Kreu Letërsi Bibliotekë “Shami të zeza qiellore”, poezi nga Petrit Ruka

“Shami të zeza qiellore”, poezi nga Petrit Ruka

DY FJALË PËR LIBRIN

Ky libër poetik vjen pas 15 vjetësh që nga botimi i vëllimit të fundit “Në zemër bie shi” në vitin 2003.

Kam sjell këtu edhe një pjesë të krijimtarisë sime ndër vite, pak poezi të zgjedhura prej librave të mëparshëm, si një dëshmi e rreth katër dekadave kuturisjeje në rrugën e vështirë dhe të mrekullueshme të poezisë, e cila ka qenë një nga gëzimet e mëdha të jetës sime.

Njëherë u ndërmenda t’i “çukisja” sadopak ato për t’i përmirësuar, por pastaj hoqa dorë, i bindur se vetëm ashtu, të pahitura me moshën e tyre dhe timen kanë më shumë vlerë për të kuptuar se si rrjedh në kohë procesi misterioz i krijimit.

Pesëmbëdhjetë vjet nuk janë as shumë e as pak për të ngjizur një libër me poezi, i cili e ka të nevojshme të presë që të vijë Koha, e vetmja gjë që ndodh realisht në letërsi dhe që çuditërisht ka aftësinë e pashpjegueshme të zgjedhë vetë se çfarë do të shkojë para lexuesit, kur do të ndodh kjo gjë dhe në se do të ketë fat apo jo në takimin me ta.

Pa e ditur më parë, tani që po ndahet prej meje, po kuptoj se qenka një libër me këngë dashurie, një iso e gjatë malli për gjithçka vajti e shkoi, po mbi të gjitha për Gruan si rrënja e Jetës, një përpjekje për t’iu bashkuar korit mijëra vjeçar të himneve për të, një “mallkim” i bekuar i çdo poeti që nuk i shpëton dot kurrë magjepsjes së saj, gëzimit dhe vuajtjes më madhështore të çdo burri që nga djepi deri në varr…

E kur si shpëton dot kësaj mrekullie në jetë, vaj halli në këngë, e cila është ku e ku më e mundimshme për t’u ngopur dhe larë borxhet e jetës së tij me të.

Shpresoj t’ia kem dalë mbanë përmes frikës dhe ankthit më të thellë dhe më të bukur në këtë botë, asaj që ndjell fjala në shpirtin e çdo njeriu, i cili do që të këndojë a të qajë për të mos u ndjerë i vetmuar, që të ndahet e pjesëtohet sa më shumë me të tjerët, me dëshirën e pangopur qysh në lindje, që njerëzit ta duan sa më shumë, nëse kënga e tij iu ngjit pas shpirtit.

Këtë ai s’e di kurrë dhe më mirë që nuk e di, sepse përpjekja e tij do të ndalonte nëpër mundimet e tij të shumta fjalë pas fjale, do të dorëzohej dhe do të pushonte së kënduari.

Dhe kur pushon këngën, një njeriu, (pa le një poeti!) i ka ardhur koha për të vdekur, nga që nuk rron dot pa të.

Mezi pres ta kuptoj ose të ma thoni nëse ia ka vlejtur apo jo ky libër?

Autori


GJËRAT E MIA TË VOGLA

Erdhi koha t’i mbledh gjërat e mia të vogla,
si nëna, me bohçen e saj në sepeten
ku rrobat e vdekjes vinin era ftua.
Do nisem këto ditë t’i mbledh në vendlindje,
harruar atje, pikur për mua.

Them t’i mbledh përrenjtë e vegjël në një shishe,
t’i fus arat e vogla në një shamizë xhepi.
Të gjej këngët e parë
për drithërimën e një fqinje,
incizuar në gjethet e një plepi.

Do ta marr në xhep varrin e babait
si një kuti shkrepëse,
do t’i qep pas shpirtit përkëdheljet e Nënës,
do përdor si makinë qepëse zemrën time
me penjtë e artë të hënës.

Do t’i vë gjithë zogjtë në fole të veshëve,
aty do ta vë dhe gurgullimën e lumit,
do kopjoj tek sytë bel- kthesat e Vjosës,
tek meket pas zallit si gruaja
në dhomën e gjumit…

Do të shkoj t’i marr shokët, të gjallë e të vdekur,
t’i vë tek koka e krevatit si librat e fundit,
nuk kam ç’lexoj gjë tjetër në këtë shtëpi
me strehë të vogla,
sa krahu i pëllumbit…

Si Nëna, njësoj si Nëna, që i kish gati të tëra;
rrobat e zeza, shaminë e zezë,
palosur më dysh,
dy fletë lisi si kartëmonedha për taksën e Hadit,
m’i vini sipër sysh…

M’i fusni në xhep dy re të vogla Goliku*
si pak letër për këngën e pathënë
që varri se tret,
po nisem t’i mbledh gjërat e mia të vogla
është e vetmja punë e bukur që më prêt…

*Goliku,- mal në Tepelenë


TË VDESËSH NË JERUSALEM

vaj për një ndarje –

E shenjtë humnera ku ke rënë
në ikjen tënde me nxitim,
përtokë është Molla që ke ngrënë,
e fundmja Evë e qiellit tim.

Si foshnjë ndër teka dëshpërimi
ia hipe Fatit si një kali,
pa ditur se si vetëmashtrimi
të thyhet si servis kristali…

Kur borë e parë s’të ish shkrirë,
në cërr të dimrave të tu,
ti shkele shpirtit tim të lirë,
ku ish tërfili gjer në gju.

Ti ndenje aq sa ç’rri një bletë
për pak aromë e pak nektar,
se trillet s’presin kurrë biletë,
se s’kanë atdhe e s’kanë orar….

Si të mos dije ç’është një dhimbje,
the: një më pak, si të ish lojë,
po kur e dije, pse më “linde,”
të vdekur, me monedhë në gojë?!

Ti kur e di që lind aborte,
mos ʺfliʺ me burra të vërtetë,
se këtë brengë si ikja jote,
s’ma tret as varri im i shkretë.

Por ja, tek ikën nëpër mjegull,
në zinë e dashurisë me kujë,
ku mbillem lis e mbijë si pjergull
ti bëhesh Hënë e ndrin nën ujë.

E falur qofsh përse nuk dite
si bëhet Fé një dashuri,
tek bie në flakën që më ngrite
unë hirin do ta bëj flori…

Veç ja, tani, tek varr – i – Krishtit,
të fundmen Lutje bëj për ty,
si unë të dashuroftë një tjetër
dhe kurrë mos u bëfshin dy…

Në Mur të Lotëve biblik,
të mbledhur shuk në një copë letër,
kjo këngë vajtimi, shkruar shqip,
mos e pastë një shoqe tjetër.

Dhe lamtumirë tek të them,
Maria Magdalena ime,
të vdesësh në Jerusalem…
të paktën vdekja është sublime…


PO PËRKTHEJ NJË GRUA

Tërë jetën
përkthejmë shenja në mendje,
hap e mbyll zemrën si një fjalor i pafund,
fillojmë me ujërat në barkun e nënës,
të parin e të fundit det që na tund…

Dhe bëjmë si bëjmë, sa shfaqet një grua,
që kthehet në kryeveprën
e letërsisë botërore,
skulpturë e përsosur gjer në majën e thoit,
lëmuar me puthje e dritëra hyjnore…

Ta dish sa po vuaj, moj grua e vogël,
tek përkthej mendjen tënde
plot dëshira biblike,
format e trupit që kopjohen me dorë,
si me qumësht blete
pas brinjëve nevrike…

Medet, të lexosh shijet e tua për burrin,
fshehur pas turpit,
si në zhguallin e një breshke,
është njësoj si ta shkruash “Iliadën” të tërë
në petalen e bardhë të një pjeshke…

Zoti im, si ta kryej këtë punë manastiresh,
pa e bërë dhi egroshe mendjen
sipër malit?
Kam frikë se do vdes te gjysma e qerpikëve,
te zilkat e kaçurrelave të ballit.

Si përkthehen gjinjtë me gjuhën e gojës,
pa i pirë përmendësh si foshnjë
te sisa e nënës?!
Pastaj vithet e kofshët buzë ndonjë lumi,
shqipëruar në gjuhën e barit e të hënës?!

Ah, hajde të t’i gjesh në fjalorët e rëndë,
ëndrrat sarhoshe
që të fryhen në mbrëmje,
pastaj të të akordosh mbi gjunjë si kitarë,
në re, në sol…
në dhembje!

Je deng i madh papirusesh me dëshira,
biblioteka e botës
në lëkurë të është shkruar.
Nuk di si do t’ia bëj te paragrafi i buzëve,
me fjalorët e Zotit në duar!

Po mbase bëhem një mjeshtër si Noli,
në të përkthyer e sipër
e mësoj mjeshtërinë.
Ndërkohë që të lutem
me fyej pëshpërimash
ma mbaj me iso nga poshtë dashurinë!…

Ej, miq të moçëm sa vera e Krishtit,
them ta lë poezinë ca kohë,
sa të qajë për mua!
Në më pafshi në rrugë të përhënur
mos pyesni!
Sa ua thashë, o njerëz,
po përkthej një grua…

Exit mobile version