Mbi vëllimin me tregime “Plotës që më lënë” të Esmeralda Shpatës
“Plotës që më lënë” – një titull intrigues.
Është titulli i një vëllimi me tregime me autore Esmeralda Shpatën, një prozatore të talentuar bashkëkohore. I kemi quajtur “tregime”, po në të vërtetë keto krijime – të një lloji të shkurtër që jo rrallë arrijnë shkurtësinë maksimale – i përkasin një zhanri të vështirë për t’u përkufizuar.
Skica? Proza poetike? Parabolë? Tregime të shkurtëra? Ato në thelb dallohen për një koncentrim të madh të fjalës dhe të mendimit, një ekonomi të habitshme fjalësh. Autorja zotëron mjeshtërinë e konçizitetit. Krijimet e saj janë tablo të vogla plot forcë shprehëse. Brenda një hapësire të shkurtër – herë – herë tej mase të shkurtër – ndeshim thellësi mendimesh, bulëzim ndjenjash, pasuri simbolesh, herë një ironi në caqet e sarkazmës që përshkon tej për tej shkrimin.
Realiteti që gjejmë në këto krijime është një realitet kaotik. A është realiteti i viteve të vështira të tranzicionit pasdiktatorial në Shqipëri, të një lirie që jo rrallë degjeneron në anarki, të një bote kundërvlerash ku vlerat humbasin?
Pa dyshim ky realitet është i pranishëm në shndërrimin që i bëri arti. Njëkohësisht tok me realitetin shqiptar këtu ndeshim një realitet më të gjerë, realitetin e një armiqësie midis njeriut dhe mjedisit, realitetin e një bote kundërvlerash, një bote absurde, një bote që humbet besimin te njeriu në shkallë planeti, një realitet europian dhe botëror.
Ç’vend ka në këtë realitet njeriu?
A mund të bëhet ende fjalë për progres?
Autorja i sheh gjërat në optikën e hermetizmit dhe pas-hermetizmit. Krijimet e saj janë të endura me fijet e një bote që e gjejmë edhe në folklor, të “botës se përmbysur”. Krijimet e Esmeralda Shpatës janë në dukje të vështira për t’u deshifruar ngaqë i drejtohen një lexuesi tepër elitar. Ato i karakterizon errësia, tipike për hermetizmin. Në këtë errësi dallojmë pika të ndritshme që mund të jenë pika referimi.
Si t’i interpretojë këto drita të vogla lexuesi?
Këtu lind pashmangësisht pyetja: cili lexues? Tregimet e Esmeraldës, pa dyshim nuk i drejtohen një publiku të gjerë. A i drejtohen ato lexuesit Model? Apo lexuesit – kritik?
Në këto tregime gjejmë temat ekzistenciale të dashurisë dhe të vdekjes. Gjejmë si një leitmotiv edhe temën e çmendurisë. Tok me të edhe pyetjen se si ta ruajmë arsyen në një botë të çmendur.
Po ka edhe pikëpyetje të tjera. Ç’vlerë ka jeta? Ç’kuptim ka vdekja? Sa vlen dashuria?
A është ende jetëkrijuese? A është ende burim lumturie a të paktën gëzimi?
Këto pyetje shtrohen, po nuk u jepet përgjigje. Nënkuptohet se autorja po kërkon edhe vetë një përgjigje. Nuk kënaqet me përgjigjet e gatshme të disa filozofive a feve a ideologjive. Po ku qëndron e vërteta? A ka një të vërtetë absolute pas të vërtetave të vogla relative?
Mos vallë përgjigjet që jep shkenca? Po edhe shkenca ka caqet e saj, enigmat që nuk i ka deshifruar.
Lexuesi përpiqet të gjejë këtë të vërtetë së bashku me autoren e cila ka një respekt të veçantë për të. Për këtë arsye ne – lexuesit dhe kritikët – hyjmë në një labirint të ngatërruar dhe duhet të gjejmë fillin e Arianës. A po mos është fjala për një pyll? Një pyll të errët ku gjethnaja fsheh drurët? A ndodhet aty pema legjendare e së mirës dhe së keqes?
Fruti i ndaluar ka një shije të hidhur.
Lexuesi i çan vetes rrugën në mes të një pylli simbolesh. Edhe kategoritë gramatikore si, bie fjala, plotësat janë ngritur në lartësinë e simbolit.
Një simbol i veçantë është lopa e kuqe. Një simbol i shenjtë në një botë të çshënjtëruar: (“Strukturë e kuqe”).
Idhujt kanë zënë vendin e idealeve.
Kafshët kanë zënë vendin e njeriut.
Le të kujtojmë krijimin “Garë pa kokë”. Bukuria e këmbëve ka zënë vendin e bukurisë shpirtërore, e bukurisë së trurit. Trupi i njeriut hyjnizohet vetëm nëse është shndërruar në send, në objekt epshi.
S’është fjala as për një rikthim te kulti pagan i Erosit dhe i bukurisë fizike ku kishte ende diçka të shëndetshme. Tani njeriu është shkëputur egërsisht nga natyra dhe nga lidhjet me të, nuk e sheh më si nënë. Bukuria artificiale ka zënë vendin e bukurisë natyrore.
Dashuria si ndjenjë e fuqishme dhe e bukur, kulti i ndjenjës dhe kulti i gruas janë zëvendësuar me hipokrizi, me një kult të shkëlqimit të jashtëm që mbulon neverinë e brendshme (“Martesa e lumtur”).
Ironia që përshkon shumicën e shkrimeve të Esmeraldës s’është një ironi që shkatërron tabu dhe mite për të krijuar vlera të reja, është një ironi tepër çmitizuese që gjeneron pesimizëm, jo ironia romantike, po ironia e pamëshirshme e pashermetizmit.
Krahas ironisë, në këto krijime rrjedh një rrymë e brendshme patosi dramatik të fshehur.
Në disa krijime ndihet etje për një dashuri të pamundur a ndofta të përkohshme, të lidhur me shijimin hedonistik të çastit (gjersa miti i dashurisë së përjetshme është shembur prej kohe).
Krijime të tilla janë “Të kam, të gjeta”, “Me titullin, martohemi”, “Falje”, “Shkartisje”, “Pothuajse ty”, “Ngulmueshëm”, “Po ti eja prapë”, “Pëshpërima të sikletshme”, “A më do?!”, “Në majë të gishtave”.
Jo rrallë Erosi dhe Tanatosi janë pranë (“Në qetësi me Jurën”).
Këto dy forca nuk shihen si antitetik, po si bashkëplotësuese.
Vdekja e fuqizon dashurinë dhe fati i gruas personazh mbyllet në një kornizë absurditeti dhe tragjizmi. Një lumturi e shkurtër pasohet nga një vuajtje e thelle e gjatë, po shmanget agonia e ngadalshme e dashurisë dhe lumturisë.
Te “E mbrujtur me fat” protagonistja dhe vdekja janë të bashkuara në një dialog sureal dhe paradoksal (“I thashë se nuk doja të vdisja …Vdekja ime qante për mua”).
Frika shfaqet në krijimet e Esmeraldës si kujtesë historike (e lidhur me detaje konkrete të realitetit të diktaturës) dhe si ankth ekzistencial (“Frikë”).
Mbi këtë realitet kaotik nganjëherë ngrihet një Perëndi që luan rolin e rregulluesit (“Zoti është i majtë”, “Në stacione”, “Braktisje jo e fshehtë”).
Perëndia (simbol a hipotezë filozofike?) përpiqet të ndreqë gabimet e njerëzve.
Te “Braktisje jo e fshehtë” përpiqet të ndreqë paditurinë e tyre duke i detyruar me urdhër të lexojnë. Po ilaçi del më i keq se sëmundja. Një ironi e dhimbshme me një botë që humb çdo ditë e më tepër dëshirën për dije.
Ka krijime si “Ema pa emër”, “Plotës që më lanë” ku ndihet si një kube e errët rënduese mungesa e së ardhmes. Dëshira për të lindur fëmijë shndërrohet në pamundësi, e tashmja dhe e shkuara ngatërrohen për të penguar të ardhmen.
Ema është vajza që mund të lindte, po ka shumë arsye për të mos lindur.
Djali që i kërkon nënës së ardhme ta lindë ngatërrohet me gjyshin.
Individi në krijimet e Esmeraldës është më tepër se i dyzuar, i copëzuar. “Infiniti” virtual i copëzave të personalitetit të individëve të skicuar synon drejt zeros, domethënë shkrirjes, asgjësimit të këtij personaliteti. Ata janë kryesisht njerëzit – valë të modernizmit, njerëzit që kanë humbur “un-in” e tyre. Shkatërrimi i personalitetit të tyre ka shkaqe historike dhe ekzistenciale, është i lidhur ngushtësisht me humbjen e një “qendre” rrezatuese që zëvendësohet me “rreze” të panumërta të shpërndara nga të gjitha anët.
Krijimet e Esmeraldës shtjellohen në përmasat e absurditetit dhe të një realiteti onirik.
Në to ndihen ndikimet e Sartrit dhe të Kamysë dhe, ndofta më tepër ndikimet e autorëve italianë Kalvino dhe Landolfi.
(Le të kujtojmë disa krijime të këtij të fundit, tepër karakteristike “Babai i Kafkës”[1] dhe “Deti i Buburrecave”. Në shkrimin e parë shfaqet një merimangë e përbindëshme me kokë njeri që identifikohet me të atin e Kafkës dhe i jep rast një dialogu surealist midis Kafkës – personazh dhe autorit. Protagonisti vuan ndjenjën e fajit, po më në fund arrin ta vrasë merimangën simbolike).
Natyrisht s’është fjala për imitime nga ana e autores, as për një eklektizëm ndikimesh, po për impulse krijuese për të lindur shkrime të reja në frymë hermetizmi a pas-hermetizmi, meqenëse hermetizmi dhe pas-hermetizmi patën jetën e tyre të veçantë në letërsinë shqiptare që i largon nga letërsitë tepër të rafinuara franceze dhe italiane. Tek ne këto rryma lindën vonë dhe iu desh të djegin furishëm etapat. Ato janë lidhur me individualitete të caktuara krijuese që i përkasin shekullit të njëzetenjëtë.
Gjatë përpjekjeve tona për të shpjeguar domethënien e simboleve në krijimet e shkurtëra të Esmeraldës, parabola a skica qofshin ato, të vjen ndërmend vërejtja mjaft e mprehtë e studiuesit W.H.Auden në shkrimin e tij “Franc Kafka. Unë për veten” (Ex libris, Tiranë, 12.12.2020: “Kuptimi i një parabole është i ndryshëm për çdo lexues, prandaj një kritik s’mund të bëjë asgjë për ta shpjeguar” për të tjerët”.
Mund të diskutohet nëse kjo vrejtje mund të shpjgojraninë e dy a më tepër të vërtetave relative që zëvendësojnë të vërtetën absolute në krijimet e shkurtra të Esmeraldës apo karakterin polivalent të simboleve të saj apo të dyja këto dukuri që janë të pranishme dhe ndërthuren.
Kritiku mund t’i sugjerojë lexuesit njerin nga shumësia e kuptimeve të mundshme, atë që ka hapur mendësia dhe ndjeshmëria e tij dhe që, kuptohet, ka një dozë të ndieshme subjektiviteti që s’përjashton bërthamën objektive. Lexuesi i bashkëpunues aktiv me autoren apo me kritikun/kritiken mund ta pranojë këtë sugjerim ose jo, sidoqoftë mund ta shohë si mundësi.
Sugjerimi i lartpërmendur mund të ndihmojë në gjenerimin e interpretimeve të reja.
Gama e ngjyrave në prozën e Esmeraldës është e kursyer. Në radhë të parë mbizotërojnë dy ngjyrat antitetike, dy ngjyrat jo-ngjyra, e bardha dhe e zeza me kuptimet e veta simbolike që i venë vulën disa krijimeve, mandej pasojnë e kuqja dhe jeshilja.
Proza e shkurtër e kësaj autoreje me talent ka arritur të mishërojë aspiratën e surealistëve për shkrirje midis ëndërrës dhe realitetit dhe synon t’u përgjigjet atyre dy thirrjeve që Milan Kundera i kërkonte me mençuri për rilindjen e romanit në kohën tonë, thirrjen e lojës dhe thirrjen e ëndërrës. Po bëhet fjalë për t’i realizuar në caqet e prozës së shkurtër, pra, në një hapësirë të kufizuar që autorja synon të ngushtojë sa më shumë, pra, për një mjeshtri të veçantë të saj në artin e fjalës.
Duhet pasur parasysh se hermetizmi apo pas-hermetizmi i Esmeraldës nuk e përcakton në vetvete literalitetin e krijimeve të saj, nuk i japin vlerë më të lartë estetike nga ç’do t’i jepte, bie fjala, realizmi, ai lloj realizmi ende i pranishëm në letërsinë shqipe.
Krijimet e Esmeraldës zotërojnë në fakt literalitet, meqenëse ajo s’e ka përqafuar hermetizmin (apo pas-hermetizmin) për modë, po ka gjetur në këto rryma realizimin e individualitetit të vet krijues, mënyrën e vet të të shndërrimit e realitetit në art.
Folëm më lart për konçizitetin e habitshëm të Esmeraldës, konçizitet që bashkohet me larminë e mesazheve të saj dhe fantazinë e saj të begatshme.
Duhet të shtojmë se autorja dallohet edhe për një pasuri leksiku, për gërmimin në minierën e pasur të shqipes në dialektet dhe nëndialektet e saj.
Errësia në prozën e shkurtër të kësaj autoreje zakonisht është shprehje thellësie, po ka edhe raste që llava inkandeshente e fantazisë, vrulli i frymëzimit e çojnë shkrimtaren në një teprim të kësaj errësie që mund të dobësojë efektin emocional.
Vëllimi Esmeraldës mbetet origjinal në kuptimin e plotë të fjalës.
[1] Këtë skicë mund ta gjejmë te: Tommaso Landolfi, Faqet më të bukura, “Elite”, Tiranë, 2000. E dyta s’është përkthyer.