Kreu Letërsi Bibliotekë Silvana Semini: Ëndrrat

Silvana Semini: Ëndrrat

LIBRI

Libri, mik i heshtur,
më mban dorën kur bota më harron.
Fjalët janë thërrime ëndrrash që rrëfehen ngadalë,
dhe çdo faqe është një përqafim që nuk harrohet lehtë.


Mos m’i mbuloni…

Kur të plakem —
mos m’i mbuloni shenjat që më shpëtuan jetën.
Janë dëshmi të heshtura që flasin të vërtetën.
Çdo vijë në lëkurë është kapitull i shkruar,
jo për t’u fshehur, por për t’u nderuar.
Thinjat?
Kur të më mbulojnë flokët, mos m’i lyeni me bojë.
As me ar, as me shkëlqim që fsheh kohën.
Lërini të ndriçojnë si yje në mëngjesin tim —
janë dritë hënore mbi vitet që s’ishin lojë.
Ato flasin.
Se kam jetuar.
Se kam dashur, kam humbur,
kam qëndruar, edhe kur jam rrëzuar.
Kam ecur përpara, edhe kur kam çaluar.
Kam rënë… por kurrë s’jam dorëzuar.
Rrudhat?
Ju lutem, as ato mos m’i fshini.
Janë manteli i netëve pa gjumë,
kalendari i viteve të shënjuara nga shpresa.
Janë pritje që mbijetuan dimra me stuhi —
dhe vera të gjata, pa shi.
Mos m’i mbuloni vitet me ngjyra të huaja.
Sepse çdo rrudhë, çdo thinjë —
është një kujtim, një zë, një pjesë e imja.
Ato më bëjnë këtë që jam:
Nga koha e skalitur,
një grua plot dashuri,
plot mirënjohje,
dhe dritë.


ËNDRRAT

Ëndrrat — një portë,
çelet kur mendja hesht.
Liria fle brenda.

Aforizma (Autentike të mija)

Gruaja nuk është vetëm ajo që sheh bota; ajo është fuqia që nuk duket, përkushtimi që nuk thyhet, dhe zemra që nuk dorëzohet kurrë.

Koha nuk na merr gjithçka — ajo na tregon vlerën e gjithçkaje.

Rruga të shfaqet kur beson, jo kur je i sigurt. Çdo hap drejt së panjohurës është një fitore mbi frikën dhe një hap më afër asaj që je i destinuar të jesh.

Trego mirënjohje për gjërat e vogla që njerëzit bëjnë për ty, sepse për ta ato mund të jenë gjëja më e madhe që mund të të ofrojnë.

Forca e një gruaje nuk qëndron në atë që bën, por në atë që është — një fuqi e pafundme që ndriçon dhe transformon botën.

Gëzimi nuk është ndjenja më e zhurmshme — është marrëveshja e qetë midis shpirtit dhe momentit.

Ora vrapon, por koha ndalet për atë që pret në heshtje,për atë që pret në heshtje, diçka që nuk di nëse do të vijë. kete zgjodha.

Exit mobile version