Kreu Letërsi Bibliotekë Robert Galbraith: Zemër sterrë e zezë

Robert Galbraith: Zemër sterrë e zezë

1

Përse sytë të prehen tek unë i le

Dhe frymën e mbajte njëfarë?

Kurrë nuk do të jetë për be

Si të mos kishte ngjarë.

Mary Elizabeth Coleridge

Një çast

Mes gjithë çifteve të ulura në Bar Rivoli të Ritzit, atë të enjte mbrëma, dyshja që po dëfrehej qartas më shumë, në të vërtetë nuk ishte çift.

Kormoran Strajku dhe Robin Elakoti, detektivë privatë, ortakë biznesi dhe të vetëdeklaruar miq të ngushtë, po festonin ditëlindjen e tridhjetë të Robinit. Me të mbërritur në barin që i ngjasonte një kutie bizhuterish art deco, me mure prej druri të errët dhe të praruar e xhama akulli Lalique, kishin ndier të dy njëfarë parehatie, ngase ishin të vetëdijshëm se ajo qe e vetmja dalje që kur ishin njohur, pesë vjet më parë. Nuk kishin vendosur kurrë më parë të kalonin një mbrëmje jashtë pune në shoqërinë e njëri-tjetrit, pa praninë e miqve apo kolegëve të tjerë, apo pa pretekstin e ndonjë incidenti (para disa javësh kishte pasur një rast të tillë, kur Strajku i kishte shkaktuar ortakes pa dashje dy sy të nxirë dhe i kishte ofruar darkën nga një restorant indian si dëmshpërblim).

Diçka edhe më e pazakontë, të dy kishin fjetur bollshëm dhe dukeshin më së miri. Robini kishte veshur një fustan kaltërosh ngjitur për trupi, me flokët e derdhur biondë të sapolarë, dhe ortaku i vuri re shikimet admiruese të pijetarëve meshkuj teksa ajo kalonte. I kishte bërë komplimente për gurin e opalit që i varej në gropëzën rrëzë gushës, i cili kishte qenë dhuratë nga prindërit për tridhjetëvjetorin e lindjes. Diamantet e vogla përreth tij krijonin një aureolë shndritëse në dritën e praruar të barit dhe sa herë që Robini lëvizte, nga thellësia e opalit vezullonin shkëndija flakë të kuqe.

Strajku kishte veshur kostumin e preferuar italian, me këmishë të bardhë dhe kravatë të errët. Ngjashmëria me një Bethoven paksa mbi peshë dhe me hundën e thyer, ishte më e dukshme tashmë që kishte rruar mjekrën, por buzëqeshja e ngrohtë e kamerieres për Strajkun tek i sillte pijen e parë Old Fashioned, i kishte kujtuar Robinit diçka që kishte thënë për të Sara Shadloku, gruaja e ish-burrit të saj: “Seç ka një hijeshi të çuditshme, apo jo? Disi i shkalafitur, por s’është problem.”

Sa gënjeshtare: Sarës i pëlqenin burrat e pashëm dhe tërheqës, siç e tregonte gjuetia e vazhdueshme dhe me fund të suksesshëm ndaj Metjusë!

Ulur përballë njëri-tjetrit në karriget me motive leopardi të tavolinës dyshe, Strajku dhe Robini e kishin thyer akullin e fillimit, duke folur për punën. Diskutimet për çështjet e fundit i shoqëruan gjatë koktejit të parë dhe të fortë, derisa të qeshurat e tyre përherë e më të larta zunë të tërhiqnin vështrimet e banakierëve dhe klientëve bashkë. Robinit filluan shpejt t’i shkëlqenin sytë dhe fytyra iu skuq lehtas, madje edhe Strajku, që ishte goxha më trupmadh sesa ortakja dhe më se i aftë ta mbante alkoolin, kishte pirë aq shumë burbon sa të ndihej optimist dhe i shpenguar.

Biseda u bë më personale pas koktejit të dytë. Strajku, që ishte djali i jashtëligjshëm i një ylli rroku, të cilin e kishte takuar vetëm dy herë, i tha Robinit se njëra nga motrat e tij me babë, Prudensa, kishte kërkuar ta takonte.

– Si i bie të jetë kjo?- pyeti Robini. E dinte që babai i Strajkut ishte martuar tri herë dhe që ortaku i saj ishte rezultati i një nate seksi me një grua që shtypi e përshkruante zakonisht, supergroupie, por për pjesën tjetër të pemës familjare, kishte ide të paqarta.

– Kjo është e jashtëligjshmja tjetër,- tha Strajku.- Disa vjet më e re se unë. E ëma ka qenë aktore, e mban mend Lindzi Fantropin? Me racë të përzier. Ka pasur role kudo, në EastEnders, The Bill…

– Do që ta takosh Prudensën?

– S’jam i sigurt,- pranoi Strajku.- Sikur s’më mjafton të merrem me të afërmit që kam! Për më tepër është psikoterapiste.

– E cilës rrymë?

– Jungiane.

Shprehja e fytyrës së tij, që mbartte një përzierje dyshimi dhe mospëlqimi, e bëri Robinin t’ia kriste të qeshurit.

– Ç’të keqe ka të jesh psikoterapiste jungiane?

– S’e di… nga mesazhet nuk duket keq, por…

Teksa Strajku rrekej të gjente fjalët e duhura, vështrimi i ra mbi panelin e bronztë të murit pas kokës së Robinit, që shfaqte Ledën e mbarsur nga Zeusi, në trajtën e një mjellme.

– … tha që as ajo s’e kishte pasur të lehtë ta kishte për baba. Por kur mësova zanatin që bën…

Atij iu fik zëri. Piu edhe pak burbon.

– T’u duk e pasinqertë?

– Jo tamam e pasinqertë… – tha Strajku me një psherëtimë.- Por më ka ardhur në majë të hundës nga psikologët që më thonë pse jetoj kështu dhe çdo gjë e shpien tek e ashtuquajtura familja ime. Prudensa tha në një nga mesazhet, se ta falte Rokbinë kishte qenë “shërim”… Varja,- tha befas Strajku,- ke ditëlindjen, ndaj të flasim për familjen tënde. Ç’punë bën babai yt? S’ma ke thënë asnjëherë.

– Oh, s’ta paskam thënë?!- pyeti Robini me njëfarë habie.- Është profesor i kujdesit mjekësor, prodhimit dhe riprodhimit të dhenve.

Strajku desh u mbyt me koktejin.

– Ç’ka për të qeshur?- pyeti Robini, e çuditur.

– Më fal,- tha Strajku, duke u kollitur dhe duke qeshur njëkohësisht.- Thjesht s’e prisja.

– Është një autoritet, që ta dish,- tha Robini, kinse e fyer.

– Profesor i kujdesit… Edhe një herë, ç’ishte pjesa tjetër?

– Mjekësor, prodhimit dhe riprodh… Ç’paska për të qeshur kaq shumë?- tha Robini, ndërsa Strajku ia plasi një tjetër gazi.

– S’e di, mbase kjo puna e “prodhimit” dhe “riprodhimit”,- tha Strajku.- Por edhe e dhenve.

– Specializimi i tij ka pesëdhjetë e dy shkronja. I kam numëruar kur isha fëmijë.

– Goxha mbresëlënëse,- tha Strajku, teksa kthente një tjetër gllënjkë burboni, duke u orvatur të dukej serioz.- Kur filloi të interesohej për dhentë? E ka pasur gjithë jetën apo i tërhoqi vëmendjen ndonjë dele e veçantë kur…

– Ai nuk i shkep ato, Strajk.

Njerëzit kthyen kokat nga e qeshura e Strajkut.

– Vëllait të tij të madh i lanë trashëgimi fermën e familjes, ndaj im atë studioi shkenca veterinare në Durham dhe, po, u specializua… Mjaft qeshe, ç’është kjo punë! Është edhe drejtor reviste.

– Të lutem, më thuaj që është për dhentë!

– Po, ashtu është! Menaxhimi i dhenve,- tha Robini,- dhe para se të pyesësh, jo, s’kanë ndonjë rubrikë fotografish me delen më të votuar nga lexuesit.

Exit mobile version