Kreu Letërsi Shënime mbi libra Floresha Dado: Qasje të ndryshme ndaj raportit të personazhit me realen

Floresha Dado: Qasje të ndryshme ndaj raportit të personazhit me realen

(Pjesë nga studimi në proces)

Interpretimi i kësaj marrëdhënieje, që kur u trajtua teorikisht për herë të parë nga Aristoteli e në vazhdim nga teoricienë të kohës moderne, dëshmon rëndësinë që ka patur dhe ka kjo çështje në poetika të ndryshme, deri në teoritë që e shkëputën atë si referim të realitetit. Dihet se kuptimi në veprën narrative është marrëdhënie midis dy botëve: botës trilluese të krijuar nga autori dhe botës reale. Kur themi se e përjetojmë, na pëlqen personazhi, kjo do të thotë se kemi kuptuar raportin metaforik midis këtyre dy botëve, që, gjithashtu, është raport i figurshëm. Problemi më i ndërlikuar është natyra e marrëdhënies. A synon figura-personazh të jetë një përballje me realitetin, apo thjesht të na risjellë një aspekt të tij, apo të përcjellë një përshtypje tërësore mbi botën reale? Këto çështje kanë qenë në themel të interpretimit të rolit të personazhit në letërsi, rreth të cilave ka pikëpamje që i kanë bashkuar teoricienët, sikurse ka dhe kuptime që kundërshtojnë njeri tjetrin.

Gjatë rrjedhës letrare të shek XIX mbizotëronte parimi estetik sipas të cilit narratori zhvillonte artistikisht shkakun e veprimit të personazhit dhe të rrethanave të këtij veprimi, personazhi konceptohej në rrëfim si shfaqje e qenies sociale. Në këtë shekull personazhi njohu një përpunim të jashtëzakonshëm në lidhjen me realitetin, ai u konceptua si promotor në raportet e aksionit, si nxitës dhe faktor për zhvillimin e intrigës. Ai ishte një marrëdhënie ‘e hapur’ ndaj lexuesit, ishte një ‘qenie’ e organizuar, që i nënshtrohej lëvizjes, ndryshimit… Më pas, në gjysmën e dytë të shekullit XX, një parim tjetër teorik mbi marrëdhënien e fjalës me realen, mbështet kuptimin e letërsisë si shenjë në karakterin arbitrar të saj (Sosyri), jashtë marrëdhënies me objektin e pasqyrimit. Në letërsi nuk synohet të justifikohen, sipas mënyrës realiste, veprimet e personazhit, përkundrazi theksohet arbitrariteti në emër të vërtetësisë së tyre të pjesshme ose të së drejtës për imagjinatë. Në këtë kuptim të ri edhe letërsia reagoi dukshëm: të çliruar nga pushteti i ‘reales’ romanet moderne nuk u japin rëndësi lëvizjeve të personazheve, as shkaqeve që diktojnë veprimet e tyre. Në vend të heroit vjen ‘një qënie pa konture’, e papërcaktueshme dhe e pakapshme, një ‘unë’ anonim… Në qasjen semiologjike personazhi shihet si ekzistencë gjuhësore, dhe, mbi këtë bazë teorike, koncepti strukturalist e zbërthen atë si një krijesë-skemë, duke zbehur iluzionin referencial të tij. Kështu, kish ndodhur që fillim të shek. XX në romanin e letërsive evropiane dhe anglo-amerikane të shfaqej kriza e personazhit. Ky aktor i rëndësishëm i prozës konceptohet tashmë ndryshe, në një funksion të veçantë, si në thelbin e strukturës shpirtërore e mendore, të veprimit, të raporteve me mjedisin dhe faktorë të tjerë, ashtu dhe në mënyrat e formësimit të jashtëm të tij. Ky shekull, me ndryshimet e rëndësishme në jetën social-kulturore, solli metamorfozën e figurës-personazh, thelbi i sëcilës ishte, siç e karakterizon Ph. Hamon[1], që personazhi bëhet një efekt semantik i shpërndarë; kuptimi i tij mund të nxirret vetëm duke abstraktuar. Ky ndryshim thelbësor e bëri personazhin një dukuri komplekse, në studimin e të cilit mund të kryqëzohen disa disiplina, si: semiologjia, linguistika, psikanaliza, sociologjia…      

Në romanin modernist, që u rishfaq në një formë edhe më specifike në romanin postmodernist, siç shkruante N. Sarrot, personazhi shfaqet si ‘një qenie pa konture, e papërcaktueshme, e pandjeshme dhe e pakapshme, një ‘unë’ anonim, që është gjithçka dhe nuk është asgjë’. Veç kësaj, intriga kalon në plan të dytë, personazhi nuk krijon ngjarjet, nuk është gjithnjë subjekt i vullnetshëm dhe me logjikë të brendshme të zhvillimit, siç ndodhte në romanin realist. Përmbyset raporti i personazhit me realen. Kjo reflektohet drejtpërdrejt edhe në evoluimin e teknikave narrative.

Në romanin shqiptar u ruajt formësimi tradicional, realist i personazhit deri në vitet ‘80 të shekullit XX, por, ndonëse personazhi mbeti element i rëndësishëm i prozës sonë, nën ndikimin e letërsisë së huaj dhe të rrethanave specifike social-ideore të realitetit shqiptar, sidomos në lirinë e krijimit, në disa romane të dhjetëvjeçarëve të fundit u shfaq një personazh i pazakontë, dhe raporte të tjera, në vështrim të jashtëm, shfaqen me realen. Zhvillimi i letërsisë sonë ka dëshmuar qasje të ndryshme lidhur me raportin ëndërr (trillim)–realitet. Kjo marrëdhënie herë është e dukshme, personazhi e deklaron mbas një situate përjetimi të jashtëzakonshëm, herë është e brendshme, e shkrirë me rrëfimin gati të padallueshëm. E gjejmë këtë dukuri poetike te Z. Çela (‘Gjysma e Xhokondës’), ku personazhi është midis ëndrrës dhe halucinacionit, te M. Meksi (‘Diktatori në kryq’, ‘Puthja e Amazonës’) ku ëndrrat përjetohen me sy hapur. Në romanet e këtij lloji rrëfimi ndërton një marrëdhënie specifike midis reales dhe ireales; trillimi artistik krijon universin e vet, ku faktorë të tillë si e ndaluara, e detyrueshmja dhe e lejueshmja ndërthuren, ku personazhet janë aktorë dhe viktima në to.

 Cili është pozicioni i tyre midis reales dhe fantazisë, plotësimit të dëshirës, konvencionit që të bën të besosh? Si produkte të një ligji imitues specifik, ata, dhe të tjerë personazhe të letërsisë sonë, janë një mirëkuptim midis së vërtetës dhe trillimit, reales dhe imagjinares, duke qenë, në thelbin e tyre, referencë realitetesh (qoftë ky social-politik, qoftë historik-psikologjik). Askush nuk do të kishte të drejtë të gjykojë nëse personazhe si Doruntina, Gjergj Elez Alia, personazhe të M.Krajës apo B.Shehut, etj. janë, apo jo, figura më pak reale sesa personazhe të tjerë në letërsinë tonë, sepse, marrëdhëniet e fjalës artistike me botën së cilës i referohen, janë konvencionale, sepse trillimi artistik ka specifikën e vet të dallueshme nga çdo lloj tjetër i përdorimit të fjalës. Në stilin eA.Tufës përdoret ëndrra, për të risjellë përjetimet e personazheve në moment dramatik apo të një dëshire të papërmbajtur… Kombinimi i reales me vizionet ëndërrore, thekson situatën dramatike, ose thellon njohjen e thelbit të personazhit. Te ‘Mërkuan e zezë’ personazhi është midis reales dhe halucinacionit, fantazisë, situatash që shkrijnë të mundshmen me të pamundurën… S’ka rëndësi sa reale apo e mundshme është ajo çka fotografohet në perceptimin e lexuesit, përballë kuptimit të brendshëm që mbartin personazhet.

Te M. Kraja (‘Edhe të çmendurit fluturojnë’, ‘Net bizantine’) thyerja e marrëdhënies së personazhit me realen është gjithashtu e paimagjinueshme, por ka brenda vetes përjetime të fuqishme emocionale. Tek Im atë donte Adolfin’, në fund të romanit, autori shkruan mbi fatin e mëtejshëm të personazheve, që lidheshin me atin… Kjo mënyrë krijon një raport interesant midis reales dhe trillimit. Duket sikur romani është një histori e vërtetë, ku secili personazh ka fundin e vet…

Këtë parim ‘rrënues’ të raportit personazh/reale e përdor dendur R. Qosja në ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, ‘Nata ish dita jonë’, ‘Një dashuri dhe shtatë faje’ etj… … apo V.Zhiti në ‘Funerali i pafundmë’, e të tjerë autorë. Por e rëndësishme është të kuptojmë se, si rezultat i marrëdhënies midis figurës-trillim dhe reales, në dukje thyer keqazi, krijohet njërealetjetër, më tronditëse, më emocionuese për lexuesin.

Në përgjithësi, kur raporti midis trillimit dhe reales është ekstremisht i cënuar, ndodh kjo dukuri: vizatimi i pamjes së jashtme humbet rëndësinë, prandaj pothuajse zhduket, sepse vepron jo personazhi real, por botëvështrimi i veçantë i tij, dalin në plan të parë arsyetimet me nëntekste jo aq të lehta; mbizotëron një komunikim virtual përmes ideshë, ndikimesh që vinë nga jashtë, dhe që, në një farë mase përplasen në përjetimet e personazhit. Në stilin e Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, ndonëse Meksi është mjeshtre në vizatimin e pamjes së jashtme, detaji nuk i përket më reales, së dukshmes, por imagjinatës së ardhur prej përtej shekujve. Thyerja është më e veçantë. Mënyra se si e ka konceptuar V.Koreshi (‘Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s’) botën e imagjinuar, ‘cënon’ mënyrën referenciale, ndonëse duket se i referohet historisë. Konceptimi mitik shprehet pikërisht në ndërtimin simbolik të realitetit, por një simbolizëm që lëviz. Është konceptim mitik sepse qëllimi i veprës nuk është zgjidhje për një ose disa probleme, por rrezatim iluzor mbi atë realitet.

Nisur nga ky parim estetik kuptimi i romaneve ‘nuk është i vërtetë’, ai është kuptim i konfiguruar, është iluzion dhe pritje e ankthshme e lexuesit. Shkrimtarët, duke ndërtuar personazhet imagjinarë, kodojnë një realitet imagjinar. Prandaj, në forcën emocionale të karakterit metaforik, veprat bëhen më reale se realiteti, të cilit i referohen. E vërteta e faktit, e vërteta e idesë dhe e vërteta artistike  janë të lidhura, për të krijuar një metaforë të madhe, thelbin e së cilës autorët e realizojnë përmes formësimit dhe fatit të personazhit në aspekte dramatike dhe tragjike të jetës, përplasjes me realitetet sociale, me enigmën e fatit etj.

Në gjithë trajtimet ka rëndësi fakti që një lexim fanatik i personazhit si ‘real’, do të na e bënte atë antipatik, madje do të na distanconte prej tij. Strukturalistët shkuan në një drejtim fare ekstrem, kur kritikuan romancierët realistë për pasqyrimin e botës, sepse, sipas tyre (R.Bart), romanet realiste paraqesin vlerat njerëzore sikur të ishin atribute universale të një natyre të pandryshueshme njerëzore. Sipas teoricienëve të narratives, Robert Scholes dhe Robert Kellogg[2] lidhja midis botës reale dhe fiksionale është “një spektër i dominuar nga tre ngjyrime: a- ai që i përgjigjet faktit specifik, b-paraqitjes së asaj që i ngjan faktit specifik dhe c- paraqitjes së tipeve të përgjithshëm të aktualitetit”. Një karakterizim i tillë i shkon drejtpërdrejtë ndërtimit të figurës-personazh në raport me realen e jetës.

Personazhi, iluzion i reales

Personazhi është kuptim, vizion, apo shkrirje e tyre?

Figura-personazh, si një shenjë që formësohet gradualisht, mbetet e paplotësuar përfundimisht deri në fund të librit. Ajo ndërtohet si qenie njerëzore gjatë procesit progresiv rrëfimtar dhe ky proces luan një rol të madh në iluzionin referencial mbi të. Në këtë proces formësimi, krahas veprimeve e marrëdhënieve të jashtme të personazhit, një teknikë e rëndësishme në krijimin e përfytyrimit si person real është përqendrimi në botën e brendshme të tij. Teksti, duke i dhënë akses të drejtpërdrejtë zbulimit të fluksit të errët dhe duke ndriçuar mendimet e personazhit, krijon ndijesinë e një aktiviteti psikologjik kaq kompleks, që është vet jeta dhe jo pasqyrimi i saj i thjeshtëzuar.

Gjatë leximit të një romani lexuesi krijon edhe iluzionin e autonomisë, që realizohet nga një seri teknikash. Autori shpesh synon të krijojë iluzionin se nuk është ai krijuesi i personazhit por një vëzhgues i thjeshtë. Kjo ndjehet në disa romane të M.Krajës, R.Dibrës etj ku personazhi shfaqet si i pavarur nga autori-rrëfimtar. Sipas G.Lukacs nuk ka rëndësi nëse synimi në veprën e artit është vizatimi i së tërës së shoqërisë, ose vetëm e një ngjarjeje të izoluar artificialisht; synimi do të jetë, gjithsesi, të vizatojë pafundësinë intensive (nënvizimi im) të subjektit. Kjo do të thotë se ai do synojë të përfshijë, në mënyrë krijuese në fiksionin e tij, gjithë faktorët e rëndësishëm të cilët, në realitetin objektiv, sigurojnë bazën për një ngjarje të veçantë ose kompleksitetin e ngjarjeve. Kjo përfshirje artistike do të thotë që të gjithë këta faktorë do të shfaqen si cilësi, tipare personale të personave në veprim, aksion, si cilësi specifikë të situatave të vizatuara, etj.

Nëse ndalemi në formën e modelimit të figurave-personazh në botën narrative vemë re se ky proces lëviz midis kufijve të lejuara, të detyrueshme dhe të ndaluara. Këto tre qasje bëjnë që imazhi dhe lëvizjet e personazheve të duken herë të natyrshme, herë sikur ‘dhunojnë’ normalen, dhe herë në alternimin e këtyre dy mundësive. Personazhet, që vihen në lëvizje nga mbizotërimi i një tipari apo pasioni të fuqishëm, (romanet e R.Qosjes, V.Zhitit), demonstrojnë përplasjen me normat e përgjithshme, duke sjellë transformim në komunikim dhe sjellje të zakonshme; në shumë raste trillimi artistik i personazheve vjen si rezultat i kombinimit të së vërtetës me dhunimin e saj. Madje shkohet më tej: në brendësi të figurës që krijojnë, për shembull M.Kraja, Z.Çela, projektohet edhe trillimi ynë, ne ndjekim lëvizjet e personazheve, duke hyrë në iluzionin e një bote reale. Pa e kuptuar bëhemi ‘viktima’ të iluzionit që na imponojnë autorët. Në strukturën e figurave,  kufiri midis veprës dhe jetës krijon te lexuesi hapësirën për të ndjerë e për të parë diçka më shumë se ç’shprehet me fjalë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Tek ‘Ora e ligë’, e Tom Kukës (E.Demit), ngjarjet tragjike e kapërcejnë realen, marrin përmasa të tjera; kjo sepse nuk ka rëndësi sa është i vërtetë zhvillimi i ngjarjeve, por përmasat që këngëtari popullor i jep tragjedisë. Po ashtu, te ‘Puthja e Amazonës’, të M.Meksit, e gjithë linja e amazonave është përtej reales, por efekti kuptimor, në paralelizmin me personazhin kryesor (dhe të vetëm), është sa metaforik, aq dhe i fuqishëm.

Shkrimtarët postmodernistë nuk e pranojnë doktrinën e realizmit, sipas tyre, letërsia krijon iluzionin e realitetit vetëm për ta prishur atë. Narratori fshin dallimin midis botës reale dhe botës fiktive.Teoricieni J.Baudrillard[3] e lidhte postmodernizmin me ‘humbjen e reales’, që ‘historia’ dhe ‘realiteti’ janë bërë ‘të tekstualizuara’ në botën tonë hiperreale të imazheve dhe të zëvendësuara nga ‘simulacra’. Ai e paraqet hiperrealitetin si fazën e fundit të simulacrum, ku një shenjë ose imazh nuk ka lidhje me një realitet çfarëdo, por është “thjesht një simulacrum i tij”.

Nën ndikimin e filozofisë ekzistencialiste në narrativen postmoderne nocioni i realitetit është konsideruar një çështje e diskutueshme: ‘shfaqja përballë realitetit’ si një paradigmë është zëvendësuar nga ‘shfaqja përballë zhdukjes’. Realiteti iluzor i botës fiksionale është shkatërruar dhe në vend të tij na ofrohet jo-bota reale, ose të paktën një botë reale Sipas kësaj teorie, autori shkatërron konturet rreth botës së tij dhe nxjerr në plan të parë një realitet jo të zakonshëm, ai çrregullon pamjen e realitetit, duke nxjerrë në plan të parë strukturën ontologjike të tekstit dhe të botës funksionale. Të gjitha pikëpamjet mbeten të diskutueshme në teorinë e raportit të personazhit me realen.

Figura-personazh- sintezë e dy realiteteve

Është thënë se letërsia ‘shtrembëron’ më tepër se sa imiton. Personazhe të tillë si te ‘Përbindëshi, I.Kadaresë, te ‘Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë’ i M.Meksit’…. etj. janë imazhe, perceptime iluzore, sepse nuk i korespondojnë konkretes, janë përpunim fjalor që i përgjigjen një “realiteti të munguar”, janë, pra, një ‘mashtrim’, i cili vë në lëvizje perceptimin tonë. Në qoftë se ne arrijmë t’i shohim këta personazhe, në të vërtetë, kemi krijuar iluzionin se ata janë para nesh, dhe kjo ‘pamje’ ka të bëjë gjithmonë me një tërësi, me një sistem përbërësish të strukturuar së brendshmi, në mënyrë intuitive-artistike. Në korpusin narrativ të Z. Çelës kemi një botë të trilluar ku flitet se personazhet ngrihen nga varri, kapërxejnë hapësira kohore e hapësinore etj., pra dhunojnë ligjet e natyrës. Kjo botë supernatyrale merr vlerën e së mundshmes dhe të domosdoshmes, për të krijuar një sistem të tërë veprimesh dhe kundërveprimesh midis personazheve dhe realitetit që lëviz në shtresat e brendshme kuptimore. Sikurse në gjithë letërsinë, edhe në veprat e këtij autori (dhe të tjerëve) realizohen njëkohësisht rrëfimi i së vërtetës dhe ‘mashtrimi’ logjik. Ndërkaq lexuesi, ndonëse kupton dallimin midis këtyre dy aspekteve, e jeton iluzionin e reales, ndjek me emocion, madje me ankth, personazhet si figura shumë më tepër të sofistikuara se një trillim i thjeshtë; ai reagon ndaj tyre si ‘fakte’ të reales.

Shpesh ndodh që realiteti iluzor i botës fiksionale të na ofrojë një botë jo reale, por që, lexuesi e di se, në thelbin e saj, ajo i referohet një bote reale. Romancieri duket sikur shkatërron konturet e kësaj bote, duke nxjerrë në plan të parë një realitet jo të zakonshëm. Kjo bën që në disa vepra të dy dhjetëvjeçarëve të fundit, personazhi të kapërcejë iluzionin e realitetit dhe pikëvështrimi themelor të jetë superreal. Domethënë, figura zhytet në një rrjet imazhesh dhe shenjash pa referues të jashtëm, ku ajo që paraqitet është prezantim në vetvete; është, pra si kopje apo imazh pa referencën e një origjinali.

Personazhi midis realitetit dhe shpirtit, prekshmërisë dhe vegimit është një kod origjinal i ndërtimit të figurës në romanin ‘Ulku dhe Uilli’, të V.Koreshit. Vrana ngjitet nëpër faqet e murit, kalon nëpër hatullat e nëpër vrimat e çatisë… (filozofia e triumfit të dëshirës!), ai arrin atë që s’mund të bëhet! Fshihen kufijtë midis realitetit dhe ireales, të mundshmes dhe të pamundshmes, sepse për autorin s’ka rëndësi ç’është reale, por çfarë quan shpirti njerëzor të mundshëm. Në këtë kuptim koncepti i reales merr një përmbajtje të veçantë. Realizmi në letërsi dhe e vërteta e jetës janë nocione që s’mund të identifikohen, për të mos rënë në banalizim të artit

Tek ‘Përbindëshi’ sinteza e dy realiteteve të ndryshme, i tekstit dhe problematikës reale, krijon metaforën e mishëruar në psikologjinë e figurës: ndërsa te ‘Koncert në fund të stinës’ figura e Maos-metaforë endet midis reales dhe irreales, herë e kapshme e herë e pakapshme, herë njerëzore e herë jashtëtokësore.Tek ‘Qorrfermani’ i I.Kadaresë, realiteti tekstor dhe realiteti njerëzor janë në një raport krejt të veçantë: fjala krijon imazhin e diçkaje që, ndonëse nuk shfaqet si personazh, merr përmasat dhe gati konfigurimin e një figure “Një gjë e njohur, disi e harruar që prej disa vitesh, nisi të jetonte në erë: frika… E akullt, pa përmasa, me një zbrazëti të madhe teipërtej, por që mbushte, megjithatë gjithçka, ditë për ditë e orë pas ore, ajo nisi të përfshinte në qerthullin e saj qindra mijra njerëz”.

Figura të tilla, në distancën midis iluzionit dhe reales, mbartin metafora të rralla për nga forca e përfytyrimit njerëzor. Ato fitojnë konkretësi, ndonëse përmasat e figurës metaforike janë jashtë hapsirave normale: “do të shuaj llampën e botës” thotë personazhi Ali Pasha, duke fshirë kufirin midis njerëzores dhe të mbinatyrshmes. Në hapësirën trilluese të Kadaresë personazhi dhunon ligjet e natyrës dhe krijon brenda vetes një botë superreale.

Raporti: e vërteta-reale dhe artistikisht e vërteta, që lidhen me sintezën brenda figurës-personazh, shtron pyetjen e diskutuar shpesh: çfarë është reale në një vepër dhe çfarë është personazhi në të ?

Figura-personazh si konvencion

Problemi i konvencionit është aspekti themelor i estetikës letrare ; është kategori e rëndësishme që përcakton raportin e brendshëm midis artit dhe dukurive të jetës. Në letërsi vetë nocioni i së vërtetës artistike përfshin në vetvete nocionin e konvencionit, si mjet dhe kusht i shndërrimit të së vërtetës së jetëstë vërtetë artistike. Kur perceptojmë figurën-personazh si konvencion kjo nuk do të thotë se e kuptojmë atë thjesht si elemement të formës, por as si heqje dorë nga realja.

 Dimë se teksti realist zbaton konvencione letrare që ndahen midis autorit dhe lexuesit në një mënyrë të tillë që lexuesi nuk e vë në pikëpyetje mjeshtërinë e trillimit, nuk shqetësohet sa është reale, e vërtetë figura, në kuptimin e gjerë të saj. Kështu konvencionet letrare, në mënyrë të heshtur, janë pranuar midis autorit dhe lexuesit; ato e përgatisin lexuesin që të pranojë botën e trilluar si reale. Por në disa raste nocioni që realiteti dhe e vërteta janë ndërtim më tepër sesa realitet, sjell një marrëdhënie tjetër të autorit me lexuesin. Ndërsa trillimi realist mbështet pikëpamjen që realiteti është një eksperience e përbashkët, që mund të ndahet midis autorit dhe lexuesit, ndodhi që romane të Qosjes, Shehut, Çelës dhe disa autorëve më të rinj që në dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit preferuan poetikën postmoderniste, sfiduan këtë raport. Në thelb, ky parim estetik shkon më tej, duke pasqyruar një botë ku ‘realiteti ose historia janë të përkohshëm, jo një botë e të vërtetave reale.

Personazhi si konvencion, do të thotë që pranojmë se realja e jetës mbetet e vërtetë në veprën letrare, figura-personazh perceptohet edhe si art/trillim edhe si reale, prandaj proceset e zhvillimit brenda strukturës artistike duken po të besueshme sa dhe ato të jetës. Problemi i kuptimit se sa personazhi është konvencion letrar dhe sa është realitet, tingëllon i dyfishtë: nga njera anë kemi pranuar se fiksioni është gjë tjetër nga realiteti, por, në të njëjtën kohë, çka duket si kontradiktore, kemi pranuar edhe se realiteti është lënda, burimi i fiksionit, dhe, megjithatë, e kemi të qartë se fiksioni ka një natyrë të ndryshme nga realiteti. Nisur nga fakti që rrëfimet janë ndërtime verbale, teoricienët kanë nxjerrë dy konkluzione polemike. Përderisa marrëdhënia midis fjalëve dhe botës është konvencionale, dhe konvencioni varion, disa thonë se nuk ka arsye për ta menduar një karakter më realist se një tjetër. Fakti që pasqyrimi (faktual ose fiksional) është konvencional sjell një vëzhgim të vlefshëm: ne mund ta shohim çdo konvencion në raportin e vet të referencës….

Në thelbin konvencional të figurës-personazh, në romanet më të realizuara të letërsisë së sotme, figurat-personazh sikur janë rrethuar nga një sferë e ndërmjetme – associative – që zgjeron mundësitë e perceptimit të tyre. Pikërisht në këtë sferë ngjizet, zhvillohet dhe zbulohet një formë e tillë komplekse e konvencionit të personazhit, (të Qosjes, Kadaresë, Krajës, Çelës, Tufës, Meksit etj.) përmes nëntekstit të figurave, realizohen mendimet që fshihen dhe që duhet të lindin në ndërgjegjen dhe përfytyrimin e lexuesit.

Thelbi i kësaj veçorie shprehet në pohimin e Todorovit[4], sipas të cilit në roman bëhet fjalë për dy histori, nga të cilat njera mungon, por është reale, tjetra është e pranishme, por e parëndësishme. Kjo prani dhe kjo mungesë shpjegon ekzistencën e dy historive në vazhdimësinë e rrëfimit. Si ndodh që figurat-personazhe të Kadaresë, M.Krajës, V.Zhitit e të tjerë, duke qenë trillime artistike, vijnë në përfytyrimin tonë ‘realë’, ndikojnë në emocionet tona, kur dihet që marrëdhëniet midis fjalëve që përdor shkrimtari dhe botës që na rrethon janë konvencionale dhe madje të variueshme në konvencionalitetin e tyre?

A janë figurat njëlloj ‘imitimi’ të një realiteti? Në disa romane ky raport është më i drejtpërdrejtë, më i qartë (‘Dimri i madh’, ‘Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut’ etj.). Por, ka edhe figura që krijohen në një botë, realiteti i së cilës nuk ekziston (‘Kush e solli Doruntinën’, ‘Triumfi i Gjergj Elez Alisë’, etj.) A ka ndonjë diferencë konvencionale në formësimin e figurave-personazh në këto dy kategori perceptimesh artistike? Mendoj se edhe ka, edhe nuk ka. Sigurisht nuk ka, sepse figura, duke qenë mishërim i asaj që nuk ekziston, në thelbin e saj është realizimi i thelbit të letërsisë dhe natyra konvencionale është boshti i ekzistencës së saj. Por, në rastin e shembujve të sapo përmendur, shkalla e konvencionit ka një përmasë më të theksuar, metafora shkon në kufijtë më ekstremë të saj…. Është e dukshme që disa personazhe duken sikur janë në pole të kundërta mes tyre, si Ljuba (‘Ngjizja e papërlyeme’) dhe Doruntina (‘Kush e solli Doruntinën’, por ajo çka i bën ato të afërta është thelbi konvencional, ndonëse në përmasa jo të njëllojta. Përderisa marrëdhënia midis veprës dhe botës së pasqyruar është konvencionale, më duket shumë e drejtë pikëpamja, sipas së cilës nuk ka arsye të mendojmë se një pasqyrim i personazhit është më realist se një tjetër.

letërsia ‘shtrembëron’ dhe jo thjesht imiton realitetin, ky është parimi universal i saj. Personazhe të tillë si Xhexhoja, kapërcimet epokale (‘Përbindëshi’), Vasiliqija (‘Pashallëqet e mëdha’), etj. janë imazhe, perceptime iluzore, sepse nuk i korespondojnë konkretes, janë përpunim fjalor që i përgjigjen një ‘realiteti të munguar’, janë, pra, një ‘mashtrim’, një konvencion artistik, që ve në lëvizje perceptimin tonë. Në korpusin narrativ të disa romancierëve kemi botë të trilluar, ku flitet se personazhet ngrihen nga varri, kapërxejnë hapësira kohore e hapësinore etj. Megjithatë, kjo botë supernatyrale bëhet e mundshme dhe e domosdoshme për të shpërthyer një sistem të tërë të kundërveprimeve ndaj tyre. Në vepra të M.Krajës, Z.Çelës, V.Zhitit… realizohen njëkohësisht rrëfimi i së vërtetës dhe ‘mashtrimi’ logjik, të cilat paraprijnë formësimin e figurave-personazhe. Kjo është arësyeja që, ndonëse kuptojmë dallimin midis këtyre dy aspekteve, ne, megjithatë, jetojmë me iluzionin e së vërtetës, ne ndjekim me emocion personazhet e tyre si figura shumë më tepër të sofistikuara se një trillim i thjeshtë dhe, nëse përjetojmë ndjeshmëri emocionale, kjo ndodh sepse ne reagojmë ndaj tyre si iluzione të reales.

Konvencioni është njëkohësisht edhe forcë përgjithësuese edhe forcë konkretizuese në art; është mjet i brendshëm i krijimit të figurës artistke. Letërsia prandaj ekziston, falë pakapërxueshmërisë së distancës midis vizionit të artistit dhe vetë realitetit. Sipas Ch. Crittenden[5] konvencioni ka karakter të shumanshëm dhe shumëkuptimësh, sepse shërben si kufi midis jetës dhe artit. Ai është brenda vetë letërsisë si tip i të menduari, si mjet përgjithësimi, i trilluar, ‘artificial’, që rrjedh nga specifika e përmbajtjes së figurës artistike. Prandaj thelbi konvencional i figurës-personazh është thellësisht individual. Ky tipar nuk cënon aspak lidhjen midis racionales dhe emocionales në figurën e tij; ai i bën raportet reale të formave të realitetit të ngjiten deri në shkalllën e lartë të tensionit artistik, të zbulimit të thelbësores në to, sepse e vërteta dhe pasqyrimi janë një akt sinkron…

Problemi themelor i kuptimit të thelbit specifik të letërsisë, që e dallon nga llojet e tjera të krijimtarisë, është se mjeti që ajo përdor, FJALA, ka vetinë e pakrahasueshme me çdo mjet tjetër të arteve të ndryshme, për të krijuar vazhdimisht, në trajta të papërsëritshme te lexues të kohëve të ndryshme, imazhe që lëvizin, gjallërohen, përshtaten me emocionet dhe përvojën e çdo lexuesi…Këtu e gjen përgjigjen pyetja se pse një personazh është më i fuqishëm në emocionet që përcjell se dukuria reale, se karakteri social që mishëron.


[1]  Roland Barthes, Philippe Hamon, Wolfgang Kayser, Wayne C. Booth: Poétique du récit, 1977.

[2] The Natyre of Narrative, New Jork, 1968.

[3] Jean Baudrillard: Simulacres et simulation, Paris: Galilée,  Simulacra, 1981.

[4]  Cv. Todorov “Poetika e Prozës”, Panteon – Sh.L., Tiranë, 2000.

[5]  Charles Crittenden “UNREALITY” – The Metaphysics of Fictional Objects, Cornell Univ. Press, 1991.

Exit mobile version