Vrasje në kryeministri titullohet një nga romanet e viteve të fundit të shkrimtares Diana Çuli, roman që kohët e fundit u botua në Egjipt nga shtëpia botuese Al Arabi Publishing and Distributing. Ky roman, pas botimit të tij, në vitin 2019 nga shtëpia botuese DUDAJ, u vlerësua në Shqipëri me çmimin e Akademisë shqiptare KULT si romani më i mirë i vitit dhe më pas u botua në Itali, nga shtëpia botuese Castelvecchi. Nuk ishin të pakta vlerësimet në shtypin letrar të vendit fqinj, mes të cilëve përmendim shkrimin e profesoreshës Stefania Parmeggiani në gazetën La Reppublica,13.04.2020, ku shkruan: “Të ndjekësh hijet që Diana Çuli projekton në selinë e kryeministrisë shqiptare është një ushtrim letrar interesant…Gjejmë aty një vështrim të thellë e të kthjellët të autores ndaj vendit të saj, të cilin e realizon duke skalitur personazhe me natyrë të mprehtë, duke krijuar një thriller, që shndërrohet në një lavjerrës që luhatet vazhdimisht ndaj fantazmave të vjetra dhe idealeve të shqiptarëve, të cilët duan ta shohin vendin e tyre në Europë, duke dëshmuar edhe një herë se janë në gjendje të ndryshojnë realitetin. »
Ndërkohë, botimi në Egjipt, për shkrimtaren, siç e ka pohuar dhe vetë në disa intervista, ishte një befasi e këndshme. Pas një thriller-i tjetër, romani Hoteli i Drunjtë, botuar më herët në Kinë, kapërceu kufinjtë e vendit, duke kaluar në një tjetër kontinent, edhe romani Vrasje në Kryeministri, mbështetur nga Qendra e Librit dhe e leximit dhe nga angazhimi i palodhur i presidentit të shtëpisë botuese FAN Noli, zotit Rexhep Hida, i cili vazhdimisht përpiqet të promovojë shkrimtarët shqiptarë në botë. Ndërkohë botuesit egjiptianë shkruajnë se romani « tani po fluturon në të gjithë botën arabe – nga një panair në tjetrin ! Të paktën deri tani ai është paraqitur në katër panaire të mëdha : në Abu Dhabi Book Fair, në Rabat Book Fair, Muscat Book Fair dhe në Doha Book Fair. Lexuesit po tërhiqen shumë nga libri, ai po ngjall interes të madh.”
Ky roman, të cilin mund ta quajmë thriller politik, përshkon të gjithë rajonin e Ballkanit, duke ndjekur një komplot ndërkombëtar, kundër hyrjes së Ballkanit Perëndimor në Europë. Si shprehet vetë autorja « Doja të shkruaja për krimin politik të organizuar, për grupe njerëzish, oligarkësh, ideologësh, të fiksuarish, që, për interesat e tyre nuk kursejnë individët dhe shoqërinë – gjëra që kanë ndodhur përherë në histori dhe zhanri i thriller-it më ndihmonte ta realizoja më mirë.”
Për suksesin e këtij romani, i cili është në proces botimi edhe në Maqedoninë e Veriut, ndoshta mund të kujtojmë fjalët e shkrimtares së njohur, Mira Meksit, e cila shkruan: “Sepse është, në të vërtetë, një vepër e pazakontë, rrëmbyese, pothuaj e pangjashme me ato që kemi lexuar në gjuhën shqipe gjer më tani. Dhe me gjasë, vepra më e mirë e autores. Jo vetëm për hir të strukturës, e cila ngjason me lojërat tërheqëse të iluzionistëve, një fasadë e thjeshtë në dukje, e rrokshme lehtësisht nga syri dhe mendja, por e shumëfaqtë, përsormërisht e ndërlikuar, në trajtë filigranash, labirintike, gjigante, pasuruese, robëruese dhe tejet grishëse në çdo syth të saj në brendësi.”
Po edhe mendimin e Piro Mishës, një prej studiuesve të tjerë që kanë shkruar në Shqipëri për këtë libër: “Kemi të bëjmë me një prozë që nxjerr më së miri në pah gjithë cilësitë më të mira e të tashmë të njohura të prozes së Diana Çulit : Rrëfimin e shkathët; prozë e një dore tashmë të stërvitur mirë prej një përvoje të gjatë; gjuhën e pasur; zhdërvjelltësi dhe natyshmëri të dialogut. Proza e Diana Çulit është një prozë e kulturuar, e zgjuar, që lëviz natyrshëm në ambjente nga më të ndryshmit të jetës sot, duke arritur t’i bëjë ato të besueshme. »