Kreu Letërsi Shënime mbi libra Anxhela Pashaj: Natyra folklorike dhe religjioze në romanin “Përmbytja” të autorit Granit...

Anxhela Pashaj: Natyra folklorike dhe religjioze në romanin “Përmbytja” të autorit Granit Zela

“Isha ndër ethe, trupin e kisha në zjarrmi, kurse lokja thoshte me zë të lartë se do të shpëtoja, sepse, që të jetoja, bashkë me time më herën e parë më kishin larë në një tepsi bakri, më kishin çuar te përroi në luginë të futur në djep dhe kishin marrë me vete edhe gjyshin, nana dhe lokja kishin qëndruar në njërën anë të përroit dhe gjyshi në anën tjetër, “Si t’ia vëmë emrin?”, kishte pyetur lokja; “Luan” i qe përgjigjur gjyshi nga ana tjetër e përroit. “E gëzoftë!”’

Në gjindjen e madhe të shkrimtarisë është shtuar edhe një roman nga Granit Zela me titullin “Përmbytja”. Ky roman nuk është rrekja e parë e Zelës për të shkruar një shkrim autorial në gjininë e prozës së gjatë, e cila kërkon një përqëndrim dhe thurje të hollësishme për të krijuar pëlhurën magjike letrare. 

Romani “Përmbytja” përmes titullit të tij e lidh lexuesin me të shkuarën e mjegullt biblike, rënien e madhe të njerëzimit, kohën kur raca gjysmë njerëzore nuk ishte e denjë për të vazhduar qënësinë e saj në Tokën e Krijuesit. Kjo lidhje e hamendësuar dhe fillestare e lexuesit shkrumbohet disi, pasi në roman motivi biblik thuajse nuk është i pranishëm. Është një rrëfim gati autobiografik, i cili vendos në qendër qytetin personazh, Atjelindën, atë të renë dhe të vjetrën, njerëzit e saj me gjithë besëtytënitë e tyre, të shkuarën dhe të tashmen si dhe Luanin, rrëfimtarin, i cili e nis kallëzimin e tij duke e nisur me fëmijërinë dhe para lindjen e tij. Luani, emrin siç na rrëfen, ia ka ngjitur i gjyshi me pritshmërinë e madhe se do të jehonte forcën te ai, pritet me gaz të madh mes familjarëve të tij. Si për ironi ai rritet për të mos qenë asgjë nga ato që të afërmit e tij prisnin.

“Kisha zbuluar se dimrat në fshatin tim të lindjes ishin shumë të ftohtë për mua. Sëmuresha  shpejt dimrave, isha i pari në fis që sëmurej, isha, si të thuash, lajmëtar i ardhjes së të ftohtit.”

Siç edhe vetë rrëfimtari e pohon, ai është një fëmijë shëndetlig për të cilin nuk dyshohet asnjëherë (prej gjyshes së tij) se nuk mund t’i mbijetojë jetës së vështirë, megjithëse ashtu përmes fjalëve të personazheve të tjerë ( mëmës së tij) kumtohet se e vetmja mënyrë e të mbijetuarit për të është të ushqyerit të mendjes së tij, edukimi, shkollimi. 

Ky fëmijë i dobët me gjithë çuditë që na rrëfen për veten e tij (në roman na tregohet për vizionet e tij për të ardhmen e njerëzve të Atjelindës), rritet me bindjen se duhet të shkruajë historinë e rënies së Atjelindës, qytetit të tij. Rënia e Atjelindës është e gjatë dhe shenjat paralajmëruese të tatëpjetës së saj janë të shumta; vetëvrasje, përmbytje, njerëz të huaj me mashtrime dhe gënjeshtra nëpër buzët e tyre që paralizojnë qytetin, të rinj dhe të reja të destinuar për t’u humbur, ndërtimi i Atjelindës së re, i kështjellave burgje dhe qindra haluçinacioneve të tjera njerëzore.

Krahas qytetit personazh, Atjelindës, në roman ka edhe disa personazhe (apo fise) me emra të krijuar simbas natyrës apo funksionit të tyre në rrëfim, nga të cilët shënjojmë: Shpirtmarrësi, Grafologu, Etnologu, Shenjti, Mallkimtari, Të Përhënurit, Valëlumët, Fushëshkretët etj, madje disa prej këtyre personazheve kanë kapituj të veçantë ku rrëfehet mbi mundimet e tyre në Atjelindë.

Në Atjelindë ndodh gjithçka dhe asgjë. Një vend i izoluar, ku banorët e saj në pamundësi të përjetimit të ndonjë ndodhie sajojnë thashetheme, ngjarje, nisin dhe jetojnë me besëtytënitë apo edhe të shkuarën. Këto besime, besëtytëni të tyre, me të cilat merret gjatë rrëfimtari ynë janë po ashtu një nga copëzat e tharmit të letërsisë gojore dhe folklorit shqiptarë. Në roman enden figura folklorike, ngjarje, çudira të cilat na i kanë rrëfyer qysh në djep herë për të na frikësuar, herë për të na argëtuar e herë të tjera për të na përkundur në gjumë. Është një roman i përmbytur me fije folklorike, të cilat shumë-shumë mund të mos jenë të shkruara kund tjetër dhe prej këndej mund të rigjenden për të eksploruar lëmin e gjerë të folklorit shqiptarë dhe pse jo për të rikrijuar rrëfime të reja me struktura dhe kompozita moderne.

“A isha gjallë apo kisha vdekur? I kujt ishte ai zë që kujtonte se isha në gjumë të thellë e nisi të tregonte histori për një vajzë me hënë e yll në ballë, për zana që flinin në lëndinë, njerëz që shihnin në ëndërr sendet, kafshët e njerëzit e humbur, për një njeri që martohej me breshkën, për tri vëllezër me tri yje dhe me nga një shishe bark, për lotët e një vajze që shndrrohesgin në trëndafila, për një ujk që hante një burrë natën e martesës, për djalin e dreqit dhe dy vëllezër, për ilaçin e gjumit dhe ilaçin e përjetësisë, për një dervish që shkonte kaluar në shpinën e një zogu, për një nuse që i dilnin tri gjarprinj prej goje, për mbretin e bilbilave, për një shami që ngjallte të vdekurit, për një njeri që rrihtet varrin e një të vdekuri, për një dervish që u ndrronte vendin kodrave, për një nuse që u dëbuan në mal që ta hanin egërsirat, për një njeri që nuk e zinte kurrë gjumi, për një tjetër që ishte edhe i vdekur edhe i gjallë. Për një mal që ua lëshonte gjethet lisave përtokë, për një dervish që i fshinte sytë një fëmije me shami dhe i shëndosheshin…”

 Është interesante se të gjitha prurjet folklorike vendosen përkrah njëra-tjetrës në disa paragrafë të vetëm duke ndjekur një ritëm të vrullshëm, i cili të krijon idenë e një lumi, madje gjithë romani duket se lidhet nga një lumë nëntokësor që premton shpërthim të befshëm dhe përmbytjen e madhe.

Mes gjithë besimeve dhe besëtytënive shqiptare si mësyshi, yshtjet, magjitë në këtë roman gjarpëron edhe figura e gjarpërit, i cili duket qysh në faqet e para të tij dhe e ndjek rrëfimin deri në modernitet. Ai është simbol i vazhdimësisë (pjellorisë), por edhe i mbrojtjes.

“Nga dritarja e saj, në manin përballë, më vonë do të shihja të shtrirë gjerë e gjatë një gjarpër. Ai sipas lokes sime, ishte rojtar i shtëpisë.”

“Për të mos më marrë mësysh, ajo i tha që njërën kokë gjarpëri, që ime më e kishte fshehur në gjinj, të ma vinte mua në gjoks.”

Në roman ndërthuren prurjet, përmendjet folklorike (copëza legjendash të vjetra, krijesa të njohura në folklor) me magjinë, zakonet, misticizmin e religjionit, sektit bektashi. Bektazhizmi në letërsinë shqipe në disa autorë shqiptarë ka gjetur vendin për t’u shfaqur dhe zbuluar disa copëza të filozofisë së tij. Kujtojmë Naim Frashërin, i cili jo vetëm shkruajti për heronjtë e rënë në Qerbela, por mësimet e dervishëve dhe baballarëve i bëri pjesë të poetikës së tij (ndër to Panteizmi – Zoti është kudo). Në shkrimet më të kristalizuara të Frashërit, (jo “Qerbelaja” në këtë rast) bektazhizmi është më së shumti një mistikë, një filozofi fetare, ndërsa në romanin e Zelës, “Përmbytja”, njihemi me një anë tjetër, anën praktike të sektit bektashi. Pjesë e këtij sekti, krahas filozofisë sufiste, perfeksionit, arritjes shpirtërore është e njohur edhe një anë tjetër që lidhet me fuqinë mistike të baballarëve dhe dervishëve, (në roman përmenden shehlerët) të cilët performojnë rite të papërshkruara kund, për të ndryshuar rrjedhën e ndodhive të së ardhmes a për të mbushur honet bosh të jetëve njerëzore.

“Lokja thoshte se në lindjen time e kishte ndihmuar edhe sheh Dauti, që kishte një teqe për të cilën kishte dhënë prova.”

“Sheh Dauti kishte dhënë prova si sheh i fortë. Ai kishte ndalur zhurmën e Drinit të Zi, kurse shehlerët e tjerë kishin shterur ujin e puseve ose e kishin ngjitë përpjetë, derisa ishte derdhë në grykë si krua.”

Pikërisht kjo mistikë, mistika bektashie gjen vend në romanin “Përmbytja”, e cila duket ta ketë lidhur pas jetës Luanin dhe nuk e lejon këputjen e këtij filli. Gjyshja e tij është e përpiktë në realizimin e porosive të klerikut bektashi (sheh Dauti) duke dëshmuar besimin e palëkundur, por edhe marrëdhënien e varësisë që ka krjiuar ndaj misticizmit fetar, madje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj magjsë.

Po aq interesante dhe çuditshme është vetënjohja e Luanit se nuk do të vdes, se ora e tij nuk ka ardhur ende dhe se ai ka për detyrë të shkruajë historinë e rënies së Atjelindës. Tingëllon si një thurje e fatit prej hyjëve e prej të cilit nuk mund të shpëtosh dot.., njëjtë si Edipi që vrapoi së koti prej fatit të tij. Fati gjithmonë të gjen.

 Nga ana tjetër rrëfimtari ka gjetur vend për ta nxjerrë rrëfimin e vet nga aura e magjisë dhe mistikes për ta futur në atë të realitetit, ku sillen në vëmendje copëza nga burgu. Përmes inicialeve rrëfimtari bën pjesë të kallëzimit të tij M.V, Z. Ç dhe V. Zh që supozohet të jenë piktori Maks Velo dhe shkrimtarët Visar Zhiti e Zija Çela, që të tre mbajnë shtyllat e Atjelindës së re, asaj reale. 

Po ashtu rrëfimtari bën pjesë të historisë së Atjelindës ardhjen e shqiptarëve të Kosovës në Atjelindë duke shkruajtur si për çudinë, pavetëdijen e atjelindasve ashtu edhe për përhumbjen dhe dëshpërimin e të ardhurve. Kjo “dyndje” bëhet edhe fundi i Atjelindës.

Po ç’është rënia e Atjelindës? Më shumë është një fillim për një tjetër Atjelindë, të lirë, të hapur ndaj mundësive, njohjeve të reja, ngjarjeve të vërteta. Ndoshta rënia e saj është një ironi, sikurse ka disa në këtë roman ku vlen të përmenden mënyra se si ditët nën diktaturë dukeshin për një fëmijë të pafajshëm dhe se si deliruan të rriturit në vendosjen e emrave të fëmijëve të tyre në liri.

Ama, faji nuk është i Atjelindës, asnjëherë nuk është faji i qytetit, por i njerëzve që jetojnë në të. Ishin atjelindasit që i jepnin formë jetës së tyre në Atjelindë sikurse ndodh kudo. Dëshmitë tregojnë se disa përmbytje e kanë zanafillën nga hyu e disa nga njeriu.

Exit mobile version