Kreu Opinion Sokol Zekaj: Një botë nga vetvetja, në takim përvojash dhe përfytyrimesh

Sokol Zekaj: Një botë nga vetvetja, në takim përvojash dhe përfytyrimesh

Mendime dhe kujtime

Pse po i shkruaj këto radhë? Po i shkruaj sepse po dua t’i hedh në shkrim. Nganjëherë, arsyeja e gjërave nuk është e qartë. Ndoshta duke shkruar, fjalë mbas fjale, kuptimi sqarohet. Në fakt, ne kemi një botë tonën, që është bota letrare, që ka një klimë të vetën, të gjallë. Ne kështu e ndjejmë. Tash jam në një orë të vonë të natës. Diku dëgjohet një muzikë. Për muzikë, gjithmonë ka arsye. Është gusht. Po ik edhe kjo verë. Kështu, koha rrjedh. Vitet kalojnë. Unë – dhe jo vetëm unë – kam hyrë në fushën e letërsisë me një numër disavantazhesh në shpinë, dhe më janë dashur shumë sakrifica për t’i kthyer ato në avantazhe. Kujtoj këtu shkrimtarin Lazër Stani, si të një ane, me të cilin jam takuar veç një herë në Shkodër, por e ndiej si të afërt.

Ne poetët e kalojmë jetën tonë mes librave, dhe përmes librave. Kemi libra për lexim në bibliotekën tonë. Kemi edhe librat tanë të shkruar prej nesh, me të cilët tash rrallë merremi. Ata nuk janë të përkëdhelurit tanë. Më shumë merremi me librat e të tjerëve. Unë kam edhe shumë libra autorësh shqiptarë. Disa i kam njohur, dhe sot nuk janë. Disa jetojnë dhe vazhdojnë të botojnë. Të gjithë janë një pasuri për mua, sepse në radhë të parë jemi njerëz. Si njerëz, rrugët tona në jetë kanë probleme të ndryshme, komplekse që edhe na ndajnë. Por ne prapë ndjehemi bashkë. Lexojmë njëri-tjetrin, dhe shkruajmë edhe poezi të reja, apo gjëra tjera të afërta me to.

Gjëra tjera të afërta me to, janë qoftë edhe mendimet tona të pashkruara. Në këtë rrugëtim, ne shkojmë drejt fundit pa u kthyer prapa, si era. Por edhe realiteti vepron mbi ne. Ne njohëm ngjarje dhe periudha të ndryshme historike. Madje ne mund të themi se njohëm edhe Shqipërinë e viteve ’30, sepse deri në gjysmën e parë të  viteve ’50, në një kuptim, po ajo Shqipëri ishte, e prapambetur. Mandej njohëm Shqipërinë e diktaturës, e më pas dihet, deri sot. Realiteti është i fuqishëm. Ai nuk është miqësor me poetët. Gjithsesi, ne aty jetojmë.

Kujtoj një takim me Moikom Zeqon diku mes Tajvanit dhe urës. Kishte në dorë dy libra në frëngjisht. Njërin ia pashë me shumë kurreshtje sepse pashë në kopertinë emrin e Max Jacob, një poet me origjinë hebreje, me një shije të hollë poetike, por me një fat tragjik, që nuk dihet se si, dhe ku përfundoi, në kohën e pushtimit nazist në Francë. Por nuk ishte një libër me poezi. Ishte një libër i thjeshtë për poetin Unë e kisha këtë format libri për një poet tjetër. Një botim i bukur por jo i shtrenjtë, prej rreth njëqindepesëdhjetë faqesh, a diçka më shumë. Një libër i hartuar me kujdes, me foto, skica, kujtime, shënime për jetën dhe veprat, shënime bibliografike, gjithë gjëra që zgjojnë kërshëri për lexuesin.

Tek ne nuk bëhen këto botime. Por them se do qe mirë të bëheshin botime të tilla, në seri, për poetë e shkrimtarë që nuk jetojnë, qoftë edhe me destinacion thjesht promovime dhe panaire libri. Për cilët? Nuk po rendis emra. Ne e dimë se bota jonë letrare nuk është aq e fuqishme sa janë të tjerat: muzika, media, sporti, politika. Këto janë më të egra dhe më të mbështetura në shoqëri. Mbase mbështetja nga shteti në një seri të tillë botimi do qe vetë mbështetje për kulturën kombëtare, në drejtimin e duhur, më shumë se disa gjëra tjera që mbase bëjnë lajm. Më duket se botimet në një seri, kanë njëfarë besueshmërie te lexuesi, nëse i kanë shpëtuar zhgënjimit më parë.

Unë i dhashë Moikomit librin tim Toka të pabanuara që sapo e kisha botuar atëherë nga ShB Pika pa sipërfaqe. Ai më pyeti për gruan. I thashë se më ka vdekur. Heshti. Unë nuk e dija se ai kishte një sëmundje të rëndë, aq i shëndetshëm sa ish ai, ndërsa unë kaq i dobët sa isha. Ne ishim të një moshe. Më kujtohet diku se, kur do të shkonte Lasgushi në Prishtinë, me rastin e botimit të veprës së tij atje, Kadareja thotë se do duhej ta shoqëronte ndonjë njeri i shëndetshëm si Moikom Zeqo. Mirëpo koha sjell këto të papritura. Nuk u pamë më. Në bibliotekën time kam mjaft libra të tij, mjaft prej të cilëve me dedikim. Prurja e tij në letërsi dhe dije ka qenë e bujshme, e madhe dhe pothuaj e parrokshme.

Te ai ishte, edhe poeti edhe shkrimtari edhe dijetari. Por edhe përkthyesi. Libri Poezi futuriste i Majakovskit, i përkthyer prej tij, i botuar nga ShB Zenit Editions, është një nga befasitë më të bukura poetike që na kanë ardhur në këto vite në shqip. Moikomi nuk ngurronte të bënte edhe përcaktime. Thoshte, bie fjala: Poeti më i madh francez është Arthur Rimbaud. Kjo mua më pëlqente, pasi më bëhet se Rimbaud qe ai që i dha frymën e parë, e bëri realitet të gjallë modernizmin. Nga ana e tij Moikomi, sa ishte i fuqishëm dhe i vrullshëm, ishte i vëmendshëm dhe i respektueshëm. Ishte shpirtmirë dhe shihte të bardhën e gjërave. Mbaj mend në një takim tonin, më ka thënë një metaforë nga një poezi imja që i kishte mbetë në kujtesë. Vepra e tij është një pasuri kombëtare.

Unë kam një poezi timen dedikuar Moikomit.

GJEMITË E POETËVE

Poetit Moikom Zeqo

Lumi është i gjerë mes brigjeve të gjelbra

ose jo i gjerë veçse i thellë e me shtjella

O gjemitar, a e ndien një zë a një gjëmë

që del diku nga lumi, mbi ujërat e lara me hënë?

Edhe gjemitë e poetëve kanë historitë e veta

me vezullitje netësh, të ashpra sa vdekja

Para disa kohësh një mik imi ndërsa po pinim një kafe, më tha se e e ngacmonte ideja e botimit të një antologjie poetike me pezinë e krijuar në kohën e diktaturës, dhe se e zotëronte pothuaj të gjithë materialin e duhur, gati për zgjedhje. Zgjedhja sigurisht do kohën e vet. M’u duk një ide me vlerë, aq më shumë që i përket një kohe, jo kalimtare por të gjatë, që e gjitha është një histori e kësaj culture, e këtij vendi, e këtij populli. Ajo do t’ishte si një dritë që vinte nga errësira. Bie fjala, po kujtoj një poezi të kësaj kohe nga poeti Dodë Kaçaj (1947-1998) atë me titull Sonte. Doda ishte një poet i lindur.

SONTE

Sonte fjeta shumë ëmbël

Kur u zgjova

gjeta dorën në zemër…

Kisha parë ty në ëndërr.

Por Dodë Kaçaj ka shkruar poezi edhe në post-diktaturë. Këto janë poezi të gjendjes së trazuar, ndër zhgënjimet e hidhta të jetës, por janë të vërteta.

Ndërsa është edhe një poet, i mbajtur plotësisht në heshtje, Llazar Siliqi. Unë mendoj se një libër prej nja njëqind faqe, afërsisht po them, me poezi të tij, mund të botohej, dhe të ishte një vlerë, madje të spikatur, jo për thellësinë, por për spontaneitetin dhe paqen disi naïve dhe pothuaj fëminore që përcjellin te lexuesi. Apo Andrea Varfi etj.

Unë në vitin 1993 pata botuar librin tim të dytë, që ishte në fakt i pari në kushtet e lirisë. Për të gjithë ne të moshës sonë, kjo kohë shënonte një rifillim, ose një start të ri, në fakt starti i së vërtetës. Ne këtu e filluam rrugën letrare si krijues të lirë. Librin e pata titulluar E pamundura. Te ky libër është botuar një poemë me tone disi dramatike me titull Me se merresh? që përmban në thelb natyrën e kohës. Por në pasthënien e librit, atëherë, kam shënuar edhe këto fjalë: Akrobati krijon figurat e çuditshme, dhe ne e ndjekim me ankth, me habi dhe admirim. Në këtë proces, ai realizon një seri konkordancash mes vetes, objekteve në arenë dhe tokës, e cila e tërheq drejt vetes. Poeti përmes fluturimesh poetike, realizon një zinxhir ekuilibrash në lëvizje ndërmjet elementëve që përbëjnë universin e tij (arenën e tij) . Ekuilibri është harmonia. Por ashtu si ujëvara e lumit, nuk e shpërfytyron rrjedhën e tij, edhe disharmonia është harmoni në rrjedhën e poezisë mjeshtërore. Lëvizjet e tij vizatohen në ajër befasuese dhe të përkryera. Edhe poeti bën diçka të ngjashme, ndonëse leximi i poezisë nuk shoqërohet me klithmat e ankthit, pasi ne si lexues nuk e përfytyrojmë dot se ai, poeti, mund ta pësojë nga akti i krijimit të vet artistik, njësoj si akrobati në arenë. Mirëpo kjo është e vërtetë. Poeti si akrobati, e jep veten në poezi në mënyrë të plotë dhe përfundimtare. Prandaj bota e tij poetike që është arena e tij, si të thuash, ruan për të befasi të pakëndshme dhe ndoshta dramatike, dhe poaq, (prapë si në arenë) edhe magjinë e realizimit të ëndërruar.

Këto i kam shkruar ndoshta në maj ose qershor të vitit 1993. Më duket se edhe sot, nuk jam fort larg tyre, ndonëse nuk do t’I kisha shkruar krejt kështu.

Në të vërtet iluzionet kishin rënë, dhe gjërat më shfaqeshin si shumë të vështira. Ishte një kohë mungesash, peripecishë dhe refleksionesh. Varfëria qe thelluar dhe qe bërë më dramatike se ç’qe.  Jeta shihej si përmes një xhami të thyer. Nuk është se ishim aq të qartë për gjithçka që ndodhte, dhe që do të ndodhte. Por megjithëse në atë situatë, dhe nga një autor i ardhur prej një skaji të largët të vendit, libri im nuk kaloi në Tiranë pa u vënë re, në heshtje, si uji nën bar. Ndoshta atëherë, ndonëse kohë e trazuar, ndjeshmëria ndaj librit, gjithsesi ishte më e gjallë, edhe se sot që jemi në kushte si të thuash normale.

Qysh nga ajo kohë e sot, jeta ime ka qenë ajo e një qytetari të thjeshtë të këtij vendi, madje -me problematikat e veta të theksuara, ashtu siç jeta na i rezervon. Kjo ka krijuar pasoja të dukshme dhe të padukshme. Por kjo mënyrë e të jetuarit, më ka përcaktuar në një masë të konsiderueshme tiparet e të krijuarit të poezisë, duke pasë një lidhje të drejtpërdrejt me botën reale, pa perde dhe pa pengesa.

Ose ka qenë natyra e poezisë ajo që ka krijuar këtë lloj jete. Kush di me e gjetë. Sigurisht që jeta nuk mjafton për letërsinë. Por më kanë pëlqyer dhe më pëlqejnë ata poetë që e kanë këtë lidhje. Por kjo, në procesin e të jetuarit nuk është e lehtë, sidomos kur ke një familje pas vetes, dhe sakrificat tua, nuk janë thjesht tuat. Prandaj e kam parë me respect çdo poet a shkrimtar që ka pasë vullnetin për të shkruar. Do thosha se vetë letërsia në vetvete, është e dëshiruar për hapësira të reja.

Salvatore Quasimodo thotë në një ligjëratë të tijën se çdo popull ka Danten e vet, apo Shekspirin e vet. Më duket se e nderon kjo thënie poetin e madh italian, jo veç pse është shumë fisnike, por edhe se ka diçka të vërtetë. Çdo popull gatuan vetveten. Ne këtë tashmë e dimë mirë nga përvoja jonë historike. Ndërsa për poetin, problem është se me çfarë lënde e gatuan ai poezinë e vet? Çfarë bote krijon? Cili është zëri që vjen prej saj? Në fund, sa njerëzore është? Pse? Sepse, po citoj këtu Gustav Floberin, nga një korrespondencë e përkthyer nga Enver Fico, dhe të botuara në një numër të revistës Nëntori. Në një letër të tij drejtuar një zonje me emrin Rozhe dë Zhënetë, Floberi shkruan: “…Nëntëdhjetetreshi i xha Hygoit (Viktor Hygo) më duket se qëndron mbi gjithë romanet e tij të fundit; më pëlqen shumë sidomos gjysma e vëllimit të parë, marshimi në pyll………… si dhe të gjitha peizazhet; po çfarë babaxhanësh prej buksheqeri që janë personazhet e tij! Të gjithë flasin si aktorë. Aftësia për të krijuar (sajuar) krijesa njerëzore, i mungon këtij gjeniu. Sikur ta kishte këtë dhunti, Hygoi do t’ia kishte kaluar Shekspirit…”

Në vitin 1994 kam shkruar dy poema lirike, por plot simbolika, Fojleta në oborr dhe Requiem për borën e pranverës, me vargje nga më të dashurat për mua. Më pas, në vitin 1996 shkrova Trembëdhjetë variacione për një ndjeshmëri, për të cilën Moikom Zeqo më pat thënë se “më kujton poezinë e Stevens-it”. Mundet, i thashë, por poezia ime, është imja. Po, po, më tha, nuk ka dyshim për këtë. Ideja për poezinë, me gjithë lëndën, më pat ardhë në pranverën e vitit ’96. Kështu e dija se çfarë do të bëja, por nuk ulesha për ta hedhur në shkrim. Nuk kisha frikë se harroj diçka, mbasi ishin gjëra të pjekura. Në fund të vjeshtës u ula, e hodha shpejt dhe me lehtësi në letër, sepse e kisha gati. Kjo është një poemë që e marr, dhe më rrotullohet vetiu në duar si një sferë vezulluese.

Por ndërsa hodha këtë poezi në letër, unë kuptova se një lëndë tjetër komplekse po përpunohej brenda meje, dhe që nuk mund të përfshihej te kjo poezi. Prandaj më lindi nevoja imediate e botimit të këtyre gjërave çfarë kisha, për t’u shkarkuar prej tyre, dhe për me dalë i lirë. Në librin e fundit të botuar Koha e qytetit, kam një poemë me titull Dhurata, në të cilën nënvizohet ideja se si poezia lind nga fjala. Prandaj e botova librin Nga ankthi te… për të cilin poeti Xhevahir Spahiu më pat thënë me dashamirësi se “poezia u kthye në vendin e origjinës”. Por kjo ishte një fjalë e gjetur nga një shpirt fisnik. Vetëm pak muaj më pas, botova te gazeta Drita poemën Ballkoni.

Për Të pamundurën kam shkruar edhe në librin Mollët, botuar në Shkodër nga ShB Camaj-Pipa në vitin 2009, por tashmë në një situatë tjetër, duke e parë atë, “të pamundurën”, jo si një gjë të paarritshme. Deri atëherë kisha botuar shumë vëllime poetike, shumë poema, mes tyre poemën Zonjë zemër, ta ndiej hapin në kohë (Ujëvara) ndoshta diçka ku bëhen bashkë thellësia me spontaneitetin, po them unë. Kjo është ajo që më ka udhëhequr në punën me poezinë. Po them se kjo ishte koha kur unë u çvendosa me banim në Tiranë. 

Këtu në Tiranë, produkti im poetik, më shumë se u dyfishua.

Kur kam qenë sëmurë në spital, kam pasë momente kur, në gjendjen e vetëdijes po supozoj, normale, sipas një kuptimi, më shfaqeshin gjëra të paqena. Kjo gjendje pat vazhduar të më shfaqej herë mbas here për disa kohë, ndoshta jo krejt një vit. Kam lexuar dikur, nëse nuk gaboj nga poeti francez Claude Roy, që kujton një zonjë kur i tha njëherë: Claude, ti më duket, ke nostalgji për kohën kur ke qenë sëmurë me kancer!… Ne kështu, ndër lexime, gjejmë analogjitë e gjërave, qofshin edhe të largëta e të hidhta. Kam dëgjuar njerëz, që pasi kanë kaluar një situatë të vështirë, thonë: kam parë vdekjen me sy! Ndoshta mbas kësaj njeriu, fillon një jetë tjetër. Nuk e di se ç’efekt ka pasë kjo gjendje komplekse dhe e ngatërruar në procesin e të shkruarit të poezive të mia, por kjo ka qenë koha kur kam përgatitë për botim vëllimin që më botoi më pas Onufri. Jam i kënaqur me këtë libër, me zërin njerëzor, me kumbimin e një kënge të bukur që buron prej lëndës së tij, nga bota e krijuar prej fjalësh, në një trajtim shpirtnor të gjërave.

Ne nuk e mendojmë se sa shpejt shkon koha, se koha jonë e sotme, shpejt do bëhet e shkuar. Në kohën e diktaturës kam botuar poezi, por nuk kam qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Duke mos pasë favore, nuk kam pasë as ndonjë presion të veçantë. Por klimën e vështirë e kam ndjerë tek të tjerët. Në vjeshtën e vitit 1985 u bë një konferencë letrarësh që më duket se u quajt “e talenteve të reja” por ku në fakt morën pjesë poetë dhe shkrimtarë të njohur. Aty një kritik letrar, në diskutimin e tij tha diçka për një libër të Kadaresë, se çfarë nuk e kujtoj.

Por kujtoj që Kadareja u ngrit menjëherë për ta kundërshtuar. Mirëpo trajtimi i tij po zgjaste madje me shumë ton, dhe kapot e presidiumit, mes tyre nr 2 i nomenklaturës së lartë, nëse nuk gaboj me numra, po i kërkonin që ta mbyllte fjalën “sepse nuk kishte rëndësi, ishte një mendim i tij”, e gjëra si këto. Atëherë Kadareja tha këto fjalë që mua nuk e di pse më janë fiksuar saktësisht: Jo, se ky po më akuzon mua sikur unë kam revizionuar vijën e partisë”. E vërteta është se çdo informacion a ide që dilte në public, regjistrohej menjëherë dhe qarkullonte nga një ingranazh i diktaturës, te tjetri, për ta futur në skaner, dhe për të konkluduar diku, kjo edhe për emra pak të njohur , ose aspak të njohur.

Kjo ishte pesha e diktaturës mbi letërsinë. Kjo ishte klima kur bëhej letërsi, dhe herë-herë letërsi e mirë. Më vonë kërkova në shtypin e Lidhjes për ta sqaruar për veten time këtë episod. Por nuk e gjeta. Ishte fshirë nga materialet pasqyruese të asaj konference. Ka shumë mundësi, nuk u pasqyrua me qëllimin e mirë për shkrimtarin. Atëherë vetë diktatori kishte vdekur. Por kjo ishte klima në të cilën bëhej letërsia në atë kohë. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë se koha shkon, për gjithmonë dhe për të gjithë, të gjallë dhe vdekur, dhe se koha që vjen duhet ta shohë me dashamirësi të shkuarën, për të arritur te një kulturë e respektuar.

Por te kjo konferencë më duket ka qenë rasti kur një ditë, u ngjitëm në një anije dhe shkuam në një ambjent ku thanë se poetët do të recitojnë poezitë e tyre. Unë u afrova por pashë se salla ishte plot, dëgjoheshin duartrokitje, entuziazëm, dhe unë bëra një hap prapa. Sokol Zekaj, si je? dëgjova një zë. Pashë. Ishte një djalë mbështetur te dy duart e bëra bashkë prapa, në shtalkun e derës. Mirë, thashë, si je. Nuk po më njeh? më tha. Jo. Jam Agim Spahiu, më tha. Ishim takuar, por shumë vite ma parë. Kishim njohje të mirë.

Pak vite ma vonë, po merresha, në punën time, me problemet e ujit për ujitje në verë diku, kur më afrohet një njeri, që e kujtoj si njeri jo të panjohur, por as të afërt. Sokol, më thotë, a ke dëgjuar që në Kukës kanë varë një poet? Poet…? Varë…? thashë. Po, më tha. Ishte një gjë që nuk po ma kapte mendja. Po kush është? e pyeta. Nuk e di, më tha. Mos është Agim Spahiu? i thashë. Jo, më tha. Agim Spahiu nuk është. Më vonë pata dëgjuar për Havzi Nelën. Por kaq i fortë ka qenë lajmi që më pat dhënë ai njeri, sa më duket se pat hapur një vorbull brenda vetes dhe ma ka gëlltitë krejt kujtesën. Shumë herë ia kam kërkuar vetes se kush ka qenë ai njeri që ma ka thënë lajmin, por nuk e kam gjetur deri sot e kësaj dite. Mandej, vetëm pak vite ma vonë u hap lajmi tjetër i hidhur për vetë Agim Spahiun. Ç’trishtim!

Poezia ma ka përshkuar jetën si një fill. Sigurisht e di, si shumë të tjerëve. Në shekullin e njëzetë, duke filluar ndoshta me Apollinaire-in, (Alcoole,1912) duke mos u orientuar kah domosdoshmëria e shpjegimeve të zgjatura, por ndërsa afrohej dhe njësohej me shpirtin njerëzor, ajo vetë, poezia, u mor si temë për poezinë. Paul Valery tek “Charmes”, 1922, ka një poemë për poezinë. Këtë libër në variant italisht, ma ka dhuruar Prof. Jup Kastrati në mesin e viteve ‘90. Në atë kohë Profesori i shquar, kishte botuar në Amerikë një libër të madh për Faik Konicën. Librin e kam parë, dhe ishte shumë i dëshiruar nga unë, sidomos atëherë, kur figura e Konicës ishte ende e veshur me shumë mistere, por nuk e kam, ndërsa nuk e kam hasë as në libraritë tona. Është puna e jetës sime, më pat thënë. Gjithashtu më pat thënë se është botuar në pak kopje.

Njëherë e takova në rrugë në Shkodër. Po shkoj te vajza, më tha. Më mori në telefon. Kam bërë peshk për drekë. Po s’përtove, eja. Ishin fjalët e vajzës. E shoqërova duke biseduar deri afër shtëpisë. Më ftoi edhe mua. Është ime bijë, më tha, Nuk shkova. Por Profesorit i kam shkuar edhe në shtëpinë e tij. Edhe ai ka ardhur në shtëpinë time. Librin e Valery-së ma ka shoqëruar me dedikimin ”me dashuri vëllazërore. 28. X. 1996”. Vetë ai e kishte blerë librin kur ishte ende tetëmbëdhjetë vjeç, në Shkodër. Paul Valery është një nga ata poetë që personifikon poezinë si ideal, si vizion. Kam shumë nderim për kujtimin e Profesor Jup Kastratit, për shijen e hollë që përcillte te tjetri. Ashtu si edhe një tjetër studjues i njohur, Mikel Prendushi, autor i librit Kolë Idromeno (1860-1939), prej të cilit kam gjithashtu kujtime të çmuara.

Sidomos në gjysmën e dytë të shek të XX, tema e poezisë do hasej rëndom ndër poetë. Ndër ne, më duket se i pari që e merr këtë temë është Risto Siliqi (1882-1936) një emër jo shumë i lakuar në letrat tona. Në këtë kohë ka shkruar edhe Asdreni vargje shumë të bukura, të matura, të frymëzuara dhe herë-herë edhe moderne për nga gjuha poetike. Por unë dua të ndalem te kjo, poezia e Siliqit me titull Poezia, e shkruar po them afërsisht në një kohë me Valery-në. Dua ta vë këtë poezi këtu për lexuesit e këtyre shënimeve.

POEZIA

Poezia asht vegl’e ndjenjave zemrore,

Diftim i deprtimit qi kafshon tinzisht,

Me rima t’tërhjekta vallzon dhe mbi vorre

E u nep jetë atyne qi vdiqën njerzisht

Në thelli të natës, kur qetsohen udhët,

Shpirti t’ditës vdekun i përkrahet n’vajë.

Dhe shungllon me frazat, her’ vrapson her’ rrudhet

E n’muzikë të erës bahet shoqe e saj

Ah! Ç’e knaq poetin! Gjith’lumnitë i giten,

I shërohen dhimbtë e varrëve, por mbas

Qi e len të vetun, tjerat i përsriten,-

Se kujtimet e reja njallen ças më ças

Para disa ditësh e përmendi këtë temë edhe poeti Rudolf Marku te ExLibris. Edhe unë kam shkruar shumë poezi mbi këtë temë, ndoshta tepër, por i shoh, dhe them, le të qëndrojnë në vetvete, në dorë të kohës.

Nuk është se edhe sot, nuk shkruaj asgjë. Shkruaj herë-herë gjëra të vogla. Dhe është e sigurt, se edhe një libër me poezi të reja, do t’u shtohet poezive të mia, pasi është një gjë që ka marrë formën e vet. Tash thjesht nuk e di sa do zhvillohet më tej si masë. Por më duket se bërthama poetike, prapë më gjeneron gjëra të reja. Është një proces zhvillimi, ndërsa jeta është komplekse. Por nuk kam nxitim për ta botuar këtë libër, pasi kam një projekt tjetër të rëndësishëm në mendje, për ta plotësuar, siç thuhet nganjëherë, më parë se të ik. I rëndësishëm, them, për mua. Të shohim. Kam thënë me vete: ç’iu desh Ungaretit që ndërmori atë udhëtim fatal në atë moshë, për një çmim nga një universitet, në mes të dimrit, kur ai i kishte marrë të gjitha çmimet, ishte i vlerësuar gjithandej?!

Por sot, të gjitha poezitë e mia, të mbledhura bashkë, bëjnë diçka pak a shumë voluminoze. Duke qenë e tillë, duke qenë produkt i një pune të gjatë në kohë, i një jete, i ndjerë ngrohtë mes shumë poetësh të tjerë të talentuar, po të më pyeste dikush se çfarë është ajo që unë kam bërë, nuk do mundesha me thanë ma shumë se, “nuk e di, por prap’seprapë diçka ndiej: janë disa metafora, disa poezi, disa poema…” Thonë se poezia është mënyra më e shpejtë dhe më e përqëndruar e të parit të botës.

Gjithsesi koha bën punën e vet: një gjë që nuk e ndriçon, e errëson, por edhe një gjë që nuk e errëson, e ndriçon. Ata më të mirët koha i shenjtëron, dhe u bën vend në kujtesë të gjatë. Por në planin njerëzor, të vjen një kohë kur ti kujton disa miq a disa poetë a shkrimtarë, dhe thua se, jeta ia vlejti qoftë edhe veç për njohjen me ta. Unë ia kam besuar poezinë time emocionit estetik, këngës me kumbim të bukur të dikujt, që rrugëtimin e vet të gjatë të poetit, nëpër sfidat e jetës, e bën duke kaluar mes një bukurie dhe një honi, duke krijuar një botë të vetën, nga vetvetja, në takim dhe kryqëzim përvojash dhe përfytyrimesh.

Exit mobile version