Kreu Letërsi Bibliotekë “Miq të përzemërt”, tregim nga Jane Gardam

“Miq të përzemërt”, tregim nga Jane Gardam

Përktheu nga origjinali Aristidh Shqevi

Kur Francis Phipps doli në pension, ai dhe bashkëshortja e tij, Patricia, vendosën të kalonin një javë me pushime në ishujt Scilly. Ishin një çift i matur, ndaj dhe dhomën e hotelit e kishin prenotuar që nga vera e shkuar. Vite më parë, ata gjithmonë i kishin kaluar pushimet gjatë stinës së verës në ishujt Scilly, bashkë me fëmijët e tyre, të cilët tashmë ishin shpërndarë me sukses në të katër anët e botës.

Patricia nuk ishte treguar dhe aq entuziaste për këtë udhëtim që vinte pas shumë vitesh (dhe për rrugën e gjatë që së bashku do ta përshkonin me makinë). Sipas saj, kishte gjasë që udhëtimi të ishte një udhëtim i mërzitshëm. ‘Marrëzira! Për mua është më bukur që të shkojmë sërish në ishujt Scilly, me para të mjaftueshme për t’i përballuar shpenzimet që kërkon një hotel luksoz, se sa të frekuentojmë një bar me një banjë të vetme dhe një dysheme të mbushur me rërë,’ tha Francis.

‘Do të marrim goxha libra me vete,’ tha ai. ‘Narcisat do të jenë në kulmin e lulëzimit. Do të bëjmë shëtitje. Ushqimi besoj se do të jetë i mrekullueshëm, dhe nëse do fati, nuk do të gjejmë turma të mëdha njerëzish.’

Në të vërtetë bënte ftohtë. Dhoma ishte fantastike, por ajo ndodhej në fund të një korridori ku fishkëllente erë; në muret e korridoreve të tjerë kishte tri dritare me pamje nga deti. Ishte një det i keq, rropama e dallgëve dëgjohej bashkë me një zhurmë të mbytur tek dallgët përplaseshin me vetë themelet e hotelit njëkatësh, gjë që të krijonte përshtypjen se, në një farë mënyre, ato lartësoheshin mbi shtratin ku ata ende qëndronin të shtrirë. Përtej valëve spërkatëse, ata ishin në gjendje ta shikonin shkëlqimin verbues si edhe lëbyrjen e tyre larg në horizont. Dukej sikur çifti Phipps kolovitej bashkë me detin sa herë që ata mbyllnin sytë.

Çdo ditë dilnin për shëtitje përgjatë rrugëve të ngushta që fshikulloheshin nga era e detit dhe prania e ajrit të ftohtë; narcisat, thuajse të rrafshuara me tokën, lëkundeshin nga rrëketë e vogla, vorbullat e erës dhe përroskat. Ushtima e erës dëgjohej pas çdo shkëmbi të kuq dhe pas çdo gardhi të papërkulshëm që përbëhej nga escallonia halore të zeza.

Pas drekës ata binin në gjumë. Pas darkës secili lexonte librin e vet. Komunikimi në mjediset e hotelit bëhej me shumë takt, por ndonëse ai ishte gjithmonë i mbushur me njerëz, dukej i zbrazur. Në hotel ndodheshin do çifte të tjerë që ishin moshatarë me bashkëshortët Phipps, siç ishte një shkrimtar nervoz, me një trup të vogël dhe flokë kaçurrela në ngjyrë gri të errët, një grua me një pamje të trishtuar, e cila, fustanin e kaltër prej leshi që mbante veshur e kishte zbukuruar me një palë rruaza, si edhe një çift nga Yorkshire; ajo ishte e bëshme në trup dhe e dashur, ai, thatanik dhe i zymtë. Gruaja buzëqeshi me lakmi nga ana tjetër e restorantit në drejtim të bashkëshortëve Phipps.

‘Pak ogurzezë gruaja,’ tha Francis. ‘Duket sikur do të dëshironte të ndante ndonjë të fshehtë me ne.’

‘Fare mirë mund të mbajmë distancë nga ajo,’ tha Patricia.

Patricia ishte e lodhur. Mbrëmjet e vogla, por madhështore që ata kishin organizuar gjatë muajve të fundit me rastin e daljes së Francis-it në pension, i kishin drobitur që të dy. Që nga koha e universitetit, ku ishin njohur para dyzetë vitesh, Francis i kishte shërbyer vendit të tij dhe Departamentit ku ai kishte punuar, ndërkohë që Pat-i ishte kujdesur për të. Arritja e saj kishte qenë krijimi i përkatësisë së tij, e cila ishte shtëpia e qetë në Dulwich, si edhe mikpritja e hijshme. Në kopshtin e gjatë e të gjelbër kishte një shtrat të varur prej pëlhure që ishte lidhur ndërmjet një peme arre dhe një dardhe.

Dy netë përpara fundit të pushimeve, Pat-i ndjeu një përmallje për t’u kthyer në kopshtin e saj, ndërsa Francis, në të njëjtin çast, tek mbante derën hapur që ajo të kalonte në korridor meqë ishin en route për darkë, tha, ‘Unë do të thoja se një javë këtu ishte më se e mjaftueshme për ne. A je dakord me mua Patricia?’

Gjithsesi, në mbrëmje, njëfarë shpengimi sundonte në sallën e ngrënies. Në kohën që ata u futën aty, dikush po qeshte me zë të ulët, ndërsa romancieri thinjosh, i veshur me një kostum prej kadifeje të zezë, po pinte kafe nga filxhani i gruas, e cila kishte veshur një fustan të modës së lartë dhe qëndronte ulur në të njëjtën tavolinë me të. Gruaja nga Yorkshire, me fytyrë të përkuqur nga moti, dukej e etur për bisedë më shumë se kurrë; më në fund, ajo thirri me zë të lartë, në mënyrë të paturpshme, dhe në distancë nga tavolina e saj në drejtim të bashkëshortëve Phipps duke thënë se pushimet për të pothuajse kishin përfunduar; pyeti gjithashtu nëse pushimet e çiftit Phipps kishin marrë fund. Ajo shtoi se duhej të kthehej në Boroughbridge të shtunën për të marrë rezultatet e analizave.

‘Oh,’ tha Pat-i. ‘Rezultatet e analizave?’

‘Druhem se po. Kam bërë një kontroll mjekësor. Jemi të dy kureshtarë ta dimë se ÇFARË DO TË KENË GJETUR.’

Francis mori pecetën në dorë, Pat-i ngriti menynë. Në çastin që i mënjanoi sytë nga menyja, ajo ndeshi vështrimin e çifteve të tjerë që ndodheshin të ulur në tavolinën përballë mbi të cilën binte hija e shkallëve kërmillore. Gruaja i buzëqeshi si të ishte motra e saj. Për një çast, Patricia pati përshtypjen se gruaja përballë po shikonte me ngulm gotën e saj.

Kur çifti u ngrit nga tavolina, burri u avit pranë Franicis-it dhe i buzëqeshi atij. ‘Mirëmbrëma.’

 ‘Mirëmbrëma.’

Gruaja iu drejtua Patricia-s me fjalët, ‘Kam frikë se oreksi për biseda rritet çdo të enjte. Kini kujdes nga njerëzit që ushtrojnë ndikim!’

Pak më vonë, të katërt së bashku u ndodhën në sallën e televizorit, në pritje të Emisionit të Lajmeve, dhe të personit tjetër (Phillips – Jocelyn Phillips. Kjo është gruaja ime – Evelyn-a’), i cili tha se Emisionin e Lajmeve nuk e duronte dot më.

‘Ulemi për ta parë emisionin dhe tmerrohemi,’ tha Francis. ‘Kemi frikë për fëmijët tanë.’

‘Po flisni tamam si Jocelyn-i,’ tha bashkëshortja. ‘Më lejoni të marr me mend diçka. Mos jeni avokat? Apo gjykatës?

‘Zyrtar shtetëror. Sapo kam dalë në pension.’

‘Edhe unë gjithashtu,’ tha Phillips. Kam punuar në Ministrinë e Jashtme. U bë një vit që kam dalë në pension.’

Të dy burrat sollën pije për njëri tjetrin, ndërsa gratë morën nga një pije liker. Biseda rrodhi qetë-qetë. Dukeshin si miq të vjetër.

Të nesërmen, të katërt së bashku dolën për shëtitje në kopshtin tropikal; Evelyn-a dhe Pat-i zbuluan se kishin një interes të përbashkët, zambakët. Natyrisht u takuan sërish për darkë, dhe kur erdhi ora për të fjetur, Jocelyn Phillips u shpreh se të gjithë kishin kaluar një ditë shumë të bukur. Francis, i cili prej vitesh konsiderohej si një njeri shumë i mbyllur, tha se, ‘Takimi me ta ishte një gjë e mrekullueshme.’

Të nesërmen, gjatë vaktit të mëngjesit, tek po i afrohej tavolinës së bashkëshortëve Phipps, Evelyn-a tha, ‘Më dëgjoni pak. Besoj se nuk na konsideroni njerëz me cilësi të jashtëzakonshme, por megjithatë ne kemi menduar që sonte të vini për darkë në shtëpinë tonë. Rruga e kthimit është pothuajse e njëjta si për ju ashtu edhe për ne, dhe në këtë mënyrë ju do ta thyenit disi udhëtimin e lodhshëm.’

Francis, i cili ishte akoma në këmbë me pecetën që mbante shtrënguar në dorë, tha, ‘Jeni me të vërtetë shumë të mirë.’

‘Ide e shkëlqyer,’ thirri Jocelyn-i nga distanca.

Tek recepsioni, pasi bënë pagesat përkatëse, ata u kthyen nga njëri-tjetri.

‘E dini çka – ‘ tha Francis. ‘Nëse vërtet e keni seriozisht – ?’

Sigurisht që po. Na lejoni vetëm një orë sa të përgatitim plaçkat.’

‘Atëherë, e gjitha kjo është aq miqësore…Pat- ?’

‘Pa asnjë dyshim që më pëlqen.’

Pasi u dha adresa dhe udhëzimet e rastit, të gjithë hipën në helikopterin që do t’i çonte në Penzance, atje ku kishin parkuar makinat. Pat-i u befasua kur pa se gruaja me fustanin e modës së lartë, si  edhe shkrimtari, u përshëndetën përzemërsisht me çiftin nga Yorkshire. Ajo dhe Francis përshëndetën me dorë bashkëshortët Phillips, dhe më pas udhëtuan drejt fshatit më të afërt për të blerë si dhuratë një vazo me lule.

‘Kjo që po bëjmë nuk është aspak normale,’ tha Pat-i. ‘Çfarë do të thonin fëmijët për këtë? Ata mund të jenë kushdo. Vrasës në seri. Në një farë mënyre – a e vure re se dukeshin pak …të ftohtë, në momentin kur ikën? Pak të largët?’

‘Gjepura,’ tha ai. Ata janë tërësisht si ne. Ky është një fat i madh. Vështirë të gjesh njerëz si vetja sot.’

Pat-i solli ndërmend romancierin, gruan e pasur dhe çiftin nga Yorkshire. Asnjëri prej tyre nuk i kishte thënë mirupafshim. Papritur u ndje si një e mjerë. E vetmuar.

Pas shumë kilometrash, kur kishin depërtuar thellë në Devonshire, më në fund Francis tha ‘E po…ma do mendja, këtu ka njëfarë rreziku. “Mos u ngatërro kurrë me njerëz që takon gjatë pushimeve”, e kështu me radhë. Ama, u bënë vite që nuk kemi takuar njerëz të tillë me të cilët ndjehesh kaq bukur. Më duket se arritëm tek kthesa e tyre, apo jo?’

Dalja nga autostrada ishte shumë afër, ndaj dhe ai e nxori mjetin drejt saj me shumë shpejtësi. Ashtu siç e kishte bërë zakon të shprehej, ajo tha, ‘ Nuk më pëlqen fare mënyra se si ti del nga autostrada. Duhet të ma lësh mua timonin. Zakonisht ai nuk përgjigjej, por këtë herë tha, ‘Kam pak problem me nyjën e dorës. Trafiku nuk është më ai i dikurshmi. Më duhet ta pohoj se drejtimin e makinës nuk e shijoj më. Herë tjetër do të udhëtojmë me tren.’

Kështu ata u futën në rrugën-A, më pas në rreth-rrotullim e në rrugën anësore, dhe nga aty – po, aty ishte – kthesa që të shpinte në shtëpinë e tyre (pa tabela njoftuese) nëpërmjet rrugicës së vogël.

Rrugica e vogël ishte e gjatë. Ajo kishte kthesa të forta si korridoret e hotelit. Vinte duke u ngushtuar, por ishte e lënë pas dore. Në mes të saj kishte një damar të ngritur mbi të cilin rritej bari. Gardhi i gjelbër i linte vendin një rrethimi fushor metalik nëpërmjet së cilës binte në pah një shtëpi me tulla të kuqe dhe dritare të pajisura nga jashtë me një thurimë shufrash të hekurta, e vendosur goxha në largësi nga rruga dhe rrethuar nga bari. Dera kryesore dhe dera e pasme ishin krejtësisht të hapura, gjë që bënte të mundur të shikoje një kalim të shtruar me pllaka të mëdha guri, i cili përfundonte në fushat e gjelbra prapa shtëpisë.

‘A thua të jetë kjo një shtëpi origjinale?’ pyeti Pat-i. ‘Apo një shtëpi me pajisje dhe dekor të brendshëm të stilit psudo-Dudo?’

‘Nuk di ç’të them,’ u përgjigj ai. ‘Do të ishte shumë tërheqëse nëse i përket tipit pseudo.’

Në heshtje të plotë ata zbritën nga makina. Kokërdhojat përpara shtëpisë dukeshin si lule të pikturuara në faqen e një kalendari.

‘Shtëpia është bosh,’ tha ajo. ‘Mundet që ata të jenë akoma në rrugë e sipër.’
‘Nuk ka mundësi,’ tha Francis: ‘dyert janë të hapura.’ Ai trokiti në derë.

‘Hej?’ ‘A ka njeri këtu?’ Ideja për t’u futur brenda nuk iu pëlqeu, ndaj duke ecur anash shtëpisë dolën në pjesën e pasme të saj. Aty u ndeshën me një plevicë. Një garazh që përbëhej prej dypjesësh. Një hambar, apo një stallë në largësi diku në mes të fushës. Pa shenja jete.

‘Ndoshta kjo nuk është shtëpia që kërkojmë,’ tha Francis. ‘Hej!’

Befas, bashkëshortët Phillips u shfaqën në largësi anës plevicës; të dy qëndronin në këmbë pa lëvizur. Më pas, si të ishte rishtypur një buton që i kishte ngrirë më parë, ata nisën të bëjnë përpara duke shkelur mbi bar. Kishin një pamje më të rëndë se ajo që kishin pasur në hotel.

Gjithsesi, kjo përshtypje kaloi shumë shpejt. Pat-i dhe Francis u mirëpritën përzemërsisht, dhe më pas, burrat u larguan në drejtim të makinës për ta marrë bagazhin. Evelyn-a shoqëroi Pat-in derisa ato u futën brenda në shtëpi, dhe bashkë me to hyri aty dhe blertësia e ditës verore. Aty kishte libra kudo, një oxhak të hapur, fotografi fëmijësh shembullorë të ulur përballë një pianoje të madhe, dhe mbi kokë, në tavanin e kuzhinës me tulla të verdha e të kuqe, një ventilator i vjetër, por mjaft i bukur.

‘Më duket sikur kam një jetë të tërë që e njoh këtë shtëpi,’ tha Pat-i. ‘Ngjason shumë me shtëpinë time të vjetër.’

‘Të dy çiftet ngjajmë shumë me njëri-tjetrin’ tha Evelyn-a. ‘A e keni vënë re se të gjithë kemi emra androgjinë?’

Pat-i ktheu kokën nga ana tjetër, dhe tha se shpresonte që Evelyn-ës as që do t’i shkonte në mend se ajo vetë dhe Francis ishin androgjinë.

Evelyn-a qeshi buzë më buzë dhe tha se ajo që kishte dashur të thoshte ishte se emrat e tyre nuk kishin gjini. Sa mirë që është të mos kesh gjini sot.’

‘Me çfarë jeni marrë në rininë tuaj, Pat?’ pyeti ajo më vonë tek lante sallatën në kuzhinë.

‘Atëherë, ma ha mendja, me asgjë. Pasi mbarova studimet në Oxford.’

Evelyn-a, e habitur, u përlot, ‘Edhe unë s’kam bërë asgjë. Me të mbaruar studimet në Cambridge, u martova. Mendoja se njerëz të kategorisë sonë nuk ekzistonin më.’

Dreka ishte e përkryer. Mish rose, bizele, dhe crème brulée.

‘ I fshitë të gjitha brenda orës?’ pyeti Francis.

Jocelyn-i solli shishen e dytë me një verë të mrekullueshme.

Në dhomën e gjumit mbizotëronin katër afishe dhe një basmë shumëngjyrëshe. Kishte gjithashtu lule dhe borsa me ujë të nxehtë.

‘Këtu është parajsë!’ tha Pat-i. Ajo ishte gati ta puthte në faqe Evelyn-ën, dhe madje dhe vetë Jocelyn-in. Sidoqoftë, hoqi dorë nga ideja.

Francis, i përskuqur nga efekti i rosës dhe verës së kuqe, tha, ‘Po, parajsë.’ Ai pushoi për një çast. ‘Hoteli ishte i mirë,’ tha ai, ‘por, aty nuk flinim qetë. Ishte prania e detit.’

‘Do të flemë sonte,’ tha Pat-i. ‘Tejet.’

Ata ranë në gjumë. Fjetën deri në orën dhjetë të mëngjesit të ditës së nesërme, dhe s’po i besonin syve.

U zgjuan në një qetësi absolute.

‘O Zot,’ thirri Francis, ‘na duhet të nisemi menjëherë nëse nuk duam të na kapi trafiku i dendur. Është më mirë të mos bëjmë dush.’

‘A ka njeri këtu?’ thirri Pat-i nëpër shkallë. Më pas në sallon. ‘Na vjen shumë turp nga vetja. A ka njeri këtu?’

Qetësi e plotë. Ata kontrolluan në kuzhinë, dhomën e ngrënies, dhomën e ndenjjes, në studio. Asnjë shenjë nga dreka e një dite më parë, apo nga mëngjesi i sotëm. Dera kryesore dhe e pasme e shtëpisë ishin të hapura.

‘Mos duhet të hedhim një sy në dhomat e gjumit?’

Edhe aty nuk ishte askush.

Në dhomën e gjumit të bashkëshortëve Phillips gjithçka ishte në rregull. Tesha mbi karrige nuk kishte, as plaçka të nxjerra nga çantat e udhëtimit, dhe as një fije floku në ndonjë krehër. Shtretërit ishin rregulluar me kujdes.

Phipps-ët dolën jashtë. Plevica, garazhi dhe stalla ishin aty, por këmbë njeriu nuk kishte. Pat-i tregoi me dorë. ‘Ishte ai aty mbrëmë?’ Në mes të kopshtit, një shtrat prej pëlhure, në ngjyrë rozë, qëndronte i varur në ajër ndërmjet dy pemëve.

‘Hëm, shiko këtu,’ tha Francis, ‘duhet të largohemi. Kjo është për të qeshur. Do të lë një shënim. Është tepër shqetësuese.’

Ai shënoi diçka dhe e mbështeti pusullën te telefoni i kuzhinës, ku drita e vogël e mesazheve ndizej dhe shuhej vazhdimisht.

‘Mos është më mirë ta shtyp butonin e mesazheve të telefonit?’ pyeti ai.

‘Jo,’ tha ajo. ‘Jo, nuk është e nevojshme,’ dhe e tërhoqi nga krahu.

‘Përse jo?’

‘Jo!’

Ata mbyllën derën e pasme dhe derën kryesore. Ishte një lloj gjesti. Duhej bërë. Makina lëvizi në rruginën e zhavorrit përpara shtëpisë.

‘Kjo që po bëjmë nuk më pëlqen,’ tha ai. ‘Nuk më pëlqen aspak. Duhej ta kisha shtypur atë buton. ‘Sidoqoftë…do t’i marrim në telefon sonte në mbrëmje. Natyrisht – ’

‘Unë nuk jam e sigurt,’ tha ajo. ‘Nuk jam e sigurt se kam dëshirë për ta bërë një gjë të tillë. Nuk jam e sigurt se do të jemi në gjendje për ta bërë një gjë të tillë. Oh, Francis, nuk jam e sigurt nëse do të mbërrijmë në shtëpi.’

Tek ngiste makinën ai e kapi atë nga dora. Duke drejtuar mjetin me njërën dorë në rrugën e ngushtë anash gardhit me tela, si ai ashtu edhe ajo i hodhën një sy shtëpisë pranë së cilës po kalonin.

Dera kryesore dhe dera e pasme ishin sërish krejtësisht të hapura. Ata ishin në gjendje, me shumë qartësi, t’i shikonin fushat e gjelbra që shtriheshin përtej.


Romancierja Jane Gordam (Jean Mary Pearson) u lind në Coatham, North Yorkshire, më 11 korrik 1928. Ka studiuar letërsi angleze në Bedford College. Pasi u diplomua në vitin 1949, ajo punoi si bibliotekare shëtitëse e Kryqit të Kuq për bibliotekat e spitaleve, kurse më vonë u muar me gazetari.

Libri i parë i saj është romani për fëmijë “Një rrugë e gjatë prej Verone” ((një histori e rrëfyer në vetën e parë nga një 13 vjeçare) u botua në vitin 1971. Pavarësisht nga fillimi i vonë (shkrimtarja ishte mbi dyzet vjeçe, kur doli ky libër), Gardam u bë një nga romancierët më prodhimtarë të brezit të saj: për 30 vjet ajo botoi 25 libra, shumica e të cilëve janë nderuar me çmime prestigjioze

Exit mobile version