Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Dr. Klara Kodra: Poetika hermetike e Sadik Bejkos

Prof. Dr. Klara Kodra: Poetika hermetike e Sadik Bejkos

Filozofi hebre A. Heshel (A.Heschel) e ka përkufizuar në mënyrë sintetike  dhe entusiazte njeriun si “atë që realizon ëndërrat e Perëndisë”. Po të pranojmë këtë përkufizim  dhe të nisemi prej tij do të mund të shtonim se për disa njerëz të veçantë Perëndia ka ëndërruar që të jenë poetë.

Sadik Bejko merr pjesë ndër ta, i takon kategorisë së poetëve  të vërtetë, të poetëve origjinalë, jo artistëve të tavolinës. Ai e shfaqi këtë origjinalitet të vetin qysh në vëllimin e parë të rinisë së vet  “Rrënjët”, të ngulur thellë në terrenin  e fortë dhe pjellor  të fëmijërisë  dhe adoleshencës së tij,  në ëndërrat e tij për të ardhmen, në lidhjen e tij të pazgjidhshme me vendlindjen.

S.Bejko bën pjesë ndër poetët shqiptarë që nuk u vërtitën si satelitë rreth asnjerit prej  tre diejve  të avangardës poetike të viteve Gjashtëdhjetë, Kadaresë, Agollit, Arapit. I takon atij brezi poetik të viteve Shtatëdhjetë që çeli dhe nxori lulet e veta në hijen e poetëve të mëdhenj  të brezit  të kaluar. Pra, nuk qe një poet i avangardës dhe nuk e njohu shkëlqimin e një lavdie  të papritur  që do të buronte nga një  kthesë e rëndësishme  në poezinë  shqiptare si paraardhësit e tij të shquar.

Megjithatë luftoi  ashpër  me rreptësinë  e rregullave  që i kishte imponuar  poezisë  së kohës diktatura, rregullat  e të ashtuquajturit “realizëm socialist” që  nuk ishte në thelb as realizëm i mirëfilltë, as nuk udhëhiqej  nga ideale vërtet socialiste, po mund  të quhej si një klasicizëm i llojit të ri,  më i rreptë se klasicizmi  historik  meqenëse  programi i tij  estetik  u ishte imponuar  krijuesve  nga shkaqe  jashtëletrare. Përfaqësuesit më të mirë të brezit  të viteve  Shtatëdhjetë luftuan  kundër këtyre  rregullave, një luftë të heshtur  që do të ishte  një formë “disidence estetike”. Ata iu larguan  temave “të ashtuquajtura të mëdha” dhe retorikës kumbuese së tyre për të rizbuluar  një poezi të së  zakonshmes, të së përditshmes  që i ngjante  drejtimit  letrar  italian  të “poetëve  të muzgut”, të krepuskolarizmit. Njëkohësisht këta poetë  u drejtoheshin  atyre temave  ekzistenciale që në atë kohë  quheshin si dytësore, temës së  dashurisë,  temës së natyrës duke rizbuluar thellësinë dhe vitalitetin  e tyre  dhe duke  gërmuar  kështu në  shkëmbin  e rregullave të rrepta  për të nxjerrë  së këndejmi  burime të kulluara lirizmi.

Çdo poet i këtij brezi  e përjetoi  ndryshe këtë  dell lirik  që ishte njëkohësisht  rikthim te tradita  më e mirë  shqiptare  dhe prirje  drejt modernes  që sundonte  në atë kohë  në poezinë europiane. Poetët më të mirë të kësaj kohe  fshehën  nën armaturën  e dukshme të “realizmit socialist” elemente realizmi  të mirëfilltë dhe  modernizmi.

Secili prej këtyre  poetëve  farkëtoi  teknikat  e veta  shprehëse që i përgjigjeshin  botës së papërsëritshme  poetike  të un-it të vet lirik.

Poezia  e Sadik Bejkos  është një poezi  veçanërisht  fine, nga lirizmi i tij shpërthen  herë pas here  një vlim  ndjenjash  dashurie, dhëmbshurie, edhe  rebelimi dhe   urrejtjeje, në të nuk mungojnë  as lirikat  “diellore” si “Është deti”, një lirikë që  zien e tëra  nga afshi  dehës  i dashurisë  dhe jetës, një lirikë  e pasur  me limfë  jetësore.

Poezia e Bejkos  njohu  një  evolucion me  zig-zage  dhe shpërthime, nga lufta e heshtur kundër mungesës së  lirisë  së  periudhës së parë  historike  që përjetoi  autori  në përtëritjen dhe riafirmimin  e makrotemave dhe mikrotemave të krijimtarisë  së tij, dashurisë  erotike dhe pannjerëzore, marrëdhënieve  me natyrën, ankthit  të vetmisë, ankthit të pleqërisë dhe të vdekjes. Një nga shëmbëlltyrat  më të dashura  për  Bejkon është  ajo  e detit, çka e  afron  me një  grupim  të veçantë  poetësh  që i drejtohen  këtij imazhi  duke iu larguar imazheve më të përhapura  të malit  dhe të fushës.

Elementi  tradicional  kozmogonik  ujë  është një pjesë përbërëse  e universit  poetik të Bejkos dhe shpreh hera-herës  disa kuptime: idenë e pjellorisë, idenë e katarsisit, idenë e rrjedhjes së pandalshme të jetës.

Në poezinë “Lumi” shfaqet  kjo rrjedhë e përjetshme, po është i pranishëm  edhe qyteti, krijesë njerëzore  me dritat e veta  që lumi “i do”, sipas një vargu të  goditur të  poetit.

Treshja lumë – qytet – det, treshe realiste dhe objektive, është e lidhur ngushtë me një shëmbëlltyrë të katërt, atë të  heroit lirik  që i përmban  të tria  në  mikrokozmosin e vet  subjektiv.

Në rrjedhën  e lumit  shkrihen  e tashmja  dhe përjetësia, natyra dhe krijimi njerëzor.

Pastaj vjen imazhi i pusit, krijim njerëzor  që ngrihet në simbol dhe me të cilin  identifikohet  heroi lirik, një pus nga i cili nxirret  veç errësirë  (terr). Heroi pohon me dëshpërim: “Fus kovat, / terr, veç terr kam nxjerrë”. Pra, uji i gjallë mungon. Është  simboli i  tharjes së ndjenjave, po me një  shpresë të plotë që  dikush, pra Tjetri, i afërmi do të arrijë të gjejë ujin, pra komunikimin njerëzor.

Pranë elementit ujë i lidhur  përgjithësisht në fluiditetin e  poezisë së Bejkos, takojmë binjakun e tij, antitetik, zjarrin, jetësor, pastrues, kurrë  shkatërrues që  ngrihet  në simbol të vlerave tradicionale  dhe të familjes, të  vatrës në poezinë “Kënga e fundit për zjarrin”. Zjarri simbolizon  ngrohtësinë  njerëzore  që në atmosferën  e vetmisë egoiste dhe individualiste  që sundon sot, rrezikon të humbasë. Ngrohtësia  është leitmotivi i kësaj poezie  (ç’ishte  kjo e ngrohtë e pashuar  brambullimë… këtë rapsodi të  mbrëmjes  që i  ngrohte  gjirin).

Zjarri këtu s’është vetëm   simbol i traditës, po edhe i vazhdimësisë, i zëvendësimit  të brezave, i dritës  që ndriçon  të ardhmen (zjarri që në njërën dorë mban  muzgun/në tjetrën agimin).

Zjarri merr formën e “shufrës së diellit” të gëlltitur nga  heroi lirik  që e bën të “ngarkojë  me diell urën”, urën që ndodhet  mbi terr  (“Ura mbi terr”). Metafora  e dyfishtë  shpreh misionin e lartë  dhe të rëndë të poetit që sfidon  terrin-ferr, duke e shkrirë veten  për ta kthyer në pishtar.

Zjarri  ngrihet  në përmasën e shenjtërisë te vjersha “Bariu i mirë” ku bariu  që do të vijë  (Krishti ?) “do t’i  djegë  brirët” e un-it lirik  në “zjarr të lashtë  e të shenjtë” që ai  të “mos  verbohet  kurrë më”. Është  fjala, pra,  për një katarsis përmes zjarrit  (të urrejtjes  apo të  dashurisë?)

Dramaticiteti dhe melankolia   janë dy  elementë përbërës të rëndësishëm të poezisë  së Bejkos, e pasur me analiza  psikologjike  tepër fine.

“Un-i” lirik  nuk shfaqet  gjithnjë përmes  zërit të poetit, ka raste që  identifikohet me ndonjë  zë tjetër  si ai tepër  origjinal që evokon autori, zëri i një murgu të lashtë të cilit  i është kërkuar  të formulojë kodet  e ligjet  nga sovrani  Hamurabi (“Letër Hamurabit”), po ky personazh, asket dhe filozof, e ndjen  veten më lart se tundimet e botës dhe trëmbet nga roli i gjykatësit  të vëllezërve  të vet  që i ka ngarkuar  një mbret.

Mbase ky hero i lashtë  i paraprin  ungjillit të mëshirës së Krishtit. Ai i kundërvihet  krizës së sotme  të vlerave, arbitraritetit të ligjeve të shkruara, shembjes së ligjeve etike të pashkruara.

Heroi lirik i poezisë së Bejkos  është  zakonisht  tepër  njerëzor, dashuron dhe vuan  me intensitet të veçantë, mediton dhe kërkon  vetmi-në dhe njëkohësisht e vuan  si dënim, është i aftë  edhe për  rebelim  dhe urrejtje, siç kemi vënë re.

Përveç kësaj në poezinë  e Bejkos  ndihet  një  prani që  mungon  te disa poetë  bashkëkohës si poeti tepër  origjinal  Frederik Rreshpja, prania e Perëndisë, e një  Perëndie  që  dënon, po edhe ringjall si vëmë re  në poezinë  “Mbretëria  sovrane  e  drurit” ku un-i lirik  ngjan  si i çnjerëzuar  (Pandjeshëm si dru, memec/ pa shprehje  si  dimërit një dru/ kokëmushkë në hajvanllëk si dru;/ tharë në inde e gjak  si dru,/ pa limfë …/… i lakuar, i/ drithmuar rrënjësh si dru”) që mandej të lindë  përsëri: “Një ditë  çela / fytyrë, duar, trup njerëzor… në njerëzi u ktheva/ … i falem Jehovait/. Ai u dha fund ditëve të mia prej druri”.

Kjo ringjallje mbase  simbolizon  vdekjen në të gjallë të qenieve njerëzore në atmosferën  e diktaturës që kanë  lulëzuar prapë në saje të dëshirës së pashuar  për një jetë të lirë, përmes  një mrekullie hyjnore që e bëri të mundur  shpresa.

Në faunën e botës  poetike  të Bejkos  bëjnë  pjesë delet, simbol butësie  dhe pafajësie që e lidhin un-in lirik  me fëmijërinë dhe vendlindjen (Dele të palëvizura…/ si të qepura  fort në tokë/ … shkëmbinj  të lashtë?/ Një  grusht farë…. thërmija buke) në poezinë  “Delet në dimër” dhe disa kafshë që mishërojnë metamorfozat  e brendshme  të poetit, gjarpëri (“Gjarpri”) simbol ambivalent  ndryshueshmërie dhe urtësie  që pasqyron  shkrirjen e heroit  lirik me natyrën, me botën shtazore  që ka  pafajësinë  e instinktit dhe gjithashtu me hyjni të lashta  si Nënat, simbol i pjesës  më të brishtë të  shpirtit të poetit, pra shtazorja dhe hyjnorja si pjesë të botës  njerëzore; çuditërisht  edhe  gomari që un-i lirik  ndjen brenda  vetes (“Gomari nën lëkurë”), simbol i  dobësisë dhe budallallëkut njerëzor (Këtu  patosi  lirik  shndërrohet  në patos  komik  dhe satirik).

Zogjtë  e ndjekin poetin  në tërë  rrugëtimin e tij krijues, si simbol  pafajësie dhe brishtësie. Një vend të veçantë kanë kuajt e egër, simbol të aspiratës së përhershme për liri. 

Bota bimore  në poezinë e Bejkos është e  pasur  me lule  e fruta  që thirren në emrin  e vet konkret si molla me freskinë dhe ëmbëlsinë e vet dhe ngarkesën e vet  me një sensualitet të shëndetshëm ndonëse tundues, qershia që shfaqet  në të dyja fazat e krijimtarisë së Bejkos, me lëngun e vet të gjallë jetësor që jep shijen e dashurisë  dhe të rinisë, lulet e kumbullave  dhe të bajameve me finesën, delikatesën, brishtësinë, ngjyrat tepër të holla dhe paradoksalisht guximin për të sfiduar acarin, pjesë integruese të peisazhit shqiptar, dhe njëkohësisht simbol të finesës dhe delikatesës së poezisë së Bejkos dhe gjithashtu të heroizmit të heshtur  të heroit  lirik/poetit.

Janë të pranishme  dhe vreshtat  dhe ullishtat, tipike për pejsazhin shqiptar, të lidhura megjithatë edhe me punën  aktive të poetit protagonist që është i aftë  si për të mbjellë ullinj  (Mbjell ullinj). si të  hedhë farën  e poezisë, një poet që nuk e mohon thelbin  e vet fshatar, ndonëse e do  edhe qytetin.

Në marrëdhënien e poetit me natyrën  ekziston një dialektikë  objektiviteti  dhe subjektiviteti, veprimtarie dhe soditjeje që ndërthuren. Natyra për poetin  s’është  kurrë  armike siç ndodhte  me natyrën njerkë të poetit italian të shquar Leopardi, është hera-herës nënë dhe dashnore si edhe hapësirë për t’u  shndërruar. Është në  më të shumtën  e rasteve objekt  admirimi dhe dashurie.

S’është një  natyrë  e idealizuar, poeti pasqyron  edhe rreptësinë e saj objektive të  dimrit dhe të  vapës (“Është dimër, mikja ime”, “Barbaria e vapës”), po kjo  rreptësi  përballohet  stoikisht, burrërisht.

Në spektrin  kromatik të gjithësisë poetike të këtij  autori, krijues të një poezie sui generis mbizotërojnë  dy çifte  antitetike ngjyrash e bardhë – e zezë dhe e kuqe – e hirtë që  shprehin lëmshin e kontradiktave në vizionin e jetës së Sadikut, përleshjen midis dritës dhe errësirës, revoltës dhe rezinjacionit, individualizmit dhe solidaritetit.

Krijimtarinë poetike të Bejkos e mbajnë më këmbë si dy shtylla  dy elementë të rëndësishëm në antitezë me njeri-tjetrin, dashuria në formën e vet të dyfishtë të Erosit dhe agapes dhe ndjenja e vetmisë.

Dashuria në poezinë e sotme  të këtij autori s’e ka më ngarkesën  e gëzueshme dhe jetësore të poezisë “Është deti”, po një ngarkesë tepër njerëzore që  madje  pikon dhimbje. Është dashuria  për shoqen e jetës.

Duhet thënë se Sadik Bejko është nga poetët e rrallë që i këndojnë dashurisë bashkëshortore. Ai pikturon  me një penel të hollë portretin e gruas  në një varg sintetik  “Gruaja ime, sy prej loti, sy prej qumështi”. Ai sheh metamorfozën e “gruas foshnjë” në  vajzëri “si  tokë e njomur me lule” në “pemë të fortë”, në “statujë” që lartohet në tërmet.

Poeti i pat kënduar  edhe një dashurie  eterike  që i ngjante pikave të vesës (“Lot në të aguar”), dashurisë së parë  që nuk arriti të realizohej dhe mbeti e pastër, e kulluar, kujtim i ndritur i siluetës së hollë të vajzës dhe i lotëve të saj të çiltëra fëmijërore.

Po dashuria  për poetin  shprehet edhe në kultin  e bukurisë, kultin e bukurisë fizike që metamorfozohet  në shpirtërore. Dashuria  për poetin  në ndonjë rast evokon shëmbëlltyra biblike (“Mos më këndo në mbrëmje, Magdalini”), ose Sulamitja, tepër  e bukur (“Këngë të Salomonit”) të cilave u jep  jetë të re.

Është një dashuri që bashkon, që të lejon të kapërcesh ndjenjën – dramatike  dhe tragjike – të vetmisë në disa lirika që bëjnë të dridhesh nga ankthi, të një  ankthi ekzistencial.

Këto lirika pasqyrojnë  dramën  e njeriut  modern  në përgjithësi, të shqiptarit në veçanti, që  kaloi nga një  diktaturë  e pamëshirshme  në kaosin e anarkisë, në dramën e egoizmit individual të njeriut  modern, të  shkëputur  nga natyra dhe  bashkësia (Jemi  bërë më të vetmuar,/ të tepërt./ Ne, halli ynë, nëna,/ gruaja, djali,/  dhe secili vetëm. Të tjetërt / Nuk  ka miq,/ Nuk ka  të dashur./ Ne dhe para nesh/ halli ynë i verbër/ Dhe secili vetëm./ të egër” – “Lodhja”

Megjithatë poeti  pranon  se “brenga” mund të  jetë jo vetëm izoluese dhe shkatërruese, po edhe  pastruese. (“Brenga”). Ai pohon se  “brenga mund të pastrojë ajrin e planetit gjer te zemra”, që “si bleta” ajo “hap dhomëza të holla sa hojet,  vë dritë/ zemrat e mbetura të orëve  nga e para i  kurdis”. S’është fjala as  për asketizëm, as për  mazokizëm, po për pranim të faktit se dhimbja  njerëzore mund të zgjojë empatinë ndaj të  afërmit që vuan, ndjenjën e solidaritetit.

Në poezinë e Bejkos  kanë një vend  të veçantë njerëzit e familjes. Në radhë të parë babai, figura e të cilit ravizohet që në fillim të krijimtarisë së autorit (vjersha “Babai” te “Rrënjët”) e në  fazën e dytë të kësaj krijimtarie (Psalm për Atin),  figura e një burri “të  lidhur… me baltën”, që “me duart e rënda” ka “rrëzuar gurë” e “çelur burime” dhe që mrekullohet me të birin që “mori në duar librat”.

Më vonë, kur ati s’është  më,  ai  vazhdon të jetojë në shpirtin e të birit që kujton  fjalët e babait, testamentin shpirtëror të tij (Njeriu, thoshje, më parë ngre qiellin,/ më parë se mure, çati, kolona e prag) dhe e  sheh  babain që “u zgjat e preku qiellin” me një “fill ajër” me rrënjët në bij e bija që të rrojnë të rriten” (“Psalm”).

Nëna që dikur bashkë me babanë ishte shndërruar në “shelg të butë”, (Prindve të mi) jepet në agoninë e saj dramatike (nëna ime në krevatin  e reanimacionit/ me barkun fashuar nga të shkulën lëmshin e zi… buzët zjarr, frymën gurë … sonda në stomak), si simbol i dramës së atdheut (Duruam shumë, punuam shumë, shpresuam, nënë/ e ja  të gjitha mbledhur iriq te lëmshi yt i zi) në vjershën “Është Bardhë. Përtej, Nënë”.

Figura e gjyshes është si një spirancë dashurie ku kapet  fort heroi  lirik në terrin  që rrezikon ta përpijë te “Orakuj të mbrëmjes”.

Prapëseprapë poezia e Sadik Bejkos, dramatike  dhe në ndonjë rast tragjike, nuk  kridhet në një  pesimizëm nihilist.

Është një poezi ku  mbizotëron  kodi figurativ, e pasur  me metafora,  krahasime, epitete,  simbole që ndërthuren  deri në shkrirje  dhe dëshmojnë për një fantazi  të harlisur me të cilin  e befasojnë lexuesin. Poeti  i parapëlqen metaforat  dygjymtyrëshe ose trigjymtyrëshe (shtylla hijeje, trarët e diellit, dete ajri, mbretëri sovrane e drurit, qiell qelq, diell guri, filigrana të kaltra mugu).

A s’është thellësisht befasuese  metafora “shkëmbinj të lashtë” për delet? Fortësia e shkëmbit  e bashkuar  me butësinë e leshit.

Po metafora  “godinë e rubintë” për zjarrin që shkrin të kuqen flakë me idenë e ndërtesës/ shtëpisë dhe gurit të çmuar?

Po a mund të përfytyrohet  krahasim më delikat  se ai që  ndeshim  te vjersha  “Lumi” për të pasqyruar marrëdhënien  midis lumit (simbol të natyrës) dhe  dritave, vepër të  njerëzve “si prind që s’do  t’i zemërohet fëmija”?

Ç’të thuash për metaforën e çuditshme  deri në komizëm “muret prej supe” që shpreh njëkohësisht përditshmërinë dhe meskinitetin  te “Lutje rrogëtari”?

Befasues është  krahasimi “një re e vogël sa një sandale vajze” ku dukuria kozmike  konkretizohet, madje  afrohet  me kujtimin e një  bukurie vajzërore.

Edhe epitetet e Bejkos  janë befasuese (trëndafil petalengrohtë, boshllëk trëndafil, vdekjet  e diellta).

Gjithashtu  në poezinë  e tij  shfaqet  edhe  oksimori (diej të zinj) si shprehje  e kontrasteve të brendshme. Madje, figura e  “dheut  të njomur me lule” do të mund  të ngrihej  në simbol të gjithë poezisë së Bejkos, e tëra  e pikëzuar me lulet  e figurave që sikur  burojnë  nga toka, figura  jo të  ndërtuara, të  çelura.

Është një poezi vargjesh  të lira  që ngrihen  dhe ulen  me ritmin  e frymëmarrjes poetike.

Bejko është nga ata  poetë që  refuzojnë mundësitë  e mëdha  që  do t’u jepte  rima në saje të veçorive të shqipes të pasur në tinguj, në ashpërsi  dhe butësi. Këto mundësi, siç e dimë, i shfrytëzuan  në  shkallën më të lartë Poradeci dhe Noli, gjithashtu edhe Mjeda.

Po poeti ynë  ka besim  vetëm te muzikaliteti që mund  t’i  japin  poezisë së tij ndjenja dhe mendimi. Vargu i lirë  s’është  për të  modë, po zgjedhje.

Edhe kur në vëllimin e fundit “Psalm për Atin” poeti provon sonetin, soneti i tij  është larg sonetit klasik  se natyra rebele e Bejkos s’e pranon  disiplinën e rreptë të rrokjeve  dhe të rimës.

Sadik Bejko  shkrin në poezinë e vet  errësi  e qartësi. Ka  prerë lidhjet  me poezinë popullore. Poezia e tij është elitare dhe sintetike, plot me vetëtima frymëzimi dhe analogjira.

A është hermetike poezia e tij?

Pa dyshim. Kjo poezi është  “një  stuhi  e errët/ e qëndisur me diej të ndritshëm”, po të huazojmë një shprehje  të Bodlerit, po hermetizmi i tij dallohet nga hermetizmi i Fatos Arapit dhe Frederik Rreshpjes.

E dimë se hermetizmi shqiptar lindi vonë, në një letërsi me vonesa  dhe  djegie etapash; atij i mungonin  rrënjët dekadente – simbolike të hermetizmit italian, megjithatë  qe pjellë e një  diktature më e  tmerrshme  se diktatura  e djathtë fashiste së cilës iu kundërvunë hermetikët italianë të mbyllur në kullën  e fildishtë të artit, një diktaturë që synonte të asgjësonte individin, ta shkrinte  me turmën  dhe shfaqja  e një “disidence estetike” që i  kundërvihej ngurtësisë neoklasiciste të “realizmit socialist”.

Hermetizmit shqiptar iu desh në fillim të fshihej nën pelerinën  e drejtimit zyrtar të “realizmit socialist”, po duke iu kundërvënë retorikës së të ashtuquajturave “tema të mëdha”, siç patëm rast të  themi edhe më lart.

Poezia e Sadik Bejkos nuk shfaqi elementet  futuriste të poezisë së Kadaresë, as nuk u kufizua  me shfaqjet e realizmit kritik që e dallonin  poezinë e Agollit. Qe më afër me  hermetizmin e Fatos Arapit, po më i butë  e spontan, më i qartë.

Në evolucionin e vet Sadik Bejko i qëndroi  besnik vetvetes, individualitetit të vet krijues, vetëm thelloi  brengën ekzistenciale, dramatizmin dhe tragjizmin, simbolizmin e figuracionit.

Poezia e fazës së fundit të krijimtarisë së tij  e ka pasuruar nënshtresën mitologjike dhe biblike, i ka  pasuruar teknikat  shprehëse, po ruan spontaneitetin e frymëzimit. Atë e dallon  një pjekuri e  re dhe një zjarr rinor që s’është shuar kurrë.

Exit mobile version