Kreu Letërsi Bibliotekë Prof. Dr. Klara Kodra: “Toroboti” një roman për fëmijë që vështron në...

Prof. Dr. Klara Kodra: “Toroboti” një roman për fëmijë që vështron në të ardhmen

Letërsia për fëmijë – për një kohë të gjatë e nënvleftësuar – nuk qëndron  më poshtë  nga vlera estetike se letërsia  për të rritur, përveç  vlerës njohëse dhe edukative që qëndron në bazë të ekzistencës së saj. Kjo letërsi, për të depërtuar në  shpirtin e lexuesve të vegjël,  duhet të zhvishet gjithnjë e më tepër nga fryma didaktike që e bën të mërzitshme dhe të gjejë çelësat për të komunikuar me fëmijët.

Raimonda Belli Gjençaj, e njohur tashmë si romanciere për të rritur, ka edhe një prirje  të shkruari për fëmijë, që e ka treguar  me veprat:

Duduqi që kërkonte kushërinj”, “Kukulla Blerta udhëton drejt detit”, “Taku rrumbullaku, Tiku thataniku dhe Roboti Tik-Tak” dhe “Një çudi në zoopark”.

Sot, kjo autore  na befason me romanin e ri me titullin intrigues “Toroboti”. Në këtë roman ajo ka gjetur  dy nga çelësat për të depërtuar  me lexuesin fëmijë,  humorin dhe aftësinë për të qëmtuar në një subjekt të pasur  me të papritura. Në këtë  roman krahas me dy protagonistët  fëmijë  gjejmë një të tretë, njeriun mekanik, robotin, personazh i sa e sa veprave të  fantashkencës.

Ky  lloj i veprave për fëmijë ka njohur zhvillimin  e vet edhe në letërsinë shqiptare, po në shumë vepra  teknologjia  mbizotëron  mbi estetikën,  krijimin e personazheve të gjallë.

Si antipod i këtij realiteti, në këtë vepër  krahas  personazheve njerëzorë të goditur, dy fëmijët dhe një plakë  simpatike, gjejmë një makinë të njerëzuar.

Autorja nuk e sheh këtë personazh të çuditshëm prej roboti që evolon  deri te njeriu si kërcënim për njerëzit, si në disa vepra  fantastike-shkencore ku flitet për rrezikun e një  kryengritjeje nga ana e robotëve, e sheh përkundrazi me miratim  dhe simpati. “Toroboti”, ky robot, fryt i fantazisë dhe teknologjisë së krijuar  nga njerëzit, ndihmës i tyre që pasqyron ecjen e vrullshme përpara të shkencës dhe është në këtë kuptim, aktual, arrin të  fitojë disa tipare njerëzore, ndjenjën  e dashurisë dhe mirënjohjes  për fëmijët që kujdesen për të, madje edhe diçka tjetër karakteristike vetëm për njerëzit, ndjenjën kombëtare.

Ky robot del jashtë programit të paracaktuar, fiton disa tipare shpirtërore, mishëron një mesazh solidariteti  dhe identiteti. Përmes  transmetimit nga ana e  protagonistëve të dashurisë së tyre për atdheun, krijesës së njerëzuar, autorja shpreh patriotizmin e vet, një vlerë tradicionale që rrezikohet në këtë kohë  kozmopolitizmi.

Autorja shqetësohet me të drejtë për gjuhën shqipe, të ruajtur për shekuj me mjaft sakrifica dhe së cilës i duhet t’i bëjë ballë sulmit të gjuhëve të huaja, veçanërisht të një gjuhe  që quhet ndërkombëtare, si anglishtja. Në të vërtetë gjatë përdorimit  të gjerë të gjuhëve të huaja, dukuri e përhapur sot, harrohet se përpara se të jetë qytetar i botës, njeriu duhet të jetë qytetar i vendit  të vet, të zbulojë ngjyrat e veçanta të kombit të vet që pasurojnë  spektrin botëror.

Autorja shpreh edhe shqetësimin  që ka një bazë reale se përhapja e mjeteve teknologjike që propagandojnë botën virtuale mund t’i largojë fëmijët, njerëzit e së ardhmes, nga natyra dhe bota e gjallë dhe e shpreh këtë, duke pasqyruar pasionin e Takut, njërit prej fëmijëve protagonistë, për tabletin.

Nëna e tij, e shqetësuar me të drejtë për këtë çështje, përpiqet ta largojë të birin nga ky pasion që kthehet në mani. Djali reagon në fillim  në mënyrë kundërshtuese. Gjatë konfliktit prind-fëmijë që djali i  vogël  do ta zgjidhë me naivitet në  mënyrën e vet, fëmijës i ndodh një aksident që ka një pasojë të papritur: në vend që ta  largojë  prej veprimtarisë aktive pikërisht ky aksident bëhet shkak  që ai  të njihet  me natyrën dhe botën e gjallë, madje të zbulojë  shokë të rinj, njerëz të rinj.

Autorja e ka shndërruar subjektin në një zinzhir aventurash të këndshme  dhe zbavitëse që të befasojnë dhe të bëjnë për të qeshur.  Romani “Toroboti” është pra një vepër  e shëndetshme, optimiste dhe “diellore”.

Në roman zbulojmë edhe vlerat  e traditës përmes figurës  së një të moshuare, të mençur dhe aktive, Stërnenesë.

Ky personazh, bartës vlerash tradicionale është i aftë edhe të përqafojë të renë duke u njohur dhe miqësuar me Torobotin. Stërneneja komunikon me fëmijët protagonistë, po përpiqet të komunikojë edhe me  robotin si me një njeri  në miniaturë që e befason, po edhe i zgjon  ndjenja dhembshurie prej gjysheje.

Përmes figurës së Stërnenesë, plakës  njëqindvjeçare, jepet ideja e komunikimit midis brezave si një dialog  të së tashmes me të kaluarën për të synuar drejt së ardhmes.

Pikërisht kjo ide, ideja e një dialogu të afërt e zëvendëson konfliktin midis brezave dhe është fjala për breza që i ndan një humnerë e gjatë  kohe.

Pra, mesazhi i këtij romani është një mesazh veçanërisht i pasur që ka kërkuar formën e përshtatshme dhe e ka gjetur përmes humorit që e gjallëron veprën si një përrua i rrëmbyer i brendshëm.

Romanin e përshkon tejpërtej një e qeshur e shëndetshme, një patos komik që nënvizon kërkimin e arritjeve të reja nga ana e personazheve, një patos komik, befasues, jo shkatërrues; në fakt është fjala për humor, jo për sarkazëm, një humor që çdramatizon edhe ndonjë  ndodhi të pakëndshme si aksidenti që i ndodhi Takut, njerit prej protagonistëve, një aksident që e shtyn  të njohë  anë të  reja të  jetës ose momenti  kur Stërnenesë i ngjan se Toroboti ka mbetur pa frymë, moment që bëhet pikënisje për  miqësimin e  saj me  njeriun  mekanik.

Në romanet e saj  për të rritur Raimonda kishte ditur të pasqyronte  anët dramatike, madje tragjike të jetës; përkundrazi në këtë roman sheh më tepër  aspektet më të bukura  e të gëzuara të realitetit. Po nuk është fjala për idealizëm, për teprim në përdorimin e ngjyrave rozë, po më tepër për optimizëm, për besim  në jetë, në triumfin e së mirës.

Romani “Toroboti” vështron në të ardhmen ku shkenca dhe teknologjia do të pasurohen dhe të thellohen, po uron që këto fitore të ardhshme të bashkohen me vlerat  e ruajtura me shekuj të traditave  popullore, identitetit  kombëtar pjesë e së cilës është  gjuha shqipe, veçanërisht origjinale dhe e pasur në forma fonetike  dhe  leksikore.

Edhe poezia do të bëjë pjesë në këto tradita, gjë që shprehet në personazhin  komik, po edhe simpatik të Çun rimaxhiut që sajon  vjersha bejte, po që  ndofta në të ardhmen do të  bëhet poet i vërtetë.

Është kuptimplotë ky shqetësim i autores për fatin e poezisë, në një kohë kur librat, sidomos  vëllimet poetike përleshen me internetin.

Në roman përveç  figurës dinjitoze dhe të dashur të Stërnenesë, ka edhe tipa të tjerë femërorë të brezave të ndryshme si teta Dita dhe binjakja e Çunit, Nora, që derdhin ëmbëlsi dhe butësi në vepër.

Romani është strukturuar në  bazë të naracionit nga ana e një rrëfimtari në vetë të tretë, çka jep idenë për një objektivitet dhe ka shumë dialogë të gjallë dhe karakterizues.

Veprimi rrjedh në mënyrë  dinamike, ngjarjet pasojnë njëra-tjetrën, duke mbajtur të gjallë interesin e lexuesit gjer në fund. Dhe fundi është optimist, jo një vepër “happy ending” i sforcuar, po diçka që rrjedh bindshëm nga karakteri i personazheve, njerëz apo madje edhe  krijesës mekanike që i jep emrin veprës.

Të gjitha këto personazhe kanë evokuar, kanë zhvilluar edhe më cilësitë e tyre pozitive, në përputhje me dialektikën  e natyrshme të shpirtit dhe janë përpjekur të zhvishen  nga të metat e tyre.

Kjo vepër zbulon  një  aspekt të ri  të individualitetit  krijues  të autores së tij dhe besojmë se do të zërë vendin e vet të spikatur  në letërsinë e sotme  për fëmijë.

Exit mobile version