Kreu Letërsi shqipe në përkthim Sumer Shehadeh: “Daullja Prej Letre” i Besnik Mustafajt – Një përkufizim i...

Sumer Shehadeh: “Daullja Prej Letre” i Besnik Mustafajt – Një përkufizim i jetesës nën tirani

Në letërsinë arabe mungojnë romanet satirike që simulojnë përvojat tiranike në emër të “socializmit”, me thellësinë me të cilën këto regjime ndryshuan shoqëritë e tyre. Një gjë të tillë e gjejmë dhe e prekim gjatë leximit të romanit të shkrimtarit dhe poetit shqiptar Besnik Mustafaj me titull “Daullja Prej Letre”. Romani i botuar nga Dar Al-Hiwar, i përkthyer nga Adnan Muhamed, i referohet një jete politike të njohur për shumë vende arabe, pasi ajo ka prodhuar një model shoqëror dhe sjelljeje të caktuar midis qytetarëve të tyre.

Romani i Mustafajit përfaqëson një propozim të guximshëm narrativ që satirizon realitetin e prodhuar nga verbëria dhe dhuna e ideologjisë, duke përdorur modele që mund t’i shohim në çdo vend ku individi i nënshtrohet autoriteteve të cilat duan që ai të mbetet i dyshimtë për rolin e tij. Përpjekja më e mirë e autoriteteve është ta konsiderojnë kufizimin e një personi si një vetëpërmbajtje, në mënyrë që njeriu t’i drejtohet vetëcensurimit dhe ta shikojë veten me një sy që vjen nga jashtë, burimi i të cilit është partia, lideri apo aparati i sigurimit. Me fjalë të tjera, njeriu fillon ta gjykojë veten sipas vullnetit të liderit apo partisë.

Romani është më shumë si një serial i historisë. Lexuesi nuk e ka të lehtë të gjejë pikat e përbashkëta midis historive që përbëjnë romanin. Por në fund, rrëfimet formojnë një histori të harmonizuar që tregon një sërë përfundimesh për «përvojën socialiste» (më mirë të thuhet për diktaturën e regjimit të Enver Hoxhës) në Shqipëri. Në thelb, shprehja e mugët, një daulle letre dhe mbyllja ndaj kuptimit të drejtpërdrejtë nëpër histori, ka luajtur një rol të rëndësishëm në shumësinë e kuptimeve të saj, sepse ndonjëherë ajo rrit besimin në shpirtrat e personazheve dhe herë të tjera e shkatërron atë, sipas palës që e përdor atë.

Një propozim narrativ që përqesh realitetin e prodhuar nga verbëria ideologjike dhe dhuna

Lexuesi nuk mund të sigurohet se kjo shprehje, daullja prej letre, është e vetmja e përbashkët midis historive të librit, së bashku me personazhin e Enver Hoxhës, udhëheqësin komunist, sekretarin e parë të Partisë së Punës, derisa ndodh ballafaqimi mes tyre. Nuk ka dyshim se romani ka të bëjë me fuqinë e shprehjes, e cila i jepet tjetrit, për ta lënë atë nën pushtetin e fjalës dhe ta vendosë në një pozicion më të ulët se vetja. Ky është një roman rreth rrezikshmërisë së ligjërimit, si një diskurs nga një nivel më i lartë tek një më i ulët.

Historitë janë pa tituj, vetëm me numra. Ato fillojnë me historinë e ndryshimit të identitetit të Shqipërisë pas rënies së monarkisë, kur Enver Hoxha ngarkon një komunist të riemërtojë rrugët në kryeqytet, përpara se regjimi i ri të fitonte njohje ndërkombëtare, duke e porositur që misioni të mos e kthente në një daulle prej letre. Historia e dytë ka të bëjë me ditëlindjen e shtatëdhjetë të Stalinit, në të cilën një komunist i vjetër paralajmëron Komitetin e Partisë, që kishte kërkuar këshillën e tij, të mos e përsëriste historinë e daulles së letrës me të. Plaku i kishte sugjeruar Komitetit që Stalinit t’i dhurohej shoqja Sekretare e Rinisë Komuniste, për ta ndihmuar atë të kthehej në rininë e tij. Sugjerimi kishte ardhur si rezultat i pleqërisë së tij. Të gjitha tregimet kanë të bëjnë me “komunistët” që ngatërrohen para drejtuesve, përballë urdhrave që u kërkohet të kryejnë pa kuptuar saktësisht rolet e tyre në to. Në këtë kontekst dyshimi, zbulohet besnikëria e tyre e pabarabartë, ndërkohë që u kërkohet besnikëri e verbër ndaj budallenjve.

Edhe misionet që u kërkohen personazheve nuk janë gjë tjetër veçse teste besnikërie. Ajo që shpërfaq fëmijëria shkon në skajet e ekzpozimit, siç ndodh në rastin kur profesori kërcënon nxënësit e tij se kush do të bënte fletoren me njolla boje do të konsiderohej tradhtar i Partisë dhe i atdheut. Kur një incident i tillë ndodh me njërën nga nxënëset, përballë frikës dhe të qarit e saj, profesori e çliron atë nga frika me argumentin se tradhëtarë janë në Tiranë, ku maja e penës është prodhuar me difekt. Historia nuk mbaron këtu, por përkundrazi fillon, kur batuta e tij kthehet në një daulle prej letre, një histori që lëviz mes krahinave për tradhëtarët e partisë dhe atdheut që fshiheshin në Tiranë.

Në epokën e pushtetit popullor, ne shohim se si pushteti i popullit shndërrohet në një fuqi iluzionesh. Sepse çdokush mund të kthehet në tradhtar, pa kryer tërësisht tradhtinë dhe pa mundur ta përkufizojë atë. Shakaja e profesorit e ktheu paranojën e përgjithshme të krijuar nga politika e Partisë Komuniste në një të vërtetë të rrezikshme. Historitë shkojnë përtej ironisë së zakonshme, deri te madhështia e tyre, te aftësia e tyre për t’u kthyer në realitet.

Edhe në sferën personale, batutat mund të kthehen shpejt në armiqësi, si në rastin ku dy shokë i dhurojnë një qepë të kalbur gruas së shokut të tyre, duke e kthyer dhuratën në mosmarrëveshje dhe shakaja kthehet në një formë vrasjeje. Kjo është gjithashtu një nga mënyrat e Milan Kunderës (1929-2023) për të përcaktuar jetën nën regjimet komuniste. Sa i përket vdekjes, ajo ka një histori tjetër, ku vdekja e vajzës së një komunisti shndërrohet në festë, me fjalimin e Enver Hoxhës për babain e të ndjerës në radio. Në këtë moment vdekja del nga atmosfera e saj e dhimbshme personale në hapësirën publike ceremoniale që e kthen gjithçka në një rast për të arritur përfitime për partinë ose për “pushtetin e popullit”.

Një roman për seriozitetin e fjalës: Si një diskurs nga më i larti tek më i ulti

Ndoshta historia më e shquar është ajo ku njëri nga personazhet shkëmben rolin e tij me Partinë, kur ai quan djalin e tij Mao Ce Dun, në nder të liderit kinez. Ai komunikon me ambasadorin kinez dhe jeton në kurriz të partisë me mashtrim, vetëm se fundi është i sigurt dhe lexuesi e parashikon atë me vdekjen e liderit kinez. Megjithatë, evgjiti që e ktheu ditëlindjen e djalit të tij në një daulle prej letre, mbetet një hero popullor. Sepse ai mundi të shkëmbente rolin me Partinë dhe dukej se tashmë zotëronte pushtetin e popullit, një autoritet që nuk e zotëronte dikush që e kalonte jetën në shërbim të ideve të partisë, si rasti i komunistit në pension, ndërmjetësimi i të cilit nuk ia doli të nxirrte nga burgu djalin e fqinjit të tij me akuzën e fyerjes së shtetit, edhe pse ishte i çmendur. Dhe dënimi që Partisë i jep atij ngre një pyetje gjeniale: Pse çmenduria nuk i shtyn qytetarët të lavdërojnë shtetin, pse i shtyn ta shajnë atë? Sikur lavdërimi i regjimeve totalitare shoqërohet me humbje të arsyes edhe për përfaqësuesit e tyre.

Tematika e “Daullja prej Letre” i përngjan romanit libanez me titull “Ibriku me vaj”. Romani është shkruar si një histori jo e plotë, një truk, një metaforë misterioze që arti e përdor për një qëllim tjetër. Dhe romani thotë se ata personazhe që Besnik Mustafaj i ka gjetur gati për t’i përfshirë në librin e tij, në fakt nuk janë personazhe të natyrës së lirë, përkundrazi, janë personazhe të krijuara nga partia, janë personazhe të dyshimtë, të frikësuar dhe hapësira në të cilën jetojnë është një hapësirë ​​e korruptuar. E gjithë kjo është për shkak të autoritetit të diskursit, i cili nuk thotë asgjë, por përcakton marrëdhëniet e pushtetit midis klasave të njerëzve.


-* Sumer Shehadeh, i lindur në vitin 1989, është shkrimtar sirian, i pranuar si një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë së sotme arabe. Çmimi i fundit që ka fituar është ai “Naguip Mahfuz” në vitin 2021 me romanin “Al Hegran”.

– **Ky shkrim është botuar me 17 korrik 2023 në gazetën Al – Araby, e cila botohet ne Londër dhe shpërndahet në mbarë botën arabe

Exit mobile version