Përktheu: Qerim Raqi
Harold Jamieson-i, dikur kryeinxhinier në drejtorinë e pastrimit të qytetit të Nju Jorkut, e shijonte jetën si pensionist. Nga rrethi i tij i vogël i miqve kishte mësuar se jo të gjithë e bënin këtë, ndaj e konsideronte veten me fat. Ai kishte një parcelë prej rreth një akri në Manhatanin e Veriut, të cilën e ndante me disa entuziastë të tjerë të kopshtarisë; kishte zbuluar Netflix-in dhe kishte lexuar tashmë shumë nga librat që gjithmonë kishte dashur të lexonte. Ende i mungonte gruaja e tij, e cila pesë vjet më parë kishte vdekur nga kanceri i gjirit, por, përveç kësaj dhimbjeje të vazhdueshme, ai bënte një jetë të kënaqshme. Çdo mëngjes, para se të çohej nga shtrati, i kujtonte vetes se duhej ta shijonte ditën.
Në moshën gjashtëdhjetë e tetë vjeçare donte të besonte se kishte një rrugë të gjatë përpara, por e kishte të pamundur të mohonte se ajo rrugë kishte filluar të ngushtohej. Pjesa më e mirë e ditëve të tij – për sa kohë që nuk binte shi, borë apo nuk bënte tepër ftohtë – ishte shëtitja prej nëntë blloqesh deri në Central Park pasi hante mëngjes. Edhe pse kishte telefon celular dhe përdorte një pajisje portative (nga e cila, në fakt, ishte bërë i varur), ai ende preferonte ta lexonte Times-in në letër. Në park ulej rehat në stolin e tij të preferuar dhe i kushtonte një orë gazetës, duke i lexuar të gjitha rubrikat nga fillimi në fund dhe duke thënë me vete se po kalonte nga sublimja te absurdja.
Një mëngjes në mes të majit, kur moti ishte paksa i freskët, por gjithsesi mjaftueshëm i ngrohtë për t’u ulur në stol dhe për të lexuar gazetën, ai ngriti sytë nga gazeta dhe pa me bezdi një mesoburrë që u ul në skajin tjetër të stolit të tij, megjithëse përreth kishte plot stola krejtësisht bosh. Burri që pushtoi hapësirën e mëngjesit të Jamieson-it dukej të ishte mes dyzet e pesë dhe pesëdhjetë vjeç, as i pashëm e as i shëmtuar, në fakt, krejtësisht i zakonshëm. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për veshjen e tij: një palë atlete shëtitjeje nga New Balance, xhinse, një kapele me logon e Yankees dhe një bluzë me kapuç, po ashtu me Yankees, me kapuçin e ulur.
Jamieson-i e shikoi me padurim dhe u përgatit të zhvendosej në një stol tjetër.
“Mos ikni, tha burri. “ Ju lutem. U ula këtu sepse duhet t’ju kërkoj një nder. Nuk është ndonjë gjë e madhe, por ju paguaj për këtë” Ai futi dorën në xhepin e madh të përparmë të bluzës dhe nxori një kartëmonedhë prej njëzet dollarësh.
“Nuk u bëj nderë të panjohurve, tha Jamieson-i dhe u ngrit në këmbë.
“Por pikërisht kjo është ideja – që ne të dy jemi të panjohur. Ju lutem, më dëgjoni çfarë kam për të thënë. Nëse thoni jo, do ta pranoj. Por ju lutem, më dëgjoni njëherë Ju mund të…” Ai u kollit dhe Jamieson-i e kuptoi se burri ishte i shqetësuar. Ndoshta më shumë se kaq – i frikësuar. “Ju mund të më shpëtoni jetën.”
Jamieson-i u mendua paksa dhe u ul sërish. Por sa më larg burrit tjetër që mundej, pothuajse në cep të stolit.
“Do t’ju jap pak kohë, por nëse ajo që thoni tingëllon marrëzi, do të iki. Dhe futni paratë në xhep. Nuk më duhen dhe nuk i dua.” Burri e shikoi kartëmonedhën sikur të ishte i habitur që po e mbante në dorë, pastaj e futi sërish në xhepin e bluzës. Vendosi duart mbi kofshë dhe vështrimin e mbante aty, në vend që të shikonte Jamieson-in.
“Jam alkoolist. Esëll prej katër muajsh. Katër muaj dhe dymbëdhjetë ditë, për të qenë më i saktë.”
“Urime,tha Jamieson-i duke lënë përshtypjen se e tha me gjithë mend, por në fakt nuk ishte ndier kurrë më i gatshëm të çohej. Madje edhe të largohej nga parku, po të ishte e nevojshme.
Burri dukej normal, por Jamieson-i ishte tashmë në një moshë që e dinte se marrëzitë nuk shfaqeshin gjithmonë menjëherë.
“Jam përpjekur tri herë të tjera, dhe një herë ia dola ta lë pothuajse një vit të tërë. Kam një ndjenjë se ky mund të jetë shansi im i fundit. Jam në AA. Kjo do të thotë…”
“E di çfarë është. Si quheni, zotëri “Esëll- prej- katër muajsh”?
“Më quani Jack. Mjafton. Në AA nuk përdorim mbiemra.” Këtë e dinte edhe Jamieson-i. Një mori personazhesh në serialet e Netflix-it kishin probleme me alkoolin.
“Dhe çfarë doni të më kërkoni, Jack?”
“ Tri herët e para që u përpoqa, nuk kisha sponsor në AA – dikë që të më dëgjoj kur kam nevojë të flasë, që u përgjigjet pyetjeve, ndonjëherë të më thotë çfarë duhet të bësh. Këtë herë e kisha një të tillë. E takova në takimin e mbrëmjes në Bowery dhe më pëlqeu shumë ajo që tha. Dhe mënyra si sillej ai, nëse e kuptoni çfarë dua të them. Esëll prej dymbëdhjetë vitesh, i qëndrueshëm, punonte shitës, ashtu si unë.
Ai ishte kthyer nga Jamieson-i, por tani sërish uli sytë poshtë.
“Isha një dreq shitësi i mirë. Për pesë vjet isha shef i departamentit të shitjeve në… mirë, s’ka rëndësi, ishte një punë fantastike, ju me siguri e njihni firmën. Ishte në San Diego. Tani shes kartolina dhe pije energjike për dyqanet e lagjes këtu në qytet. Shkalla më e ulët, pra.”
“Bjeri shkurt, tha Jamieson-i, jo pa dashamirësi; ishte bërë paksa kureshtar pa vullnetin e tij. Rrallë mund të ndodhte që ndonjë i huaj të të ulej në stol dhe të fillonte të fliste kështu. Aq më pak në Nju Jork.
“Doja të shihja si po ia dalin ata në Mets. E kanë nisur mirë sezonin, – tha Jacku dhe fërkoi gojën me pëllëmbë. “ Më pëlqeu ai tipi që takova në takimin e mbrëmjes, ndaj mora guximin dhe, pas një mbledhjeje, i kërkova të bëhej sponsori im. Kjo ishte në mars. Ai më shikoi me kujdes dhe tha se do ta bënte këtë, por vetëm me dy kushte. Që të bëja gjithçka që më thoshte dhe që ta telefonoja nëse më vinte dëshira për të pirë. Atëherë do t’ju telefonoj çdo mbrëmje të mallkuar, i thashë. Ai tha: më telefono çdo mbrëmje të mallkuar atëherë, dhe nëse nuk përgjigjem, lëre mesathin në sekretari. Pastaj më pyeti nëse kisha filluar me dymbëdhjetë hapat. A i njihni këta hapa? “Përafërsisht”. I thashë që nuk i kisha filluar. Ai tha se, nëse doja ta kisha si sponsor, duhej të filloja me ata hapa. Tha se tre të parët ishin njëkohësisht më të vështirët dhe më të lehtët. Në thelb më thonë vetëm se nuk mund ta ndaloj pirjen e alkoolit me forcat e mia, por me ndihmën e Zotit, ndaj duhet ta lejoj të më ndihmojë.”
Jamieson-i gërhiti lehtë.
“ I thashë se nuk besoja në Zot. Ky tipi – quhet Randy – tha se nuk i bëhej vonë nëse besoja apo jo. Tha se gjithçka që duhej të bëja ishte të ulesha në gjunjë çdo mëngjes dhe t’i lutesha këtij Zoti, të cilit nuk i besoja, që të më ndihmonte të qëndroja esëll edhe një ditë. Dhe nëse nuk pija, tha, duhej të ulesha sërish në gjunjë para se të flija dhe ta falënderoja Zotin për një ditë pa alkool. Randy më pyeti nëse isha i gatshëm ta bëja këtë, dhe unë thashë po. Sepse ndryshe do ta humbisja. Më kuptoni?”
“Sigurisht. Ishe i dëshpëruar.”
“Pikërisht! Dhurata e dëshpërimit, kështu e quan AA-ja. Randy tha se, nëse nuk i thosha ato lutje por vetëm shtiresha sikur i thoja, ai do ta dinte këtë. Sepse vetë kishte kaluar tridhjetë vjet duke gënjyer për gjithçka.
“Pra u lute? Edhe pse nuk besoje në Zot?”
“Po. Dhe funksionoi. Sa i përket mosbesimit tim në Zot… sa më gjatë që qëndroj esëll, aq më pak i sigurt jam për këtë.”
“Nëse do të më kërkoni të lutem bashkë me ju, harrojeni, tha Jamieson-i.
Jack-u buzëqeshi dhe shikoi poshtë kah duart e tij.
“ Jo, jo. Ende ndihem në siklet me atë punën e gjunjëzimit, madje edhe kur jam vetëm. Muajin e kaluar – në prill – Randy më tha të merresha me hapin e katërt. Aty bën një investigim moral të vetes. Ideja është, natyrisht, që njeriu të jetë i thellë dhe plotësisht i ndershëm.”
“Dhe e ke bërë?”
“Po. Randy tha që duhej të shkruaja të gjitha gjërat e këqija dhe pastaj ta ktheja letrën në anën tjerët dhe të shkruaja të gjitha të mirat tek vetja ime. Të këqijat i mbarova për dhjetë minuta. Por të mirat më morën mbi një orë. Në fillim nuk më vinte ndër mend asgjë e mirë, por në fund shkrova: të paktën kam sens humori. Sepse e kam këtë. Kur e kuptova këtë, arrita të gjeja edhe disa gjëra të tjera. Kur i thashë Randyt se e kisha të vështirë të gjeja anë të mira te vetja, ai tha se kjo ishte normale. Ke pirë për gati tridhjetë vjet, tha. Kjo lë shumë gjurmë dhe njolla në vetëvlerësimin e individit. Por nëse qëndron esëll, plagët do të shërohen. Pastaj më tha t’i digjja listat. Tha se kjo do të më bënte të ndihesha më mirë.”
“ E bëre?”
“Po. Çuditërisht, po. Gjithsesi, kemi arritur te ajo që Randy do që ta unë ta bëj këtë muaj.”
“Më tepër e kërkon, do të thosha, – tha Jamieson-i me një buzëqeshje të lehtë.”
Ai e palosi gazetën dhe e la mënjanë. Jacku buzëqeshi gjithashtu.
“Tingëllon sikur keni filluar ta kuptoni këtë marrëdhënien mes sponsorit dhe të sponsorizuarit. Randy më tha se kishte ardhur koha të bëja hapin e pestë.”
“Që konsiston në çfarë?”
“Të rrëfehem para Zotit, para vetes dhe para një njeriu tjetër saktësisht për të gjitha të këqijat që kam bërë, – tha Jacku dhe bëri shenjën e thonjëzave me gishta. I thashë: në rregull, do të bëja një listë rreth këtyre dhe do t’ia lexoja atij. Zoti mund të dëgjonte fshehurazi njëkohësisht. Dy zogj me një gur, si të thuash.”
“Dyshoj se nuk të tha jo.”
“Ai tha jo. Tha se duhej të shkoja te një person krejt i panjohur. Propozimi i tij i parë ishte të flisja me një prift, por unë nuk kam shkelur në kishë që kur isha dymbëdhjetë vjeç dhe tani nuk kam asnjë dëshirë ta bëj këtë. Çfarëdo që të përfundoj duke besuar – dhe ende nuk kam asnjë ide se çfarë do të jetë – nuk do të jetë diçka që kërkon të ulesh në bankat e kishës.
Jamieson-i nuk ishte as vetë njeri kishe. Ai pohoi me kokë.
“Randy më tha: ‘Thjesht afroju dikujt në Grant Park ose Washington Square ose Central Park dhe kërkoji të të dëgjojë ndërsa rendit të këqijat që ke bërë. Ofroju disa dollarë për mundimin nëse është e nevojshme. Dhe vazhdo t’i pyesësh derisa dikush të pranojë. Tha se pjesa më e vështirë do të ishte të pyesje njerëzit – dhe kishte të drejtë.”
“A jam unë… “ Jamieson-i u ndal. Shprehja “viktima e parë” i erdhi ndër mend, por iu duk e padrejtë. “ A jam unë i pari që ke pyetur? “
“ I dyti. Dje provova me një shofer taksie që nuk ishte në punë dhe ai më tha të zhdukesha.”
Kjo i kujtoi Jamieson-it një shaka të vjetër njujorkase: Një turist i afrohet një burri në Lexington Avenue dhe e pyet: «A mund të më tregoni si shkohet te bashkia, apo duhet të shkoj drejt e në ferr?» Vendosi të mos i thoshte burrit me rrobat e Yankees-it të shkonte në ferr. Do ta dëgjonte, dhe herën tjetër që do të hante drekë me mikun e tij Aleksin (edhe ai pensionist), do të kishte diçka interesante për të treguar.
“Mirë. Filloni, – tha ai.
Jacku futi dorën në xhepin e bluzës me kapuç, nxori një copë letre dhe e hapi. “ Kur isha në klasën e katërt…”
“Nëse do të më tregoni gjithë historinë e jetës suaj, ndoshta duhet të më jepni ato njëzet dollarë gjithsesi.”
Jacku futi dorën në xhep, por Jamieson-i bëri një gjest ndalues.
“Po bëja shaka.”
“Vërtetë?”
“Po. Por të mos e zgjasim shumë. Kam një takim në orën tetë e gjysmë.”
Kjo nuk ishte e vërtetë, dhe Jamieson-i mendoi se ishte me fat që nuk kishte probleme me alkoolin, sepse nga ato pak mbledhje AA që kishte parë në televizor, sinqeriteti dukej thelbësor.
“Mirë, e kuptoj. Do të jem sa më i shpejtë. Në klasën e katërt u përfshiva në një zënkë me një djalë tjetër. Ia çava buzën dhe i shkaktova gjakderdhje nga hunda. Kur na thirrën te drejtori, thashë se ai kishte thënë diçka të turpshme për nënën time. Ai, sigurisht, e mohoi këtë, por nga drejtoria na dhanë nga një letër për t’ua treguar prindërve. Në rastin tim vetëm nënës, sepse babai ishte larguar kur isha dy vjeç.”
“Dhe çfarë ishte ajo që të tha për nënën?”
“Kjo ishte një gënjeshtër. Atë ditë ndihesha keq dhe mendova se do të ndihesha më mirë po të rrihesha me atë djalë, të cilin nuk e pëlqeja. Pse nuk e pëlqeja nuk e di, ndonëse duhet të kisha pasur ndonjë arsye. Por nuk e mbaj mend. Ajo ngjarje bëri që të filloja të gënjeja. Kur hyra në adoleshencë, fillova të pija. Nëna mbante një shishe vodka në frigorifer. Unë i vidhja pak vodkë dhe i mbushja shishen me ujë. Në fund ajo e kuptoi dhe vodkën e hoqi nga frigoriferi. E dija ku e mbante – në një raft lart mbi sobë – por nuk mora më prej asaj shishe. Tani shishja ishte pothuajse vetëm ujë. Në vend të kësaj, kurseja paratë e xhepit dhe ato që fitoja duke ndihmuar në shtëpi dhe paguaja një alkoolist të vjetër që të më blinte shishe të vogla. Ai blinte katër sosh dhe mbante njërën për vete. Kështu ia mundësoja të pinte. Të paktën kështu do ta thoshte sponsori im.” Jacku tundi kokën. “Nuk e di çfarë ndodhi me të. Quhej Ralf, por unë gjithmonë e quaja në mendje Ralf Pijaneci. Fëmijët mund të jenë mizorë. Tani, me shumë gjasë, ai ka vdekur, dhe nëse është kështu, unë e ndihmova të vriste veten.”
“Mos e çoni aq larg, tha Jamieson-i. “ Me siguri keni mjaft gjëra për t’ u penduar pa shpikur të tjera.”
Jacku ngriti sytë dhe buzëqeshi vesh më vesh. Jamieson-i vuri re se sytë i kishte të përlotur – nuk i rridhnin, por ishin gati.
“Tani po flisni tamam si Randy.”
“Është gjë e mirë?”
“Mendoj se po. Dyshoj se kam pasur fat që ju gjeta.”
Jamieson-i kuptoi se, çuditërisht, ishte i kënaqur që ishte “i gjeturi”.
“Çfarë tjetër ke në listën tuaj? Koha po kalon. “
“Më vonë studiova në Brown dhe u diplomova me nota të shkëlqyera, por me gënjeshtra dhe mashtrime. Në këtë isha i zoti. Dhe – kjo ishte më e keqja -mentori im kishte vartësi nga kokaina. Nuk do të flas se si e mora vesh këtë, sepse koha po kalon, siç thatë edhe ju, por e mora vesh dhe pastaj i sigurova një kilogram kokainë në këmbim të notave të mira. Dhe, sigurisht, ai më pagoi për drogën. Nuk po merresha me bamirësi.”
“Një kilogram? “ pyeti Jamieson-i. Vetullat i ishin ngritur pothuajse deri te vija e flokëve.
“Po. E futa nga Kanadaja, e fsheha në rrotën rezervë të Ford-it tim të vjetër. U përpoqa të dukesha si një nga studentët që kalojnë pushimet duke bredhur dhe duke flirtuar në Toronto, por zemra më rrihte si çekan dhe tensioni duhet të më ketë shkuar në qiell. Makinën para meje e kontrolluan në kufi, por mua më lanë të kaloj pasi u tregova patentën. Ndonëse në atë kohë nuk ishin aspak aq dyshues sa tani. “Ai heshti për një çast dhe pastaj shtoi: “Për më tepër, i mora shumë para për drogën. Mbajta diferencën për vete.”
“Por nuk përdore vetë kokainë? “- pyeti Jamieson-i.
“Jo. Droga kurrë nuk ka qenë pija ime. Kam pirë ndonjëherë në ndonjë bar, por ajo që më pëlqente vërtet ishte uiski. Dhe ende e pëlqej. Gënjeva shefat e mi, por në fund më zbuluan. Nuk ishte si në universitet, dhe nuk kisha askënd për të kontrabanduar drogë. Të paktën nuk gjeta askënd.”
“Si i gënjeje?”
“Falsifikoja raportet e punës. Sajoja takime shitjeje që nuk i kisha pasur kurrë, për të shpjeguar ditët kur isha shumë i dehur për t’u paraqitur në punë. Mashtroja me shpenzimet. Ajo puna e parë ishte puna e ëndrrave të mia. Mund të kisha shkuar shumë larg. Por e prisha. Kur më pushuan nga puna, mendova se ajo që më duhej ishte një ndryshim ambienti. Në AA e quajnë këtë “kërkimi i shërimit në gjeografi”. Nuk funksionon kurrë, por unë nuk e dija. Tani duket e qartë: nëse hipën një budalla në avion në Boston, është po ai budalla që zbret në Los Anxhelos. Ose në Denver. Ose në Des Moines.E humba edhe punën e dytë. Nuk ishte aq e mirë sa e para, por ishte shumë e mirë. Ishte në San Diego. Atëherë mendova se ajo që më duhej ishte të martohesha dhe të qetësohesha. Kështu u martova me një vajzë të mirë, që meritonte dikë më të mirë se unë. Zgjati dy vjet dhe gjatë gjithë asaj kohe e gënjeva për varësinë time nga alkooli. Sajoja udhëtime pune për të shpjeguar pse kthehesha vonë në shtëpi, sajoja simptoma gripi për të shpjeguar pse shkoja me vonesë në punë ose nuk shkoja fare. Dhe përtypja pafund tableta menteje, por mendoni se e mashtrova?
“Jo, nuk besoj, tha Jamieson-i. “ Sa të ka mbetur ende për të treguar? “
“Vetëm edhe pesë minuta. Të jap fjalën. “
“Në rregull.”
“Grindeshim dhe grindjet bëheshin gjithnjë e më të këqija. Herë pas here njëri nga ne hidhte gjëra përreth dhe nuk ishte vetëm ajo . Pastaj erdhi mbrëmja kur u ktheva në shtëpi rreth mesnate, krejtësisht i dehur, dhe ajo shpërtheu. Tha të gjitha ato fjalët e zakonshme, e di, dhe të gjitha ishin të vërteta. Ndihesha sikur po më hidhte shigjeta helmi dhe secila fjalë po godiste në shenjë.”
Tani Jacku po shikonte sërish duart e tij. Goja i dukej aq e dëshpëruar saqë për një çast Jamieson-it iu duk si Emmett Kelly, klouni i trishtuar.
“E dini çfarë më shkrepi në mendje ndërsa ajo më bërtiste? Mendova për Glenn Ferguson-in, djalin që e rraha kur isha në klasën e katërt. Mendova sa mirë isha ndjerë atëherë, si kur shtrydh qelbin nga një puçërr. Dhe mendova se do të ndihesha po aq mirë po ta rrihja edhe atë. Dhe këtë herë, të paktën, askush nuk do t’i dërgonte letër mamasë në shtëpi për të më qortuar, sepse mamaja më vdiq vitin kur diplomova në Brown.
“Zot i madh”, – tha Jamieson-i. Tani nuk po ndihej mirë teksa po dëgjonte këtë rrëfim të padëshiruar. Përkundrazi, po ndihej keq. Nuk ishte aspak i sigurt se donte të dëgjonte çfarë do të vinte më pas.
“U largova,- tha Jacku. “Por u frikësova mjaftueshëm për të kuptuar se duhej të bëja diçka për të ndalur pirjen e alkoolit. Ishte hera e parë që provoja AA -në, atje në San Diego. Kur u ktheva në Nju Jork isha esëll, por kjo nuk zgjati shumë. Pastaj provova sërish, dhe as kjo nuk zgjati. As herën e tretë nuk pata sukses. Por tani kam Randy-n, dhe këtë herë ndoshta do t’ia dal. Pjesërisht falë jush.”
Ai zgjati dorën.
“Atëherë, ju lutem, – tha Jamieson-i dhe ia shtrëngoi dorën.
“Edhe një gjë duhet ta them, – tha Jacku.
Shtrëngimi i tij i dorës ishte shumë i fortë. Ai e pa Jamieson-in drejt në sy dhe buzëqeshi. “ U largova nga shtëpia, siç thashë, por para se të ikja, ia preva fytin asaj kurvës së mallkuar. Nuk ndalova së piri, por kjo më bëri të ndihesha shumë më mirë. Ashtu siç isha ndier më mirë kur rraha Glenn Ferguson-in. Edhe ai pijaneci për të cilin ju tregova – kur e rrihja edhe atë më bënte të ndihesha më mirë. Nuk e di nëse e mbyta, por gjithsesi ai mori atë që meritonte.”
Jamieson-i u përpoq të tërhiqte dorën, por shtrëngimi i Jack-ut ishte tepër i fortë. Tani ai kishte futur dorën tjetër në xhepin e bluzës me kapuç me shenjën e Yankees.
“Unë dua vërtet të ndaloj së piri, dhe nuk do të mund ta bëja hapin e pestë pa pranuar se duket se jam shumë i dhënë pas…”
Diçka që i ngjante një vije drite të bardhë, përvëluese, e çau Jamieson-in mes brinjëve, dhe kur Jacku nxori gozhdën e akulltë që pikonte dhe e futi sërish në xhepin e bluzës, Jamieson-i e kuptoi se nuk mund të merrte frymë.
“ … pas vrasjes së njerëzve. Është një defekt karakteri, e di këtë, dhe ndoshta më e keqja nga të gjitha të këqijat që kam bërë.”
Jacku u ngrit në këmbë.
“Pra, ju falënderoj shumë. Nuk e di si quheni, por keni qenë vërtet një ndihmë e jashtëzakonshme për mua.”
Ai filloi të ecte drejt anës perëndimore të Central Park-ut, por më pas u kthye dhe pa Jamieson-in, i cili po kërkonte verbërisht gazetën e tij të mëngjesit… sikur një vështrim i shpejtë te faqja e argëtimit mbase mund ta bënte gjithçka sërish mirë.
“Sonte do të lutem për ju,” – tha Jacku.



