Duke u njohur me portretet e Shuteriqit, e kupton se je duke hyrë në një tjetër univers të krijimtarisë së tij, të duket sikur ajri që të rrethon ka tjetër tejdukshmëri, se zhurmat për gjëra të kota pushojnë, se jeta ka aso përmasash që herë-herë kërkojnë përqendrim të thellë. Ato mbi të gjitha të kujtojnë se dashuria për njerëzit ishte gdhendur fort në mendjen dhe shpirtin e tij.
Unë pata fatin t’i gjeja këto portrete në gjallje të Shuteriqit, rastësisht duke kontrolluar dosjet e një rafti, kur isha duke mbledhur materiale për jetëshkrimin që po përgatisja. Atëherë njoftova drejtorin e atëhershëm të Galerisë së Arteve, zotin Dilo që kishte dijeni për këto vizatime, por nuk pati kushtet e duhura të kryente ndonjë veprimtari. Këtë gjë e realizoi pak më vonë zoti Qendro. U hap një ekspozitë, u bë edhe një fletëpalosje me një koment domethënës nga Dilo. Shuteriqi vetë as që i pati përmendur ndonjëherë në bisedat e tij vizatimet, sepse punët e tjera ishin aq të mëdha, sa hija e tyre mbulonte gjithçka që kishte karakter minor. Sidoqoftë unë kisha parë dy-tri punë me bojëra vaji, kujtim i kohës kur ishte në Rubik me qarkullim dhe e dija që në liceun francez të Korçës kishte qenë nxënës i Vangjush Mios. Por përballja me vizatimet më befasoi në kuptimin se ku e kishte gjetur kohën ai kolos i kulturës shqipe të krijonte edhe atë raport aq jetësor me artin e vizatimit.
Ka njëlloj muzike të gëzuar që transmetohet, një histori që rrëfehet në një mënyrë elegante duke i parë këto portrete. Eshtë si një shëtitje e mrekullueshme mes qetësisë që i flet botës në heshtje dhe ushqen besimin se e bukura e ka tërhequr njeriun në të gjitha kohërat. Çdo portret është polisemik, i prekshëm, i hapur për ta interpretuar. Mbi të gjitha, portretet janë të frymëzuara nga misteri i çastit. Ato arrijnë të futen në karakter, të shprehin identitetin dhe të transmetojnë te shikuesi disa cilësi bashkudhëtare të njeriut si : forca, zgjuarsia, dashuria për jetën, për natyrën, për punën, për dijen… Ato përbëjnë edhe një dokument të rëndësishëm për kohën kur janë krijuar.
Shuteriqi i ka dhënë disa përmasa veprës së tij që e ka lejuar të ndihet disa herë në jetë duke i zgjeruar kufijtë e ekzistencës me përkushtimin ndaj krijimtarisë letrare, shkencore, historike. Portreti është një kërkim i brendshëm, një frymë lirie për të ndërtuar një hapësirë të kulluar, një humanizëm për të cilin sot kemi nevojë më shumë se kurrë.
Portretet me laps, stilolaps, rapidograf, apo edhe me ndonjë mjet tjetër rrethanor që pranon vizatimi, të realizuara shpejt e shpejt në pushime mbledhjesh a festivalesh si dhe në takime të thjeshta miqësore janë emocionuese, sepse në to mbizotëron në radhë të parë puna me dashuri, ndjenja e miqësisë. Duke qenë portrete të çastit, që vetëm artistët e vërtetë mund t’i realizojnë në një kohë tepër të shkurtër, ato janë shumë koherente në qasje, herë realiste dhe herë surrealiste, me magjinë sublime që i rrethon krijimet origjinale.
Ai paraqet figura me të cilat, si të thuash « është mësuar », u ka zbuluar elementin e veçantë të shprehjes, u njeh përgjithësisht karakterin, por këtë gjë e ka arritur edhe me njerëz që nuk i ka « studiuar » ose njohur kurrë më parë.
Portretet e Shuteriqit, krijime të drejtpërdrejta, pa skica paraprake, të realizuara nganjëherë me një vijë eterike, janë dëshmi e talentit të tij dhe dëshmojnë edhe për një anë tjetër me dritë të personalitetit të tij të shumëfishtë.