Duke u hedhur një sy shkrimeve të ruajtura në ekranin e kompjuterit, vrejta dhe disa shënime të hedhura për poezinë e Hamit Aliajt (1954-2024). Ishte një diskutim që e mendoja për ta mbaja në një përkujtimore të organizuar në nderim të këtij poeti, me të cilin kisha patur njohje e miqësi të kahershme. Pjesëmarrja e të pranishmëve në atë takim, miq e të afërm të tij, ishte e madhe dhe në mesin e diskutimeve që nuk mbaronin, e pata të pamundur të flisja, duke menduar edhe për të mos krijuar zgjatje dhe përsëritje.
Gjej rastin që t`i risjell për lexuesin disa mbresa e vlerësime për këtë poet, një ndër emrat e dalluar në thesarin e poezisë së sotme shqipe. I dalluar prej disa shenjave poetike vezulluese, që ajo i përcjell mjeshtërisht në nivel metaforik dhe estetizmi gjuhësor.
Me Hamitin jam njohur qysh në vitet studentore, në fillimin e viteve `70-të.
Dua të kujtoj se tek unë si bashkëstudent me të (ishte dy vite pas meje), ai u identifikua si njeriu, i cili shfaqte jo vetëm një mirësi fort të çiltër, por edhe një furi talenti, të cilën, në fakt nuk e zhurmëronte vend e pa vend, siç mund të ndodhte me disa të tjerë aso kohe, rishtarë entuziastë të poezisë.
Të ofronte një miqësi aq të pastër, vërtet prekëse.
Kishte vetpërmbajtje e modesti, që binte në sy qysh në njohjen e parë me të. Por jo të kalkuluar, apo të rafinuar qëllimtazi për hesap dukjeje e shtirjeje. Ishte veçse njeriu i vërtetë – për atë çka përfaqësonte realisht dhe harmonishëm, me vlerat e tij njerëzore dhe letrare .
Me sa duket, këtë sjellje karakteriale e sillte edhe prej traditave familjare nga vinte dhe që i ishtë bërë pjesë e karakterit. Pra, karakter i qëndrueshëm, pa konformizma dhe luhatje ditore. Por ama, jo egocentrist. Përkundrazi, mbeti njeriu i brishtë e ca i tërhequr, por me botë të madhe, ashtu siç e dëshmoi edhe në poezinë, që krijoi dhe botoi.
Në vitet pas studentore, nuk kemi patur rast që të takohemi aq dendur mes nesh, siç do të deshnim, ndonëse kam mbetur aq sa kam mundur, një lexues besnik i poezisë së tij, të cilën, H. Aliaj e botonte kohë pas kohe në faqet e gazetave letrare dhe në një varg librash si: “Bjeshkët janë mbiemri im”, “E ruaj një fjalë për ty”, “Lotin nuk ta fal”, “E hëna përtej botës”, “N`Dardani bjen një tupan”, etj. Po ashtu, është autor i mjaft skenarëve të filmave dokumentarë, i teksteve të dhjetra këngëve, si dhe fitues i disa çmimeve në poezi.
Shqipëria e mbetur, apo “Shqipëria londineze” – siç e quante shpesh me pezm Ali Podrimja, pra, Shqipëria e vogël gjeografikisht, bëhet ndërkaq aq e madhe me vlerat e saj, por që për fat të keq, bëhet në jo pak raste – e madhe edhe prej problematikave dhe prej ngjarjeve të mbrapshta të krijuara brenda vetes. Çka na e kanë bërë shpesh të vështirë komunikimin mes shokësh e miqsh. Thuaj sikur të ishim brenda hapësirave të largëta të një kontinenti të stërmadh e jo brenda një qyteti si Tirana (!).
Duket se Hamitit, për vet natyrën e tij disi të tërhequr, i vinte për mbarë të zgjidhte që të qëndronte disi në periferi të jetës, ndonëse në poezinë që krijonte, ai kishte hyrë meritueshëm mu në qendër të poezisë shqipe.
Dua të kujtoj me këtë rast, pikërisht atë që e ka vënë në dukje me të drejtë, në një nga shkrimet për të, edhe shkrimtari dhe miku i afërt me të, Mehmet Elezi, kur shkruan se Hamit Aliaj është “provincial” në dukje – por veçse universal në përmbajtje, sepse vargu i tij, sfidon çdo provincializëm.
Para viteve `90-të, është vënë re një dukuri interesante, që do të ishte rasti të bëhej objekt studimi për historianët e letërsisë shqipe. Kësaj kohe, mund të thuhet se kanë funksionuar le t`i quajmë katër “Qarqe Letrare”, kryesisht në poezi, të shtrira përkatësisht në Tropojë, Lezhë, Tepelenë, Lushnjë. Në secilin prej këtyre qarqeve (apo le ta themi disi me rezerva apo pa rezerva “grupime letrare”), kemi një varg emra poetësh, disa prej të cilëve do të zënë vend meritueshëm në poezinë shqipe si: Anton Papleka, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Petrit Ruka, Qazim Shemaj, Ilirian Zhupa, Faslli Haliti, Visar Zhiti, Bujar Xhaferri etj.
Mund të themi se këtë dukuri, nuk e kemi të shfaqur kaq dukshëm në qytete të tjera, ndonëse disa prej tyre ishin dhe qytete të mëdhenj, me tradita të spikatura kulturore e letrare dhe me autorë të njohur edhe në poezi.
Poetët në këta katër “qarqe letrare”, janë sigurisht krijues individual, pra me vlerat e tyre origjinale. Pra, jo me atë frymën doemos “përbashkuese/unifikuese” – në rrafshin estetik të krijimtarisë së tyre, që mundet ta sillte një mjedis i caktuar kulturor, apo le ta themi një i ashtuquajtur “Qark letrar”. Duhet kuptuar se komunitetet e këtyre poetëve, kanë funksionuar kryesisht si mediume, ku ata mund të ndiheshin mes tyre më afër komunikimit letrar, larg nga monotonia e punëve profesionale, që ushtronte çdonjeri. Brenda një komunikimi të tillë letrar, duket se ata i “zgjeronin” poetikisht hapësirat e ngushta të qyteteve ku jetonin.
Besoj se “mecenatizmi” estetik, që ka funksionuar në arealin letrar në Tropojë, si ashk frymëzues, duket që të ketë qënë trashëgimia e njohur dhe aq e pasur e poezisë epike dhe lirike popullore e atyre anëve, mbleksur dhe me traditat e ligjërimeve të kuvendeve në kulla, në bjeshkë e në lugje.
Hamit Aliaj i përket pra, në fillimet dhe formimin e vet krijues, “Qarkut letrar” të Tropojës, ku kanë spikatur disa poetë të tjerë të njohur.
Dhe në poezinë e tij, nën pushtetin e relievit të pasur kulturor e historik të atij mjedisi, brenda fashave të regjistrit të zhdërvjellët stilistik, vrehet të ketë mjaft ajër, dritë, qiell, hapësirë, lartësi, të përcjella e të transfiguruara këto si referenca me vlera estetike.
Është poeti, të cilin e brejnë “pyetjet e vjetra”, nga ato pyetje, që e lënë botën pa gjumë. Në vargjet e tij, dashuria në kuptimin më të përplotshëm të saj, ka fuqinë dhe misterin e madh si bibla e dritës së jetës.
“Sonte do të fle në tbanin e prillit
Në kasollen e fëmijërisë
Thurrur me marse
Lule t`lulsa paskan lulue natën…”
Ndjehen dendur në këtë poezi dhe vargje që përcjellin shpirtin e trazuar të njeriut, endur ngultazi nëpër kohëra – në kërkim të paqes së tij, ndofta të cënuar dhunshëm.
Është kuptimplote dhe e gjithkohshme maskarada e antiheronjve, që në paqe modifikojnë dhe fallsifikojnë rrjedhat e historisë. Poeti është tejet i ndjeshëm dhe apelon fort për demaskimin e atyre, që jo vetëm ishin indiferentë ndaj të keqes së madhe kolektive, por me mbarimin e luftës, kur flitej për të munguarit (të rënët), i shpalli tradhëtare deri edhe pemët pse çelën lule në kohë të robërisë (!) Dhe me sakicë në krah, i preu ato një e nga një dhe me drurin e tyre gdhend të vdekurit – dhe del e i shet në emër të historisë! Poezi kjo, që ka një furi të gjithkohshme demaskuese – ndaj falsifikatorëve të histories sonë. Një dukuri sa e vjetër, aq edhe e re, që për fat të keq, nuk mungon të shhfaqet mes nesh.
Para disa kohësh, në një shkrim kushtuar Hamit Aliajt, publicisti i njohur Luan Rama, në vlerësimet e kësaj krijimtarie, mes të tjerash propozonte që një shkollë apo rrugë, të mbante emrin e tij.
Një propozim me shumë vend. Me zbatimin e këtij propozimi, nuk do të nderohej thjesht poeti. Shkrimtarët dihet se përmes veprës që krijojnë, rrojnë përtej moshës së tyre biologjike. Pra, nuk kanë nevojë ata, por kanë nevojë komunitetet, që të identifikohen dhe të hirësohen me vlerat e figurave të nderuara, sikundër është dhe Hamit Aliaj.



