HËNA E 25 QERSHORIT 2021
Hëna e plotë na ndrin si të ishte ditë
Flakë e kuqe në qiell si luleshtrydhe
Luleshtrydhe që mbi ne pikon dritë.
JOLËS
Në breg të liqenit dikur të humbi kuklla.
Ti e kërkove gjatë e ta gjeje s’munde.
Pse je ndalur këtu? Ç’pret të gjesh sot?
Mbase fëmijërinë që s’do ta gjesh dot?
NDARJA
Rruga drejt njeri – tjetrit
si akull i ngrirë.
Dy zemra rrëzohen
Në rënie të lirë.
KUR TI VJEN NË ËNDËRR
Kur ti vjen në ëndërr,
Ma sjell fjalën e ëmbël,
Ma sjell fjalën e hidhur,
Unë kërkoj lakun
Ty për të të lidhur.
Laku këputet ….
Zgjimi është më i hidhur.
URA DREJT VËLLEZËRVE ARBËRESHË
Ura e ndërtuar mbi valë me fjalë
Në zemër e mendje na lëkundet ngadalë
Uji është shkrirë me gjak në këtë
urë me fjalë.
Valët duartrokasin me gishtërinj
prej shkume,
Përplasen, flasin, shtërngohen me njëra-tjetrën
shumë
Thonë fjalën “Vëllezër” që është
e ngrohtë valë.