Kreu Letërsi Bibliotekë Rexhep Ferri: Renesanca e zezë

Rexhep Ferri: Renesanca e zezë

Rexhep Ferri

1.

Për famën njerëzore, në kujtesën tonë, është një lexim.
Njerëzit me pozita shtetërore ëndërrojnë edhe ditën.
Më mirë se natën.
Natën i tremb frika ngapak.
Terri ua prish gjumin.
Çka është më e rëndësishme në jetë: të jesh i pasur, apo të jetosh e të vdesësh me fytyrë?
Kjo jetë nuk ka hapësirë tjetër.
Kur e dijmë dhe nuk e dijmë njeriu a ka vlerë tjetër?
Ka qenë pak i lumtur, por nuk e di a është ende i tillë.
Për të zbardhur fotografinë dokumentare, njeriu nuk e kupton historinë më pak se kaq.
Për ta shpëtuar jetën, për ta ruajtur fytyrën, çka është më e rëndësishme në jetë.
Kur liria nuk ka hapësirë lirie.
Mund të kërkojmë e të mos gjejmë pse jemi e ku shkojmë.
Për të përfunduar mirë, nuk di çfarë të them.
Asgjë nuk ka kuptim.
Jeta është kuptim.

2.

Në Sheshin e Qytetit çdo ditë kërcet tupani.
-O milet!
Të shohim, apo jo?
Sytë i kemi.
Çdo gjë ka marrë fund!…
Copat e qiellit të shtatë po na shoqërojnë.
Ato ende luftojnë për liri.
Ajo liri nuk është liria që e kemi pritur.
Mospërgjegjësinë nuk e kap asnjë ligj.
Deshëm apo nuk deshëm, maskës së zezë bizantine për Ballkanin e evropianizimin, veshët e gomarit i dalin.
Kjo meritë është krenaria e atyre që nuk janë askund.
Borgjezinë e pasluftës që nuk ishte askushi duhet ta kemi parasysh.
Duhet ta kemi parasysh këtë nivel kaq të lartë të ëndrrës mashtruese që nuk e kemi pasur kurrë.
Mes budallenjve jetojmë me dëshira të çmendura.
Vetëm hapësira e durimit përpiqet ta kuptojë fundin.
Dy mijë vjet ia kemi futur gjumit.
Harresa është lezeti i gjumit.
E dimë mirë se Zoti nuk i përdor këto fjalë.
Ai është i madh.
Kërkon fjalë.
Dhe, e dyta, deri sot hapësira trishtuese flet se si na i kanë marrë me dhunë pesë krahinat e atdheut.
Me nëntëdhjetë e nëntë për qind humbje.
Ku do të na çojë rrëfimi?
-Jeta është lëvizje, – ka thënë Aristoteli.

3.

Fytyra e njeriut me maskë çka paraqet?
Përsëritja është në shërbim të frikës.
Sot nuk dihet çka është rrenë e çka është e vërtetë.
Në këtë pikë nuk ka ndalesa të tjera.
Përtej vetvetes nuk shkohet.
Njerëzit nuk e prishin me pak qetësinë.
Dhe, nuk e teprojnë më shumë se shumë.
Nga përvoja fisnike e harrojmë poshtërsinë.
Shpesh ky qëndrim kushton e kushton.
Jeta është jetë e jo leckë.
Pse të mësohemi e të jetojmë me vetminë.
Urrejtjet shpesh po ia zënë vendin njëra tjetrës.
Njeriu nuk më frikohet nga ndërgjegjja.
Mospajtimi është luftë e humbur.
Ku është e ardhmja.
Le të dihet.
Ideali estetik nuk ekziston.

4.

Kemi shumë nevojë për lirinë.
Hapësirën e saj kurrë nuk e patëm të njohur.
Një njeri, patriot-mashtrues tha:

  • Kush është i zoti le të del e të thotë: kështu nuk shkon!
    Gjatë çdo lufte e pas çdo lufte asnjëherë s’do ta harrojmë se mashtrimi është një çmenduri, e bukur.
    Pa dyshim: mashtrim.
    Me një dritë artificiale harruam krejt çka kemi ditur për historinë.
    Falë Zotit, mbetëm të gjallë.
    Me frymën e kohës i kishim të qeshurën dhe seriozitetin.
    Dy jetë të ndryshme në një kujtim.
    Bëhuni të padukshëm.
    Të paprekshëm.
    Jeta nuk kuptohet me fjalë.
    Sytë i kemi që të shohim e që të korrigjojmë dëshirat e natës pa gjumë.

5.

Nga po fryn era e çka po presim, nuk e dijmë.
Njëra nga pyetjet mund të jetë kush po na prinë dhe ku po shkojmë.
Kështu nuk shkon.
Asnjëherë jetën nuk e kemi përjetuar seriozisht.
Pse nuk ndihemi mirë me njëri-tjetrin, jeta kurrë nuk ka qenë fajtore.
Me dyshimet e zeza.
Me simbole të rralla.
Njeriu i pafytyrë, me merita e pa ndershme mburret.
Nëse rrugaçëria është vlerë çka mund të presim nga rrugaçëria.
Fytyrës çdo ditë e më shumë po ia qesim maskën fytyrës.
Si ta drejtojmë e si të sjellemi kur na ofrohen njerëzit sojli me maskë.
Pas një rishikimi rreth vetes u ndala.
Shikova hënën.
Ajo qeshi.
Errësira foli për sjelljet e njerëzve.
Zjarri që na priste në terr për një fjalë goje i mbylli sytë.
Në mes të natës, reagimet i kishim të trembura.
Për renesancën e zezë për renesancën e zezë.

6.

Një burim i energjisë artifikicale është shija e kohës së ardhshme.
Me sytë e pabesë.
Ata që i njohim dhe ata që nuk i njohim, zërin e fjalës e pyesim: çka të bëjmë me dashurinë?
Lojërat nuk kanë kufijë.
As drita artificiale nuk ka bukuri natyrale.
Mos u përpiqni ta kaloni kufirin.
Çfarë do të bëhet nuk e di.
Koha po ndryshon.
Për mirë, apo për të keq.
Nuk e di a do ta njohim dhe a do ta kuptojmë se sa kemi qenë naiv.
Mos merrni zjarr.
Bota do të vazhdojë si më parë.
Ne nuk e shohim veten se po ndryshojmë. Me buzëqeshje, duke qarë e duke u qeshur, nuk e kishe kornizën e kujtimit.

7.

Kush është trim le ta dijë: a ka apo s’ka Zot!
Duartrokitjet kujdesen që të mos shkojmë më larg.
-Fol! – tha një i pafytyrë.
-Çka të them? – e pyeta.
-Kush jemi?
-Afroma veshin!
-I treti është gjuetari!
Bota është e ndarë në të gjallë e në të vdekur.
Historia nuk gabon.
Flet.
Hesht.
Harron.
S’mbeti gjë: as nga fjala komb, as nga fjala mbret, as nga fjala kryeqytet.
Hasan Jevgu çdo ditë i bie tupanit dhe kërcen vetë.
S’ka Zot.
Ka mbret!…
Ka Zot…

Exit mobile version