Mbërrita vonë në Mandricë, në mbrëmjen e së shtunës së dytë të shtatorit 2025, pas një udhëtimi me plot kujtime nga vitet sa jetova në Bullgari dhe me plot pritshmëri për fshatin që nuk arrita ta vizitoj gjatë asaj kohe. Për të shkuar në Mandricë, rruga relativisht më e lehtë nga Prishtina ishte ajo përmes Maqedonisë së Veriut, më pas Greqisë dhe në fund, nëpërmjet kalimit të kufirit Nymfaia–Makaza hymë në pjesën jugore të Bullgarisë ku shtrihet ky fshat shekullor i banuar me shqiptarë. Rruga nga Sofja konsiderohet më e vështirë, pasi përshkon më shumë zona malore dhe me kthesa, duke u bërë kështu rrugë më e lodhshme. Për këtë arsye, itinerari i parë u përshkrua nga vizitorët dhe studiuesit që e kishin vizituar më parë fshatin dhe të cilët, për siguri më të plotë dhe këshilla, i kontaktova para nisjes.
Pjesën e parë të udhëtimit e përjetova si një udhëtim tipik vere. Kudo që ndaleshim e ndjenja puhinë e ngrohtë të fundit të verës, deri në qytetin bregdetar Kavalla, kur kjo ndjenjë bashkë me erën bregdetare mbështillej me një qetësi disi mistike çka ma bënte udhëtimin edhe më të ndjerë. Në Kavlla mbresëlënëse ishte ecja nëpër rrugicat me kalldrëm, ku shihja e ndjeja gjurmë historike shqiptare, pastaj zbritja drejt bregut të detit dhe dreka në një nga tavernat e njohura për ushqimin vendas, i cili ngjante shumë me gatimet tona të përditshme. Si “qershia mbi tortë” e kësaj ndalese ishte gurabia, një ëmbëlsirë me shije të gjalpit, bajameeve dhe me shumë sheqer pluhur, embëlsirë e ngjashme me gurabitë tona.
Pjesa e dytë e rrugës, ajo që të çonte drejt Mandricës, e bënte udhëtimin gjithnjë e më të paparashikueshëm dhe të panjohur. Edhe kufiri mes Greqisë dhe Bullgarisë dukej sikur po humbiste gjurmët në ato zona që rrallë shihej ndonjë udhëtar, ani pse kilometrat kalonin dhe Mandrica nuk ishte më aq e largët. Me të hyrë në Bullgari, dielli veç po perëndonte dhe rruga drejt fshatit të shumëkërkuar po ngushtohej e errësohej gradualisht, saqë, kohë pas kohe, kisha dyshime nëse vërtet ajo ishte rruga e duhur që të çonte drejtë një të panjohure, për të cilën kisha krijuar një imazh nga leximet dhe nga krejt pak video që kisha pa e që tani, që shrkuaj, them se nuk kisha pas pa asgjë.
xxx
Që nga viti 2015, kur për herë të parë shkova për të jetuar në Sofje, kisha një dëshirë e vazhdueshme për të takuar shqiptarët e këtij fshati. Kjo dëshirë u shtua edhe më shumë në vitin 2019, kur vizitova fshatin Arbanas dhe nuk takova asnjë njeri që fliste shqip. Që atëherë, prisja një mundësi për të vizituar Mandricën, ku shqipja thuhej e shkruhej se kishte mbijetuar me shekuj.
xxx
Arsyeja pse zgjodha fundjavën për këtë udhëtim lidhej me një këshillë të profesoreshës sime, albanologes bullgare Rusana Hristova Bejleri. Ajo më kishte thënë se, nëse ke dëshirë të takosh banorët, shko në Mandricë të dielën në mëngjes, te kisha e fshatit, aty mblidhen të gjithë, meqë kisha nuk është vetëm një objekt fetar, por qendra e jetës së komunitetit. Aty takohen banorët e përhershëm, por edhe ata që jetojnë në qytete si Sofja dhe Plovdivi, e që kthehen në fundjavë për të vizituar familjet e tyre në fshat. Kështu, e diela është momenti kur fshati gjallërohet dhe kur kujtesa kolektive merr formë, më tha ajo.
Pra, kjo ishte arsyeja pse në Mandricë mbërrina të shtunën vonë, të isha gati për të dielën.
xxx
Para se të nisesha, nuk u mjaftova vetëm me dëshirën për të takuar banorët shqiptarë të këtij fshati. Kisha lexuar libra dhe artikuj nga profesorë të Universitetit të Sofjes dhe studiues të tjerë që kishin shkruar për këtë komunitet. Këto burime më ndihmuan të krijoja një ide më të qartë për historinë, origjinën dhe rëndësinë kulturore të fshatit.
Sipas gojëdhënave të trashëguara brez pas brezi, themeluesit e Mandricës ishin barinj nga Vithkuqi i Korçës. Albanologu Thoma Kacori, në librin e tij “Ndriçime”, pohon se shqiptarët janë vendosur në Bullgari që pas rënies së Shqipërisë nën Perandorinë Osmane në shekullin XVI. Sipas tij, ata u vendosën në pjesën veriore dhe juglindore të vendit, në veri në fshatin Arbanas, pranë qytetit Veliko Tarnovo ndërsa në juglindje në Mandricë, pranë Ivajlovgradit dhe jo shumë larg qytetit antik Plovdivit. Këto dy fshatra përbëjnë qendrat më të njohura të pranisë së hershme shqiptare në Bullgari, bën me dije Kacori.






Studiues të tjerë, përfshirë edhe profesoreshën Hristova Bejleri, kanë vazhduar kërkimet në terren gjatë shekullit XXI. Sipas saj, një legjendë vendase tregon se fshati është themeluar nga tre vëllezër ortodoksë shqiptarë nga Vithkuqi, të cilët mirreshin me ndërtimtari dhe bujqësi. Në vitet e fundit, bashkë me studentët e Lektoratit të Gjuhës Shqipe realizoi një ekspeditë në terren dhe shënoi numri i banorëve, që sihin diku rreth 58. Numër i vogël thotë, por megjithatë fshati ruante gjurmë të jetës shoqërore dhe kulturore të organizuar rreth identitetit shekullor.
Në përmbledhje, burimet gojore dhe ato të shkruara dëshmojnë për praninë e gjatë të shqiptarëve në Mandricë, edhe pse, me kalimin e kohës kanë ndodhur ndryshime demografike, megjithatë është ruajtur kujtesa e origjinës dhe një pjesë e trashëgimisë gjuhësore e kulturore. Në këtë kuptim, Mandrica mbetet një rast i veçantë i mbijetesës së identitetit shqiptar në Bullgari.
xxx
Të dielën u zgjova herët, në minutat e fundit të natës, me dëshirën për të pritur lindjen e diellit mbi Mandricë. Dhe po, e pashë. Përmes xhamit të dritares kisha ngulur sytë përtej, siç bëj rrallë në vendet e reja që vizitoj. E hapa dritaren dhe ndjeva ngrohtësinë e natës që po largohej, bashkë me shenjat e para të ditës së re.
Hodha një hap në ballkon, me një ndjenjë të lehtë pasigurie. Ballkoni i vjetër i hotelit “Bukur Shtëpi” dukej i brishtë, i mbështetur mbi trarë të vjetër nga druri, edhe pse të lyer së fundmi. Megjithatë, dola. Hodha një hap dhe një tjetër, me plot pasiguri, por qëndrova aty, në ballkon. Aty e ndjeva qëndrueshmërinë e kësaj ndërtese të vjetër, si një kujtesë prej druri e guri që nuk dorëzohet, njësoj si edhe qëndrueshmëria e banorëve që kanë mbajtur gjallë identitetin e tyre ndër shekuj.
xxx
Shikimin e parë e hodha drejt qiellit, ishte flakë, mrekulli veç me pa. Po kur sytë i ula poshtë, ajo që pashë ishte pothuajse surreale. Para meje shtrihej Mandrica në qetësinë e saj të plotë. Shtëpitë me tulla balte, rrethuar me dru e të mbuluara me lloj-lloje bime të gjelbrër, qëndronin të heshtura si në skena të një filmi jashtë kohës sonë. Në atë çast, m’u duk sikur isha teleportuar në një botë tjetër, duke qenë e vetmja e zgjuar në një fshat që tejkalonte edhe imagjinatën time.
Vazhdon…
E diela në Kishën e fshatit “Shën Dhimitri”



