Kreu Letërsi Bibliotekë “Sa pa zbardhur”, tregim nga Behar Jacaj

“Sa pa zbardhur”, tregim nga Behar Jacaj

Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2022: Vëllimi më i mirë me tregime i vitit, “Hoteli përbri kishës”, Shtëpia botuese Albas

Ç’ditë e begatë për të vdekur. − mërmëriti dhe ndjeu ajrin e akullt t’i fshikullojë fytyrën.

− Urdhëroni? − pyeti një çubardh që zbriti nga pajtoni. Si duket po mësynte kazinonë.

− Më falni! Si duket, po mendoja me zë të lartë.       

− Ose për të jetuar, − shtoi i panjohuri dhe e pa drejt e nësy me njëfarë mëshire.

− Natyrisht, − foli Vladi pa e zgjatur dhe u shkëput prej tijduke i uruar fat.

Terri duke u çrrasur dhe yjet e fundit që, tek-tuk, ndriçonin dëshpërimisht, tregonin se po agonte. Vladi hukati duart dhe përshpejtoi hapat. Rruga ishte gjithaq e shkretë. Heshtja grisej veç nga zhurmat e ndonjë pajtoni të rrallë, a të lehurat e ndonjë qeni të largët. Asnjë vakt tjetër nuk përvidhet më shpejt se agimi. Sa herë kishte menduar se ikjet e agimeve lënë pas, në mos të njëjtën, një keqardhje të ngjashme me ikjen e fëmijërisë. I ra ndër mend se dënimet me vdekje kryhen sa pa zbardhur. Ku ta dish përse? Ndoshta drita e diellit e bën më të zorshëm dorëzimin në mbretërinë e territ. Si për të përligjur hamendësimin e fundit, iu kujtua se, në fëmijëri, kur vrisnin ndonjë gjarpër apo hardhucë, thuhej se krijesës, paçka se me kokë të shtypur, nuk i del shpirti deri nëperëndim të diellit.Kur hyri në rrugicën e pensionit të tij, u lut që sportelisti të ishte akoma në gjumë. Nuk kishte grimë dëshire të takontenjeri. Aq më pak, të fliste për borxhe. S’ka si mos të më pranohet lutja e fundit, mendoi, kur pa që në dhomën e sportelisti drita ishte akoma e shuar. Sakaq, ngjiti shkallët në majë të gishtave dhe u kyç në dhomë. Fillimisht, përllogariti borxhet. Me shtëpinë e lënë në kumar, me bizhuteritë e humbura të së motrës dhe me qiranë e papaguar prej muajsh, doli një shifër që shkonte gjysmë milioni, diç më shumë. Shkroi dy letra. E para, u drejtohej prindërve. Pas

shumë shpjegimesh dhe porosish, u lutej që ta falnin dhe të mos e qanin. “Është e vetmja ditë, e vetmja mënyrë që jetës sime mizerabël t’i vë kapak floriri”, u shkruante. Letra e dytë, u drejtohej autoriteteve shtetërore, të cilave u lutej të siguroheshin që vullneti i tij të çohej në vend. Si i vulosi letrat me dyllë, në majë të gishtërinjve, doli në korridor të gjente Fanya-n. Shërbyesja zgjohej që pa gdhirë dhe merrej me punët që i caktoheshin që në mbrëmje. Asaj ia besoi letrat. Iu përgjërua t’i çonte në postë sapo t’i dilte koha.Fanya e vështroi me habi, por Vladi nguli këmbë se ishte shumë e rëndësishme. Së bashku me letrat i zgjati edhe një kartëmonedhë dhjetëfish më të madhe se haku që kërkonte posta.

− Kusurin mbajeni! − tha, dhe habia e tjetrës u shtua edhe më. Vetëm pasi mori fjalën e saj, u kthye në dhomë.

* * *

“Basti im i fundit”, mendoi tek shikonte terrin që tirrej tej dritares. “Ç’t’i bësh! Vesi del me shpirtin. Idiot, burracak”,iu hakërrye vetes. “O sot, o kurrë! Kurrë nuk do të jesh me borxhe kaq të lara dhe me ndërgjegje kaq të qëruar.”

− Ç’ditë e mrekullueshme për të vdekur, − tha me zë të lartë tek shtrëngonte litarin, si për t’i dhënë zemër vetes. Të njëjtën frazë murmuriti deri në frymën e fundit.

Kumti i vdekjes së tij bëri bujë të madhe. Nuk mbeti gazetë pa shkruar për të. Aq e madhe qe jehona, sa vetë shkrimtari i madh i kohës, Anton Pavlovich Chekhov në bllokun e tij shënoi: “Një djalë fiton në kazino një milion dhe më pas shkon në shtëpi dhe vret veten”, si intrigë për një tregim që nuk e shkroi dot kurrë.

Exit mobile version