, nëpër pyje
Që të gjente ujin magjik të gjallë…

Si ajo vajzë, rend dhe unë ndër shtigje,
Në vend që si dikur të qaj me ligje,
Të gjej ujin magjik që t’ju ringjallë,
Ju, nënë, baba, ju, miq që s’jeni më!
Po rend, po rend, po nuk po gjej asgjë
Të bëjë që jeta juaj të rinisë!

Asgjë… veç ujit magjik të poezisë.

Janar 2021


ORA E FUNDIT

Qe ora e fundit. Nxënësit e rrethonin
Si ndahet toka nga lulet do ndahej
Nga këta fëmijë që si zogj cicëronin.

Zëri i tingëllonte i freskët si dikur.

Hapi regjistrin. E pena lehtë mbi letër
Viza shënoi pranë emrave sikur
Pas saj do vinte prapë orë tjetër.

Thellë nga gjoksi i ngjitej një e çarë
Po e gëlltiti shpejt që të ishte
Kjo orë e fundit e gjallë si ora e parë.

Shtator 1980


MOTRËS NË DITËN E LINDJES

Erdhe, e mbështjellë me batanije të kaltër.
Shihje përreth me sy të ndritshëm të habitur.
Të priste, si copë qielli, krevati i kaltër.
Tej dritares e verdha e artë e mimozave.

Dilje nga një guvë e errët dhe rozë.
Sytë t’i vrau në fillim një dritë e bardhë.

Qenë ngjyrat e para të jetës sate.

28 mars 2020


LETRA DASHURIE

Ngjan se koha s’i ka prekur ato zarfe. Shkrimi
I bukur, i qartë i mamasë sime
Dhe shkrimi i pjerrët, i ngatërruar i babait
Flasin ende nga fletët e kaltra, të verdha, të bardha,
Flasin për dashurinë që dikur më lindi
Dhe që në gjakun tim vibron akoma
Dhe në gjakun e fëmijëve që kam pranë
Që s’janë të mitë e prapë janë të tillë,
Burbuqe flakë nga gjaku i vajzës tjetër
Që e pa dritën edhe ajo nga kjo dashuri.
Një karafil të bardhë e një të kuq
Në dorë mbaj. Aroma e ditës së sotme
Shkrihet me aromën e ditëve që fluturuan.

Shkurt 2021


KUJTIM I LARGËT

Këngët e festivalit të San Remos dikur
Gdhëndnim nëpër banka. Antena
Mbi çati vinim që të kapnim valët
Që nga perëndimi vinin. Në ato valë
Muzike zhyteshim të tërë si në det.
Ndjenim shije si prej fryti të ndaluar.
E prapë ishim aq naivë, aq të pafaj.
Atë gëzim fluror që ndjenim ne
E gjeni ju vallë sot në valët e Internetit?

Valët e kohës veç përpara rrjedhin.

Shkurt 2021


TABLO DIMRI

Mëngjes i ftohtë shkëlqimtar
Luftojnë diell dhe acar.
Toka e bardhë, qielli si ar.

*

Mimoza shtrin degët e saj
Si foshnja krahët drejt pranverës.
Qielli pikon lot të bardhë.
Tokën e shkundin shkulma ere.

*

Fëmijët klithin orë pa orë:
-O mami, borë! Ja, ku ka borë!
Në topa e mbledhin në dorë.

Shkurt 2021

Exit mobile version