Kreu Letërsi Shënime mbi libra Katjusha Pogaçi: Kujtime dhe jetë në një narracion të mirëfilltë letrar

Katjusha Pogaçi: Kujtime dhe jetë në një narracion të mirëfilltë letrar

Shënime për librin “Monologu i fustanit” të Luljeta Gërmenjit

Shoqja ime e fëmijërisë së hershme dhe më pas shoqja e fakultetit të Filologjisë, Luljeta Gjini, Gërmenji vjen para lexuesit me librin  e saj të dytë, një vëllim me skica e tregime, titulluar  “Monologu i fustanit”.

Nëpërmjet këtyre skicave e tregimeve lexuesi jeton një copë nga Gjirokastra e dikurshme, si vend dhe si komunitet personazhesh realë. Po ashtu edhe një pjesë të ishullit të Sazanit dhe të jetës së ushtarakëve dhe familjeve të tyre atje; natyrisht edhe pjesë nga Tirana, me jetën e saj studentore dhe artistike të kohës, me sallat e koncerteve të festivaleve, apo me vendin emblematik “Te Reklamat”. Po edhe më gjerë, me zona të tjera të Shqipërisë si: Dukagjini, Lumi i Shalës, Bregu e vende ku rinia zhvillonte dikur aksionet e ndërtimit të hekurudhave.

Vëllimi karakterizohet nga natyrshmëria, vërtetësia, sinqeriteti i rrëfimit dhe frymëzimi. Vetkuptohet që tregimi rrjedh pa bariera, i kapur në një moment fatlum kujtimi, meditimi dhe frymëzimi njëkohësisht. Personazhet, më së shumti, janë realë.

Luljeta ka pasur fatin të jetojë në një mjedis letraro-artistik, duke pasur pranë vëllain e saj, kompozitorin e talentuar Kastriot Gjini dhe të fejuarin (bashkëshortin e saj) poetin e talentuar Fluturak Gërmenji, që shpesh poezitë e tij muzikoheshin nga K. Gjini duke krijuar një vatër artistike familjare që rriste mundësinë e përjetimeve letraro-artistike në shkallë më të gjerë.

Jo më kot vëllimi hapet me një skicë titulluat “Inicialet” e cila përbledh në vetvete, jo vetëm një titull kënge me kompozim të K. Gjinit, një tekst kënge me poezi të F. Gërmenjit, po edhe një emër ure, në këmbët e betonta të së cilës janë gdhendur inicialet e emrit të autores dhe të fejuarit të saj në kohën kur kanë qenë aksionistë. Pra, kemi një ndërkallje të jetës reale në botën letrare për të sjellë pranë lexuesit në mënyrë të rrjedhshme dhe elegante kujtime reale të njerëzve realë në mjedise letrare.

Gjirokastra vjen aq natyrshëm në  faqet e këtij libri, sa faqet të duken të pakta dhe, për ne që kemi qenë në Gjirokastër në ato vite, sikur kërkojmë më shumë kohë e më shumë personazhe. Ja shtëpia e vjetër gjirokastrite ku familja e Shaqo Gjinit jetonte dikur , salloni me kolltuqe ku mjekët bënin konsultat për të përcaktuar kurën e Kastriotit, emrat e mjekëve si Vasil Laboviti, Zhusti, Pandovski, etj dhe infermieret si Rramania, Melpoja, Meri duke përshkruar seriozitetin, përkushtimin dhe kontributin e tyre për mjekësinë në atë qytet. Por këtë ajo e lidh edhe me historinë e një dashurie të thellë po të parelizuar për hir të paragjykimeve mes  doktor Pirros dhe infermieres Meri, e cila është një ngjarje  reale dhe e njohur nga qyteti i atëhershëm, por që autorja e ngre në nivelin letrar të përshkrimit, duke e sjellë si një tregim të mirëfilltë.

Po le të kalojmë në një tjetër mjedis, po aq në mos edhe më interesant, sepse ka pasur veçorinë e të qenit territor ushtarak i izoluar dhe më pak i njohur nga të tjerë. E tillë është jeta e familjeve të ushtarakëve në ishullin e Sazanit. Përshkrimi i një prej udhëtimeve  të saj të para nga porti i Vlorës për në Sazan, në një det shumëballësh, me një mot të trazuar në furtunë janë nga faqet më të bukura të librit me një prozë të arrirë e tërheqëse që mbajnë në tone të larta përshkrimin dhe tensionin e ngjarjes. Tregimi i përshtypjeve personale të jetës në ishull, të vështirësive që kalonin gratë e ushtarakëve atje, largësia nga pjesa tjetër e atdheut, po edhe bukuritë e pamata të natyrës në ishull, të mirat e klimës dhe sidomos dashamirësia, miqësia dhe solidariteti mes banorëve janë aureola që veshin me nostalgji dhe romantizëm jetën e kaluar atje. “Nuk besoj të shkoj më aty, thotë autorja në f,143 të librit, sepse më mungon ai për të cilin shkova dhe jetova në atë copë tokë në mes të detit, duke i bërë ballë një jetese sa të vështirë, aq edhe të bukur”

Libri është shkruar me dashuri dhe ka shumë dashuri brenda faqeve të tij: Dashurinë e saj me bashkëshortin, poetin Fluturak Gërmenj, dashurinë e prindërve të saj, Shaqo e Krisanthi Gjini, dashurinë e vëllait të saj, kompozitorit Kastriot Gjini me A…, por edhe më gjerë. Dashuria për prindërit, për fëmijët, për një shoqe, për njerëzit e thjeshtë, për atdheun, për vendet e ndryshme ku ka shkuar, vende si Dukagjini, udhëtimet e rrezikshme me korrierat e dikurshme, por edhe përgjegjsinë e lartë dhe profesionalizmin e atyre shoferëve heronj që ua dilnin rrugëve thikë mbi humnera, etj., etj. Libri është një apoeteozë për ndjenjën e mirë, për njeriun, për rininë shqiptare.

Syza “Luledelet” i kushtohet të vëllait, Kastriot Gjini, jetës, pasionit të tij për muzikën, kompozimeve të tij, dashurisë për jetën, për prindërit dhe vajzën e tij të dashur dhe ikjen e parakohshme. Kompozitori i talentuar i këngëve të rinisë, këngë të cilat edhe sot këndohen e dëgjohen me ëndje, janë në fondin e krijimtarisë më të mirë të atyre viteve. Portreti i prindërve është gjithashtu një tjetër stacion i dashur i Luljetës. Ajo i përshkruan ata dhe dashurinë  e tyre me ngjyrat më të ndezura të kujtimeve dhe penës së saj.

Nga ana tjetër ajo është e shqetësuar edhe për gra që në marrëdhëniet në familje përjetojnë dhunën bashkëshortore dhe ka gjetur mënyrën si ta sjellë nëpërmjet penës së saj këtë shqetësim, ashtu siç sjell në një tregim të mirëfilltë dhe interesant, siç është “Monologu i Fustanit”, tregim mjaft i arrirë, i ngritur mbi bazën figurative të një fustani të animuar që bëhet dëshmi e tradhëtisë bashkëshortore, gjë që shpreh shqetësimin qytetar të autores për emancipimin dhe mbrojtjen e të drejtave të gruas.

Proza e Gërmënjit ka disa veçori të dallueshme, si:  të qenit një prozë e rrjedhshme, që shfrytëzon detajet jetësore në dobi të pasqyrimit artistik, që sjell informacion përshtatur në kohën të cilën e merr në shqyrtim për vende, njerëz e ngjarje që rrëfen. Ka gjuhë të rrjedhshme, figuracion të pasur, është shkruar me shpirt, mall e dashuri. 

Është fakt që Luljeta ka jetuar mes dy artistëve, që krahas arsimimit  përkatës për gjuhë-letërsi, i ka dhënë asaj vetëdijen të ushtrojë me sukses prozën e shkurtër duke sjellë krijime të freskëta që lexohen me ëndje dhe me një frymë.

Tiranë, më 26 mars 2026

Exit mobile version