I përktheu Resul Shabani
SOKAKU I VJETËR
Një sokak të moçëm tani e mbron shteti
Bashkë me kalldrëmin dhe strehën e vjetër
Me vite lulëzuar behari edhe dimri
Në një xhan të vetëm dhe asgjë tjetër.
Duke i dëgjuar gramafonat gazmorë
Herë-herë me veshin tek radioja në dorë
Netëve me aromën e shelgut pikëllues
Unë jesir i udhëve pafund
Prit me sot e prit me nesër, shpresues
Troku i pritjes largohej, largohej dikund.
Për ashikun që s’u kthye me fare,
Vajza e brishtë kujtohet në penxhere
Me degën e bademit u venit dhe qiparisi
Tutje tri shtëpi, asaj vjeshte, dasmë krisi.
Gëzime të moçme dhe ju vereme tani,
Bashkë me vetminë për t’ju pritur,
Sokak i mbrojtur kam përfunduar i shkreti
Prej strehe të ngratit, olluku më pikon
Me erkerë kohën e mat kot
Por, ç’e do, koha mua s’ma var dot.
Dy luftërat botërore qenë dy jakat e mia
Përmes me bastun kalojnë fitimtarët
Pastaj si letrat me mall, triskat, buka
Ëndrrat e mia u tretën si vesa
Duke pritur sheqerka për fëmijët sot
Shuplakë mbi shuplakë jetën e çoi kot.
Ditën kur për herë të parë e shijova
Erën e benzinës, as sot s’e harrova
Sikleti shpejtoi, një qerre tatare prin
Prore të nderuarat Aslë, Lejla, Shirin
Një nga një u braktisën me atllarët e lodhur
Në konakët e bejlerëve bandillë si ata
Doli si e çmendur, e tërbuar era
Për çezmën time të shterur
Tek unë fle një kujtim i gjakosur.
Sokakun e vjetër e mbron shteti
Në dynjanë e meitëve është tani
Ashkun e të gjallëve e mbulon
Në flatrat e zogut që fluturon
Kishte habere të mira që s’ishin për mua
Ejani, mbase janë për ju ata
Kaloni mbi kalldrëmin tim pa bërë hata.
SHPIRTI QË UDHËTON
Në stacioni e trenit, në Erzurum
Një tren u ngarkua me vjeshtë, rum
Udhëtarët si gjethe të rëna
Prej erës ulën kokën
Unë i përlotur mbeta, s’më pa hëna.
Çobanët, si shairët e parë të botës
Maje malesh ia morën këngës
Të ftuarit për lutje nga minarja jonë
Taborët i përcillnin përgjithmonë
Në një kasaba tani fle një tjetër qytet
Ashiken s’do ta shoh për jet’
Në sabah dielli lindi pa mua
Udhëtimet më rehatojnë, prandaj i dua
Mbulesa me rrecka e vjeshtës
Në drekë një njeri ezmer fare
Me kutërbim, lutej, prekës
E zeza, zambaku, ashikja ime.
Ishte ky një zë i ëmbël, fluturonte
Që kalimtarët haber u çonte
Se njeriu me flokë të bardhë, borë
Në sokak kishte mbetur, i gjorë.
Në stacionit e Borit djali me mollë pret
Me sy të përlotur, myshterinj askund
Njëra pas tjetrës shtyhen dertet
Kënga e asqerit me leje në fund
Fluturon nëpër shkretëtira, tretet.
I sheh shinat nga të katër anët
Nga kalaja “Ugurlu Kajalar”, zemrat
E vajzave ndizen nga gurët
Një vjeshtë e hershme që kalbi shpresat.
Zemrën në Izmir e solla, me dorë
Në kaltërsitë e Detit Egje
Pëllumbat lule mbillnin, borë
Në qenar kënga zbukurohej
Hamejtë s’më kuptuan, as fisi
Se vetminë e bartja
Si paren për bukë misri.
NATË ME BORË
Flokët e zezë të natës i ledhatojnë duart e bardha
Në pafundësinë e qetësisë gjumi blozak u zgjua
Trëndafila të bardhë nisën e po çelin pa ia nda.
I ngjan vashës me ëndrrën e pa ëndërruar
Fustan nusërie i qëndisin retë e fatit
As nga hëna, as nga yjet
Bota s’është e kënaqur, medet.
Pat harruar se si erdhi në darkën jetike
Nga Marsi po vështrove, është një kujtim i bardhë
Që ta përkujton shaminë e një ish dashurie
Gjynahet e miliona njerëzve ajo fsheh tani
Tek mbulimet fshihen fluturat e heshtjes
Fluturuan pa e vërejtur Diellin mirëfilli.
Bebëzat e syrit i ka prej flakës së Diellit
I shkrijnë flatrat e ëndrrës qiellit
Ngjyrat e dynjasë, dynjanë gënjejnë.
Etje e vakët është merak’ i vjetër,
Qasu bukuroshes së borës, zemër,
Nga sevdaja e pafat
Fali një përshëndetje të zjarrtë
PA VRESHTA, PA TRËNDAFILË
Prapa malit rrjedh një lum
Gurgullimë s’ka, por e dëgjoj un’
Një mur i vjetër, kohësh shembur
Fushat përgojon e s’pushon,
Kujtimi është një jetim i përlotur.
Kaltri e natës a kaltri mëngjesi
Në një ngjyrë pështillet trishtimi
Nga malet e fjetura
Tek unë digjet qymyri
Çobanët zbresin nga boka
Se kanë harruar fyejt
Se ku gjendet kush s’e di,
A thua lajmi paska mbërri’ shpejt?
Bulevardeve të gjerë
Një zog fluturon vetëm
Mendje e kam njërën flatër
Tru pjesën tjetër
As vreshta keni, as trëndafila keni,
Ju, skulptorë qyteti,
Ejani dhe zemrën time merrni
Se plagën time shpellë
Tanimë s’e ndjej dot, thellë.
TI, O XHAN
Zogjtë seç u shqetësuan
Në tokën e jetës që vuan.
Eja, shpirt, t’i pyesim retë
Anijet e të dashuruarve
Në ç’ujëra lundrojnë qetë
Malet e thata që zbardhëllojnë
Pas cilit shi gjelbërojnë?
Në je esëll, i marrë je,
Po qe i dehur, gungë je
Në kasabanë e sevdasë, kudo gërmadha
Eja, o xhani im, tek unë, eja
T’i pyesim miqtë kalorës, pra
Nga cila derë dolën ata?
Vajit të njeriut, a e di vëlla
Se dhe shkretëtira udhë i bëka
Ftesat që lumenjtë robëruan
Të braktisura mbaruan
Zëri i largët u bë i harruar
T’i pyesim trëndafilat,
Kjo sevdaja e bilbilit
Përse na qenka një dynja?
Vjedhjet tinëzare mbetën prapa
Gjemitë e gjolit i mori era
Në kopshtin e jetës vazhdon vjedhja
Qe kështu, të largëtit u bën të afërm
Të afërmit të largët, e di
Prit, se do të ftoj përsëri
O, xhani im, sevdalli.
KUSH KA MENDUAR PËR
SEVDANË PA KËNGË
Turbullira e ujit lulen e mbuloi
Mendimi mbi sevdanë, vesë trëndafili
Ujërave që rrjedhin nga malet u fola
Ky është meraku, që zbret në kasaba.
E ti, me atë limonti që i spërkate
Horizontet me habere të mira
Një ditë në penxhere nuk u mendove?
Mori udhë ditën me furtunë e borë;
Amanet’ i tij, a të ra në dorë?
Malet janë të mirë, edhe pse endet vaji
Është një shkrim i dobishëm, ky i zi kurbeti
Bukuroshe pa numër, u nisën për rrugë
Kush ka menduar për sevdanë pa këngë?
Vallë, nëse një ditë të arriti deri te veshi
Biseda e ëmbël e çiftelisë me yjet
Vallë, në furtunë udhëtarë nuk pati
Vallë, në e deshi acarin e malit, pyet?
Në ballkon vetëm, sabahun e pret,
Dhe kur gjahtarët për ty kërkojnë gëzof,
Nëse s’ke dashuruar vasha të bukura
Këngët le të mbesin të pambaruara.
ERZURUM
Jeta është një samovar
Edhe në horizontin e syrit
Një qerre qeshë që udhë ka marrë
Fushës së Palandokenit
Koha është një këngë, gjithmon’
Përtej një ëndërr bore kalon e s’ndalon
Kalorësit Saltuk që bujti
Buzë ujit të zi
Në sytë ëndërrimtarë i qenë përzier
Qepallat me kupolën
Me barrën e kohës në pazar
Zbresin karvanët
Me shtatë behare halli,
Janë prej bore, ose prej malli?
Perënditë erdhën e shkuan me grindje
Sulltanët e gjithësisë
U ndalën dhe u larguan prej fushe
Tri stinët e motit, shpesh
Diellin e shtrinë në shesh
Kurse stinës së katërt, bukurie,
Emrahu nisi një aventurë dashurie
Në ç’borë fshihen fytyrat e bardha,
Toka e syzinjve,
Pasi të të rrëmbejë pa pra
Të lëshon mes përrenjve…
Majat mbulohen
Me dashuri të fshehta,
Ndërsa flokët të zbardhen
Do t’u hedhësh një sy
Rrëfimeve për malin Kaf,
Zoti është në krye
Pastaj përmenden edhe
Karvanët e Kafkazëve dhe hajdutët
Në rrëfimin për qytetin prej akulli,
Me kërkesën e popullit, ushtrisë
Daullet pushuan më
Nëpër frontet dhe kufijtë e pasluftës
Gjithë dynjaja Erzurum u bë…
BAJBURT
(Me rastin e shpalljes rreth)
“Kampin e shembi dhe u largua Lejlaja
Të dashuruarve u mbetën të zbrazëta sarajet”
Zihni
Kopët dhe Ziganët në ëndrrën time
Ishin vetëm sokakë, pra.
Viteve kur çdo ditë shpërngulej nga një Lejla
Kur bëheshin purpur mijëra sevda…
Kurilat endeshin tek fiset Çoruh, si vdekja.
Gjatë përcjelljes së kasabasë
Që zërin e tij kërkonte skaj dynjasë,
Netët zgjateshin deri tek maja
E kullave të kalasë
Sa të bukura fejesat në Bajborek,
Ku zot kësmeti është trimëria
Të ardhurve lutja
U pikonte nga çezma,
Ftesat e gjyshit Korkut qenë të qarta…
Shpërnguljet më këmbëngulëse se arsyeja
Ç’haber na vjen nga vendlindja
E zemrës sime, e moçme dhembja.
Lejlaja le ta ngrejë një shatore
Dhe le të pushojë.
Këngët e takimeve dashurore
Në saraje le t’i këndojë
Në njërën anë krahinë e argjendtë
Në tjetrën fusha pa kufi,
Secilës lule të re që çel në dynja,
Sytë që do ta shohin së pari
Do t’i thonë: Bajburt, tjetër s’ka.
KËNGA PËR VASHËN PURPUR
Nga larg më shihte, por nuk më njihte
Këngë për jetën këndonte
Ajo kohë si ëndërr më fluturonte
Më duket behar me jeshil, apo all ishte
Se ngjyrave emrat s’ua dija
Vetëm qiellin mavi shikoja.
Lulet vadiste vajza purpur
Me diellin që kishte lindur,
Ditëve u falte këngë me prush
S’mbaj mend gjë të dija ahere,
Fëmijë isha, një gresë rrush,
Dhe vajzën ashike, s’e kuptoja fare
Për herë të parë, vetminë
E pash me sytë e mi
Një ditë duke kërkuar bukurinë –
Vajzën e skuqur perri.
Më thanë se larg kishte tretur
Në atë bahçe luleplotë,
Shumë trëndafila ishin venitur.
Thoshin: për shumë vjet që vanë
Qe harruar në ato anë
Vajza e skuqur trëndafil
Kur u ndez në zemra, fitil
Në sy kur shkrepi dashuria,
Posi bora u shkri vetmia.
Edhe në gëzim edhe në rehati
Sa herë të them dashuri
Ajo bahçe përpara më del përsëri
Me vajzën e skuqur all
Lulet që vadiste, bukuri
Me këngën e saj plot mall.
Tani jam mësuar me buzët e qeta
Më bëhet se dëgjoj këngë të shkreta
Ose zemrën e kam orkestër të shurdhuar
Që këngën e këndon
Të vajzës purpur, nur zbukuruar.
SHAIRËT PROVINCIALË
Te kujtimet udhëtojmë menduar
Ndër mend na vjen uji i bekuar i qiellit
Që lumit të fëmijërisë sonë, rrjedh pa pushuar.
Stambollin nuk e gjezdisëm, hala.
Besojmë se në fole është ndryshe sevdaja
Nën hijen e konakëve të vjetër
Mos qanë ende, vajza e romaneve, virgjër?
Me të mbyllur sytë ia nis me dallg’
Serenata e prajshme e Stambollit,
Si barkat në Haliç lëkundet ai varg
E mbi të krahët zgjat gjirit
Krenaria e kujtimeve, dergjet.
Selimi i Tretë në Pallatin e Topkapisë
E kërkon në mandolinë
Afshin e gjuhës, mrekullisë.
Shënoi diçka në një fletë të bardhë
Dhe udhën e shenjtorëve ka marrë.
Hafiz Burhani, në hënën e plotë,
Midis varrezave qëndroi
Në Bejrut Hamidin e luti
Se stoli bafti paska
Ne njerëzit pa fytyrë jemi,
Të tillë jemi, fjalë s’ka
Në kuvendin e zonjës Nigjare
Shairë e shkencëtarë bënin gara
Udha deri në Anadolli është e largët fare
E acari maje malesh, zë prita, si dara.
Stamboll, për ty kemi dëgjuar prore,
Por ja që s’erdhëm dot.
Thonë se tani je vejushë gazmore
Në sqetullat e kujtimit si gjithmonë
Shairët provincialë le të ëndërrojnë.
Mjafton uzdaja, që aq larg rri
Në Emirxhan i shtrenjtë paska qenë çaji.
SEVDA
Mora me nyje ta zgjidh shqetësimin e ri
Me shpresë u zgjova sokakëve me shi
Kasabasë së dashur që për gjezdisje shpirtin lë
E sevdanë maleve përcjell, si në dimër dhe në verë
Luginave shtëpi ndërtova, numrin s’ua di
Një botë të re ngrita pranë atij lumi
E dua jeshilin që fëmijërinë fton
Dhe rininë bleroshe ma kujton
Urat duke numëruar, jetën duke shkurtuar
Pllajës së vjeshtës lindi një dashuri
Sevdatë e pastra ngjajnë me qiellin
Dhe flokët që përkëdhelnin fëmijët e mi
Si dhe shirat që me nyje zgjidhën shqetësimin