Kreu Letërsi Bibliotekë “Shënime minimale” nga Meri Dishnica

“Shënime minimale” nga Meri Dishnica

1

Jo një vend për idealistë

Ndodhi që, ndonëse e kapluar nga paqja e një mëngjesi të diele, e përpara kekut të mamit, mendimi i një shkrimi të pambaruar si një insekt ma pickoi trurin aq shumë, saqë fundshpina ime, së bashku me gjymtyrët e poshtme, u hodhën përpjetë.

Marr pjatën e kekut në dorë dhe fluturoj drejt tryezës së punës. Hap kompjuterin ndërsa ngul pirunin në kekun me mjaltë, aroma e të cilit të çante hundën më shumë se zakonisht. Ekrani i kompjuterit përndizet duke hapur një dokument në Word të cilin kisha nisur ta shkruaj para disa ditësh dhe që, me sa duket, nuk paskam mundur ta mbaroj – ndoshta sepse titulli qe “Jo një vend për idealistë”.

Ngul sytë mendueshëm në ekran ndërsa përtyp me ëndje një llokmë të madhe keku, që sot ishte tepër, po tepër, e mjaltosur. Sido që të jetë, unë do ta haja me shumë dëshirë, sot e përgjithmonë, sepse është keku i mamit.

E vetëdijshme se ai nuk është keku më i mirë në botë dhe se verdikti im është turbulluar prej relativizmit subjektiv, nisa të shkruaj e velur në mjaltë se sa shpesh, të ndodhur në pragun e brishtë të relativizmit subjektiv, kemi belbëzuar në një gjuhë të paqartë mendime për njerëz idealë, për historira dhe vende të përkryera.

Sa e sa herë kemi gënjyer për kujtimet tona, edhe pse dhembjen ua ndiejmë akoma.

Vazhdoja të haja kekun e mjaltosur të mamit, duke besuar fort se, ndërsa realiteti ka mënyrat e veta për të na shkundur, ne duhet të kapemi fort te relativizmi subjektiv, si i vetmi mekanizëm shpëtimi në një botë joideale.

Edhe të gjithë ata, të tjerët, që besojnë në botën ideale, thellë-thellë e dinë që çka është ideale në letër, shpesh nuk është më e mira në praktikë; nga ana tjetër, ajo që thjesht funksionon në praktikë, nuk do të thotë se është ideale, madje as e justifikueshme.

Madje mund të thuhet se janë sistemet e idealistëve ato që kanë shkaktuar shumë nga problemet më të mëdha të njerëzimit, jo sepse këto të fundit janë më pak virtuoze, por sepse perspektiva bardhezi e absolutizmit nuk di të luajë mirë me zonat gri të natyrës njerëzore.

Edhe më virtuozët ndër virtuozë,

kanë një histori gri gjatë karrierës së tyre.

2

 

A është inteligjenca një mallkim?

Ndoshta ky titull ngjan i çuditshëm, po aq sa e çuditshme dhe e pakuptimtë u duket kjo botë njerëzve të zgjuar – e thënë ndryshe, “Të kesh dy pare mend” je i damkosur të mos jesh kurrë i lumtur.

Sa herë mes nesh kemi thënë se ai që nuk e vë trurin në punë fle i qetë si qengj, ndërsa ai “inteligjenti” përpëlitet netëve, i pagjumë, sepse shpata e tij e analizës vendos në dyshim gjithçka – për këtë arsye shumë shpesh humb në skuta konkluzionesh shpirtshteruese.

Sa më i zgjuar të jesh, aq më shumë “antena” do të ngresh dhe sa më shumë antena të mbash ngritur,

aq më shumë sinjale do të kapësh.

Më shumë sinjale do të thotë më shumë të panjohura,

më shumë panjohura do të thotë shumë nxitje që t’i zgjidhësh e meqë zgjidhja nuk është gjithmonë në dorën tonë, ajo që na mbetet është thjesht vuajtja!

Njerëzit mendimtarë vuajnë më shumë sesa të tjerët, sepse ata nuk dinë të mos mendojnë – shumë shpesh ata mbyten në pellgjet e pambyllura të së shkuarës, janë tepër të ashpër me veten apo më keq, e kanë të vështirë të falin. Standardet e tyre të larta ua bëjnë tepër të vështirë marrjen e kënaqësive në rrugëtimin e tyre melodramatik drejt ideales.

Mendimtarët e kanë të vështirë të marrin vendime, sepse shpresojnë si idiotë te perfeksioni që nuk ekziston.

Duke qenë se kanë pak linja kuptueshmërie me të tjerët, ata ndiejnë mungesën e një komunikimi të thellë dhe për këtë arsye gjenden mjaftueshmërisht të keqkuptuar sa për të mbetur vetëm. Pothuajse si personazhi alegorik i “Mitit të shpellës së Platonit” i marrë, i pavend dhe i përbuzur.

Por a ka shpresë për mendimtarët?!

Duke qenë se bota është krijuar me mekanizma të nivelit mesatar, çelësi gjendet te hedonizmi magjik i përshtatjes. Njerëzit mendimtarë duhet të ushtrohen (më shumë) që të njohin çastet kur u lejohet të luajnë “rolin e budallait”.

P. S: Edhe bukuria është një mallkim, thotë Theodor W. Adorno.


3

Përfitimet e të qenit fleksibël

Disa njerëz janë fleksibël, sepse ndryshojnë planet e darkës sa hap e mbyll sytë. Të tjerë shprehin fleksibilitet ndërsa bëjnë sparkatën dhe akrobaci të tjera. Disa janë fleksibël kur arrijnë të ndryshojnë bisedën në kohën e duhur. Disa ndërrojnë bisedë, pa ndryshuar mendim. Të tjerë nuk ndërrojnë as mendim dhe as bisedë. Dreq! Këta të fundit janë tmerrësisht të mërzitshëm.

Mund ta dallojmë një njeri jofleksibël që përtej, vetëm prej fytyrës së tij të ngrysur dhe gjithë tension. Ngaqë është i përqendruar më shumë në mbrojtje sesa në lojë, ai humb shumë prej magjive që sjell momenti.

Një njeri jofleksibël vetëkonsumohet sa herë që përballet me stimujt e rinj, sepse truri i tij i ngurtë i percepton këta stimuj si pengesa dhe jo si shtysë. Të paaftë për të pikasur dhe për të vjelë nga stimujt e rinj pjalmin motivues që do t’i bënte të përballeshin me të panjohurat në rrugë fisnike dhe kreative, shumica ikin të trembur.

Jeta është plot me ndryshime dhe ndonjëherë të duhet të ndalosh çfarë po bëje dhe të nisësh diçka tjetër – të duhet të ndryshosh kurs, ndoshta edhe mjetet. Të kesh aftësinë të jesh fleksibël edhe në kohët më të vështira është crème de la crème e qëndresës humane. Madje ka të dhëna shkencore që tregojnë se fleksibiliteti emocional ndihmon edhe shëndetin mendor, por pak rëndësi ka kjo tani –dëmi mund të jetë bërë.

Exit mobile version