Kreu Letërsi Shënime mbi libra Rrahman Paçarizi: Studimi i parë i plotë për peizazhin gjuhësor të Tiranës

Rrahman Paçarizi: Studimi i parë i plotë për peizazhin gjuhësor të Tiranës

Mbi librin “Peizazhi linguistik i Tiranës” të autores Elsa Skënderi Rakipllari, botuar nga “Albas” 2023

Zv. Dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Dr. Elsa Skënderi Rakipllari publikon monografinë studimore “Peizazhi Linguistik i Tiranës”

“Peizazhi Linguistik i Tiranës” është monografia që u promovua më 12 tetor 2023 në Universitetin e Tiranës, nga zv. Dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Dr. Elsa Skënderi Rakipllari.

Ky është studimi i parë i plotë për peizazhin gjuhësor të Tiranës dhe shtron udhën për studimin e mëtejshëm të përdorimit të gjuhës në hapësirat publike, në vendin tonë. Sipas këtij studimi, në disa zona të Tiranës, si rruga “Myslym Shyri”, Blloku, Zogu i Zi dhe Rruga e Durrësit, emërtesat e bizneseve dhe të objekteve janë më tepër në gjuhën angleze. Në këto rrugë gjuha shqipe qëndron në vend të dytë, pas anglishtes.

Mënyra si zgjidhen emrat e bizneseve dhe si shkruhen ato, reflekton nivelin e kulturës gjuhësore dhe të njohurive për gjuhën shqipe. Sipas autores, vendi i lartë që zë anglishtja në peizazhin linguistik të Tiranës, është shenjë e globalizmit, pasi kjo prirje vihet re dhe në peizazhet linguistike të metropoleve të vendeve të zhvilluara. Veç kësaj, prania e lartë e gjuhëve të huaja (si anglishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja etj.) në hapësirën publike është pjesë e diskursit të përgjithshëm publik, që narrativë mbizotëruese ka orientimin e përgjithshëm properëndimor dhe proevropian të vendit tonë.

Studimi “Peizazhi linguistik i Tiranës” trajton si pjesë të peizazhit urban edhe mbishkrimet murale dhe grafitit, që shpesh janë formë e shprehjes së aktivizmit qytetar për çështje të mprehta sociale e politike.

Të pranishëm në promovimin e monografisë ishin edhe studiues nga Shqipëria dhe Kosova. Ata vlerësuan risitë e këtij punimi, thellësinë e hulumtimit, qëndrueshmërinë shkencore dhe faktin që kjo prurje shërben për të shtruar diskutime të tjera në forume gjuhësore dhe kulturore, si dhe nxit analiza të tjera në këtë fushë.

Studimi “Peizazhi Linguistik i Tiranës” i Dr. Elsa Skënderi Rakipllarit është një kontribut i vyer në disiplinën e peizazhit gjuhësor. Ajo më herët ka publikuar monografinë “Analizë kritike rreth diskursit politik në Ballkan”, romanin “Krom dhe Luledele”, si dhe është autore e një sërë artikujsh studimorë dhe tekstesh shkollore të Gjuhës dhe Letërsisë në Shqipëri e në Kosovë.


Studimi monografik Peizazhi linguistik i Tiranës është një studim serioz sociolinguistik. Autorja Elsa Skënderi Rakipllari ka realizuar një hulumtim dhe punim të përthekuar mirë dhe para së gjithash të ndërtuar metodologjikisht mbi parametrat më të lartë shkencorë, duke iu përmbajtur edhe një etike të lartë shkencore, demonstruar përmes citimeve korrekte të rezultateve paraprake të studimeve të ngjashme a pioniere të kësaj fushe dhe dhënies së meritës së mjaftueshme për bashkëpunëtoren e këtij punimi Rrezarta Yzo.

Libri, siç e thotë në recensën e tij profesor Munishi, është një prurje e rëndësishme për studimet sociolinguistike dhe linguistike shqiptare. Autorja Elsa Skënderi Rakipllari që në parathënien e librit, por edhe në pjesën e përimtimit teorik më pas, jep të gjithë informacionin e nevojshëm lidhur me natyrën e peizazheve linguistike, të cilat në bindjen time janë më shumë dokumentare deskriptive që pasqyrojnë aspekte të veçanta linguistike, të ndërlidhura patjetër me kohën e realizimit të studimit. Ky komponent, sado duket i thjeshtëzuar, kur shpjegohet në këtë mënyrë dhe kur shihet si vjelje e korpusit për hulumtim, pastaj në kuptim të analizës dhe të intepretimit të të dhënave vjen e bëhet mjaft i vështirë dhe i ngatërruar, pasi duhet të ketë parasysh faktorë të shumë gjuhësorë e jashtëgjuhësorë që diktojnë ndryshimet që paraqiten përmes variablash. Globalizimi, tregu, momentumi politik e kulturor, shkalla e vetëdijes arsimore, kulturore e identitare janë vetëm disa nga faktorët që duhen pasur parasysh me këtë rast. Unë që i kam lexuar jo vetëm punimet e tjera të saj të Elsës nga gjuhësia, por edhe romanin e saj, e gjej këtë studim brenda pritjeve për të si studiuese, që do me thënë se nuk kam pritur më pak, por më duhet ta them se në profilin e Elsës si studiuese ndërmjet gjuhës dhe letërsisë, që del herë-herë jashtë kornizave apo jashtë të të menduarit brenda kutisë jam habitur për mirë me disiplinën metodologjike që e ka dëshmuar, pasi ne që sillemi ndërmjet këtyre dy fushave të studimit, dimë të ngutemi. E them këtë pasi, kur e lexova romanin e Elsës gjeta kompozita aq kompozita sa asnjë vepër letrare në shqip dhe aq të goditura sa për të qenë një korpus i mjaftueshëm për studimin e kompozitave të shqipes. Dikush kaq kreativ, pavarësisht nga dija e konsoliduar që posedon vështirë se mund të qëndrojë brenda kornizës metodologjike të një hulumtimi sociolinguistik të kësaj natyre, pa u rrëmbyer nga kreativiteti që do të mund ta dëmtonte aparatusin e përdorur metodologjik-shkencor. Ajo ka arritur ta bëjë këtë, prandaj ky punim, për mua ka vlera edhe dokumentare, siç kanë zakonisht punimet sociolinguistike të kësaj natyre, pra peizazhet linguistike, pasi ato mund dhe duhet të përdoren edhe për studime të fushave të tjera, si sociologjike, identitare, studimeve mbi marketingut, studimeve mbi statuset dhe konstelacionet politike e të tjera. Kur e përmend këtu tregun, duket sikur po largohem shumë, por trajtimi i mbishkrimeve të lokaleve afariste çon atje, ashtu siç më çoi mua te tregu e marketing studimi për brendimin si mënyrë e fjalëformimit, e cila sillet ndërmjet gjuhësisë e hulumtimeve të tregut që në anglisht njihet si genericization.

Dhe, rezultatet e këtij studimi të Elsa Skënderit janë po aq impresive, pasi ajo merr parasysh të gjithë këta faktorë të përmendur. Analiza e mbishkrimeve nxjerr edhe sete gjuhësore që ndërtojnë narrative ideologjike e identitare që dalin pikërisht në mbishkrimet e Tiranës dhe po të krahasohen me ato të Prishtinës nxjerrin dallime shumë interesante të cilat i vërtetojnë deri në një arsyet për këto dallime. Në të vërtetë aspiratat e shprehura nga qëndrimet e respondentëve janë argumenti më i mirë për këtë dhe hartimi i grafikave për këto lloje qëndrimesh e argumentimesh, është vlerë e shtuar për këtë punim, që e çon përtej dokumentaritetit të domosdoshëm në analizë sociolinguistike. Gjithashtu paraqitja përmes grafikave e mbishkrimeve të ndara sipas origjinës së tyre gjuhësore a multilinguale dhe të shpërndara sipas rrugëve të Tiranës, dëshmon për një punë këmbëngulëse, për të mos i lënë asgjë rastit dhe për të eliminuar aq sa e është e mundur gabimet që mund të dalin në matjen përfundimtare të kësaj dukurie.

Domethënë, seti metodologjik i përdorur për testimin e hipotezave iniciale, metodologjia e hulumtimit dhe e mbarështrimit a kompozimit të tekstit, etika e lartë shkencore e pasqyruar përmes citimeve dhe literaturës së përdorur janë tiparet e një punimi të qëndrueshëm që ky studim i shndërruar në libër i ka, madje i ka fort.

Autorja thotë në fund, duke u mbështetur te një thënie e Teki Dërvishit, se “Këtë libër do ta shkruaj prapë”. Natyrisht, jo duke ndjekur arsyet e Dërvishit, por duke ndjekur parimet sociolinguistike, ky libër do të shkruhet prapë, edhe nëse jo nga Elsa, por do të shkruhet në një Tiranë tjetër, me rrethana të tjera që do ta ndryshojnë peizazhin e sotëm linguistik të Tiranës.

KANË SHKRUAR PËR LIBRIN:

“Ky është një studim relevant dhe mahnitës, për disiplinën e Peizazhit linguistik. Bashkë me disa kontribute më të shkurtra të Shkumbin Munishit për Prishtinën, ky është përvetësimi i parë i metodës dhe një vepër pioniere në kuptimin literal të fjalës.”

Christian Voss

(Universiteti i Humboldtit, Gjermani)

“Studimi, përveç se paraqet studimin e parë dhe të plotë për peizazhin gjuhësor të Tiranës, sjell po ashtu modelin e plotë se si duhet te studiohen peizazhet gjuhësore të një hapësire publike. Ky hulumtim behet krejtësisht i qëndrueshëm shkencërisht për shkak se, përveç diskutimit të studimeve të plota teorike të koncepteve paraprake të peizazhit gjuhësor, mbështetet në një metodologji të plotë dhe të saktë shkencore, në një metodologji të plotë dhe të saktë shkencore, në bazë të të cilave gjetjet dhe përfundimet qëndrojnë më këmbë të forta shkencore. […] studimi i pasqyruar në këtë libër paraqet një arritje jashtëzakonisht të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare”.

Shkumbin Munishi

(Universiteti i Prishtinës, Kosovë)

Exit mobile version