Kreu Letërsi Bibliotekë Borges: Kopshti me shtigje që bigëzohen

Borges: Kopshti me shtigje që bigëzohen

Përktheu nga origjinali: Mira Meksi

Për Victoria Ocampo-n

Në faqen 22 të Historisë së Luftës Evropiane, të Liddell Hart-it, lexon se sulmi i trembëdhjetë divizioneve britanike (të mbuluara nga një mijë e katërqind pjesë artilerie) kundër vijës Serre-Montauban, parashikuar për në 24 korrik 1916, u shty deri në mëngjesin e datës 29. Shirat e rrëmbyeshëm (shpjegon kapiteni Liddell Hart) qenë shkaku i kësaj shtyrjeje – që sigurisht nuk pati ndonjë rëndësi. Deklarata e mëposhtme, e diktuar, e kontrolluar dhe e firmosur nga doktor YU Tsun, profesor i vjetër i anglishtes në Hochschule të Tsingtao-s, hedh  dritë të sigurt mbi këtë ngjarje. Mungojnë dy faqet e para.

“…dhe mbylla telefonin. Përnjëherë njoha zërin që ishte përgjigjur në gjermanisht. Ishte zëri i kapitenit Richard Madden. Madden-i në apartamentin e Viktor Runeberg-ut, do të thoshte fundi i anktheve dhe – por kjo dukej hiçmosgjë, ose ashtu më ngjante mua – i jetës sonë. Donte të thoshte se Runeberg-un, ja e kishin arrestuar, ja e kishin vrarë. Përpara se të perëndojë dielli i kësaj dite, mua më pret i njëjti fat. Madden-i qe i pamëshirshëm, ose më mirë ishte i detyruar të qe i tillë. Irlandez nën urdhërat e Anglisë, i akuzuar më parë si jo shumë i flaktë, e ndoshta i akuzuar edhe për tradhti, s’kish si të mos e kapte flurthi e të mos ishte mirënjohës për këtë të mirë që i binte prej qielli: zbulimi, kapja dhe ndoshta vdekja e dy agjentëve të perandorisë gjermane? U ngjita në dhomën time; në mënyrë krejt absurde mbylla derën me çelës dhe u shtriva në shpinë në shtratin e ngushtë prej hekuri. Nga dritarja vështroja po ato pullaze të gjithhershme dhe diellin e orës gjashtë zënë nga retë. M’u duk e pabesueshme që kjo ditë pa parandjenja e pa simbole të qe dita e vdekjes sime të pashmangshme. Ndonëse më kish vdekur im atë, ndonëse e kisha kaluar fëmijërinë në një kopsht simetrik të Hai Feng-ut, edhe mua më kishte ardhur radha të vdisja. Pastaj vrave mendjen dhe kuptova se gjithçka që ka për të ndodhur, do të ndodhë tani, pikërisht tani. Kalojnë shekujt dhe vetëm tani, në të tashmen ndodhin gjëra. S’numërohen njerëzit që janë në ajër, në tokë, në det dhe gjithçka që ndodh realisht, më ndodh mua… Kujtimi gati i pahonepsshëm i surratit prej kali të Madden-it, m’i fshiu këto përçartje. Në mes urrejtjes dhe tmerrit (tani s’ma bën syri tërr të flas për tmerrin, tani që jam tallur paq me Richard Madden-in, tani që qafa ime e ka me hak litarin) mendova se ai luftëtar shkumëzues dhe pa dyshim i lumtur, nuk dyshonte aspak se unë kisha në dorë të Fshehtën.  Emrin e vendit të saktë ku gjendej fusha e re e artilerisë britanike mbi Ancre. Një zog vijëzoi qiellin e hirtë dhe verbazi unë e përfytyrova si avion dhe atë avion e ktheva në shumë avionë (në qiellin francez) tek fshinin nga faqja e dheut me bomba vertikale fushën e artilerisë. Ah sikur goja ime, përpara se ta copëtonte plumbi, të mund të këlthiste atë emër që ta dëgjonin deri në Gjermani… Zëri im njerëzor qe shumë i dobët. Qysh mund ta shpija deri në vesh të Shefit? Në veshin e atij njeriu të molisur dhe të urryer, që për Runeberg-un dhe mua dinte vetëm që ndodheshin në Staffordshire dhe priste më kot lajme nga ne në zyrën e tij të zbrazët në Berlin duke zhbiruar pafundësisht gazetat… Thashë me zë të lartë: Duhet të arratisem. U ngrita pa zhurmë, brenda një heshtjeje kotësisht të përkryer, sikur Madden-i të ishte tani duke më përgjuar. Diçka – mbase thjesht dëshira për t’i rrëfyer vetvetes se mundësitë që kisha qenë hiç – më bëri t’i ktheja xhepat nga ana tjetër. Gjeta ato që dija se do të gjeja. Orën amerikane, zinxhirin e saj prej nikeli dhe fushën katrore, mbajtësen e çelësave me çelësat kompromentues e të panevojshëm të apartamentit të Runeberg-ut, librezën, një letër që vendosa ta zhdukja në çast (por që nuk e zhduka), një koronë, dy shilinga dhe një cent, lapsin kuq e blu, shaminë, revolverin me një plumb. Në mënyrë krejt absurde, e peshova në dorë për t’i dhënë vetes kurajo. Mjegullazi mendova se një goditje pistolete mund të dëgjohej larg. Në dhjetë minuta e poqa planin tim. Libri i telefonave më dha emrin e njeriut të vetëm që mund ta jepte atë lajm: jetonte në rrethinat e Fenton-it, më pak se gjysmë ore rrugë me tren.

Jam burracak. Tani po e them, tani që kam përmbushur një plan, të cilin askush nuk ka për ta quajtur të rrezikshëm. Unë vetë e di sa i llahtarshëm qe zbatimi i tij. Nuk e bëra për Gjermaninë, jo. As që dua t’ia di për atë vend barbar që më detyroi të zhytem në fëlliqësinë e spiunllëkut. Përkundrazi, njoh një anglez – një njeri të thjeshtë – që për mua s’vlen më pak se Gëtja. Nuk fola më shumë se një orë me të, por gjatë asaj ore ai qe vetë Gëtja. E bëra të gjithën këtë sepse e ndieja që Shefi s’ua kishte fort besën njerëzve të sojit tim – paraardhësve të shumtë që vërshojnë brenda meje. Unë desha të provoja se një i verdhë mund t’i shpëtonte ushtritë e tyre. Veç kësaj unë duhet t’i ikja kapitenit. Duart dhe zëri i tij mund të trokisnin në derë nga çasti në çast. U vesha pa zhurmë, u përshëndosha me veten në pasqyrë, zbrita, bëra sytë katër duke kontrolluar rrugën e qetë dhe dola. Stacioni i trenit nuk ishte larg shtëpisë, por m’u duk më e udhës të merrja një makinë. Mendova se kështu rrezikoja më pak të më njihnin; puna është se në rrugën e shkretë e ndieja veten pafundësisht të dukshëm dhe të prekshëm. Më kujtohet se i thashë shoferit të ndalonte pak përpara hyrjes kryesore. Zbrita me një avashllëk të vullnetshëm e pothuaj të dhimbshëm. Do të shkoja në fshatin Ashgrove, por e preva biletën për një stacion më larg. Treni nisej pas pak, më njëzet e pesëdhjetë minuta. Nxitova këmbët; treni tjetër nisej më njëzet e një e gjysmë. Platforma qe pothuaj e shkretë. Përshkova vagonat: më kujtohet se pashë disa fshatarë, një grua veshur me të zeza, një djalosh që lexonte me zjarr Analet e Tacit-it, një ushtar të plagosur dhe të lumtur. Vagonat lëvizën më në fund. Një burrë që e njihja, vrapoi më kot deri te kufiri i platformës. Ishte kapiteni Richard Madden. I sfilitur, duke u dridhur, u kruspullosa në cepin tjetër të ndenjëses, larg xhamit të frikshëm.

Nga sfilitja, kalova në një lumturi pothuaj të turpshme. Mendova se dueli im tashmë kishte nisur dhe unë e kisha fituar davanë e parë, duke sfiduar, qoftë me ndihmën e atyre dyzet minutave, apo nga një fat i rastit, sulmin e armikut tim. Nxora përfundimin se kjo fitore hiçmosgjë, i hapte udhën fitores së plotë. I dhashë karar se nuk ishte fitore hiçmosgjë, sepse pa atë hapësirë të çmuar që më kishin dhënë në dorë oraret e trenave, tani do të isha, ja në burg, ja i vdekur. Arrita në përfundimin (jo më pak të stërholluar) se lumturia ime burracake provonte se isha i zoti ta shpija përpara aventurën. Nga kjo dobësi nxora forca që nuk më braktisën. Parashikoj se njeriu do t’i futet përherë e më tepër ndërmarrjeve mizore. Së shpejti në botë do të ketë veç luftëtarë dhe banditë. Atyre u jap këtë këshillë: ai që i futet një ndërmarrjeje mizore, duhet të imagjinojë se tashmë e ka përmbushur detyrën, duhet t’i imponojë vetes një të ardhme që të jetë e pakthyeshme, ashtu siç është e kaluara. Kështu veprova vetë, ndërsa sytë e mi prej të vdekuri ngujonin rrjedhën e asaj dite që ndoshta ishte e fundit, e po ashtu dhe nderjen e natës. Treni rrëshqiste butë mes mareve. U ndal pothuaj në mes të fushës. Askush nuk e njoftoi emrin e stacionit. “Ashgrove-i”? Pyeta disa fëmijë që rrinin në platformë. Ashgrove-i, m’u përgjigjën.

Një llambë ndriçonte platformën, por fytyrat e fëmijëve mbetën në zonën e errët. Njëri më pyeti: “Ju po shkoni në shtëpinë e doktor Stephen Albert-it?” Pa pritur përgjigje një tjetër tha: Shtëpia është larg që këtej, por do ta keni kollaj për ta gjetur po të merrni rrugën majtas dhe në çdo kryqëzim të ktheheni gjithmonë majtas. U hodha një monedhë (të fundit), zbrita disa shkallë guri dhe hyra në rrugën e vetmuar. Kjo zbriste teposhtë ngadalë. Ishte prej balte. Sipër degëzimet e saj ngatërroheshin. Hëna e ulët dhe e rrumbullakët dukej sikur më shoqëronte.

Për një çast mendova se Richard Madden-i kish depërtuar, në njëfarë mënyre, në planin tim të dëshpëruar. Shpejt kuptova se kjo qe e pamundur. Këshilla se përherë duhet të kthehesha majtas më kujtoi se kështu veprohej rëndom për të zbuluar oborrin qendror të disa labirinteve. Diç marr vesh nga labirintet; jo më kot jam stërnipi i Ts’ui Pen-it të famshëm që qeveriste Yunan-in dhe që hoqi dorë përkohësisht nga pushteti për të shkruar një roman, i cili do të qe ku e ku më popullor se Hung Lu Meng-u, si edhe për të ndërtuar një labirint ku të humbisnin të gjithë njerëzit. Këtij mundi të dyfishtë i kushtoi trembëdhjetë vjet, por një dorë e panjohur e vrau dhe romani i tij u gjykua si i pakuptimtë, ndërsa labirinti nuk u gjend askund. Nën hijen e pemëve angleze përsiatesha: labirintin e humbur e përfytyrova tek ngrihej i virgjër e i përkryer në majën e fshehtë të një mali; e përfytyrova të mbuluar nga orizoret a poshtë ujërave; e përfytyrova të pafund, jo të ndërtuar me ngrehina tetëkëndore apo me shtigje që kthehen mbrapsht, por me lumenj, provinca, mbretëri… E mendova si labirintin e labirinteve, si një labirint dredhashumë që zmadhohej pambarim, që nxinte brenda të kaluarën dhe të ardhmen dhe që, në njëfarë mënyre, përfshinte edhe yjësitë. I përhumbur në këto pamje mashtruese harrova që më përndiqnin. Për njëfarë kohe të papërcaktuar e ndjeva veten si një perceptues abstrakt i botës. Fusha e gjallë dhe e vagëlluar, hëna, fundmbrëmja vepruan tek unë ashtu si rrëpira e udhës që nuk linte asnjë mundësi lodhjeje. Mbrëmja ishte e fshehtë, e paanë. Udha zbriste dhe bigëzohej përmes luadheve tashmë të turbullta. Një muzikë e thekshme dhe si e rrokjëzuar afrohej e largohej me vajtje-ardhjen e erës,  mbytur nga gjethet dhe largësia. Mendova se një njeri mund të ishte armik i disa njerëzve, por jo i një vendi, jo i xixëllonjave, i fjalëve, i kopshteve, i rrjedhës së ujrave, i perëndimit të diellit. Kështu mbërrita përpara një porte të madhe e të ndryshkur. Që nga kangjellat deshifrova një rruginë dhe një si lloj pavioni. Kuptova përnjëherë dy gjëra, e para e rëndomtë, e dyta e pabesueshme: muzika vinte nga pavioni, muzika ishte kineze. Prandaj dhe e kisha pranuar të plotë dhe të tërën, pa i kushtuar shumë vëmendje. Nuk më kujtohet në kishte çok, zile apo trokita me dorë. Shkëndijimi i muzikës vazhdonte.

Por nga sfondi i shtëpisë së fshehtë po afrohej një fener: një fener që herë i ravijëzonte e herë i fshihte trungjet e pemëve, një fener prej letre në formë tamburi e ngjyrë hëne. E mbante në dorë një burrë i gjatë. Nuk ia pashë fytyrën, sepse më verbonte drita. Hapi portën dhe tha ngadalë në gjuhën time:

– E shoh që mëshirploti Hsi P’eng ka marrë përsipër të më lehtësojë vetminë. Ju, pa dyshim, kërkoni të shihni kopshtin, apo jo?

Njoha emrin e njërit prej konsujve tanë dhe përsërita i turbulluar:

– Kopshtin?

– Kopshtin me shtigje që bigëzohen.

Diçka u llokoçit në kujtimin tim dhe me një siguri të pakuptueshme fola:

– Kopshtin e stërgjyshit tim Ts’ui Pen-it.

– Stërgjyshi juaj? Stërgjyshi juaj i lavdishëm? Hyni.

Shtegu me lagështirë gjarpëronte si shtigjet e fëmijërisë sime. Arritëm në një bibliotekë me libra të Lindjes dhe Perëndimit. Njoha disa vëllime në dorëshkrim (të veshur me mëndafsh të verdhë) të Enciklopedisë së Humbur, të cilën e drejtoi vetë Perandori i Tretë i Dinastisë së Shndritshme dhe që nuk shkoi kurrë në shtyp. Disku i gramafonit xhironte pranë një feniksi prej bronxi. Më kujtohet po ashtu, një vazo e madhe e familjes, ngjyrë rozë dhe një tjetër, shekuj më e vjetër se e para, në ngjyrën e kaltërt që artizanët tanë e kopjuan nga poçarët e Persisë…

Stephen Albert-i më sodiste duke buzëqeshur. Ishte (e thashë më lart) shumë i gjatë dhe me tipare të mprehta, me sy ngjyrë gri dhe mjekër po gri. Kishte tek ai diçka prej prifti, por edhe prej marinari; më pas më rrëfeu se përpara se “të ëndërronte të bëhej sinolog”, kishte qenë misionar në Tientsin.

U ulëm; unë mbi një divan të gjatë e të ulët, ai me shpinë nga dritarja dhe nga një orë e lartë, e rrumbullakët. Llogarita se përndjekësi im, Richard Madden-i nuk kishte për të arritur aty përpara një ore. Vendimi im i pakthyeshëm mund të priste.

– Fat i çuditshëm, ky i Ts’ui Pen-it, – tha Stephen Albert-i. – Qeverisës i provincës së tij të lindjes, erudit në astronomi, në astrologji dhe në interpretimin e palodhur të librave kanonikë, shahist, poet i famshëm dhe kaligrafist. La gjithçka për të krijuar një libër dhe një labirint. Hoqi dorë nga kënaqësitë e studimit, të drejtësisë, femrave, nga banketet, nga vetë erudicioni, dhe u ngujua për trembëdhjetë vjet në Pavionin e Vetmisë së Qashtër. Pas vdekjes së tij, trashëgimtarët nuk gjetën veç dorëshkrime të ngatërruara. Familja, siç duhet ta dini besoj, deshi t’i digjte; por zbatuesi i tij testamentar – një murg taoist a budist – këmbënguli ta botonte.

– Ne të sojit të Ts’ui Pen-it, – iu përgjigja, – ende vazhdojnë ta urrejmë atë murg. Ai botim qe krejt pa mend. Libri s’është veçse një grumbull zhgarravinash kontradiktore. E kam studiuar një herë: në kapitullin e tretë heroi vdes, në të katërtin është i gjallë. Sa për ndërmarrjen tjetër të Ts’ui Pen-it, Labirintin e tij…

– Ja tek është Labirinti, – tha duke më rrëfyer një tryezë shkrimi të lartë e të lyer me llak.

– Një labirint fildishi! – brita. – Një labirint liliput…

– Një labirint simbolesh, – më korrigjoi. – Një labirint i padukshëm i kohës. Mua, anglezit të pagdhendur më takoi ta zbuloj këtë mister të tejdukshëm. Pas njëqind vjetësh detajet janë pothuaj të pandreqshme, por nuk është e vështirë të kuptohet ajo që ndodhi. Ts’ui Pen-i kishte thënë: Po shkoj të mbyllem, që të shkruaj një libër. Dhe më pas: Po shkoj të mbyllem që të ndërtoj një labirint. Të gjithë i përfytyruan këto si dy vepra: askujt nuk i shkoi mendja se libri dhe labirinti ishin një vepër e vetme. Pavioni i Vetmisë së Qashtër ngrihej ndoshta në qendër të një kopshti të padepërtueshëm; pikërisht kjo i bëri njerëzit të mendonin për një labirint fizik. Ts’ui Pen-i vdiq; në tokat e tij të paana askush nuk mundi dot ta gjente labirintin. Rrëmuja që karakterizonte romanin e tij më dha idenë se ky ishte labirinti. Dy rrethana më dhanë në dorë zgjidhjen e saktë të problemit. E para: legjenda e çuditshme që rrëfente se Ts’ui Pen-i kish vendosur të ndërtonte një labirint krejt të pafund. E dyta: një fragment letre që zbulova.

Albert-i u ngrit. Më ktheu shpinën për disa çaste; hapi një sirtar të zi dhe bojë ari të tryezës së shkrimit. U kthye me një letër, e cila më parë kishte qenë ngjyrë e kuqe-alle, ndërsa tani ishte rozake, e hollë dhe me kutia. Ts’ui Pen-i e kishte me hak famën si kaligraf i shquar. Lexova me pasion të pakuptuar fjalët që i kishte shkruar me një penë majëhollë një njeri i gjakut tim: U lë shumë ardhmërive (jo të gjithave) kopshtin tim me shtigje që bigëzohen.

I ktheva letrën në heshtje. Albert-i vazhdoi:

– Përpara se ta zbuloja këtë letër vrisja mendjen se qysh mund të ishte një libër i pafund. E vetmja hipotezë në të cilën arrita ishte se duhet të qe një volum ciklik, rrotullues. Një libër që ta kishte faqen e fundit njëlloj me të parën e të gëzonte kështu mundësinë për të vazhduar pafundësisht. M’u kujtua edhe nata që ndodhet në qendër të 1001 Netëve, kur mbretëresha Shahrazad (nga një lajthitje magjike e kopistit) zë e rrëfen fjalë për fjalë historinë e 1001 Netëve, duke rrezikuar të kthehet sërish në natën kur po rrëfen historinë dhe kështu deri në pafundësi.

Imagjinova, gjithashtu, një vepër platonike, të trashëgueshme, e cila përcillet nga ati te biri dhe ku secili individ i ri shton një kapitull, apo korrigjon me kujdes të përdëlluar faqet e të moçmeve. Këto hipoteza më zbavitën. Por asnjëra prej tyre nuk dukej madje as larg e larg, se përkonte me kapitujt kontradiktorë të Ts’ui Pen-it. Ndodhesha në këtë mëdyshje kur më dërguan që nga Oksfordi dorëshkrimin që sapo këqyrët. U ndala, siç kuptohet, në frazën: U lë shumë ardhmërive (jo të gjithave), kopshtin tim me shtigje që bigëzohen. Përnjëherë kuptova; kopshti me shtigje që bigëzohen ishte romani kaotik. Fraza shumëardhmërive (jo të gjithave),më shpuri në mendje imazhin e bigëzimit në kohë, jo në hapësirë. Rileximi i përgjithshëm që i bëra veprës, ma vërtetoi këtë teori. Në të gjitha krijimet fantastike, sa herë që njeriu ndeshet me disa mundësi, zgjedh njërën prej tyre dhe i asgjëson të tjerat. Në fantastikën e Ts’ui Pen-it të koklavitur, ai i zgjedh njëkohësisht të tëra. Krijon kështu ardhmëri të ndryshme, kohë të ndryshme që gëlojnë dhe bigëzohen. Që këtej rrjedhin kontradiktat e romanit. Fang-u për shembull, mban një të fshehtë. Një i panjohur troket në derën e tij; Fang-u vendos ta vrasë. Natyrisht ka shumë zgjidhje të mundshme: Fang-u mund ta vrasë furracakun, furracaku mund ta vrasë Fang-un, të dy mund të shpëtojnë, të dy mund të vdesin, etj. Në veprën e Ts’ui Pen-it ndodhin të gjitha zgjidhjet; secila është pikënisja e bigëzimeve të tjera. Ka herë kur shtigjet e këtij labirinti mblidhen në një pikë: për shembull, ju tani vini tek unë, por në një nga të kaluarat e mundshme ju jeni armiku im, në një tjetër, miku im. Nëse pranoni të dëgjoni artikulimin tim të pashërueshëm, po ju lexoj disa faqe.

Fytyra e tij në qerthullin e gjallë të llambës, ishte padyshim, fytyra e një plaku, por kishte diçka të pathyeshme, të përjetshme. Lexoi me një saktësi të ngadaltë dy variante të një kapitulli epik. Në variantin e parë, një ushtri që shkon në luftë, kalon përmes një mali të shkretë; llahtari i shkëmbinjve dhe errësirës i bën ushtarët ta përçmojnë jetën dhe ata e korrin fitoren me lehtësi. Në variantin e dytë, po ajo ushtri kalon përmes një pallati në festë; beteja e shkëlqyer u duket atyre si vazhdimi i festës dhe kthehen me fitore. I dëgjoja me një nderim të sinqertë ato fantazi të moçme, të cilat ndoshta s’do të më ngjanin aq të admirueshme sikur të mos qenë pjellë e mendjes së një njeriu të gjakut tim dhe sikur të mos m’i kthente sërish, gjatë një aventure të dëshpëruar në një ishull perëndimor, një njeri që i përkiste një mbretërie të largët. Më kujtohen fjalët e fundit që përsëriteshin në të dy variantet si një komandë e fshehtë: Kështu luftuan heronjtë me zemër të qetë e të lëvdueshme, me shpatë të furishme, të bindur për të vrarë dhe për të vdekur.

Që nga ai çast, rrotull meje, brenda trupit tim të errët, ndjeva një vrujim të padukshëm e të shenjtë. Nuk qe vrujimi i ushtrive që ndaheshin, shkonin paralel dhe më në fund puqeshin në një pikë; ishte një shqetësim më i pakapshëm, më i fshehtë dhe që në njëfarë mënyre, ato e paralajmëronin. Stephen Albert-i vijoi:

– Nuk besoj që stërgjyshi juaj i ndritur të ketë luajtur së koti me variantet e historisë. Nuk ka logjikë që të ketë sakrifikuar trembëdhjetë vjet për t’u marrë me një eksperiment të pafund retorik. Në vendin tuaj, romani është një gjini letrare e dorës së dytë; ndërsa asaj kohe përçmohej. Ts’ui Pen-i qe një romancier gjenial, por ishte gjithashtu edhe një njeri i letrave që, pa dyshim, asnjëherë nuk e quajti veten romancier safi. Sipas dëshirës së bashkëkohësve – dhe siç e rrëfen ngulmazi jeta e tij – ai kishte shije metafizike dhe mistike. Polemika filozofike pushton një pjesë të mirë të romanit të Ts’ui Pen-it. E di mirë se problemi që e shqetësoi dhe e torturoi më tepër ishte problemi që kishte thellësinë e honit – koha. E megjithatë, ky është i vetmi problem që nuk preket askund te kopshti. Ai nuk e përdor fjalën që do të thotë kohë.

Si e shpjegoni ju këtë mangësi të vullnetshme?

Propozova zgjidhje të ndryshme; të gjitha të pamjaftueshme. I diskutuam. Më në fund, Stephen Albert-i më tha:

– Në një gjëegjëzë me temë nga loja e shahut, cila është fjala e ndaluar?

U mendova një grimë dhe u përgjigja:

– Fjala shah.

– Saktë, – tha Albert-i. – Kopshti me shtigje që bigëzohen është një gjëegjëzë gjigande apo një alegori, tema e së cilës është koha; kjo e fshehtë e ndalon përdorimin e emrit të saj. Ta përjashtosh gjithmonë një fjalë, të përdorësh në vend të saj metafora të panevojshme, apo perifrazime të dukshme, është ndoshta mënyra më pedante për ta shprehur atë. Këtë metodë dredharake përdori i tërthorti Ts’ui Pen në të gjitha lakoret e romanit të tij të palidhur. Kam ballafaquar qindra dorëshkrime, kam korrigjuar gjithë gabimet që pat lënë pakujdesia e kopistëve, kam përfytyruar planin e këtij kaosi, kam ngritur në këmbë, ose kam kujtuar se kam ngritur në këmbë, rendin themeltar, kam përkthyer tërë veprën. Më rezulton se nuk ka përdorur asnjëherë të vetme fjalën kohë. Shpjegimi është i qartë: Kopshti me shtigje që bigëzohen është një imazh i paplotë, por jo i rremë i universit, ashtu siç e konceptonte Ts’ui Pen-i. Ndryshe nga Newton-i dhe Schopenhauer-i, stërgjyshi juaj nuk besonte se kishte një kohë të njëjtë, absolute. Besonte se ekzistonte një seri e pafundme kohësh, një rrjet zmadhues e mendjemarrës kohësh divergjente, konvergjente dhe paralele. Kjo thurimë kohësh që afrohen, bigëzohen, që priten apo që shpërfillen shekull pas shekulli, zapton të gjitha mundësitë. Në shumën e këtyre kohëve, ne nuk ekzistojmë; në disa prej tyre ekzistoni ju, ndërsa unë jo. Në të tjera, unë po e ju jo; në të tjera ekzistojmë të dy. Në këtë kohë, të cilën po jua jep një rastësi e favorshme, ju keni ardhur në shtëpinë time. Në një tjetër, duke përshkuar kopshtin, ju më keni gjetur të vdekur; në një kohë tjetër, unë them po këto fjalë, por jam një gabim, një fantazmë.

– Në të gjitha kohët, – thashë me një drithërimë në trup, – unë e adhuroj rikrijimin që i keni bërë kopshtit të Ts’ui Pen-it dhe ju falenderoj.

– Jo në të gjitha, – murmuriti ai duke buzëqeshur. –Koha bigëzohet pafund drejt të ardhmeve pambarim. Në një nga ato unë jam armiku juaj.

E ndjeva sërish atë vrujimin për të cilin tregova. M’u bë se kopshti i lagësht që rrethonte shtëpinë ishte mbushur deri në pafundësi me personazhe të padukshëm. Këta personazhe ishim unë dhe Albert-i, të fshehtë, punëshumë dhe shumëformësh në të tjera përmasa kohe. Ngrita sytë dhe ëndrra e ligë dhe e lehtë u shpërnda. Në kopshtin verdhë e zi ndodhej vetëm një njeri, por ky njeri ishte i fortë si një statujë, por ky njeri afrohej përmes shtegut dhe ishte kapiteni Richard Madden.

– E ardhmja ekziston tashmë, – u përgjigja, – por unë jam miku juaj. A mund ta këqyr edhe një herë letrën?

Albert-i u ngrit. Ashtu, i lartë, hapi sirtarin e tryezës së shkrimit. Më ktheu shpinën për një çast. Unë kisha bërë gati revolverin. E shkrepa me shumë kujdes. Albert-i u plas përtokë në vend, pa bërë as gëk, as mëk. Vdekja e tij qe e menjëhershme: vetëtimë.

Pjesa tjetër është irreale, pakogjë. Madden-i ia behu dhe më arrestoi. U dënova me varje. Fitova poshtërsisht: i njoftova Berlinit emrin e fshehtë të qytetit që duhet të sulmonin. Dje e bombarduan: e lexova në po ato gazeta që i propozonin Anglisë enigmën e sinologut të famshëm Stephen Albert, që u vra nga i panjohuri Yu Tsun. Shefi e gjeti çelësin e enigmës. Ai e dinte se detyra ime ishte të tregoja (përmes tollovisë së luftës) qytetin e quajtur Albert dhe se nuk gjeta tjetër mundësi veç të vrisja një njeri me këtë emër. Ai nuk e di (askush nuk mund ta dijë) pendimin vdekjeprurës dhe lodhjen time të parrëfyeshme.

Exit mobile version