Kreu Letërsi Bibliotekë Stefan Çapaliku: “Një engjëll veshë me frak” (Fragment nga romani)

Stefan Çapaliku: “Një engjëll veshë me frak” (Fragment nga romani)

Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2022: Romani më i mirë i vitit, “Tezja dhe shkopinjtë magjike”, Shtëpia botuese Albas

Po, po. E kishte humbur përfundimisht Klara Dedën. Kishte humbur dritën e syve të tij. Kishte humbur ajrin që e mbështillte dhe i jepte jetë. Kishte humbur shpresën për të marrë sërish frymë. Kishte humbur gjithçka… Kjo tashmë qe krejtësisht e qartë. Të gjithë ia kishin marrë nga duart Klara Dedën. E para 183 kish qenë e ëma, që nuk pranonte kurrsesi që: “i biri i saj, i mrekullueshmi i saj, ylli i saj, të merrte për grua një hore, një mrrutë, një lavire, një të përdalë”. Se nga e kishte marrë vesh e ëma, që nuk kapërcente dot pragun e shtëpisë, se Klara Deda na paskësh qenë një hore, një mrrutë, një lavire, një e përdalë, e dinte vetëm ajo. Pastaj vinin me radhë të tjerë që nuk e donin kurrsesi këtë bashkim. Kolegët, kushërinjtë, komshinjtë dhe deri edhe te miqtë e afërt. E pse?! Sepse Pol Gjakova na meritoka një vajzë shumë herë më të mirë se aq, të virgjër natyrisht, të pafjalë, të pavese, të patru mundësisht, si dhe punëtore, të dlirtë, e që do t’i shërbente zotërisë së tij si të qe një engjëll… Kur e imagjinoi veten si engjëll, Pol Gjakova qeshi me të madhe. Qeshi si kalë. Ai trembi me këtë rast disa kalimtarë, që po shëtisnin në qejfin e tyre në rrugën tregtare të Durrësit, dhe që kthyen kokat dhe panë një njeri që ishte shumë më afër një psikopati se një engjëlli. Po errësohej dhe Pol Gjakova qe lodhur për vdekje, duke u sjellë rrugëve të Durrësit dhe duke bërë me mendt e veta të gjithë inventarët e së keqes. Nuk e mbanin më këmbët. Ai tashmë, jo vetëm që nuk mund të fluturonte si një engjëll, por as edhe të tërhiqte këmbët zvarrë, 184 si një kalë. Ujin e kishte aty. Detin. Ç’priste më?! S’e kuptonte. Të kishte mbetur vallë kund edhe një fije shprese, sa një kurorë engjëlli?! Ndoshta. Por nuk e shihte askund… Kishte rrezik që të binte shi, sepse një tufë reshë që erdhën andej nga deti u mblodhën papritur dhe e nxinë horizontin. Një pikë e madhe ra nga qielli. I ra në sy. E freskoi ndoshta. Këmbët e çuan edhe njëherë andej nga vinin disa eko muzike. Muzika ishte tashmë diçka që i drejtonte edhe trupin dhe jo vetëm shqisat e tjera.

 U gjend sërish para hotel “Vollgës”. Atje, ato muzikantët që kishin sjellë veglat në drekë, ia kishin nisur muzikës. Shikoheshin çifte që kërcenin. Sërish tufa e marinarëve polakë të dehur, që nuk kishte lëvizur nga vendi. Dhe ja. Siç edhe ia kishte ndierë zemra. Aty në mes, duke kërcyer ishte ajo: Klara Deda. Po, po, ajo. Nuk kishte diskutim. Ia njihte supet, belin, kokën nga mbrapa, gjithçka. Dhe Pol Gjakova t’u fut vrik e brenda, për ta kapur për krahësh e për të mos e lëshuar kurrë më në jetën e vet. Kurrë! Po kur dora e tij e madhe u afrua, si të qe duke i dhënë orkestrës atakun për një fillim a tutti67 të një uverture të lumtur, çifti u kthye 67 Nga italishtja: Të gjithë 185 dhe ai pa një tjetër njeri që qe duke kërcyer. Jo, jo. Klara Deda nuk qe askund. O Zot! E kishte humbur përfundimisht Klara Dedën. Kjo tashmë nuk kishte diskutim. Doli në rrugë, tashmë edhe i turpëruar prej skenës që sapo kishte ndodhur në hotel “Vollga”. Hahahahahahaha, kompozitori më i madh i kohës së vet, qe shndërruar në një rrugaç, një palaço, që maste rrugët e një qyteti tjetër… Por ama ishte i lirë, sepse nemo propheta in patria68. Dhe kushedi sesa do kishte vazhduar kjo ecje në rrugët e këtij qyteti, nëse nuk do i qe ndaluar një kamion i madh te këmbët. Qe një kamion me targa Shkodre, që mesa dukej kishte lënë apo kishte marrë diçka në portin e Durrësit, shoferi i së cilës e kishte njohur Pol Gjakovën dhe qe ndaluar për ta marrë.

Rrugës ra shi gjatë gjithë kohës dhe Pol Gjakova nuk këmbej pothuajse asnjë fjalë me shoferin e shkretë, që donte ta respektonte me pak muhabet. Ai madje edhe nisi të këndojë “Synin si qershia” në nder të mjeshtrit, por ai e ndaloi me dorë. I kishte sytë krejt të përlotur… Po kthehej në qytet si një humbës i madh. Kishin ndodhur shumë gjëra gjatë kësaj kohe. I kishte vdekur shoku i tij më i afërt, Aktori. 68 Nga latinishtja: Nuk ka profet në vendin e vet 186 Me Poetin diçka kishte ndodhur. Opera kishte marrë fund dhe nuk do jepej më, mbase kurrë më. Kolegët nuk gjenin rast pa e përfolur si të pashkollë… Dhe mbi të gjitha, kishte humbur Klarën. Kur hynë në Shkodër, ora kishte kaluar mbas mesnate. Shiu vazhdonte edhe më me vrull, tamam siç i kishte hije këtij qyteti. Iu lut shoferit ta çonte në Shtëpinë e Kulturës. – Në këtë orë?! – pyeti shoferi i çuditur – Po. Se më duket se kam lanë dritaren hapë dhe do ketë hy shiu. Shoferi nuk bëri më komente. Rrugët e qytetit ishin krejtësisht të shkreta dhe mund të hynte kudo me kamionin e tij. – Mirë Maestro. Po të pres këtu jashtë dhe pastaj po të çoj vetë në shpi. – Jo, jo. Vazhdo! – u dëgjua zëri jashtëzakonisht i thellë i Pol Gjakovës – Se unë kam shumë punë për me ba. Ndoshta do shkruej edhe një “Requiem”…  

***

Intervali i fundit i Pol Gjakovës

Vdiqa. Fluturova. Fluturova dhe rashë tamam ashtu siç e kisha mendue. Kryepicingul e në tokë. Dhimbja qe aq e madhe sa edhe e shpejtë. Dhe kaq. Mbaroi. U fashit. Dhe me dhimbjen u duk se mbaroi gjithçka, ose se filloi gjithçka tjetër… Vetëm ato dy ditët në morg nuk qenë edhe gjithaq të lumtuna. Fillimisht u mërzita mjaft. Po, faleminderës që m’i kanë lanë sytë paksa hapë dhe natyrisht që diçka mund të shikoj. Sa qeshë në morg e derisa erdhi Klara pashë vetëm një plasë tavani që kisha mbi krye. Ishte një plasë shumë monotone. Morgu mesa duket kishte shumë kohë pa u lye. Kush ka pasë me e lye, të vdekunit, a?! O Zot sa m’u dhimbt Klara kur erdhi. Fillimisht u tremba kur e pashë ashtu të veshun krejt në të zeza, a thue se i kishte vdekë ndokush shumë i afërt. Por mandej e mblodha veten. Nuk e di mirë sesi thuhet: për herë të parë në jetën teme, apo për herë të parë në vdekjen teme? Por, po e them ma mirë se, për herë të 188 parë në vdekjen teme provova dashninë e vërtetë. Ishte tamam ajo që kisha kërkue me vete edhe në jetë. Siç duket e kisha kërkue para kohe. Prandaj pra, duhen ba do gjeste, që të kesh mundësi të provosh do mrekulli. Më dhimbset nana që e lashë vetëm. Ia kam ba me të pabesë. E di. Zoti më ndjeftë për këtë. Por në të vërtetë, të gjithëve ua kam ba me të babesë, duke ikë në këtë farë mënyre. Madje ika ashtu fluturim edhe pa e shkrue një Requiem. E tash vetëm për diçka më vjen keq. Nuk e di, nuk jam i sigurt nëse do mund të dëgjoj prapë muzikë… 

Exit mobile version