Kreu Letërsi Bibliotekë Psalme për jetën: Poe ∙ Dickinson ∙ Longfellow ∙ Whitman ∙ Frost...

Psalme për jetën: Poe ∙ Dickinson ∙ Longfellow ∙ Whitman ∙ Frost ∙ Plath ∙ Eliot

Shqipëroi nga origjinali dhe përgatiti: Artur Balli

Edgar Allan Poe

Ëndërr brenda ëndrrës

Këtë puthje përmbi ballë prano nga mua!
Dhe tani që po ik larg syve të tua
Vetëm lërmë të të them dy fjalë që dua –
S’e ke keq, aspak, për mua, në ke thënë
Se veç ëndërr, ah, të miat dit’ kan’ qënë;
Dhe pastaj, në qoftë shpresa fluturuar
Në një natë apo ditë është shuar
Apo brenda një vegimi është fikur,
A nuk është ajo, kështu, njësoj e ikur?
Gjithçka shohim edhe ngjajmë kësaj bote kaq të vjetër
Ëndërr është, brenda ëndrrës, asgjë tjetër.

Un’ qëndroj buzë një bregu të vetmuar
Prej përplasjeve të dallgës torturuar.
Dhe në dorë mbaj, shtrënguar, grushtit tim
Grimca rëre ngjyrë ar e plot shkëlqim.
Sa pak mbetur! Dhe si shkasin lehtësisht
Përmes gishtash dhe në det bien sërish
Prandaj qaj edhe vajtoj me lot e trisht’.
O Zot! S’mundkam ato grimca t’i mbaj dot
Brenda dorës, në një grusht të mbyllur fort?
O Zot! S’mundkam, veç disa, t’i shtrëngoj mirë,
T’i shpëtoj ato nga val’ e pamëshirë?
Mos çka shohim edhe ngjajmë kësaj bote kaq të vjetër
Ëndërr është, brenda ëndrrës, asgjë tjetër?


Shënim: Ëndërr brenda ëndrrës, e botuar së pari më 1849, është e famshme për mënyrën se si paraqet krizën ekzistenciale të jetës së përkohshme. Nëpërmjet dy strofave aq të ndryshme nga njëra-tjetra poeti do të tregojë ndryshimin mes ëndrrës dhe realitetit (ose realitetit të brendshëm dhe atij të jashtëm).
Poezia përcjell gjendjen e ngarkuar mendore prej ankthit e konfuzionit të thellë të poetit tek sheh se gjërat e rëndësishme në jetë shkasin tutje pa kuptuar.


Emily Dickinson

Një Zog u ul ndanë udhës sime

Një Zog u ul ndanë udhës sime –
Dhe nuk më pa q’isha përballë –
Me sqep e ndau një Krimb Toke, mespërmes
E hëngri mikun krimb, të gjallë,

Dhe Vesë piu përmbi Barin
Që kishte mbirë udhës, pranë –
Pastaj, t’i hapte rrug’ një Brumbulli, të shkonte,
Drejt Murit, hop, u hodh mënjanë –

Dhe syt’ si zare aq të bukur
I hidhte rrotull, frikësuar –
Dhe Kokën Pendkadife, tek e shihja
E kthente, gjith’ kujdes, nxituar

Sikur të priste një Rrezik –
Ia zgjata dorën me Thërrime,
Por shpleksi ai pendët. Krahët, butësisht
E shtynë qiellit të tij –

Siç Rremat çajnë Oqeanin
Dhe lënë pas tegel t’argjendtë –
Apo si Fluturat, prej Ledhit të Mesditës
Që pa spërkatje kridhen në lundrim.


Shënime: Kjo poezi, e thjeshtë në dukje dhe larg natyrës mistike të një pjese të madhe të krijimtarisë së poetes, do të ishte perfekte për lexuesit e rinj të poezisë. Ajo vlerësohet për muzikalitetin, ritmin e përsosur dhe imazhet e gjalla, duke treguar se ngjarje të thjeshta, të zakonshme, të jetës së përditshme mund të shpjegojnë bukurinë e natyrës. Zogu bëhet një emblemë esenciale, e gjallë, e egër, e pakapshme, që distancon natyrën nga njerëzit, të cilët dëshirojnë ta zotërojnë apo ta zbutin atë.


Henry Wadsworth Longfellow

Batica ngrihet, batica zbret

Batica ngrihet, batica zbret,
Muzgu rrëzohet, çafka thërret;
Përmbi rërën qull, kafe – përgjatë detit
Udhëtari nxiton hapin drejt qytetit,
Dhe batica ngrihet, batica zbret.

Terri mbulon çati e mure në qytet,
Dhe deti çirret errësirës e thërret;
Dallgët e vogla, shkumëbardha, fshijn’ me duar
Gjurmët e hapave mbi rërë, papushuar
Dhe batica ngrihet, batica zbret.

Mëngjesi feks; kali aty, në stallë të vet
Këmbët përplas e hingëllin, stallieri thërret;
Dita kthehet përsëri e zbardh çdo shteg,
Por s’kthehet kurr’, më, udhëtari n’atë breg.
Dhe batica ngrihet, batica zbret.


Shënime: Batica ngrihet, batica zbret është një poezi mjaft e njohur që dallon për thjeshtësinë, bukurinë artistike dhe veçantinë e strukturës së vargut. Lëvizja ciklike dhe pa mbarim të baticës, që tregon ekzistencën e pafundme të universit, vjen në kontrast me ciklin “e shkurtër” të jetës njerëzore; udhëtari nuk kthehet më në breg se ka vdekur. Natyra që vazhdon ekzistencën e saj mes procesesh ciklike është indiferente ndaj humbjes së jetëve njerëzore, bile koha, e pandjeshme, fshin pareshtur gjurmët e atyre që nuk janë më.


Walt Whitman

Rri e vështroj

Rri e vështroj mbi gjithë dhimbjet e kësaj bote
dhe mbi gjithë mizoritë, paturpësitë;
Dëgjoj gulçet drithëruese të të rinjve, agonitë që fshehur
mbajnë brenda, me pendimin për ç’kanë bërë;
Shikoj nëna nëpër geto, duke vdekur, abuzuar
prej fëmijëve, shpërfillur, zemërthyer, dëshpëruar;
Shikoj gra keq të dhunuara nga burrat – shoh mashtrues
të pabesë vajzash të vogla;
Vrej përvëlimin e xhelozisë dhe dashuritë e pafat
që bëjnë çmos t’i fshihen botës,
gjithë këto pamje i kam në sy
Shoh pasojat e betejave, murtajat, tiranitë – shoh martirë
dhe burgaxhinj
Para syve kam urinë në mes të detit – marinarët duke zgjedhur
ata që duhen vrarë, të tjerët që të mund të mbijetojnë.
Vëzhgoj injorimin, poshtërimin e arrogantëve
ndaj punëtorëve, varfanjakëve dhe zezakëve,
a të ngjashmëve me ta
Që të gjitha – të gjitha poshtërsitë edhe agonitë
që s’kanë fund, rri dhe i vështroj
Shikoj, dëgjoj dhe hesht.


Shënime: Toni i kësaj poezie është fund e krye negativ dhe pesi-mist, ndërsa imazheria apokaliptike. Ardhja e sistemit kapitalist, tmerrësisht të egër, në fillimet e tij, përveçse burim mjerimi e varfërie për masat e gjera, ishte edhe një impakt i frikshëm mbi jetët e njerëzve, ku parimet sociale shkeleshin hapur prej interesave individuale e të ngushta. Bota ishte e mbushur me kaq mizori, mëkate dhe errësirë, sa poeti nuk mund t’i hiqte nga sytë për asnjë çast.
Por ai vetëm shikon, vështron, dëgjon, vëzhgon, vëren dhe nuk mund të bëjë asgjë tjetër. Duhet të ketë qenë e rëndë për të, të shohë dhe të mos mundë të ndihmojë njerëzit. Mbase kjo ka qenë arsyeja që ai shkroi Rri dhe vështroj.


Robert Frost

Jam njohur me natën

Kam qenë dikush që natën ka njohur e kuptuar.
Kam dalë në shi e jam kthyer mes shiut rrebesh
Jam endur tej kufijve të qytetit, dritashuar.

Kam parë shtegun më të trishtë të qytetit që nuk qesh
Jam gjendur fare pranë një polici, krejt papritur,
Kam ulur sytë përdhe, që sytë e tij mos ndesh.

Kam ndaluar një çast zhurmat e hapit të zvarritur
Të ndërprera nga një klithmë që prej tej çative vinte
Prej një tjetër rruge, ajo klithmë, në qiell ngjitur

Por që s’ish për mua e për mua s’desh të dinte.
Dhe, më larg, në përmasa të çuditshme, lartësuar
Një sahat i ndritshëm, në qiell varur, ndehej e rrinte

Dhe s’ish e saktë koha që tregonte, as ish e gabuar.
Kam qenë dikush që natën ka njohur e kuptuar.


Shënime: “Poezia ta bën të mundur të thuash diçka dhe të nënkuptosh diçka tjetër”, – thoshte Frost-i dhe Jam njohur me natën është, ndoshta, ndër shembujt më ekstremë të kësaj mënyre tipike të të shprehurit të tij në vargje.


Sylvia Plath

Këngë dashurie e një vajze të çmendur

“Mbyll sytë dhe gjithë bota bie e vdes, në errësirë;
Dhe pastaj, kur ngre qepallat, gjithçka rilindet përsëri.
(Ndoshta s’je tjetër, veç fantazi, në kokën time mbirë.)

Yjet blu-kuq, duke vallëzuar, largohen n’hapësirë,
Ndërsa brenda, galopuar, vërshon dhunshëm terri i zi:
Mbyll sytë dhe gjithë bota bie e vdes, në errësirë.

Ti, në ëndërr, më magjepsje, të më merrje në shtrat, shtrirë
Dhe si më puthje e më këndoje ishte krejt një çmenduri.
(Ndoshta s’je tjetër, veç fantazi, në kokën time mbirë.)

Rrëzohet nga qielli Zoti, heshtet ferri zjarrpërpirë:
Largohen prej skenës engjëjt, Satani me bandën e tij:
Mbyll sytë dhe gjithë bota bie e vdes, në errësirë.

Siç më premtove, prita të kthehesh, plot zjarr e dëshirë,
Por, ndërsa plakem, edhe emrin tënd harruar kam, tani.
(Ndoshta s’je tjetër, veç fantazi, në kokën time mbirë.)

Të isha dashuruar me ndonjë zog mitik, më mirë:
Se të paktën, klithje e tyre, çdo pranverë vjen përsëri.
Mbyll sytë dhe gjithë bota bie e vdes, në errësirë.
(Ndoshta s’je tjetër, veç fantazi, në kokën time mbirë.)”


Shënime: E shkruar në formën e një vilanele, Këngë dashurie e një vajze të çmendur është një poezi tepër e veçantë mes poezive më të njohura të Sylvia Plath-it. Edhe pse tenton të duket sikur të ishte vërtet një këngë (shih thonjëzat në krye dhe në fund të poezisë), nuk është vështirë të dallosh vetë Plath-in pas figurës së personazhit të poezisë.
Një grua e re, pasi ka humbur dashurinë që e kishte të shtrenjtë sa jeta, lufton me gjendjen e saj mendore, të cenuar rëndë prej depresionit. Për të përballuar dhimbjen ajo alternon qëndrimin e saj në mënyrë të përsëritur, nga izolimi te mohimi dhe anasjelltas: ajo mbyll sytë për të shpëtuar veten brenda mendjes së saj dhe pastaj, kur hap sytë dhe i duhet të përballet me realitetin, përpiqet të mohojë ekzistencën e të dashurit të saj. Por, si izolimi ashtu edhe mohimi nuk bëjnë tjetër veçse rëndojnë më tepër vetminë dhe dëshpërimin e saj.
Nëpërmjet një imazherie pikante poetja përdor figura e simbole religjioze, përfshirë Zotin, engjëjt, Satanain me gjithë demonë, duke e imagjinuar veten të kapur në grackën e një pasjete më të vetmuar se vetë ferri; me parajsën e ferrin të boshatisur, ajo ka mbetur brenda errësirës së dhunshme të mendjes së saj.


Thomas Stearns Eliot

Emri i maceve

Maceve, që t’u vësh emrin, ësht’ një punë e koklavitur
Nuk ngjan aspak si lojë fundjave me të cilën kohën ze;
Për një çast, sa kapel’bërësi mund t’ju dukem i lajthitur
Po t’ju them se për një mace, s’duhet një emër, duhen tre.

Për së pari lipset një emër i zakonshëm, familjar
Si për shembull Piter, August, apo Alonso e Viktor,
A për shembull Xhonatan, Xhejms, Bill Beili apo Oskar –
Të gjithë emra të arsyeshëm për një përdorim ditor.

Ka edhe emra me më tepër harmoni e karakter,
Emra që me nder i mban një damë apo një zotëri:
Si për shembull, Plato, Admetus, Elektra a Oliver –
Që të gjithë këta emra, familjarë, plot ndjeshmëri.

Por ju them se macja do edhe një emër, të veçantë, krejt,
Të jetë tipik e dinjitoz dhe me më tepër tingëllimë
Si mund, përndryshe, që ta mbajë ajo bishtin, ngritur, drejt?
Si mund mustaqet që t’i shtrijë krenarisht edhe me sqimë?

Dhe për emra të këtij lloji, mund t’ju jap unë një kuorum,
Si për shembull, Mankustrap ose Kuakso, Korikopetë,
Apo për shembull Bombalurina, bile dhe Xhelilorum –
Emra që vetëm njëra mace në gjith’ botën, mund t’i ketë.

Por nuk mbaron puna këtu sepse mungon një emër tjetër;
Një emër që askurrë ndokush nga ju nuk mund ta gjejë;
As e zbulon, dot, një kërkim shkencor i ri apo i vjetër –
Macja, vetë, atë e di, dhe pse askujt s’do t’ia rrëfejë.

Dhe kur një mace ta shikoni, tek përhumbet medituar
Të më besoni, se nuk ka asnjë arsye veç kësaj:
Mendja e maces thellësirash fantazie është harruar
Nga mendimi i mendimit të mendimit të emrit të saj:

Të pashqiptim shqiptueshmin,
Të shqiptimpashqiptueshmin,
Atë, unikun, thellësisht enigmatikun emër të saj.


Shënime: Emri i maceve është një poezi tepër e veçantë dhe e njohur e Eliotit që vjen në formën e një dialogu ritmik e të rimuar i cili përshkruan, me një frymë humori të mprehtë, se si macet i marrin apo i zgjedhin emrat e tyre. Poezia personifikon macet, duke u dhënë atyre një nivel human interioriteti e psikike dhe duke argumentuar se macet, ashtu si njerëzit, shprehin në një mënyrë të trefishtë identitetin dhe botën e tyre të brendshme: së pari, është “vetja” sociale (mënyra si ato prezantohen në publik), së dyti, “vetja” intime (mënyra se si ato ofrohen te miqtë dhe të afërmit) dhe së treti, “vetja” private (ajo që njihet thellësisht vetëm nga vetë individi dhe që tregon se natyra unike e botës së brendshme të gjithkujt, pra identiteti dhe interioriteti i individit njihet nga vetë ai si askush tjetër). Dhe për çdo situatë poeti ofron emra specifikë që janë realisht emra të përdorur për macet.

Exit mobile version