Kreu Letërsi Bibliotekë “Sa shtatshkurtër kjo nata në Tokio”, cikël poetik nga Arben Velo

“Sa shtatshkurtër kjo nata në Tokio”, cikël poetik nga Arben Velo

Nënshkruaj një formular prej shiu

Nuk e kuptoj këtë shi në Tokio
pse më kërkon një formular?
(Unë vij nga ambasada e pyjeve
nga andej ftesën e kam marrë)

I ftuar, si mik i pelikanëve
kam një vulë trëndafili të bardhë
kuruar me fjongo prej Divjake
nga lëkurë gjarpri të tharë

Në aeroport, ky shi në Tokio
krejt ndryshe nga ata që njoh
kërkon radiografinë e shpirtit
ç’myzeqe ruaj, do që ta shoh

O shi i Tokios që më lag
me ngjyrë gri, për herë të pare.
Me këngë trishtilash nga vendi im
po ta nëshkruaj këtë formular…


Nata në Tokio

Qënka shtatshkurtër nata në Tokio
sa një tështimë xixëllonje Maji
As për një ëndërr nuk të lë kohë
ky diell si shpatë Samurai.

Nuk di se si u vidhis errësira
qiejt si e mbartën përmbi shpinë
Përgjumja e gjelbër ka pushtuar pemët
(Me një gjethe flas për shqipërinë)

Shtatë orë jam përpara ëndrrës
Shtatë nata bote, tufë guguftu
(Vijnë në kështjellën tënde të gjumit
Këndojnë në shqipëri, rikthehen këtu )

Një mall farëzuar,me guguftutë nis
në të fundmen hije errësire
Nën shpatë të dritës Samurai
të lind mëngjesi nga gjuhë kumrie

Qënka shtatshkurtër errësira në Tokio
Sapo të përshëndet “natën e mirë”
pa marr frymë,në japonisht përkthehet
muzikë prej zogjsh:” mirëse je gdhirë!


Pasdite nën vullkanin Tokachi’

Te ty është paradite, pasdite është këtu
Një ketër meridianësh orët i ka ngrënë
boçen e tokës e ka këputur nga qiejt
atje e fsheh nën diell,këtu,nën Hënë.

Se ketrat ah ketrat, mendojnë dhe për dimra
nën paralele toke,ushqim groposin mallin
Drithërohem unë, andej bie shi
turbullohesh Ti,këtej tymon vullkani.

Në pyllin e Obihiro.,nën Tokachi’
e pashë atë ketêr dhe se kapa dot.
Çdo 30 vjet këtu shpërthen vullkani
30 vjet mbushen nga malli im sot…!


Shtegtim nëpër planet

Të pazakonshme më duken fjordet ruse
racë qerthujsh, a një zot e di çfarë janë
dyfish të rreme,brenda lëvozhgës së rreme
atje poshtë avionit,si matrioshka ngjajnë

Në shtjellën kaotike, hapur pa mbarim
shoh detin e ngrirë në sarkofagun e vet
Kjo është dalja e fundit nën hënën e ftohtë
e matrioshkave pa frymë dhe pa jetë…

Veç unë e di pse janë kthyer kështu
nga dritarja e avionit dëgjoj rënkimet e tyre
Ka kohe që Lasgushi ka mërzitur dhe botën
si shterg diku tjetër vijon vallen e yjeve

*

Mespermes po e çajmë Azinë
hipur mbi avionin si kalorës i shkretë
Para duket Europa si një thashethem
ku secili nga ne gjen veten e vet.

Kaq shumë brym kënetash poshtë nesh
sikur janë veshur japonisht femërore
Ja mjegullat hedhin helmin e gjumit mbi det
tatuazhe vetëtimash bëjnë mbi vithe qiellore.

Pakësohen pamjet e tokës,racion ushqimor
(kemi meny stuardesash, plus buzëqeshje)
Azia duke na dhënë pagjumësinë e vet
trulloset vetë nga helmet e reve.

Nesër që pa gdhirë do jemi në Europë
Ah të kishin mjegullat pak ndërgjegje,
Do shushurinin,tjetërsoheshin në avion
gota me verë kundër trandjeve të njerëzve.


E Enjte Maji në Hokaido. (Japoni)

E Enjte Maji, zona Tundre’
Në vend të Mamuthit, jetuar dikur
ca bambu xhuxhe, si floçka shqiptare
sikur kanë dalë nga lumi Amur.

I ftohti,në pyjet e Hokaidos
(me pemën krijon muzikë, patjetër)
kaprojtë luajnë në piano erërash
partiturë dhimbjesh për orkestër.

Njerëzit kanë marrë leje ti vrasin
këngët e drerëve, (e di këtë zoti?)
I shoh se si vrapojnë lagunës
krijojnë veç partitura loti.

Bambutë xhuxhe, buzë lumit Amur
nën harqe ere,bekojnë marrëzinë,
me brirë përzier me sqepa resh,
krijojnë magji, sjellin stuhinë.

E enjte Maji,mes bambush drerët
me brirë më shkruajnë ca hieroglife
“ne luajmë për njerëzit, në piano erërash
Dhe ju na e përktheni ndryshe?”


Mali Rishiri, vullkani Fuxhi (Japoni)

Valë deti qëroj në pëllëmbën time
si guaskë më ngelet vullkani Fuxhi’
Të mbledhura fokat, në portin Backaj
shpikin për mua, fjalor të ri.

Merr gjuhën e tyre,komunikon me mua
Koji Assano, ky japonez i mirë
me gramatikë deti, përkthen erërat
dhe përshëndetjet e malit Rishir.

Me autorësi erërash,flet me mua
(Koji Assano ka atdheun këtu)
“rrapet japonezë thotë,-në atë mal
ngjajnë shumë me fiset Ainu’.”

“Kanë zgjedhur si vendasit të jetojnë
nën vullkanin me unaza zjarri
Nëse qëron një dallgë deti
të ngel në dorë një kind vullkani”..

Rri e dëgjoj përballë dunave
(me tajfunë mbi krye, formë borsaline)
ca skifterë shirash duan të rrëmbejnë
thëllëza zanoresh, nga gjuha ime.


Fluturim …

Manikyr ngjyrë hëne,lë tymi i avionit
(krijuar enkas për thonj qiejsh të brishtë)
Qiej mbi shtetet, si oborre të vegjël
me ca drurë dardhash, si qemer midis.

Patjetër Shqipëria diku duhet të jetë
(dhe një fshat, ku lodhet pagjumësia)
Një rrugicë ecjen time po pret
dhe dita, manikyrin e gjurmëve të mia.

Metafora e dritës, pulit qepallat lehtë
e nis poshtë në tokë,ku gjysma ëndrrash ka
Atje e kthen gjumin, në fidanishte dardhash,
nën flegrat e netëve, i urti baba.

Metaforat përgjojnë meditimet e rreme
(do isha naiv të çmagjepsesha tani)
bota lëviz ndër kopështet me qemere
në hartën e qiejve, unë kërkoj një shtëpi…

Exit mobile version