Kreu Opinion Xhevair Lleshi: Arqile Boti, spiritualisti elegant

Xhevair Lleshi: Arqile Boti, spiritualisti elegant

Unë e dija që kishte spiritualizëm, ndonëse ky nuk përmendej, si të qe një përbindësh që nganjëherë të duket se është i parrezikshëm, sidomos kur s’e kujton më. Mirëpo të keqen njeriu s’ka dëshirë ta kujtojë dhe harresa bëhet dobësia e tij. Në krye të shkallëve të televizionit TCH takova Arqile Botin, mjekun popullor dhe spiritualistin elegant me emër e me profil jashtëzakonisht interesant, me flokët e gjatë, eshtrën e fortë dhe të folmen karakteristike. Që në fjalinë e parë u bëmë miq e të afërt. Ai do të mbante peshën kryesore të emisionit dhe unë do të zbulohesha mes publikut, ku do të qëndroja nën vëmendjen e kamerave. Kisha për të treguar ëndrrën e njohur të tim biri, shënimet e nxjerra nga letra profetike kohë më parë se të ndodhte aksidenti ku do të humbte jetën, histori e botuar në ‘Letrat profetike’ dhe në librin ‘Ëndrra e vdekjes sime’. Thelbi i intervistës: si shpjegohet që të shohësh një ëndërr të tillë dhe pastaj realisht ndodhi e njëjta gjë pas disa muajsh. Një ditë, tha Arqilea ti do ulesh për ta shkruar si një roman. Por kjo do të vonojë. Dhe do të ndodhë vetvetiu e, pas tridhjetë e kusur vjetësh, vetëm kur dhimbja jote të jetë bërë eshkë, siç më janë bërë mua dituritë dhe mendimet. Kjo puna e eshkës do t’më ngacmonte vazhdimisht. Kur dhe si mund të bëhet dhimbja eshkë? Ndodh shpesh që gjërat më të çmuara ne i ruajmë për t’i shijuar në fund, duke harruar që s’jemi të përjetshëm. Po. Kështu ndodhi i dashur mik! Dhe ti s’u ndave në mendimet e mia…

Unë flisja lirshëm duke treguar ëndrrën, të cilën ju e njihni, vdekjen tragjike në aksident, Ëndrra e Vdekjes Sime, meshën në kishë, vonesa në transportin ajror për në vendlindje, zbritja në Rinas, rrugëtimi drejt qytetit tonë, ankthi i papërshkrueshëm e të afërmve, qëndrimi i gjyshit dhe pyetja e tmerrshme që na ngacmonte si një presë metalike që t’i nxirrte tëmthat nga vendi.

Arqile Boti më doli ashtu si e kisha menduar: delikat, të zbehtë, me një kostum që i shkonte e që i rri sikur ka lindur me të dhe, pastaj pas emisionit do t’i hiqte menjëherë për të veshur një xhakavento lëkure, pantallona bluxhinse dhe çizme të zeza me majë, që s’kërcitnin fort. Interesant, ai fliste një shqipe tingëlluese por të vështirë e me theks grek, duke qëndruar më këmbë me një buzëqeshje të gjerë që e tradhtonte disi shprehjen e rreptë dhe zërin tingëllues që të mbetej në mendje. Buzëqeshja paksa cinike dhe përshtypja që të krijohej, sidomos kur më bëri shenjë të ulesha, të sundonte menjëherë. Dihet që personalitetet e këtillë të ndrydhin; nëse ke ndërmend të tregohesh, ose të dalësh pak nga vetja me sforcim e mungesë dëshire, për t’u rënë pak në sy atyre, jo vetëm dështon, po humb dhe besimin në vetvete.

– A ekziston ëndrra profetike?

– Po.

– Në ç’kuptim?

– Sepse vdekja e tij ndodhi pikë për pikë po ashtu.

– Sa interesant!

– Shumë interesant! – shtova unë dhe pyeta veten: a ndodhnin vërtet të parathënat e fatit me një përpikëri të tillë absolute, apo kjo është rastësi, po nuk arrija të merrja asnjë përgjigje. Nuk isha i sigurt, ose ashtu më dukej.

– Ti ke parë ndonjëherë ëndrra të tilla, ose diçka tjetër që të të ketë dalë? A të parathuhet diçka kur e sheh në ëndërr?

– Po. Diçka që ka të bëjë me ato që i dua, më parathuhen në ëndrra dhe më ndodhin. Pastaj edhe diçka: unë përnatë e shoh në ëndërr tim bir. Jam kurdoherë me të.

– Kjo është pasojë.

– Po që ne i themi njëri-tjetrit gjëra që në jetën e tij s’kanë ndodhur?

– Zot, këtu ndërhyn tejnënvetëdija jote, e parashkruar ose e lakmuar fort!

– Ndoshta ke të drejtë.

– Po kjo? Unë pse e di që ty të ka ndodhur diçka e çuditshme në jetën tënde ose në rrethin tënd të afërt. Motra jote, a një e afërt, Avi e quajnë, ka rënë në pus dhe e nxorën pas njëzetekatër orësh, është gjallë e me pasoja të lehta…

– Ti, mik, nuk je vetëm interesant, po edhe i çuditshëm! Po, është e afërta ime!

– Por kjo vjen ngaqë unë kam një shqisë tjetër dhe kurdoherë më ndodh me të njohurit e rinj e që do t’i kem patjetër miq, janë sinjale!

M’u duk se e hëngra, siç më kish ndodhur me fallin e arixheshkës, një paradite pushimi tek shtëpia e vjetër, ku po rrija me prindërit e mi. Dhe kjo para shumë vitesh se t’më ndodhte tragjedia e tim biri. Ajo, arixheshka, një nga kurbatkat më të bukura që më kishin zënë sytë, diçka vërtet përrallore, më tha: e di që ke dy djem. Njëri me vijë të shkurtër dhe tjetri me vijë të gjatë. Ç’do thoshte kjo? E tillë m’u dha, tha dhe e mbylli sqepin, ndërsa më shihte me një sy të zmadhuar e të tronditur. Erdha këtu, sepse m’u dëfteve dhe doja të të hidhja fall. Nuk dua leka, qafsha të gjithë! Jo. Qofsh mirë, vëlla… Atë arixheshkë s’e kam harruar kurrë. Gjithnjë e shoh teksa po më hedh fall… Po kjo? Edhe kjo e tillë është, më tha duke qeshur lehtë Arqile Boti. Duket që yt bir, të ka ngjarë. Edhe falli, e parathënë është. Mos ndoshta ngaqë unë jam idealist? Kjo nuk besoj se lidhet as me optimizmin e as me pesimizmin tim, por me rastësinë. Ata që besojnë, ose më saktë, që e ruajnë në brendësi atë, të cilën e quajmë rëndom tharm krijues, kanë më të fuqishme ndjenjën e realitetit të dytë, paralel, të trillimit të asaj që s’është, por që do të bëhet. Për mua të gjitha arrihen ato që shoh në mjegullat e mendimit tim… Epo edhe krijimi, e parathënë është!…, më tha disi i zemëruar.

Arqile Boti përsëriste vazhdimisht se s’donte të shprehej për detajet, se në thelb ai ruante një qëllim krejt të pastër, fare idealist. A ka mundësi, tha ai, që ky rasti juaj të jetë si një epitaf në varrin e tët biri? Jo? Jo dhe e pamundur, thua? Por ama mos harro se kjo është bërë me kohë pjesë e identitetit tënd, sepse ti je njeri i padjallëzuar dhe se i kapërcen kufijtë e zakonshëm të sinqeritetit, ke shumë zemër, e do tjetrin, njeriun, je pra idealist i pandreqshëm… Po fati im e i familjes sime, si? M’u duk se ai po bënte humor dhe çuditej me këmbënguljen time. Ato që kam parë e dëgjuar për të dëftyerat e mia janë vërtet të mahnitshme, po tepër tragjike. Ju thoni se do t’më dalin? Po ashtu, do të të dalin, e di. Atëherë shikoj si e laj vetëdijen time, si e ndërroj subjektin, sesi qaj përbrenda me kujë, jam gati të çjerrë fytyrën e të shkul flokët, prandaj i mbaj të gjatë, që t’më dhembin fort, sapo i prek me dorë…

Po të mos i marrësh për të vërteta të dëftyerat e mia, me siguri që do t’më jepen përgjysmë dhe fyerja e poshtërimi do t’më ndjekë kudo dhe në çdo rast, s’do të përshëndetem dot me të dhe nëpër gëzime a hidhërime do të bëhem edhe më keq, sepse e kam të pamundur ose krejt të vështirë të jetojë ashtu pa nder dhe të mos bëhem njësh me atë që parandiej…

Takimet tona zgjatën derisa ai ndërroi jetë, ndërsa çdo dy javë ose e shumta njëherë në muaj ne do të drekonim në Petrelë. Tregimet e Arqile Botit qenë të pafundme. Drekën na i pengonte gjithnjë dikush që hynte e dilte për të marrë një mjekim popullor nga ky njeri i famshëm, tërheqës edhe për kamerën, po sidomos bëhej një nxitës bisede që s’mbaronte kurrë. Ai s’mbante orë, po ishte i përpiktë në takime. Dhe sa herë uleshim, më bënte përshtypje unaza e tij e madhe prej ari me figurën e një perëndie pellazgjike, si dhe një copë shkëmbi në miniaturë që i varej në gjoksin përherë të zbuluar, si talisman. Cili ishte Arqile Boti? Edhe po të kishe ngrënë një thes kripë me të, s’do të dije thuajse asgjë, e s’do të zbuloje ndonjë gjë të tepër nga ç’të lejonte ai, se ato çaste ai bëhej i drunjtë dhe fliste me një gjuhë të përgjithshme, madje edhe teknike e mjekësore, ku do të mungonte intimiteti. Disa herë në mes të kohës kur drekonim (dhe ne rrinim mbi katër orë në to!) vinin femra të zakonshme, të papunë, studentë që kishin mbaruar kryesisht për gjuhë të huaja, kurbatkat s’i pranonte, të dëbuarit ai i përcillte me takt, pa iu përgjigjur asnjëherë pyetjeve që i drejtonin. Ai ishte befasues në të gjitha rastet. I tillë tregohej me mua, apo e zotëronte këtë lloj karakteri me gjithë të njohurit? Ai njeri kurdoherë kërkonte ta njihte thellë bashkëbiseduesin dhe jepej shumë pas tij / saj, po ne të dy nuk i lexonim mendjen njëri-tjetrit, edhe pse gjenim me të tepërt pikëtakime interesante. Unë, thoshte me një lloj flashkjeje, edhe po t’ia fus kot (dhe kjo ndodh rëndom!) më del plot! Nuk mund ta harroj. Tjetri shërohet si me magji. Më dukej shpesh se ai i sajonte personalitetet, ndërsa më pas do të kalonte një kohë krize vetjake, sidomos nga neveria për vetveten.

Ai më ftonte shpesh në telefon, gjenim kurdoherë intimitet të sinqertë, të hapur, të rehatshëm, por gjithnjë shpirtëror. Jo më kot qe spiritualist kalibri, i papërsëritshëm. Kështu që hap pas hapi ai zbuloi tiparet e karakterit të tim biri, më tregonte ngjarje rreth tij, më shpjegonte ëndrrat që kisha parë me të, ose gjërave të pabesueshme të cilave unë iu kërkoja interpretim. Kisha parë, asokohe, një ëndërr madhështore: martesën e tij me një vajzë të bukur si pika e vesës, të rrallë, ndonëse pa identitet e jo thjesht një figurë imagjinare. Unë tregoja dhe ai bënte shkarravina nëpër letra, vizatonte ndonjë figurë të rrëmujshme e pa kuptim në dukje, ashtu si i vinte në moment, por gjithmonë ngecte. E mundonte shumë ajo që e paracaktonte qysh në fillim. Edhe dasma që ke parë në ëndërr, më tha, ishte thelbi i parealizuar i një dëshire të pavdekshme, një konstrukt i rrallë subjekti që të ngacmojnë intelektualisht ose si krijues. Pastaj kjo mbaron vetëm atëherë kur ti je shfrehur fort, ndonëse me dhimbje të madhe. Se ty, vëlla, të dhemb shumë çdo gjë, ende të parathuhen dhe se tek ty ka mbetur e ngrirë figura e bukurisë madhështore të kurbatkës që të ka dhënë mandatën e parë të tragjedisë së ardhshme. Kjo është tipike e rrëfyer, të të dëftehet ashtu, madhërisht. Siç e kërkon, në fakt, por gjithnjë pavetëdijshëm.

Ëndrrat kanë gjuhën e tyre, shumica janë prej katakombesh, për ndjesinë e frikshme e plot mister e magji, që ta shkaktojnë me një domethënie të madhe e të kuptueshme. Ëndrrat të intrigojnë shumë, sigurisht jo me fjalë të rëndomta, rrjedhin nga gjëra që s’kuptohen lehtë dhe kurdoherë e bëjnë se duan të të skalisin një shqisë të re, si të thuash kërkon të të vrasë dikush veç me dorën tënde, madje edhe të të bëhen ndërmjetëse për një pushim mes teje, si subjekt e si viktimë dhe vetë asaj që ke parë ose të shfaqen spontanisht, gjithnjë duke kërkuar një ‘besë’ të përkohshme brenda personalitetit tënd… Ato bëjnë përshtypje të madhe.

Ai pyeste: – A do ta gjejmë të prekshme ëndrrën?

Dhe unë i përgjigjesha: – Besoj se po.

Ai: – Kjo është e jashtëzakonshme, por ja që ekziston. Është tek ty, tek unë.

Unë: – Di shumë raste të tilla kur të fshihen, për shkaqe që s’i gjej dot.

Ai nuk ishte i qetë asnjëherë, ndonëse sillej me takt dhe në ndërkohë të caktuara, kur pinim kafe apo kalonim drekën (asnjëherë s’kaluam ndonjë darkë, ndoshta i kish zët!), ku tregonte ndonjë gjë interesante për veten: sapo kish shëruar një djalosh të ri nga stresi, një vajzë gjithashtu, por të trembur keq ngaqë digjej prej dashurisë dhe maktheve të saj, po gjithnjë s’hynte tek ëndrrat. Kam frikë, thoshte, sepse një vijë fare e hollë e ndajnë nga banaliteti dhe tërheqja për t’u bërë interpretues i tyre i rëndomtë, sidomos kur të kaplon ana materiale, e cila kurrë s’më vjen ndërmend. Pastaj kam shumë punë me mjekimet popullore. Kam dashur të provoj lloje të ndryshme drogash, por i kam lënë pa filluar, sepse papritur mësova se ato ta prishin krejt botën shpirtërore, ndonëse të japin krahë dhe shumë lule. Kuptova se s’mund të jesh më shpirtëror me këdo, edhe me veten. Vërtet që barërat janë drogë dhe unë ato i përgatis në kushte artizanale, ndonëse me përmbajtje laboratorike… Për të njohur të fshehtat dhe dramën e shpirtit, duhet të kesh kapërcyer një hon të madh, të jesh bërë tjetër njeri. Mbase për t’u bërë i tillë unë jam larguar nga shtëpia, sa fillova të kuptoj veten. Për shumë kohë jam endur rrugëve, sa në një derë në tjetrën, kam bredhur ku kam mundur dhe kjo më ka mësuar shumë. Disa herë kam qenë duke vdekur, madje më ka marrë shteti në dorë në institucionet e tij, por gjithnjë kam shpëtuar për mrekulli. Prandaj më pëlqen jeta që bëj, kjo është aventurë e madhe. Tek e fundit për të gjithë jeta është aventurë. Shkolla? Atë e kam bërë të plotë nën dritaret e saj, thelbi i aventurës sime, si askush dhe ajo më ka bërë njeri.

Ai rrëfente nga pak dhe unë shpresoja se në një takim tjetër do të mësoja diçka të re, por ajo që dëgjoja prej tij disa herë edhe më zhgënjente. Ai e vinte re këtë, ndaj dhe më thoshte se njohja me ty ma ndryshoi sërish konstruktin e asaj që bëj zakonisht. Ai më pëlqente mjaft: për karakterin e vështirë po edhe fin, i hollë, delikat dhe i thellë, për të cilin besoja fort në këshillat dhe ilaçet. Ai ishte homles. Nuk merrte kurrë parà. Herë-herë fliste në radio dhe në televizion. E kam në veshë zërin dhe theksin e tij tingëllues. Kur një herë i thashë se ai ishte i jashtëzakonshëm dhe mjaft i talentuar, madje edhe një konkurrues i denjë, ai m’u përgjigj: Le ta provojmë më tej së bashku, sesa jam i këtillë! Por një gjë duhet ta dish prej meje, ai që ishte i këtillë, është yt bir, Xhanni!…

Atë çast isha gati të tërhiqesha prej tij. Mëdyshja kishte të bënte me dështimin tim imagjinar para provës që më dukej gati e pamundur dhe veçanërisht nga personaliteti i tij i madh, por ende i panjohur për mua. Dhe i panjohur mbeti. Ai ka qenë çasti kur mora vesh nëpërmjet shtypit, radios dhe televizionit se Arqile Boti kish ndërruar jetë, në guvën e tij prej eremiti në Petrelë.

Nuk isha i qetë. Jo, unë duhej të kisha lindur në një natë pa yje dhe fat. E mallkova veten dhe menjëherë e ndjeva se kisha humbur një njeri të madh. Më pas do t’i kujtoja fjalët e tij për tim bir. Atij (as tim biri!) nuk i pëlqente horoskopi. Edhe pse zakonisht gjërat që parashikoheshin, çuditshëm e gati si mrekulli përputheshin. Pikërisht kjo qe rastësi edhe e bukur, por ai këmbëngulte se spiritualizmit nuk i shkonte fare për shtat horoskopi. S’di pse bota e sotme, si ajo antike, është kaq e dhënë pas horoskopit. Ëndrra me sy hapur, një tis për ta ëmbëlsuar disi jetën. Jam i sigurt se unë mund të krijoja diçka tjetër në dobi të njeriut, më domethënëse e shpirtërore…

Tani takohemi me të, si edhe me Xhannin, nëpër ëndrra dhe kujtime. Ai, e ndiej thellë, më zgjat dorën me atë buzëqeshjen e gjerë e të dashur, si një mik që të respekton. Aty, pikërisht aty, unë vendosa të mos i ndahem atij njeriu të çuditshëm që ruan këtë ndjenjë të lartë. Shumë gjëra s’do t’i gjejmë më!, belbëzonte. Mjegullën e atyre shpirtrave (e Xhannit dhe Arqilesë) i shtyjnë erërat në humbellat e të panjohurës, rastësisë dhe hapësirave shpirtërore, ku gjëmonin pa kursyer asgjë, as vdekjen dhe as jetën, nën vetëtimat me një dritë të mynxyrshme që zbulon fare pak të vërtetat e shpërfytyruara në përbindësh, ku aq shpesh dëgjohen e dëgjohen krismat e thata të gënjeshtrës, si be e rrufe të Zotit, apo mallkim i vetë robit, duke rënë në pellgun e gjakut të realitetit. Gjithçka që ka dritë të tjetërfartë nis me vdekje dhe mbyllet me vdekje… Optimizmi për jetën është si shtrati i Prokrustit.

Tiranë më 15 maj 2023

Exit mobile version