Kur përgatitja për botim librin ‘Antologjia e poezive më të bukura të Botës’- botuar në vitin 2025 nga Shtëpia Botuese MediaPrint,- nuk arrita të përkthej në kohë asnjë poezi të Simon Armitage (lexohet: Sajmën Armitiixh). Aso kohe ndodhesha në Tiranë, dhe librat poetik të gjuhës angleze i kisha lënë në biblioteken time të Londrës. Mungesa e poezive të Simon Armitage në Antologjinë e përmendur është dhe pengu i vetëm i imi për këtë libër.
Ç’është e verteta, ky peng më ka ndjekur ca kohë në heshtje. Ndonëse me vonesë, dëshëroj t’u jap lexuesve të gazetes ExLibris zgjedhjen dhe përkthimin e disa poezive të këtij Poeti, i cili është dhe një nga poetët bashkëkohorë më të njohur në Mbretërinë e Bashkuar, por dhe si dramaturg, romancjer dhe përkthyes . Ai lindi në Yorkshire në vitin 1963 dhe filloi të shkruante poezi që në moshë të re. Përmbledhja e tij e parë, Zoom!, u botua nga Bloodaxe në vitin 1989 dhe pati menjëherë sukses, duke u shitur mirë dhe duke u përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin Whitbread për poezi. Simon Armitage u emërua UK Poet Laureate, në Majin e vitit 2019, për një afat 10 vjeçar.
Poezitë e Armitage-it njihen për humorin e tyre të errët, qartësinë dhe lojën artistike. Thjeshtësia e tyre e dukshme shpesh fsheh një botë komplekse emocionale dhe pasqyron ndikimin e poetëve të rëndësishëm të shekullit XX ,sidomos ndikimin e Ted Hughes, W.H. Auden dhe Philip Larkin.
Janë gjithësejt 3 poezi, dhe njëra prej tyre, ajo që i kushtohet Nënës, që botohet përngjat origjinalit anglisht, është njëra nga poezitë më të njohura për autorit (u botua për herë të parë në vitin 1993). Duke i hyrë në hak poezive të tjera, desha të them dy fjalë për këtë poezi.
… Është njëra nga qindra mijërat e poezive të njerëzimit të shkruara për Nënën. Por veçse një poezi tepër origjinale, me një sistem metaforik të ngjeshur e të fuqishëm, që shtjellohet gradualisht nga një vetjake e zakonshme realiste në një simbolikë të fuqishme përgjithësuese.
Në pamje të rrejshme, kjo poezi ngjan me një sonet. Por është një sonet i padisiplinuar aq keq, sa lexuesit dhe kritikët tanë buzëhollë të Tiranës, Prishtinës dhe të periferive të Shkupit do të shtrembëroheshin për të gjetur fjalët e duhura të mospëlqimit të tyre për injorancën e autorit në mosnjohjen e disiplinës së rreptë të sonetit. Në të vërtetë, edhe kjo poezi ka katër strofa, dy të parat me strofa katërshe, dhe dy të fundit me strofa treshe. Vargu i fundit është tepër i shkurtë- ka veç katër fjalë- dhe ajo që është më e keqja, është një varg i tepërt. Një varg që shfaqet si një strofë e pestë e sonetit!!! (soneti, siç dihet, ka 14 vargje gjithësej, dhe katër strofa – 4,4,3,3, ndërsa ky varg shtesë i Simon Armitage është vargu i pesëmbëdhjetë i Sonetit, dhe strofa e pestë e tij). Dhe, si duke dashur t’i bëja gjërat dhe më lamsh, këtë poezi m’u dha ta përktheja në gegnisht!!!
Në poezinë e Armitage-it, një folës pa emër po bën matje të dritareve, dyerve, mureve e kështu me radhë, sepse sapo është transferuar në një shtëpie të re. Nëna e folësit ka ardhur për ta ndihmuar, duke mbajtur njërin skaj të metrit, ndërsa folësi lëviz rreth shtëpisë. Gjatë gjithë poezisë, nëna dhe folësi paraqiten të lidhur me njëri tjetrin, në kuptimin literal ashtu edhe në atë metaforik, me shiritin e metrit—dhe poezia nënkupton se kjo lidhje gjithmonë ka ekzistuar dhe gjithmonë do të ekzistojë. Poezia, pra, është një lloj homazhi ndaj fuqisë dhe madhështisë së një marrëdhënieje po aq të vjetër sa vetë njerëzimi: ajo mes Nënës dhe fëmijës të saj.
Poezia e demonstron këtë lidhje përmes metaforës. “Bobina e metrit” ( metri matës) që shpaloset midis folësit dhe nënës ndërsa matin shtëpinë është referenca e umbilical cord- e kordës së kërthizes, lidhja primordial e lidhjes së Nënës dhe Fëmijës që u lind. Edhe pse kërthiza pritet në lindje, ajo që përfaqëson mbetet e vërtetë: se nëna dhe fëmija do të jenë gjithmonë të lidhur (madje edhe pasi folësi largohet dhe krijon një shtëpi të re!).
Dhe ja papritur, lexuesi ndesh një togfjalësh që duket se nuk ka asnjë lidhje me atë që përshkruhet- Spirancë dhe Balonë- shkruan krejt papritur, poeti, në fundin e një vargu.Dhe ky togfjalësh është dhe simboli më i bukur i vetë poezisë.Nëna është spiranca, është zona e përjetshme e sigurisë dhe e rehatisë për fëmijën, ndërsa fëmija është Balona që, edhe pse do të ngrihet lart në qiej, ngase do të shkëputet nga spiranca, filli i saj është i mbajtur nga dora e Nënës. Folësi është Fëmija-balonë, i inkurajuar të eksplorojë duke ditur se nëna është poshtë, duke mbajtur skajin tjetër të fijes figurative.
Megjithatë, edhe në këtë lidhje të shënjt, vjen një moment kur folësi arrin një “pikë thyerjeje, ku diçka duhet të lëshohet me mirëkuptim’’. Në kuptimin literal, metri që lidh nënën dhe fëmijën është shtrirë aq sa mundet; Nëna përpiqet instiktivisht që të mos e lëshoj fillin lidhës me të birin (…majat e gishtave të tu ende shtrëngojnë/ t’njëqindtën e fundit t’nji inçi që s’e lëshon…)- edhe pse e ndjen se ka ardhur koha për ta lëshuar balonën në fluturimin e vet të lirë ; në një nivel më simbolik, edhe vetë folësi thotë se ka ardhur koha të largohet nga rehatia e Çerdhes, dhe se është koha ‘’ me ra ose me fluturu’’ —të ketë sukses ose të dështojë—në mënyrë të pavarur. Folësi e kupton se njerëzit duhet të rriten përfundimisht dhe se nëna nuk do të jetë gjithmonë pranë, por poezia sugjeron se gjurma që ajo ka lënë tek fëmija i saj, do të mbetet. Dashuria dhe mbështetja e saj i kanë dhënë folësit besimin për të qëndruar në këmbët e veta—për të krijuar një shtëpi të vetën.
Le t’i kthehemi edhe një herë vargut të ’gabuar’ të Sonetit, vargut të pesëmbëdhejtë të tij- to fall or to fly- me ra a me fluturu.Edhe ky varg është gabuar mjeshtërisht prej Poetit. Ky varg shtesë, që vazhdon jashtë rregullave metrike, nuk është tjetër veçse simboli i vazhdimësisë së përjetshme të lidhjes mes Nënës dhe krijesave të saj-edhe atëherë kur mendohej se Soneti është mbyllur!
Ndoshta ky spjegim i poezisë së Simon Armitage ka një ton shkollaresk, por e quajta të nevojshme të shkruaja (mund të vazhdoja dhe me katër faqe të tjera) këto pak rrjeshta, për të thënë se poezia bashkëkohore, edhe përmes sofistikimeve shprehëse gjuhësore dhe metaforike, nuk është kurr një boshllëk dhe një – engletisje mendore- siç shprehet me të drejtë një miku im poet, ose një vulgaritet i brohoritur nga turmat, por mbetet gjithmonë një gërmim në minierat e gurëve të çmuar të mjeshtrisë dhe humanizmit të madh të vetë letersisë.
NJË ANTOLOGJI E POEZISË NË ANGLISHT
Të përpilosh këtë antologji të rëndësishme të poezisë në Anglisht
rreth qenve dhe instrumenteve muzikore është si të notosh përmës tullave.
Deri tani, kam vetëm “Për vdekjen e qenushit të zonjës McTuesday,
që u vra nga rënia e pianos ”- deri diku e qartë përse kjo zgjedhje.
Është e vërtetë që një harpë Eoliane pëshpërit joshëse
në sfondin e sonetit anonim “Qeni i Gjuetarit”,
por përtej kësaj — heshtje.
Duhet t’i rezistoj punës time të shplarë në favorin e shkrimeve të mia,
ku padyshim përmbushja e kënaqshme e imja arrihet
Por Adam Smith më vështron me mburrje nga pas kartëmonedhës njëzetpound-dshe,
dhe kur menaxheri im i Bankes qesh me të madhe,
grimca të vogla pështyme shpërthejnë si shi meteorësh
nëpër pafundësinë e hapësirës së errët
midis botës së tij dhe times.
FALEMNDERIT QË PRITËT
Në këtë moment në kohë, do të donim të ftonim vetëm pasagjerët e Klasit të Parë për të hipur në avion. Faleminderit që pritët.
Tani e zgjerojmë ftesën tonë për anëtarët e klubeve Ata që Bëjnë Përjashtim, Superiorët, Të Privilegjuarit dhe Të Shquarit , të ndjekur nga anëtarët Platinum trefish, dyfish dhe njëfish, të ndjekur nga mbajtësit e kartave Ar, Argjend , Bronz, të ndjekur nga anëtarët e Klubit Perlë dhe Koral. Personeli ushtarak me uniformë mund të hipë gjithashtu në këtë moment.
Faleminderit që pritët.
Tani ftojmë klientët Meteorë dhe pasagjerët e regjistruar në skemën tonë Metalet e Ralla të Tokës, pikë dhe shpërblime, dhe faleminderit që pritët.
Personat e akredituar si të Bukur mund të hipin tani, si edhe çdo zotëri që mban një kopje të revistës së këtij muaji Cigar Aficionado, si dhe abonentët e skemave tona Diamond i Kuq, Opali i Zi ose Guri i Çmuar Blu.
Mirëpresim gjithashtu anëtarët Safir, Rubin dhe Smeralt në këtë moment, të ndjekur nga anëtarët e gurëve të çmuar Amethyst, Onyx, Obsidian, Jet, Topaz dhe Kuarc. Klientët e Krahut të Privilegjuar, Sherbimit të Menjëhershëm, Elitës së Zgjedhur, Shërbimit të Preferuar, dhe Të Parët Mes të Barabartëve mund të hipin gjithashtu tani.
Me paraqitjen e një fature të vlefshme, udhëtarët e elegancës dhe stilit
që mbajnë veshje dizajni dhe/ose të qepura me porosi me një vlerë minimale
prej dhjetë mijë dollarësh amerikanë mund të hipin tani; pasagjerët që mbajnë artikuj bizhuterie (përfshirë orët e dorës) me një çmim blerjeje më të lartë se paga mesatare vjetore e një mësuesi të shkollës së mesme në mes të karrierës, janë gjithashtu të mirëpritur të hipin.
Të mirëpritur në këtë moment janë edhe pasagjerët që flasin me zë të lartë në kufje celulari për marrëveshje aksionesh të përfunduara së fundmi, blerje pronash dhe marrje agresive në kontroll, si dhe menaxherë fondesh mbrojtëse me histori të provuar në minimumin e ambicieve të vogla e të mesme. Pasagjerët në klasat K’netor, Gëlqeror, Guror, dhe Argjiror mund të hipin gjithashtu. Klientët që kanë blerë paketat tona Dinjitet ose Zambaku i Mengjezit mund të marrin tani kostumet e tyre sportive të dezinfektuara para hipjes.
Faleminderit që pritët. Pasagjerët mediokër ftohen tani të hipin, të ndjekur nga pasagjerët që u mungon aftësia për biznes ose potenciali i vërtetë për udhëheqje, të ndjekur nga njerëz me pak ose aspak rëndësi, të ndjekur nga njerëz që operojnë me humbje fiskale neto si qenie njerëzore. Ata që mbajnë bileta për zonat Ndryshk,Krunde ,Kartuç Pellg dhe Ranë nëse dëshirojnë , mund të fillojnë tani të mbledhin pecetat dhe thërrimet e tyre para hipjes.
Pasagjerët pjesërisht ose plotësisht të varur nga ndihma sociale ose mirësia e të tjerëve, ju lutemi të verifikoni kuponët tuaj të udhëtimit në Sportelin e Karantinës.
Djersë, Pluhur, Demodè, Kore, Jashtëqitje, Byk, Mbetje, Hi, Qelb, Llucë, Skorie, Ashkla dhe Blozë; të gjithë ju jeni tani të lirë të hipni.
NANË, ÇDO LARGËSI
Nanë, çdo largësi ma e madhe se nji pëllambë,
lyp nji palë duarsh të dyta pranë;
Ti vjen me m’ndihmue me mat dritare, dyer, perde,
hektarë muresh, lendina dyshemeje.
Ti në piken e fillimit, unë me spiralin e metrit n’dorë, tue shënue,matë
gjatësitë , metra e centimetra duke t’i thanë, ty za-naltë
e mandej tue u largue,ngjitë shkallëve, filli ende tue u shpalosë, derdhë
vitet mes nesh. Spirancë. Balonë.
Unë shkel hapsinat e dhomave bosh, ngjitem
shkallës për në trapazan, deri n’pikë t’kputjes, kur më nuk mbanë,
duhet me ba lëshim;
dy kate ma poshtë, majat e gishtave të tu ende shtrëngojnë
t’njëqindtën e fundit t’nji inçi që s’e lëshon…
unë zgjatem kah nji kapak që çelet n’nji qiell pa skaj blu.
me ra a me fluturu…
Po kjo poezi, në origjinal:
Mother, Any Distance…
Mother, any distance greater than a single span
requires a second pair of hands.
You come to help me measure windows, pelmets, doors,
the acres of the walls, the prairies of the floors.
You at the zero-end, me with the spool of tape, recording
length, reporting metres, centimetres back to base, then leaving
up the stairs, the line still feeding out, unreeling
years between us. Anchor. Kite.
I space-walk through the empty bedrooms, climb
the ladder to the loft, to breaking point,
where something has to give;
two floors below your fingertips still pinch
the last one-hundredth of an inch…
I reach towards a hatch that opens on an endless sky
to fall or fly



