Asnjëherë nuk do ta harroj tronditjen që më ka shkaktuar “Krim dhe ndëshkim”. Mrekullia e të përballurit me faktin se jo të gjithë mendojnë si unë edhe atëherë kur ndajnë të njëjtit parime, qe një ndër befasitë më kuptimplota që përvojat e leximit më kanë dhënë. Ndaj, sado grishem prej dëshirës për ta rilexuar, kam frikë ta bëj, pasi e di se mahnitja do të thjeshtohet në një fakt kureshtar: Jam tronditur kur e kam lexuar. Kaq. Do ta them pa emocion dhe nuk dua që kjo të ndodhë. Sepse, sa më shpesh rilexoj libra që kanë qenë krejt jashtë sugjerimeve për moshën kur i kam lexuar për herë të parë, aq më konkrete më bëhet rritja ime të cilën, teksa ka ndodhur, s’kam pasur si ta vija re. Prandaj, dua ta ruaj të paprekur mënyrën fëminore se si e kam ndierë “Krim dhe ndëshkim”, i sigurt në ndikimin që ka pasur për të ma bërë të qartë se letërsia është ajo çfarë duhet të bëja.
Si produkt shoqëror, dija kufizohet me mundësitë e shprehjes së vetë shoqërisë. Sa më e palexuar të jetë ajo, aq më pak do të dimë. Sa më pak të dimë, aq më shumë do të tkurret aftësia për të menduar. Dhe po menduam pak, edhe më pak do të kërkojmë. Prandaj leximi është i domosdoshëm. Pastaj, rileximi si rivendosje e asaj çka ke lexuar në përmasën e re të dijes, të shprehjes, të mendimit dhe të kërshërisë ku gjendesh tani.
Për të gjitha këto, rileximi është një akt i guximshëm. Përballë tij, vetja kuptohet dhe ndryshimi përgjatë kohës vlerësohet. Kjo e bën librin shumë më të gjallë sesa një pjesë të mirë të njerëzve. Ai nuk perceptohet ndryshe vetëm ndërmjet lexuesve, por edhe tek një lexues i vetëm në kohë të ndryshme. Libri rritet a zvogëlohet ashtu sikurse lexuesi i tij. Pra, çdo ftesë për rilexim është një ftesë për të njohur veten. Një terapi e lirë dhe argëtuese. Një self-help estetik dhe jo patetik.
Kjo qe ajo çka më nxiti t’i rikthehesha leximit të “Njerëz normalë” nga Sally Rooney. Vura re se, kur e kisha lexuar për herë të parë, kisha shënuar me laps në pjesën e brendshme të kopertinës së pasme: s’mbaj mend n’kjose mi ka përlot sytë nji libër tjetër. E kujtoja këtë përjetim, por, ndryshe nga rasti i Dostojevskit, arsyeja nuk më vinte ndër mend. Dhe e lexova prapë.
Kishte gjithë ato pjesë të nënvizuara. Disa me shenja që unë di t’i identifikoj si sa e bukur, për t’u mbajtur mend etj. dhe të tjera, me shënimin përkthimi s’më pëlqen. Besoj të ketë qenë libri i parë ku kam mbajtur shënime të tilla. Diku nëpër të, kisha shkruar se do të doja shumë ta kisha përkthyer vetë. Kjo dëshirë e atëhershme u kthye në mundësi të tanishme. Kështu, rileximit iu bashkëngjit përkthimi dhe unë, prej kur e fillova këtë punë, mendova se do ta mbyllja me një artikull a pasthënie të titulluar ripërkthimi si rilexim. Mbase edhe do ta bëja, sikur menjëherë pasi i dorëzova Onufrit përkthimin tim të ri, nuk do të më duhej të lexoja për herë të parë “Më thirr me emrin tënd” nga André Aciman, përkthyer prej Arbër Selmanit. Ishin dy libra që komunikonin me njëri-tjetrin. Të vija në pah këtë, ashtu sikurse edhe vështirësinë e krahasimit të një libri të lexuar rishtazi me një tjetër të rilexuar, kjo ishte më sfiduese për mua dhe më interesante për lexuesin e bezdisur prej minjve që pjellin malet e mbarsura me debate veç për hir të debateve, në çka rrezikonte të shndërrohej edhe rileximi si ripërkthim sepse e di se s’do ta mbaja dot veten pa krahasuar përkthimin tim me paraardhësin.
“Njerëz normalë”, botuar më së pari më 2019, u bë menjëherë bestseller ndërkombëtar i cili riktheu vëmendjen edhe te libri i mëparshëm i Rooney-t, “Biseda mes miqsh”, që, meqë ra fjala, po ripërkthehet dhe do të botohet nga “Onufri” së shpejti. Ai trajton një histori krejt të thjeshtë: një djalë dhe një vajzë lidhen në gjimnaz dhe, meqë vajza është subjekt i përhershëm i talljeve, djali e mban të fshehtë marrëdhënien mes tyre. Ndërsa në universitet, situata sikur përmbyset, vajza është e famshme kurse djali, nëse njihet prej dikujt, i vetmi shkak është raporti i tij me atë. Ky çift dinamik që ecën mbi fijen e hollë të kësaj marrëdhënieje toksike, thuajse përherë i papërvijuar si çift romantik por më së shumti si dyshe e përkohshme, raportohet me mikro-dhe-makro-shoqërinë edhe si pjesë e brendshme e tyrja, edhe si vëzhgues të jashtëm. Vajza, Mariana, ka opinione për çdo gjë, nga protestat lokale te situata politike kombëtare e te luftërat ndërkombëtare. Liria e Palestinës e mundon, ashtu sikurse mundon vërtetë edhe autoren e cila tani vonë rrezikon të mos i botojë më librat në Mbretërinë e Bashkuar pasi ka vendosur që një pjesë të honorarëve t’ia kalojë Palestine Action, e paligjshme me vendim qeverie për shkak të luftës kundër terrorizmit. Pavarësisht kësaj lirie në të menduar, ajo pyet përherë veten se si situata ku gjendet, sado e përditshme të jetë, do t’i dukej Konellit, djalit pra. Çfarë do të mendonte ai për të? Si do ta gjykonte? Po të ishte në vendin e saj, si do të vepronte?
Ato vërtetë njihen në shkollë, por lidhen tjetërkund, në shtëpinë e saj, ku e ëma e atij punon si pastruese. Sa herë gjërat duket se marrin për mirë, krisen aq pa u vënë re, thua kushtet për të qenë larg njëri-tjetrit enden dalëngadalë me durimin e një merimange të vogël e rrjetëhollë.
Sikurse Shën Pali thotë, në fund mbeten tri gjëra, feja, shpresa e dashuria. Në këtë roman, fe nuk ka, shpresa vdes e para dhe dashuria sikur vazhdon ashtu e brishtë dhe e tkurrur brenda çasteve të vogla ku të dy kalojnë mirë deri sa ndjejnë se po dëmtojnë tjetrin e, për rrjedhojë, veten. Mariana dhe Konelli nuk janë vetëm dy të rinj, janë dy mostra nga më tipikët të brezit të tyre, prandaj libri aq sa rezonon me milenialët dhe brezin Z, aq edhe komunikon me prindërit e tyre, jo duke ua bërë më të thjeshtë për t’i njohur fëmijët, por duke ua shpjeguar më konkretisht botën ku edhe ata, edhe fëmijët e tyre po jetojnë sot. Një botë e shthurur nga ndikimi i kapitalizmit dhe e mbërthyer prej arrogancës së më të fortit, sidomos kur ky i fundit nuk është një njeri i vetëm me emër e mbiemër, por një sjellje e kthyer në fenomen mbarëshoqëror. Pranohem shoqërisht, prandaj jam, mund të ishte një devizë e saktë për Konellin.
Mariana, nga ana tjetër, ka përjetuar një shtypje sistematike brenda familjes. Sado përpiqet, e ka të vështirë të jetojë pa të, ndaj e kërkon me këmbëngulje. Kur Konelli nuk ia jep, tëhuajsohet. Kur të tjerët ia ofrojnë, dëshpërohet.
Kryesisht, romancat komplikohen prej faktorëve të jashtëm. Dy të dashuruarit janë të marrosur pas njëri-tjetrit dhe rrethanat nuk i lejojnë të jenë bashkë. Letërsia klasike është plot me to, mjaft të kujtojmë Romeon me Zhulietën, Anën me Vronskin, Frederikun me Katerinën e sa e sa të tjerë. Po në ato raste kur dy të marrosurit pas njëri-tjetrit duket se e kanë në favor gjithë çka i rrethon, çfarë ua komplikon marrëdhënien? Vetvetja! Problemet e trashëguara e të patrajtuara. Trauma mos frikërat do t’u konkretizohen. Mungesa e besimit dhe besimi se mungesa është e pashmangshme. Prandaj “Njerëz normalë” është tronditës për nga thjeshtësia dhe mahnitës për nga brutaliteti i asaj normaleje me të cilën të përball. Sado të përgatitesh, prapëseprapë gjendesh i pazoti të reagosh disi. Nuk mund ta gjykosh qasjen vetëshkatërruese të Marianës e as nuk mund ta pranosh qasjen vetizoluese të Konellit. Të dy e mbartin procesin e rritjes si një barrë të rëndë, të përhershme dhe të panjohur e pikërisht prej kësaj, pra meqë nuk e njohin, as që përpiqen ta largojnë. Ata besojnë se ashtu janë, se ashtu duhet të jenë, se ashtu do të jenë përherë. U duket sikur e kanë pranuar veten, por s’është tamam kështu: Kanë pranuar se kanë ngecur në grackat ku i ka mbyllur e shkuara e jetuar dhe e pësuar. Prandaj, sa herë përpiqen të rriten, përpjekje që zakonisht orientohen nga njëri për te tjetri, pra Mariana do të ndihmojë Konellin të rritet dhe anasjelltas, vetësabotohen dhe nuk e lejojnë procesin të ndodh. Two lost souls swiming in a fish bowl.
Në romanin tjetër, dy personazhet kryesorë vijojnë të jenë shpirtra, ama këtë herë janë shpirtra të gjetur të cilët po notojnë në një det të stërmadh të panjohurash. Two found souls swiming in a big sea. Ashtu si Mariana dhe Konelli, marrëdhënia u sendërtohet në mënyra të çuditshme, deri sa binden se nuk ka më kuptim të hiqen sikur po përpiqen t’ia fshehin njëri-tjetrit dëshirën e tyre të përbashkët. Të dy e dinë se të dy e dinë që e pëlqejnë njëri-tjetrin. Por prapëseprapë, dëshira karnale, epshi instiktiv vijojnë të veprojnë egërsisht nën petku e qetësisë më të bindur ndaj heshtjes së imponuar prej intelektualizmit.
Janë dy djem, Elio dhe Oliveri. I pari, shtatëmbëdhjetë vjeç. I dyti, njëzetekatër. Babai i të parit, profesor ordinar, ka një vilë në një bregdet italian ku kalon verën bashkë me familjen dhe çdo vit, fton një profesor a kërkues të ri t’u bashkohet dhe atij që vjen, i ofron një si tip rezidence verore ku mund të punojë me librin a studimin e fundit që ka ndër duar. Mysafiri jeton aty, në shtëpi, bashkë me familjen, si pjesë e saj. Atë verë kur ndodhin ngjarjet, i ftuari është Oliveri, një profesor i ri nga Amerika të cilit i po i përkthehet në italisht një libër ndaj edhe i duhet të punojë ngushtësisht me përkthyesen dhe botuesin që libri të bëhet gati për botim. Prej se e sheh, Elioja e di, e kupton, nuk do t’ia dalë të mos e mendojë atë me veten e vet, atë brenda vetes së vet.
Sërish nuk janë rrethanat që e ndërlikojnë marrëdhënien; frika prej tyre e vonon atë, e vonon, e vonon, e vonon deri kur nuk ka më kuptim, nuk ka më kohë, duhet vepruar dhe ashtu ndodh, veprohet, jetohet, arrihet ajo nirvanë që mandej, edhe kur mbetet veçse një kujtim i largët, të lumturon sa herë e sjell në mendje. Por para se të shndërrohet në të tillë, dashuria nga një motor veprues e nxitës, shërben si një pengesë ndaluese dhe pritëse. Asnjëri nuk nxiton, sepse secili dëshiron ta ruajë tjetrin. Tjetri është më i rëndësishëm, herë sepse po u kalua kufiri, mund ta humbasësh edhe si mik e herë të tjera ngase, meqë është e qartë se ajo çka dëshirohet nuk mund të sjellë asgjë të përhershme, tjetri mund të lëndohet. Gjithçka e kësaj bote është e përkohshme, prandaj përgjithësisht njerëzit janë kaq të trishtë.
“Më thirr me emrin tënd” e zhvendos narracionin në një ligjërim shumë të lartë, fjalët përzgjidhen me kujdes prej njerëzve që janë rritur me kujdes dhe që, gjithë jetën e kanë ngritur mbi respektin më të thellë ndaj gjuhës. Gjuha nuk është më vetëm mjet për të shprehur, por shprehia vetë është një synim i arritur. E folura ua përcakton tiparet, deri edhe ato fizike. Prandaj, libri jo vetëm rrëfen, por flet gati konkretisht, duke u kthyer në një album për regjistrat më të epërm të gjuhës.
Nëse dashuria ku kishin rënë Elioja dhe Oliveri do të ishte e njëjtë me të gjitha dashuritë, mohimi i saj do të rezultonte me një ftohje të natyrshme deri te ndarja e pashmangshme. Por jo, dashuria e tyre ishte thuajse lëndore, kishte një jetë të sajën aq të pavarur prej tyre saqë, kur e vuri re se asgjë nuk po ndodhte, iku dhe ra ajo mbi to. Vetëm atëherë kur dashuria ra mbi Elion dhe Oliverin, yjet u renditën si shigjeta e Kupidit që shponte njëra pas tjetrës shenjat e horoskopit të të dyve.
Aftësia e të tjerëve, sidomos e babait të Elios për ta kuptuar këtë e po ashtu, mënyra se si të dy personazhet tona rriten të pashkëputur prej harresës ndonëse thuajse pa asnjë komunikim, si dhe fatet e rrugët e ndryshme që jetët e tyre marrin, i kthejnë ata në bartës të lajtmotivit se bota si e tërë s’është gjë tjetër veçse mënyra se si botët e vogla të njerëzve komunikojnë dhe lidhen me njëra-tjetrën. Pikërisht ky komunikim i çalë e i copëtuar duhet të jetë shkaku pse kjo botë si e tërë, shpesh dështon t’i kalojë kufijtë e botës së një libri. “Më thirr me emrin tënd” është ngushëllim për gjithë të palumturit e kësaj bote dhe ndonëse nuk synon të japë e as nuk jep kurrfarë mesazhi, mbart brenda vetes kumtin se mbas boret t’dimnit çilet prendvera.
Dashuria është personazh në të dy këto romane. Te të dy trajtohet ndryshe, ama pa qenë kundërthënëse, por përplotësuese. Nëpërmjet “Njerëz normalë”, njohim atë dashuri të vrullshme së cilës i paraprin gjithë diapazoni që dikur mund të imagjinohej vetëm brenda dashurisë. Pra, ndonëse çifti është tradicional, një djalë dhe një vajzë, sjellja e tyre është krejt liberale: pa u dashuruar, jetojnë gjithë çka hamendësohet si eksluzivitet i dashurisë. Mariana dhe Konelli njihen, fshihen, bëjnë seks, ndahen, harrohen, marrin vesh se marrëdhënia e tyre e fshehtë kishte qenë publike, rinjihen, dashurohen ndahen, pajtohen, ndonëse të dashuruar jetojnë si miq-me-benefite, ndahen prapë, i prezantojnë sho-shoqit të dashurit e rinj, ndahen prej tyre, pajtohen prapë me to, pastaj me njëri-tjetrin e sa e sa mikrosituata të tjera, deri sa vjen fundi i pafundëm.
Ndërsa te “Më thirr me emrin tënd”, çifti është liberal nga çdo aspekt, dy djem, diferencë në moshë, situatë e ndërlikuar, patjetërshmëria e fshehtësisë e sa e sa të tjera, por pavarësisht kësaj, dashuria ndodh në rendin e zakonshëm e të natyrshmërisë së saj: ata njihen, pëlqehen, dëshirohen, dashurohen e mandej bëjnë dashuri. Se nuk ka kuptim të them çfarë ndodh më pas.
Më kujtohet një shprehje nga “Faji në yjet tanë” i John Green: Ne nuk mund të zgjedhim nëse do të lëndohemi apo jo, por kemi njëfarë mundësie për të zgjedhur nga kush mund të lëndohemi. Në këtë pozitë, në këto romane, është vetë dashuria. Ajo asnjëherë nuk i lëndon personazhet e tjerë, por vetëm lëndohet prej tyre. Te “Njerëz normalë”, shmanget dhe nëpërkëmbet prej rrethanave të mbrujtura shumë para ardhjes së saj. Te “Më thirr me emrin tënd”, fshihet dhe përthyhet, deri sa i bëhet e qartë se në fakt, përkthyerja është mënyra se si farkëtohet dhe kthehet në portë sublime të lumturisë. Dashuria pra, në të dy këto romane, nuk është gjendje, ndjenjë jo e jo. Ajo shoqëron personazhet si njëri prej tyre dhe ndonjëherë, merr edhe rolin e bashkautorit.
Ka disa balona aq të mëdha, saqë e vetmja mundësi për t’i mbajtur në ajër është po të kenë dy fije që i tërheqin dy njerëz të ndryshëm, të cilët vrapojnë në sinkroni të plotë. Kështu është dashuria në këto dy romane. Njëra prej fijeve të saj është në Romë mes duarve të Elios dhe Oliverit, kurse tjetra, në apartamentin e vogël dublinas të Marianës, ku Konelli s’e kupton dot arsyen pse ajo i bindet çdo dëshire të tij. Këtë të dytin nuk e lëviz askush, ndërsa me të parin, ata që e mbajnë vrapojnë me nxitim. Prandaj duhet lexuesi, t’i balancojë lëvizjet me përvojën e vet. Ashtu do të mundet ta zbulojë se në cilën anë përket. A është njeri normal, dikush që do ta thërriste tjetrin me emrin e vet apo një njeri që do ta vërtetojë bindjen time pas leximit të këtyre dy librave, se njerëzit normalë thirren vetëm me emrat e njëri-tjetrit?



