Kreu Letërsi Bibliotekë Piro Milkani: Misteri se si u dërgova në Pragë për operator filmi

Piro Milkani: Misteri se si u dërgova në Pragë për operator filmi

Shtatori i vitit 1954 ishte fillimi i vitit tim të maturës në gjimnazin Raqi Qirinxhi (në godinën e ish Liceut francez të Korcës), i hapur në mesin e Luftës së Parë Botërore. Në ditët e para të shkollës erdhi për vizitë ministri i  ri  arsimit, tridhjetëvjecari Ramiz Alia (ishte emëruar menjëherë pas dëbimit përfundimtar të Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës, nga kupola më e lartë e Partisë së Punës për “veprimtari armiqësore”).

Ministri Alia zgjodhi atë mëngjes klasën tonë, të katërtën A, për të bërë një bisedë të shpenguar me 26 maturantët e klasës sonë. Ndër të tjera na porositi te mesojme fort se vitin qe vjen do të ketë më shumë bursa studimi për jashtë shtetit. Po atë dite na ftoi për një ndeshje voleibolli. Në ekipin e tij ishin drejtuesit e organizatës së rinisë te  qytetit me në krye Pandi Allabashin, në anën tjetër të rrjetës ne maturantet e të katrës A. Ishin më të fortë e na mundën që në të dy setet e para.

Për mua, atë vit ngjarjet më të rëndësishme ishin letrat shumëfaqëshe që Viktor Gjika, shoku im i fëmijërisë, më dërgonte nga Moska. Më tregonte në to jetën e magjishme që po kalonte në Institutin e Lartë të Kinematografisë –VGIK- ku po studionte fillimisht për regjisor të filmave dokumentarë shkencorë e më pas se si kaloi në katedrën e degës së kamerës  (drejtor fotografie). Letra mbyllej gjithmonë me frazën: Ke të fala edhe nga Taqoja (e kishte fjalën për djaloshin vlonjat, Dhimitër Anagnostin).

Deri në mars të vitit 1955 ato letra ma kishin bërë mendjen çorap, kur drejtori i gjimnazit, Dhori Belba, më thiri në zyrën e tij për të plotësuar formularin e famshëm. Pas pyetjeve rutinë, emri, mbiemri, atësia, profesioni i babait dhe i nënës, datëlindja etj., erdhi paragrafi më i rëndësishëm:

– Çfarë dëshiron të studiosh në shkollën e lartë?

– Inxhinieri për përpunimin e lëkurës – i thashë.

E kishim në Korcë një fabrikë të tillë, që përhapte gjithandej një  erë të ndyrë, po sidoqoftë unë do mund të isha inxhinier i saj. 

– Tjetër?-pyeti pa e ngritur kokën

– Inxhinier hidroelektrik!

Po ngrihej një hidrocentral në lumin Mat, por flitej se do ngriheshin dhe te tjerë.

– Po tjetër?

Pra bëhej fjalë për tri dëshira. Si në përrallat me mbret. Thuaj tri dëshira dhe unë do t’i plotësoj, i thoshte mbreti fukarait që i shpëtoi jetën vajzës së tij…. Heshtje…. Ta them, mos ta them? Po sikur të zemerohet? Të dalë ku të dalë. Po e them:

– Kinematografi!!!

E ngriti kokën dhe më pa me sy zhbirues e buzëqeshi paksa me ironi (sigurisht me zë të brendshëm do ketë shqiptuar: Spurdhjak…U bëre dhe ti!)

Po deshi s’deshi, e shkroi në formular. E pashë tek shkruante deri te rrokjet e fundit…. g r a f i.

– Lajmëro tjetrin, – më tha gjysmë i zemëruar.

Nuk kaloi shumë dhe filloi sezoni i provimeve të maturës. Më përjashtim të Gjergji Angonit, të cilit ia kishin pushkatuar babain në vitin 1945, apo të Rexhep Bregut, nxënësit më të mirë të klasës sonë gjatë katër viteve të gjimnazit, për shkak se në fshat familjen e tij e kishin shpallur si familje kulakësh, apo të Jani Avramit, që ishte anëtar i partisë komuniste  por e kishte babanë emigrant ekonomik, të ikur në Amerikë para luftës, të tjerët mësonin dhe ëndërronin për një bursë jashtë shtetit. Diskutimet bëheshin a ishte më mirë të shkoje në Bashkimin Sovjetik apo në Çekosllovaki se vendin e fundit në preferencë e zinte Bullgaria. A nuk e tha vete Ramiz Alia se këtë vit do ketë shume bursa studimi?

Provimi i parë, matematika me shkrim. Kush e mbaronte detyrën dorëzonte fletën dhe dilte jashtë klasës. Pandi Pepivani dhe unë e dorëzuam fletën të parët. Jashtë verifikuam rezultatet e ekuacioneve dhe kur ato na u puqën u bindëm se kishim bërë zgjidhjen e duhur për një notë maksimale. Po ishte ora dhjetë e mëngjesit. Ç’të bënin tani? Të shkonim në shtëpi? Vendosëm t’i ngjitemi malit të Moravës deri në majë. Të rinj ishim dhe nuk dinim se ku t’i harxhonim energjitë. Po t’i shpejtonim hapat gjatë të përpjetave e shumta një orë e gjysmë, po ja dhe dy orë do të mbërinim në majë të “Everestit” të qytetit tonë. Dhe ashtu u bë. E si mund të kishim lodhje? Provimi shkoi në rregull e unë nuk i kisha as shtatëmbëdhjetë vjet. Pandi disa muaj më i madh.

Duke u thekur në diellin që nuk të digjte si aty poshtë në Korcë, hodha sytë te një gur i rrumbullaktë pak më i madh se një top pingpongu. Poshtë tij ishin fshehur dy zhuzhakë të vegjël që drita e diellit ua bënte më të fortë ngjyrën e tyre jeshile të errët. I mora dhe i mbështolla me një copë letre që m’u ndodh në xhep. Kur u ktheva ne shtëpi e nxora letren dhe doja t’ia jepja vëllai tim të vogël, Vaskës. Për çudi gjeta vetëm një zhuzhak. I dyti nuk gjendej. Do jetë arratisur, i thashë Vaskës.

Të nesërmen shkova në bibliotekën e qytetit që të përgatitesha për provimin e matematikës me gojë. Qëndrova aq gjatë deri sa rrezet e diellit me erdhën nga pas shpinës. Qetësi e admirueshme, e përshtateshme për përqendrim maksimal. Befas një cërr cërr e fortë theu heshtjen. Të pranishmit ngritën kokat. Ç’është kjo? As unë se kuptova se nga vinte. Po cërr cërri i dyte ishte dhe më i fortë. Vinte nga poshtë vatave të xhaketës time. Nxehtësia e rrezeve te diellit e kishte zgjuar nga përgjumja zhuzhakun tim. E godita supin tim të majtë dhe zhuzhaku pushoi. Futa dorën ne xhepin e majtë dhe zbulova një shqepje të vogël te astarit. Ja ç’na paska qenë. Ishte arratisur nga brima e astarit. Ndërprva studimin dhe u largova nga salla.

Provimet i mbarova të gjitha me notat maksimale. Njëlloj si Viktori një vit më parë që rrembeu një medalje ari. Sa medalje te tjera do të merte në gjysmë shekulli punë në Kinostudio Viktori. Po ajo gjithmonë do të ishte e para.

Nuk mbaj  mend se si e mora vesh se më kishte dalë bursa e studimit për jashtë, po gëzimi ishte i pamasë. Pas disa ditësh do të niseshim te gjithë në Tiranë për një seminar. Nga 52 maturantët më shumë se 20 prej nesh na kishte buzeqeshur fati. Do studionin jashtë shtetit. Ishte e dyta herë që shkoja në Tiranë, që në krahasim me Korçën me dukej si një metropol i vertetë. Lektorë të ndryshem na sqaronin për situatën politike, se si duhet te silleshim që të mos turpëronim Shqipërinë etj., etj. por asnjë fjalë se ku dhe çfarë do të studionim.

– Kthehuni dhe pas disa ditësh merrni në telefon ministrinë e arsimit.

Ishin ditët më të gjata të pritjes. Gëzim dhe “ankth”. Pas pesë ditësh, u bëmë katër a pesë dhe shkuam në Postën e qytetit. Askush nga ne, veç disa funksionarëve të zyrave të shtetit e partisë, të policisë, ushtrisë  apo disa mjekëve të qytetit, nuk kishte telefon në shtëpi. Në kabinë hyri Qirjakoja kur centralistja e lidhi me zyrën e sekretarit të ministrit. Po, po e kishin vendosur se ku do shkonim. Pyeti së pari për vehten e tij. Inxhinier transporti në Çekosllovaki. Pastaj me radhë: Servet Pëllumbi në Moskë për filozofi, Zhaneta Kotmilo dhe Agron Kallamata (i vetmi egjiptian në maturën tonë) në Hungari. Zhaneta për farmaci, Agroni për mjekësi. Asim Ylli në Gjermaninë Lindore, për mjekësi. Servet Backa, në shkollën e sigurimit në Moskë. Pyeti dhe për mua. Në Çekosllovaki, për operator filmi!

O Zot! C’më bëre kështu? Ma plotësove dëshirën time. Atë të tretën. Për atë që drejtori më buzëqeshi me ironi kur i thashë se dua të mësoj për kinematografi. Njëlloj si Viktori. Veçse ai në Moskë e unë në Pragë. Nuk qëndrova dot të mësoja se ku do shkonin të tjerët. Po nxitoja si i marrë drejt shtëpisë për t’u dhënë lajmin prindërve dhe vëllezërve të mi. Po ishte e pamundur. Nxitimin ma ndërprenë, tamam para monumentit të Luftëtarit Kombëtar (apo Ushtarit të panjohur, si e thërisnim ne) dy mësueset e mia, Dhimitra Gjini apo Maliqarka, mësuese e letersise dhe Arsinoi Bino.

– Hë mo Piro, për ku të doli bursa?- pyeti plot kureshtje Maliqarka (nuk ka njeri ne Korcë që mos ta ketë një nofkë)

– Për Çekosllovaki! Do studjoj për operator.

– Uaaa!!! Sa mirë! Dëgjo këtu, Arsinoi. Mos e bëj apandisitin pa u kthyer Pirua. Dhe vazhduan rrugën. Nuk kisha kohe t’i sqaroja për gabimin e tyre. Më duhej të shkoja në shtëpi. Asokohe në Korcë operator quheshin mjekët kirurgë. U largova pa i sqaruar si duhet. Sigurisht më vonë e morën vesh ”gabimin”

Pas disa ditësh, përsëri në Tirane. Mbledhjet e fundit para nisjes. Po si ndodhi në të vërtetë kjo mrekulli e Zotit?

Në pranverën e vitit 1955, Ministrisë së Arsimit i kishte ardhur një përgjigje pozitive nga Çekosllovakia, për kërkesën që kishin bërë për dy bursa studimi për operator filmi. Ministria kishte njoftuar Kinostudion. Viktor Stratobërdha, ishte ylli në shkëlqim i regjisorit që u diplomua në Moskë si asistent i profesorit të tij Sergej Jutkeviç me filmin Skenderbeu. Kush më mirë se ai do vendoste  për këtë ofertë. Shkoi direkt e në Liceun Artistik të Tiranës dhe u takua me maturantët e degës së Arteve Figurative. Piktorët e skulptorët e ardhshëm. Më mirë se ata me prirje figurative askush nuk mund ta bënte këtë profesion. I pyeti direkt:

– Kush nga ju ka dëshirë të studjojë në Çekosllovaki për operator filmi?

I pari që ngriti dorën ishte Saim Kokona. Po diplomohej për piktor. Ia mbajti shënim emrin. Me përtesë e ngriti dorën një i dytë. Ishte studenti i degës së skulpturës Mit’hat Fagu. E shënoi dhe emrin e tij. Asnjë nga të pranishmit nuk e ngriti më dorën. Endërronin të bëheshin a piktorë, si profesor Buza a skulptorë si profesor Paskali.

Viktori i kënaqur se gjeti dy emra te përshtatshëm shkoi i çoi në Ministri.

Disa javë më vonë, Mit’hati, i penduar shkoi në Ministri dhe kërkoi t’ia hiqnin emrin.

– Po të ishte për Moske hajde de, po për Çekosllovaki as mos t’u shkojë në mendje. Bile në Moskë doja të shkoja të studioja për regjisor, po jo operator, u kishte thënë Mit’hati.

Po kjo pikë e zezë, thanë ata në Ministri. E kemi një bursë dhe biri i botës e refuzon. Ç’të bëjmë? I shkuan nëpër duar edhe një herë të katërqind e ca formularët e gjithë maturantëve të Shqipërisë dhe: EUREKA! E gjetën. Njëfarë Piro Milkani nga Korca paska kërkuar të studiojë  për kinematografi. Më i vogli në moshë, nuk i ka mbushur akoma shtatëmbëdhjetë vjet po notat i paska të gjitha pesa. U bëftë më e mira. Lë të shkojë Pirua në vend të Mit’hatit. Këtë mister e mësova në Pragë nga Saimi, që u bë shoku im më i mirë. Nip i Kallfëve, fotografët e njohur të Studios Kallfa në Tiranë, e kishin mësuar Saimin të fotografonte por veçanërisht të retushonte fotografitë që klientët të dilnin më të bukur se sa ishin në jetë. Ai më mësoi abc-në e parë të fotografisë para profesorëve të mi çekë. Mbas maturës Mit’hati shkoi të kryente shërbimin e detyruar ushtarak. Unë në Pragë, ai ushtar. Pasi u lirua në 1959, e dërguan në Moskë për të studiuar regji filmi. Aty ku kishte dëshiruar. Mik të fortë duhej të kishte pasur. Veçse as miku e as Mit’hati vetë nuk mund ta parashikonin se në vitin 1961, mijëra studentë shqiptarë do ktheheshin me pushime por nuk do riktheheshin më në Europën Lindore. Kish filluar një “miqësi e re”. Ajo me Kinën e Mao Ce Dunit.

Exit mobile version