Kreu Letërsi Shënime mbi libra Naxhie Kastrati: Mërzia e vazhdueshme e Mitrovicës

Naxhie Kastrati: Mërzia e vazhdueshme e Mitrovicës

Përmbledhja poetike “Mërzia e Mitrovicës” e profesorit Muhamed Kërveshi, krijuesit tonë të shquar të të gjitha zhanreve dhe gjinive letrare, është përmbledhje vargjesh e shkruar me një përvojë krijuese të një mendimi të thellë të kultivuar mjeshtërisht.

Me këtë vepër profesor Muhamed Kërveshi ndalet edhe njëherë andej nga i ka rrënjët, në Mitrovicë. Mitrovica është e ndarë, vret. Ndaj Mitrovica e rikthen edhe njëherë birin e vet në gjirin e saj, t’ia shohë plagët e saj, të venerojë sa të thella janë. Poeti i rraskapitur nga dhembja, ulet në Urën e Ibrit të tij të rrëmbyer, se ku ta dijë nëse mund kthehet edhe njëherë tjetër. Dhe, profesor Kërveshi ka hequr mall, duke qarë me lot e ngashërime, me dënesje e ulërima. Për ato që i kanë parë sytë dhe i ka ndier zemra, kur ka qëndruar mbi urën e gjymtuar, poeti ynë ka bërë gjëmë, ka vajtuar si asnjëherë më parë …sy të ndarë / një sy andej / tjetri këndej… andej nata / këndej dita…

Kjo përmbledhje e vargjeve të latuara me mjeshtëri dhe përvojë krijuese e tij, është e tëra dhimbje dhe pikëllim. Mërzia e tij është në lulëzim, ajo pikon veç mërzi që nuk di të prajë asnjëherë. Një Spleen i vazhdueshëm e ka kapluar, e ka zënë me gjemba, e ka kërrusur, e ka pikëlluar…

 Spleeni i prof. Kërveshit është i njëllojtë sikurse Spleeni i veprës “Lulet e së keqes” të Sharl Bodlerit, simbolistit më të madh botëror, të cilin poeti ynë e përktheu me dashuri, sepse e kishte aq për zemër.

Këto poezi pikojnë pikëllim…

Mërzia e Mitrovicës rrjedh vrer, mërzia e Mitrovicës çel sythe, çel lule mërzie, mërzia e Mitrovicës gjakon. Spleeni i Kërveshit përkundër atij të Bodlerit është më universal, më tokësor, më shpirtëror. Derisa Bodleri i flet një mërzie të vazhdueshme që godet njeriun nga fëmijëria dhe vazhdon pa e ndalur rrjedhën gjatë gjithë jetës së tij, ngaqë si fëmijë jetim Bodleri ndihej i përbuzur nga njerku diktatorial e nga nëna soprano, mërzi e tij shkon tutje rrjedhjes së vet për ta përplasur me Spleen poetin e vrarë edhe nga dashuria. Me gjithë mërzinë e Bodlerit, që është individuale, Mërzia e Mitrovicës e profesor Kërveshit është kolektive. Ajo po ashtu sikurse te Bodleri është Spleen, një mërzi e vazhdueshme që rrjedh pa pra, por që helmi i saj helmon të gjithë përreth, këndej e andej Ibrit. Një zog matanë urës ka krahun e lidhur e nuk po mund t’i bashkohet tufës. Ky zog Mitrovice është edhe zog Kosove, prandaj, mërzia është gjithëpërfshirëse, rrjedh pa u këputur gjithandej dejve të mëmëdheut. Ibri nuk po sheh matanë veriut, ngaqë rrethoja me gjemba i kanë vënë në kurriz e sytë e atdheut po qajnë, mërzia nuk ka fund.

Në qytetin e erërave / jepet sonte / shfaqja mërzia / Perdja u hap / rolin kryesor e luan / mërzia.  Shfaqje shumë e gjatë…

Kjo temë nuk është trajtuar asnjëherë më parë më thellë e më me përkushtim sesa te këto poezi që pikojnë pikëllim. Kërveshi sjell nota të trishtueshme, aktuale, që shfaqen figurshëm me një gjuhë shumë të pasur, me një fjalor të kursyer që bart peshë të rëndë e të nderë, që vret thellë në vetëdijen e shkrimtarit. Vargjet e sjella në këtë përmbledhje shpeshherë qëndrojnë si vargje më vete. Ato mund të jenë motive për tema të reja, lënë vend për interpretime të tjera më të thella. Një numër i madh i poezive të shkurtra të kurdisura me të tjerat aq mirë si Ora e Gijom Apolinerit japin copëza dhimbjesh, pjesë që çjerrin, saqë poeti klith …më dhemb edhe lulja e shpirtit. Dhembja ime urë pikëllimi im Ibër!

Me këto vargje kushtuar prof. Latif Berishës, vendësit, mikut të tij të studimeve fillon vepra “Mërzia e Mitrovicës”: Qyteti është i plagosur / në jug na dhemb veriu i ndarë. Muhamed Kërveshi na kujton edhe njëherë të fundme se duhet të kthejmë sytë andej Ibri. Gjaku nuk lihet të humbasë. Mitrovica do një dorë për ta mbajtur, një krah për ta mbështetur, një zë për t’u dëgjuar. Kërveshi dëshiron ta përmbushë amanetin e moçëm; t’i dalë zot tokës së tij të vjedhur hajnisht, të prerë në besë nga besëkëqijtë, nga dinakët. Evropa na bën hile…

Profesor Muhamedi nuk mund të mbyllë sytë pa e parë Mitrovicën të bashkuar, pa e parë fluturimin e zogjve, pa u ndier fërkemet udhëve të saj, andej e këndej ure, se …urat janë për të parë me sy, e sytë nuk po shohin matanë urave, përtej brigjeve. Sytë e mi të ikur / i kërkoj në Mitrovicë.

Me përmbledhjen poetike “Mërzia e Mitrovicës”, poeti solli një vepër të realizuar mjeshtërisht, një poemë, në mos një elegji, pa shfaqur emocione të tepruara. Ai e lë poezinë të piqet për të dhënë fryte më të arrira apo vargje të përsosura: …dhembja ime urë / pikëllimi im Ibër. Duke personifikuar urën me veten e tij dhe pikëllimin me Ibrin, poeti i flet urës që ka kurthuar Ibrin e rrjedhshëm: Mitrovicës i duhen dyer dhe dritare të reja.

Si na mbeti Mitrovica me një derë jashtë dyerve të atdheut. Një kleçkë e vënë në zemër të Evropës. Gjakon dhe paralajmëron profesori më 2015 se gjendja është shumë e rëndë, prandaj Spleeni ka lulëzuar lule të tjera të së keqes, lule të egra që kanë marrë malin me dergjen e fryrë… Mitrovicës i duhet një rrugë më e drejtë, thërriste poeti atëherë, po tani? Spleeni është në lulëzim. Kosëtarëve u janë ndryshkur tehet, lozët e stërkequra kanë kapluar edhe detet.

Ura e dhembjes ndan qytetin e saj për ta pikëlluar lumin nën të

Libri ka dy pjesë – “Mitrovica, qyteti i pikëllimit tim” dhe “Mërzia e Mitrovicës”. Të dy pjesët kanë nga njëzet poezi. Në pjesën e parë poezitë kanë tituj, ndërsa pjesa e dytë e poezive është shënuar me numra që nisin nga një dhe shkojnë deri në njëzet. Të gjitha poezitë janë të lidhura njëra me tjetrën varg. Në poezinë e dytë ka ndonjë varg të poezisë së parë e kështu me radhë, krijohet një varg poezish me elemente të bartura, të ngjashme siç barten gojëzat e varganëve, për të krijuar një varg zinxhiror mërzie, që nuk këputet, por vazhdon të gojohet duke pjellë varganë edhe më të zinj mërzie kombëtare.

Secila gojëz e vargut vazhdon udhën e mërzisë për Mitrovicën, në të cilën valojnë flamuj serbë, “edhe era flet me fotografitë e çetnikëve të afishuar mureve tona.” Këta janë varganët e mërzisë së vazhdueshme të nyjëtuar fort mbi lumin e Ibrit, që ndajnë qytetin në dysh.

Në gjithë përmbledhjen vërehen tri elemente kryesore që enden gjithandej basmës së librit me fije të holla brilante, me penj të hirtë, të zinj, të murrmë: Ibri, Ura, Mitrovica. Pastaj tri fije të tjera që natyrshëm lidhen me të parat, zogu me krahë të lidhur, antitezat jugu-veriu, dita-nata dhe këndej-andej. Dhe, kjo basmë e errët vesh gjithë Mitrovicën. Prandaj, poeti klith, Mitrovicës i nevojiten rroba të reja. Është e veshur me rroba të grisura / me rroba të huaja.

Qyteti i ndarë, lumi i ndarë. E, urat përse të shërbejnë, ato kanë të vetmin mision; bashkojnë brigje, njerëz, qytete. Por ura e dhembjes, e Ibrit e ndan qytetin e saj për ta pikëlluar lumin nën të; për ta kërrusur qytetin, i cili shkallë-shkallë përjeton dhimbje, shfaq dhimbje, kullon dhimbje, e gufon veç dhimbje deri në ulërimë. Por, nuk përkulet qyteti… ecim, ecim, ecim…

Uluron ura, Ibri, Mitrovica e kërrusur, ulërima e saj dridh natën, ulërima e Mitrovicës së kërrusur shpon veshët e shurdhër. Zogu i Mitrovicës është edhe zog Kosove, i dhemb krahu i lidhur. Zogu ëndërron të fluturojë matanë Ibrit, janë thirrje për çlirim, janë thirrje për të bërë bashkë veriun me jugun, për të shëruar Zogun me krahë të lidhur, për t’i veshur rroba të reja Mitrovicës, për ta çliruar, për ta sjellë brenda dyerve të atdheut.

Në përgjithësi, të gjitha ndarjet apo pjesët e poemës janë të shkruara në distikë me një gjuhë të pastër dhe figura stilistike ndër më të ndryshmet, dominon antiteza, personifikimi, metafora, epiteti, si te fjalët: Mitrovica e pikëlluar, dua të jem Ibër pikëllimi, e kërrusur, krahu i lidhur etj. Antiteza është figura qendrore e gjithë përmbledhjes, zaten kjo është ndër figurat më të përdorura nga mjeshtrit e mëdhenj të fjalës së bukur artistike. Kjo figurë paraqet realitetin si mimesisi, këndej dita, andej nata, për ta realizuar pastaj mjeshtërisht poessisin me një gjuhë të thukët të kursyer nga çdo gjë boshe. Me kaq pak fjalë, eruditi Muhamed Kërveshi shpërfaq një realitet të tërë, një dhembje bjeshkë. Qëllimi i tij është që me anë të kundërvënieve që sjell në librin “Mërzia e Mitrovicës” të zgjojë një popull të tërë, t’ia kujtojë atij se varret janë andej… Na ka mbetur një gjymtyrë matanë, prandaj ne këtej që jetojmë me ditën, duhet mbrojtur varret tona të lashta… që i ka zënë terri i vazhdueshëm, që i ka kapluar zija, që ende vazhdojnë të rrojnë në Spleen. Sepse, derisa më 2015 kishte fotografi të çetnikëve të afishuara mureve, sot ata kanë dalë që andej dhe po e bëjnë lëmsh politikën, po kërcënojnë atdheun.

Ne në këmbë, ecim, ecim, ecim. Ne në këmbë, Kosova në këmbë!

Vizatimi: Muhamet Kërveshi, nga Ibrahim Kodra

Exit mobile version