Kreu Teatër Stefan Çapaliku: “Vizita” e mrekullueshme e Davide Iodice

Stefan Çapaliku: “Vizita” e mrekullueshme e Davide Iodice

Shënime rreth shfaqjes më të re të teatrit “Migjeni”, “Vizita” me autor Fabio Pisano nga H.G. Wells; regjisor Davide Iodice; ndihmës regjie Jozef Shiroka; përkthyes Zija Vukaj; kostruksionet skenografike Divni Gushta; dhe me aktorët: Fritz Selmani, Pjerin Vlashi, Nikolin Ferketa, Rita Gjeka, Vladimir Doda, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Julinda Emiri, Rajmonda Marko, Aleksander Prenga. 

Në të vërtetë titulli “Vizita e mrekullueshme” i shkon më shumë përshtat ardhjes së Davide Iodice në teatrin tonë sesa romanit të vitit 1895 shkruar prej Herbert George Wells (1866-1946), një prej njerëzve më influent në letërsinë fantastiko shkencore të të gjitha kohërave.

Vepra

Vepra ka në qendër të veten një Engjëll, një krijesë e fantazisë së shkrimtarit, që papritmas shndërrohet në protagonistin e jetës së një province angleze. “Vizita e mrekullueshme” e këtij Engjëlli nuk zgjat më shumë se një javë, kohë e mjaftë kjo për të dëshmuar se kjo krijesë është diçka ndryshe prej engjëllit të besimit fetar, por dhe atij popullor gjithashtu. Mbasi qëllohet gabimisht në krah nga famullitari i fshatit, merakli gjoje dhe zoolog amator, ai strehohet diku në famulli, ku fshatarët, fillimisht të frikësuar nga pamja e tij e çuditshme, më në fund jo vetëm që e pranojnë, por nisin madje edhe të magjepsen nga këndvështrimi i tij unik për jetën.

Kësisoj, Engjëlli, fillon naivisht të ndërveprojë me personazhe të ndryshëm, duke mësuar kësisoj për natyrën njerëzore, përfshirë këtu edhe kompleksitetin e dashurisë dhe rreziqet e paragjykimeve shoqërore. Por në finale, edhe pse ai, me kalimin e njëfarë kohe në tokë, bëhet gjithnjë e më shumë njerëzor, duke rënë në dashuri dhe duke vuajtur të gjitha sprovat, dhëmbjet dhe mundimet njerëzore, prapë se prapë nuk ia del ta shndërrojë për mirë atë realitet.

Romani i dramatizuar prej një djaloshi napoletan, dramaturg, vjen tashmë në teatrin tonë, si një satirë dhe koment analitik i shoqërisë së sotme shqiptare. Pra spektatori kupton që në krye se regjisori është i gatshëm të përgjigjet qartë dhe prerë se pse ka zgjedhur pikërisht këtë vepër nga biblioteka e pasur dramaturgjike e botës.

Të dy bashkë, dramaturgu me regjisorin e shfaqjes, i kanë bërë veprës një lexim që të provokon, të ngjall mendime dhe heq paralele të “rrezikshme” me realitetet tona provinciale. Përralla e këtij Engjëlli, që pavarësisht dëshirës së mirë, nuk mund të përshtatet me shoqërinë e këtij fshati të vogël, të kujton komentet e filozofit të famshëm frëng Zhak Mariten, kur thotë se Zoti nuk e ka, nuk e njeh, eksperiencën e së keqes dhe prandaj ai shpesh nuk mund t’i bëjë pritë veprave të djallit.

Pra duket qartë se regjisori e ka gjetur realitetin tonë si një kontekst që propozon një realitet të vështirë, kryefortë, dhe paragjykues. Me sa duket këto dhe të tjera kanë qenë argumentet e Davide Iodices për ta rikonsideruar këtë tekst si shumë të rëndësishëm kulturalisht, dhe për ta vënë atë në dispozicion të publikut shqiptar, si pjesë e angazhimit për mbrojtjen, ruajtjen promovimin, funksionalizimin dhe rikontekstualizimin e letërsisë dhe teatrit më të mirë botëror.

Shfaqja

Shfaqja nis e mështjellë me një dritë të butë gri, një dritë që nxjerrë në pah edhe më mirë njollat e mbetuna mureve të një vendi të kapur në fyt nga rutina. Është rutina e njerëzve që vijnë në kishë, duke hyrë nga të gjitha cepat e hapësirës skenike dhe duke realizuar kësisoj ekspozicionin e veprës me elemente minimalistë dhe esenciale. Mendova se ishte zog, dëshmon prifti jo vetëm me tekst, por edhe me maskën e tij.

Pika e lidhjes vjen menjëherë, pa pasë nevojë me e tjerrë fort. Engjëll i plagosur bie në vendin e njerëzve, që na qenka edhe vendi i ëndrrave. Mandej regjisori ndërton menjëherë një mizanskenë rrethore, ku shohim sesi të gjithë procesionin e udheheq një budalla. Një budalla që flet për jeten e qiellore, ndërkohë që të tjeret i shkojnë mbrapa. (Tamam si në një miting politik).

Shfaqja vjen dhe rritet si një fëmijë, pa bërtitur, pa u ankuar, dhe pa e trumbetuar ritmin e brendshëm.

Një tjetër pikë shumë interesante e shfaqjes janë daljet e aktorëve nga karakteret te narratorët, duke komunikuar kësisoj a parte me spektatorët dhe duke nënvizuar disa qëndrime. Prishja e murit te katërt dhe ndezja e dritave të sallës kërkon të provokojë te spektatori memoriet e fjetura të gjyqeve politike të vitit 1945. Gjatë kësaj kohe nis edhe përpjekja për ta veshë Engjellin me eksperiencat njerezore, nëpërmjet disa rrobave konvencionale, përpjekje e cila hepon pyetjen: Cili prej jush është një engjëll?

Ndërkaq pyetja e Engjëllit që ia drejton priftit: “Po çfarë bëni ju çdo ditë?” e fut skenën në një slow motion dhe një repeticion rutinor. Është çasti kur diçka e rëndësishme ndodh: Prifti humbet gjithnjë e më shumë besimin, duke rënë pre e pasioneve bazike, si vena, etj.

Kësisoj njerëzit e qytezës fillojnë të mos besojnë më as te Engjëlli. Ndonji aktore që lëshon batuten dhe pret haraçin në formë duartrokitjesh, si të jetë ajo autori mbetet shtang. Por “The show must go on”!

Në pikpamje ideologjike shfaqja e Iodices prej fillimi deri në fund i lë pyetjet pa përgjigje, duke u bërë thellësisht provokative dhe duke i intensifikuar goditjet ndaj publikut, si të jetë duke e futur atë në një vend ekzaminimesh apo elektroshok.

Ashtu papritur, siç edhe erdhi, Engjëlli largohet, duke marrë me vete ndoshta edhe shpirtin e ndonjë vajze të re. Kështu edhe shfaqja vjen dhe shuhet papritur. Askush tjetër nuk dallohet në universin e engjëjve, askush nuk lind më, askush nuk vdes, dhe askush nuk na viziton për së dyti.

Davide i jep dinjitet tekstit. E lë atë të prijë, duke e shpërndarë veprimin në të gjitha cepat e skenës. Dinamika semantike e tekstit shkon paralelisht me atë të vënies në skenë.

Filozofia e veprës mund të lexohet edhe në dritën e mësimeve të Jacques Maritain, i cili na mëson se Zoti nuk e ka eksperiencën e së keqes. Atë e kemi krijuar ne vetë dhe për këtë duhet edhe të paguajmë çmim.

Regjisori i “padukshëm”

Davide Iodice vjen në Shqipëri në kohën kur disa nga regjisorët tanë lokalë, shpesh të frymëzuar edhe nga disa ballkanas të tjerë, tregojnë arrogancë të pashoqe artistike, duke dhunuar më së pari tekstet e autorëve dhe më pas duke ushtruar edhe dhunë psikologjike (dhe jo vetëm) edhe mbi aktorët e bashkëpunëtorët e tjerë skenik. Këto lloj regjisorësh të mbushur me vete, më së shumti të pazotë të kapërcejnë kufinjtë kulturorë të shqiptarisë, po ofrojnë modele të tilla estetike me të cilat po e shndërrojnë teatrin në mos në cirk, në një vend ku spektatorët vijnë me u shkri gazi apo me mbetë me gojë hapë.

Davide Iodice, i diplomuar për regji nga Akademia kombëtare e artit dramatik të Romës, bashkëthemelues i kompanisë “Libera mente”, pjesmarrës aktiv dhe më vonë drejtor artistik i “Qendrës për kërkime teatrore të Napolit”, bashkëpunëtor i Carmelo Bene dhe pjesmarrës në “Crt” të Milanos, Bienalen e Venecias dhe “Festpiele” të Berlinit, fitues i çmimeve të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare në fushë të teatrit, vjen në Shqipërinë tonë vonë…

Ai ka arritur të realizojë një skenografi dinamike dhe në transformim të vazhdueshëm. Skenografia transformohet prej prekjeve të aktorëve, të cilët gjithashtu transformohen nga ajo vetë. Kjo marrje – dhënie është karakteristikë esenciale e teatrit të mirë.

Engjëlli i zbulon absurditetin në të cilin janë zhytyr njerëzit dhe prandaj ata bëhen agresiv me të. Ai nuk mund të fluturojë më. Skenat paralele me priftin qe lexon, atë që nuk mund te fluturojë më dhe dikuj që i bie këmbanës me të ça veshët, janë shtyjnë para veprimin skenik dhe karikojnë suspansën. Shfaqja gjithashtu erdhi te unë edhe si një intuitim i sinqert i realitetit tonë shqiptar, që e poetizon fund e krye tekstin dhe teksturën regjisoriale.

Muzika gjithashtu nuk tingëllon në asnjë çast si ambalazh i shfaqjes. Ajo është thjesht permbajtje, përsonazh, qëndrim. Ndriçimi i butë, teatral, bardh e zi, i ftohtë, ofron dicka prej frymës çehoviane e pirandeliane. Shpesh ndriçime lokale prodhoohen vetë në shfaqje, siç ishte përshembull momenti i djegies së letrave, që të kujtojnë ritualin e një autodafe-je.

Në përfundim mund të them se mesazhet dolën qartë dhe tingëlluan me zë të lartë. “Jemi njerzor dhe kjo asht e meta jonë e madhe”, tingëllon si streha e gjithë pafuqisë sonë për të ndryshuar veten. Dhe Engjëlli bërtet, çirret duke e dëshmuar veten Vox clamantis in desertio

Aktorët janë të gjithë për t’u përgëzuar. Të gjithë aktorët hyjnë në skenë me maska të përpunuara, varësisht pantelikave të veta. Në fillim u duk sikur ata hynë me idenë dhe qëllimin për të vënë re se kush ishim ne, që kishim ardhë për t’i parë. Dhe kështu m’u duk se nuk vonoi shumë dhe ky proces u krye. Ata na njohën dhe ne i njohëm, duke lidhur kësisoj një miqësi krejt organike. Personalisht mendoj se transformimi i maskës, sjelljes së tyre psikofizike duhej të ishte edhe më i madh dhe më i thellë nga fillimi në fund të shfaqjes.

Post scriptum 

Rruga është e qartë, e ndriçuar dhe tashmë duhet veç kujdes që të mos ketë kthim mbrapa. Davide i riktheu teatrit nderin e humbur, sepse vizita e tij ishte si ajo e një Engjëlli të vertetë dhe padyshim që për këtë meritë të posacme ka edhe drejtorit i Institutit italian të kulturës, Alessandro Rugera.

Exit mobile version