Kreu Letërsi Botime të reja “Si frymëmarrje” nga Ferzan Ozpetek (Botimet “Polis”, në një përkthim nga italishtja...

“Si frymëmarrje” nga Ferzan Ozpetek (Botimet “Polis”, në një përkthim nga italishtja prej Geverina Muzhaqit)

Është mëngjesi i një të diele në fund të qershorit dhe Serxhoja me Xhovanën, si zakonisht, kanë ftuar për drekë në shtëpinë e tyre dy çifte miqsh shumë të dashur. Po përfundojnë me përgatitjet dhe po presin të vijnë të ftuarit, kur një e panjohur shfaqet në derën e tyre. Shumë vite më parë ajo ka jetuar në të njëjtën shtëpi dhe u thotë se do të dëshironte ta shikonte për herë të fundit. Ka vështrim të përhumbur, si të kërkonte diçka. Ose dikë. Quhet Elsa Korti, vjen nga një vend i largët dhe në çantë ka një tufë letrash të vjetra që askush nuk i ka lexuar. Nga rrëfimet e një jete plot aventura dhe nostalgji, del se ato letra përmbajnë një sekret të tmerrshëm.

Në këtë roman gërshetohen të vërteta të vjetra e të reja. Ai e çon lexuesin nga ditët e sotme në vitet “70 të shekullit të kaluar, nga Roma në Stamboll, me një rrjedhë ngjarjesh emocionuese e plot të papritura.

Një dramë e pazakontë dashurie e dy motrave që dashuronin të njëjtin burrë.

Po cila është Elsa Korti? Pse u largua nga Italia për disa dekada me radhë, pothuajse duke u arratisur e për të ndenjur përgjithmonë larg motrës së saj, Adelës, me të cilën ishte aq e lidhur?

Faqe pas faqeje, pasionet e groposur nisin të marrin jetë. E shkuara përzihet me të tashmen për të rrëfyer fuqinë e vetë jetës, e cila të shtyn të bësh zgjedhje që nuk mund t’i ndreqësh dot më pas.

“A e di? Në fund të fundit, edhe dashuria është njëfarë vrasjeje e përkryer: herë të vret, herë të bën më të fortë, por në çdo rast përfaqëson alibinë ideale për çdo marrëzi tënden.”

“Ka dashuri për të cilat nuk mjafton një jetë e tërë dhe të tjera që bëhen shkrumb e hi brenda natës. Nuk po them se të parat janë më të mira se të dytat; është thjesht çështje skadence. Nëse nuk ke ndërmend të vuash, duhet të dish ta ndash kohën.”

Autori i romanit, Ferzan Ozpetek, regjisor dhe skenarist, ka lindur në Stamboll, por jeton në Romë që prej vitit 1976. E ka nisur karrierën kinematografike në vitin 1997 dhe ka një krijimtari të begatë në këtë fushë të artit, madje është edhe fitues i disa çmimeve. Në vitin 2013 botoi romanin bestseller “Stambolli i kuq”, ndërsa në vitin 2015 romanin “Je jeta ime”.

Exit mobile version