Kreu Opinion Prof. Dr. Klara Kodra: Mungesa e grave krijuese në historitë e letërsisë...

Prof. Dr. Klara Kodra: Mungesa e grave krijuese në historitë e letërsisë shqiptare – një zbrazësirë e ndjeshme

Klara Kodra

Letërsia shqiptare ka qenë në tërë zhvillimin e vet një  letërsi sui generis, me vonesa dhe hope krijuese karakteristike vetëm për të.

Edhe ndihmesa e grave krijuese në këtë letërsi  ka ardhur mjaft vonë në krahasim  me letërsitë  e tjera evropiane.

Dihet se sundimi  pesëshekullor osman ka krijuar  një barrierë  shumë të fortë që ka penguar zhvillimin e letërsisë së shkruar. Pikërisht ky sundim ka  penguar  ndjeshëm  zhvillimin  shpirtëror dhe intelektual të grave shqiptare dhe mundësitë për të shprehur aftësitë e tyre krijuese (mjafton të kujtojmë se atyre për një kohë të gjatë iu mohua e drejta e shkollës).

Letërsia e shkruar shqiptare ka pasur fillimet e veta në shek.XVI me Buzukun, mandej me Budin  dhe Bogdanin. Në atë kohë gratë shqiptare jetonin në një gjendje prapambetjeje të tillë që e bënte të pamundur çdo ndihmesë të tyre në letërsinë e shkruar. (Nuk përjashtohet mundësia që qysh në atë kohë të ketë pasur këngëtare popullore me talent, emri i të cilave humbi në anonimat).

Përkundrazi në letërsi të tjera të rëndësishme evropiane si letërsia italiane dhe franceze në atë kohë kishte emra të ndryshëm grash (në Italinë e shek.XVI kishte emra të ndryshëm poeteshash), ndonjë prej të cilave spikaste për talent si Gaspara Stampa me lirikat e veta të dashurisë.

Shekulli XVIII i dha letërsisë shqiptare vetëm një poet të talentuar, arbëreshin Jul Variboba. Në atë kohë, akoma,  mungesa e grave krijuese në Shqipëri dhe diasporë është fakt real.

Edhe në shek.XIX – shekull i lulëzimit të letërsisë  shqiptare romantike në të dyja degët e saj, në të dy anët e Adriatikut, letërsisë në Shqipëri dhe në diasporën  arbëreshe emrat e grave krijuese ende mungojnë. Të vjen ndërmend emri i shquar i Dora d’Istrias  që fitoi famë evropiane, po  kjo grua e jashtëzakonshme, shqiptare nga origjina dhe nga  dashuria e saj aktive për lëvizjen çlirimtare të Rilindjes, u shqua  kryesisht në shkencë (histori, sociologji, etnografi, folklor, kritikë letrare).

Në të vërtetë, kjo grua me personalitet poliedrik qe edhe shkrimtare, po romanet e saj, jo vetëm  janë larg si realizim nga studimet e saj, por u qëndrojnë larg edhe problemeve shqiptare.

Duhej pritur kapërcyelli midis dy shekujve XIX dhe XX. Në fund  të shek.XIX shfaqet emri i arbëreshes  Kristina Xhentile Mandala me përrallat e saj në frymë popullore të stilizuara dhe në fillim të shek.XX shfaqet më në fund  poetesha e parë shqiptare, Mariantonia Braile me një vëllim të vogël (botuar më 1917) që dallohet  për një lirizëm të butë dhe fin. Lirikat e saj kanë tema ekzistenciale si sëmundja, vdekja, amësia  (në plan  tragjik, humbja e një fëmije), po prekin  edhe temën  politike të luftës, të parë në një optikë femërore.

Në tridhjetëvjeçarin e parë të shek.XX, të karakterizuar nga një larmi autorësh, drejtimesh, gjinish, llojesh, vemë re një shpërthim talentesh nga radhët e grave krijuese, që u mishërua në një varg  autorësh që u quajtën poeteshat e viteve 30-të, Luçie Serreqi, Selfixhe Broja,  Jolanda Kodra dhe Musine Kokalari. Ato lëvruan lirikën patriotike, sociale, filozofike dhe të natyrës.

Në vitet 40-të njëra prej tyre, autore me individualitet të spikatur, Musine Kokalari do të arrinte të nxirrte tre libra “Siç më thotë nëna plakë” (1941), “… sa u tunt jeta” (1944) dhe “Rreth vatrës” (1944), dy të parat me tregime midis  realizmit dhe natyralizmit, i fundit  me përralla. Këto libra gjetën miratim nga kritika e kohës.

Pas lufte, në kohën kur  pretendohej të  krijohej një letërsi e re, vihet re një shpërthim i ri, një dallgë e re krijuese, në fillim  me tregimet  social-psikologjike të përshkruara nga lirizmi të Eglantina Mandisë, që sillnin një notë të freskët në panoramën  disi uniforme të kësaj kohe, më vonë në vëllimin  e lirikave  të Adelina Mamaqit “Ëndrra vashërie” (1963), që bashkohej me atë rrymë lirizmi të butë dhe të ëmbël që sillte në atë kohë brezi i ri (Musa Vyshka, Perikli Jorgoni, Koçi Petriti, Sazan Goliku).

Më 1970, Elena Kadare, pas novelës interesante  “Shuaje dritën, Vera” ku realizmi  kritik mbizotëronte mbi drejtimin  zyrtar të  realizmit socialist, nxirrte në dritë romanin e parë të letërsisë shqiptare me titullin kuptimplotë “Një lindje e vështirë” që spikaste  për një  lirizëm të  ndërthurur me dramatizmin dhe një  psikologjizëm të ndjeshëm  dhe do të pasohej nga dy romane të tjera “Bashkëshortët” dhe “Një  grua nga Tirana”.

Në atë kohë do të shfaqej në  horizontin e poezisë Natasha Lako, me një poezi detajesh konkrete dhe poetizim i së përditshmes, e vaditur si nga ujë burimi, nga një lirizëm i çiltër. Ajo i kundërvihej kështu retorikës buçitëse të poetëve mediokër militantë të realizmit socialist, po veçohej edhe nga avangarda e fuqishme e tre autorëve që kishin sjellë kthesë në letërsinë  shqiptare (Kadare, Agolli, Arapi).

Më vonë do të  vinin individualitete të tjera krijuese femërore, dallgë të tjera krijuese.

Do të shfaqej dhe do të bëhej e njohur poetesha rebele Mimoza Ahmeti, që do të thyente me origjinalitet dhe guxim tabutë e deriatëhershme për dashurinë, duke realizuar  një  formë të re  moderne të vetën.

Do të vinin romanciere të tjera të talentuara (Dhurata Bozdo me një trilogji romanesh, Diana Çuli me një varg  romanesh të  shumëllojshëm, më vonë autorja e romaneve historike Mira Meksi, Flutura Açka që lëvroi edhe poezinë) tok me poetesha të tjera që shtoheshin gjithnjë  e më tepër, ndërsa shtohej  edhe  literaliteti i krijimeve të tyre. Pranë tyre  do të  shfaqeshin  disa dramaturge.

Në letërsinë  shqiptare të Kosovës do të afirmoheshin Lindita Arapi, Lindita Aliu dhe Edi Shukriu.

Në letërsinë  bashkëkohore  arbëreshe do të  shfaqeshin Kate Xukaro, Enca Skutari me individualitetin e tyre të spikatur dhe pranë tyre  simotra të tjera.

Në  fillim të shek.XXI do të  shkëlqente  talenti i një përfaqësueseje të avangardës së dymijës, poeteshë  dhe romanciere, Majlinda Rama.

Pra, disa dallgë krijuese  që do të  pasuronin ngjyrat në panoramën  e letërsisë  së sotme  shqiptare, ku autoret gra zënë një vend  jo të vogël pranë bashkëvëllezërve.

Po ndihmesa e grave shqiptare në letërsi ende nuk ka gjetur pasqyrim jo vetëm  në tekstet shkollore të shkollës së mesme, po gjer më sot në  asnjë histori letërsie të shkruar nga autorë  shqiptarë.

Mund të vihet re se një autor i huaj, kanadezi Robert Elsie, u përpoq relativisht vonë ta mbushte këtë boshllëk në “Historinë e letërsisë  shqiptare”, që botoi vetë dhe ku figurojnë  mjaft  emra  grash  krijuese.

Mund të pohohet se emrat e para të grave që u shfaqën në letërsinë arbëreshe  dhe që ishin historikisht të parat mund të ishin pasqyruar që në veprën e Petrottës “Popull, gjuhë dhe letërsi shqiptare” në dy botimet e veta.

Kjo gjë nuk ndodhi as në veprën  e Ressulit “Shkrimtarë shqiptarë” (dy pjesët e saj).

Çuditërisht  edhe vepra e Zef Skiroit të Ri “Histori e letërsisë  shqipe” e botuar më 1959, mjaft serioze dhe e paprekur nga virusi i ideologjizimit nuk përmendi asnjë emër gruaje  krijuese. Është për t’u vënë re se studiuesi përmend emrin e vëllait të poeteshës së parë, Salvatore Braile, pra duhet ta njihte vëllimin e saj të botuar pikërisht nga vëllai.

Studiuesi nuk mund të përligjet as me realizimin estetik (domethënë me mungesën e tij) se vëlla dhe motër ishin të dy autorë minorë, ndonëse me veçantitë e tyre.

Këtij studiuesi nuk i falet as liria jashtë veprës së tij të Musine Kokalarit, autore tri veprash që kishin shkaktuar jehonë në kohën e vet, meqenëse atë nuk e pengonte shkaku i ideologjizimit që në anën tjetër të Adriatikut, përjashtoi edhe  shkrimtarë të shquar si Fishta, Konica, Skiroi.

Le të përmendim tani dy historitë e letërsisë të shkruara në periudhën gjysëmshekullore të diktaturës.

Në të parin (1959-60) mund të ishin përmendur autoret arbëreshe që nuk paraqisnin  probleme ideologjike.

Në të dytën  (botimi i vitit 1983), në shtojcën me titull “Histori e letërsisë shqiptare të realizmit socialist” injorohen hapur emra që atëherë ishin bërë të njohur si Natasha Lako dhe Elena Kadare, pa folur për një poeteshë si Adelina Mamaqi që kishte pasur meritën historike të botonte  vëllimin e parë me poezi në periudhën e atëhershme të letërsisë shqiptare dhe më vonë do të afirmohej si autore me talent të spikatur  në letërsinë për fëmijë.

Çfarë do të ndodhë në botimin e ri të “Historisë  së letërsisë shqiptare” që po vonon të dalë në dritë prej më se tridhjetë vjetësh?

Një përpjekje  në këtë drejtim e bëri studiuesi i njohur i letërsisë për fëmijë Astrit Bishqemi në vitin 2001.

Në “Historinë e letërsisë  shqiptare për fëmijë”, që njohu dy botime, ky studiues  u jep një vend të barabartë autorëve të të dy gjinive, madje ai përpiqet të evidencojë edhe origjinalitetin  e autoreve gra. Po është fjala vetëm për një përpjekje të pjesshme që rrok një degë të letërsisë.

Ç’do të ndodhë me botimin e ardhshëm që do të ketë si synim të vizatojë, me nivel të lartë shkencor, një tablo të plotë të letërsisë shqiptare?

A do të mbushet më në fund boshllëku  i aq viteve që po bëhet gjithnjë më i thellë sa më shumë shtohen autoret e njohura  dhe të talentuara?

Exit mobile version