Kreu Letërsi Shënime mbi libra Zija Vukaj: Figura e femrës në Ciklin e Kreshnikëve

Zija Vukaj: Figura e femrës në Ciklin e Kreshnikëve

Galeria e personazheve femra përshkon gjithë eposin tonë të Kreshnikëve si një pjesë shumë e rëndësishme e jetës dhe si një realitet ideo- artistik i pashmangshëm. Duke përshkuar me një vëzhgim evidentues Ciklin e Kreshnikëve, vihet re se, pothuajse çdo këngë e Eposit apo çdo segment i rëndësishim i tij, e ka të pranishëm personazhin femër si një realitet jetik të ekzistencës së të gjitha njësive etnike, sociale, kulturore, etj., në stadin historiko- legjendar të zhvillimit të shoqërisë njerëzore në përgjithësi e të asaj shqiptare në veçantitë e marrëdhënieve të saj me kufitarët. Personazhi femër pasqyrohet në mënyra dhe forma nga më të larmishmet. Në mjaft raste femra paraqitet në profile të spikatura individuale për të treguar rolin e saj vendimtar në mbrojtjen e familjes, në ruajtjen dhe sigurimin e vazhdimësisë së jetës, në aftësinë për të dhënë këshilla dhe për të zgjidhur situata të komplikuara, në identifikimin e figurës së saj me kondicionin e nderit apo të paprekshmërisë së familjes, të  fisit etj. Po kështu intuita, shija e hollë dhe ndjeshmëria e krijuesit popullor, lëmuar ndër shekuj nga pjesëmarrja në krijim e shumë mendjeve të zgjuara që e kanë përcjellë dhe përsosur Eposin duke i dhënë karakter anonim, ka nxjerrë në dukje edhe mjaft anë të karakterit femëror, siç është forca dhe intensiteti i ndenjave, përballimi me heroizëm i sfidave, vetëmohimi dhe privacionet në emër të gjërave të shtrenjta. Për këto do të ishte e mjaftueshme të kujtonim nga kënga II “Orët e Mujit” çastin kur Halili, i nisur nga këshilla e nënës, shkon në kullën e Pajit Harambash dhe shpëton Mujin e zënë rob. Në këngën III “Muji te mbreti”, ky i fundit këshillohet me Halilin, i cili ia mbush mendjen të pyesë nënën në duhej apo nuk duhej të shkonte të ndeshej me mbretin. Në fjalë të nënës, nisen të dy dhe puna u shkon aq mbarë, sa arrijnë të thyejnë edhe vetë mbretin: “Na po shkojmë e nanën po e pvetim/ Si t’na thonë nana po bajmë!/… Nana djlemve mirë iu ka përgjegjë: As mos merrni malin për me tretë /  As mos bijni n’uj, o djelm, me u mbytë,/ As mos hypni n’ curr teposhtë m’u rrxue,/ As mos hini n’kullë për me u ngujue,/ Mirë shtërngohi e gjogat mirë me i shlue,/ Hajtni,  loke, tu mbreti  t’u presin!” K. III, V.36,37; 39,40,41,42,43,44,45) Në këngën e “Gjergj Elez Alisë”, krahas aktit madhështor të heroit,  është madhështia e figurës së motrës, që me praninë e saj, me dashurinë sublime dhe vetëflijuese për vëllain,  me fjalët,  veprimet, intensitetin e pazakontë të ndjenjës, që mundëson konceptimin më të lartë që populli ynë ka për nderin dhe realizon elementin e modelit të pashembullt vëlla- motër shqiptare.Jo vetëm legjendare dhe e pazakontë, por edhe e hirshme, e fortë dhe stoike paraqitet figura e vajzës në këngën X  “Omeri i ri”, bija e një plaku të mbetur, i cili nuk gjen mbështetje nga agët e Jutbinës për të përballuar bejlegun me balozin. Në këto kushte vajza kalon prova të  jashtëzakonshme zjarri duke u transformuar në trim për të mbrojtur gjërat më të shtrenjta e më të shenjta. Vetë titulli i këngës barazon forcën e saj me atë të një trimi. “-Hajt, bre babë, hiç me u ngushtue,/ Për baloz sot m’ke djalë mue,/ E s’t’lâ babë un ty me shkue.” (K. X. V. 47,48,49).

Nisur nga pozicioni i fortë i nënës së Mujit dhe Halilit, nga fakti se në Epos ajo është ikona prindërore dhe se fjalët dhe porositë e saj janë sa vendimtare aq edhe profetike, mund të arsyetohet për një pushtet tepër të madh të gruas në stadin historik të ngjarjeve, që ka trajtat e një konceptimi matriarkal të funksionimit të qelizës së shoqërisë së asaj kohe. Kjo gjë shfaqet e pranishme jo vetëm në citimet e mësipërme, por e gjejmë edhe në momente të tjera të Eposit. Në këngën XXV “Halili i qet bejleg Mujit”, fatet e familjes së kreshnikëve mbeten përsëri në dorën e nënës: Halili, i indinjuar nga vetëlavdërimet e Mujit, kërkon të tregojë zotësinë e vet duke i shpallur atij duel. Në fillim Muji e merr me gaz, por kur shikon se i vëllai e ka seriozisht, vendos të shkojë të pyesë të ëmën. Ajo i pajton, duke i siguruar se ishin vëllezër dhe e gjen zgjidhjen e konfliktit mes tyre duke i vënë në provën e urisë. “Nuk kam ardhë, Halil n’mejdan me t’dalë,/ Por shum shndet nana ty t’ka çue/ Nji sahat, tha nana mos me u vonue/ Sa ma parë tu konaku me dalë,/ Pse e ka nana me ty nji fjalë… – Qysh ti Mujit bejleg po don me i qitë?/ Qysh konakun, bir, don me na e koritë?/ … Nji msim t’mirë nana jau kallxon:/ … E n’bjeshkë t’nalta keni me dalë,/ Tu mos t’gjindet uj me pi,/ Tu mos t’gjindet bar me ngranë,/ Tu mos t’gjindet gja me gjatue,/ Tu mos t’gjindet çetë me çetue,/I cili t’rrinë ma shum uj pa pi,/ I cili t’rrinë ma shum buk pa ngranë,/ I cili t’rrinë ma shumë pa fjetë,/ Tanë trimnitë atij i paçin mbetë.(K.25. V.95- 99; 108- 109; 117; 121- 130). Por edhe forca për të përjetuar dhe shfaqur dhimbjen është tipar i gruas.  Vajtimi i nënës (Ajkunës) ka përmasat e një dhimbjeje kozmike që trondit edhe elementet e natyrës.

Edhe konceptimi i fugurave të fondit mitologjik si personazhe femërore është një fakt që flet për vetëdijen e pushtetit enigmatik të femrës. Forca e Mujit është dhuratë e zanave,  të cilat ai i thërret në ndihmë sa herë që ndihet ngushtë. Zanat banojnë thellë në pyje, pranë burimeve, kanë pamjen e një gruaje ngashnjyese,  vështrimi i së cilës shiton ose ngurros edhe më trimat. Orët janë krijesa po aq të çuditshme e të pakapshme si zanat.  Ato kanë në dorë fatin e heronjve, të fiseve e të krahinës. Populli i quan me eufemizëm shtojzovalle ose të lumet. Kjo energji dhe forcë e mistershme femërore, që përbën elementin më të dallueshëm të Eposit, është pjesëmarrëse në jetën e heronjve, në bejlegjet e Mujit me Behurin e gjigandët e tjerë, në dhimbjen e thekshme të Ajkunës dhe burimi i forcës së zanave dhe shtojzovalleve është i panjohur.

Përveç profilit të nënës, në Epos është gdhendur dallueshëm edhe profili i femrës si motër. E gjejmë jo vetëm te “Gjergj Elez Alia”, por edhe në të tjera këngë, siç është kënga  XXVII  “Deka e Hasapit”. Hasapi del në Lugje të Verdha dhe plagoset rëndë nga shkjetë. Muji u thotë agëve ta ndihmojnë,  por s’gjendet kush përveç Zukut që ai e kishte pasur fort inat. Zuku shkon, por nuk e ndihmon, veç i tregon së motrës së Hasapit. E motra shkon në bjeshkë të kërkojë të vëllain, por duke mos gjetur ujë për t’i shuar etjen, ecën sipas shenjës së vëllait, duke derdhur gjak rrugës që të dinte të kthehej sërish. Por bie shi dhe e lan rrugën e ajo s’di të kthehet më. Nga hidhërimi çmendet dhe humbet. “Q’atëherë çika, tha, meç ka dalë,/ Kjau e briti ditë e natë,/ E s’e pau ma njeri i gjallë (K.28; V.127,128,128)

Nëse femra e Eposit në pozicionin e nënës dhe të motrës ka përmasa jo vetëm legjendare, por bëhet edhe mbartëse e virtyteve më të larta dhe pamja e saj është shkëlqimtare, në pozicionin e gruas apo të bashkëshortes është më afër përceptimit real të saj, duke formuar njëfarë kontrasti me dy modelet e para. Kjo bie në sy në shumë këngë dhe segmente të rëndësishme të Ciklit të Kreshnikëve. Mjaft shpesh në këtë status femra merr tiparet e saj të vërteta dhe ka përmasat e zakonshme të një gruaje a të një bashkëshorteje të pozicionuar brenda një familjeje patriarkale,  ku pushteti i burrit është absolut dhe, hera- herës, gruaja është më shumë objekt se subjekt. Por që nga ky pozicion, mjaft personazhe femra shfaqen edhe me veti të tjera si djallëzia, intriga, pasioni, xhelozia, sakrifica, tradhtia, etj. Te “Martesa e Mujit” ndeshim dhelpërinë e gruas që arrin të gënjejë deri edhe zanat. “Unë robinë, ju zana malit,/Sa herë t’dueni gurë me m’ba:/Pashi majet, ku valloni,/ Pashi mrizet ku pushoni,/ Pashi gurrat ku uj pini,/ Me m’ kallxue, forcën ku e kini? (K.I; V. 205-209). Po kështu mund të vërehen te figura e Tanushës, jo vetëm pasioni dhe ndjenja e fortë e dashurisë për Halilin, por edhe aftësitë e saj për marifete dhe intriga të ndryshme që i përdor për t’ia arritur qëllimit. Në këngën “Rrëmbimi i së shoqes së Mujit”, Krajl Kapedani me 300 vetë i rrëmben Mujit gruan e i djeg kullat, duke qenë se Muji nuk ishte aty. Për të çuar nderin në vend, ai vendos të shkojë të ndeshet me krajlin, por kur mbërrin te kullat, gënjehet pikërisht prej së shoqes, e cila e tradhton, duke e hedhur në duart e krajlit, që e dënon me vdekje.  Me anë të zanave, Muji lajmëron Halilin që del e ndeshet me Krajl Kapedanin, i pret kokën dhe liron të vëllain. Muji, pasi vret gruan tradhtare, merr të shoqen e krajlit dhe kthehet me të në Jutbinë. Tuk sarajet Muja i ka ra,/ E shoqja e Mujës, paj, Mujën e ka pa,/ E sa fort e shoqja iu ka gzue,/ Kqyre Mujin sa fort e ka tradhtue: Muhabet, paj, Mujos i ka ba,/ Lott për faqe grues që po i  shkojnë,/ Paj po don Mujin kesh po e rrê,/ E ia ka qitë rakin e nandë vjet’e,/… Ia ka shti hekurat në dorë,/ Ia ka shti prangat në kambë,/ Paj sa mirë Mujin e ka lidhë…” (K.XXI; V.227- 234; 243- 245). Veç paraqitjes së një gruaje të zakonshme, nga ngjarjet e kësaj kënge vihet re edhe një aspekt tjetër: objekti grua, si mjet për të shkëmbyer rivendosjen e nderit apo për të realizuar shpagimin. Këtë të fundit e ndeshim edhe në plot raste të tjera. Kështu në këngën “Gjogu i Mujit”, ndërsa Muji kishte dalë në Krajli për të mësuar mëzin, rrethohet nga krajli, por arrin të ikë. Krajli premton para për atë që do të mund t’ia merrte mëzin Mujit. Arnaut Osmani e realizon tradhëtisht dëshirën e krajlit. Muji ndesh bariun Raspodin, e vret, vishet me rrobat e tij dhe shkon i maskuar te krajli që t’i urojë mëzin. Ky e bën krushkamadh, por Muji i zë rob krushqit dhe u merr dy nuse. Në këngën “Arnaut Osmani”, vërejmë një aspekt të tillë të personazhit femër. Arnaut Osmani është i burgosur ndër shkje. Pas gjashtë vjetësh mendon të shpëtojë, duke u shtirë si i vdekur. Krajli nuk e beson dhe bën shumë prova e tortura për t’u bindur. E bija, që e kishte jaran, i lutet të atit t’ia falte kufomën që ta varroste. Krajli konsumon të gjitha provat dhe torturat e mundshme dhe, kur nuk ia del, vendos t’i presë kokën. Por Arnauti  e vret krajlin dhe merr për grua të bijën. Kjo histori dhe ky motiv që ngjason me tragjedinë “Medea” të ciklit të argonautëve në aspektin e sakrificës në emër të dashurisë, rishfaqet përmes një subjekti edhe më kompleks dhe intrigues edhe në këngën “Omeri prej Mujit”. Prania e personazhit femër në Epos në shumë raste shfaqet e paidentifikuar mirë personalisht: ajo është e bija e krajlit (emri mungon), e shoqja e Mujit, nusja e plakut qefanak, motra e Hasapit, vajza e plakut të mbetun, një bijë Jutbine etj.; ose në trajtën e personazhit kolektiv, treqind çika, tridhjetë vasha, çikat robina, çikat e krajlisë, njëna sosh, etj. Numri i personazheve të identifikuara me emra, si Ajkuna, Tanusha, Rushja,  Jevrenia,  Kuna, është i kufizuar.

Figura e femrës në Epos shfaqet në shumë raste si element ndërlidhës mes dy kampeve armike dhe si dëshmi e një bashkëjetese komplekse në luftë dhe në paqë. Te “Martesa e Halilit e ndeshim këtë fakt në dy raste: në fjalët e Halilit para kreshnikëve:”E û Tanushën vetë e ko’pa,/ Kur kem pasë besë me krajli.” dhe në çastin kur Halilin e kanë zënë rob dhe Muji lajmërohet për këtë nga një bijë krahine e martuar në krajli: “Grue prej fisit që kish kanë./ Sa mei herë ia shndoshka zemrën:/ Qi n’kjoftë Muji gjallë e për t’gjallë,/ Sot tri dit t’ka pri  me qitë kunorë./ E ka  gjetë nji njeri beset;/ Me i herë Mujit natën ia ka nisun;” (K.4; V. 336- 342). Edhe te “Ali Aga i ri”, që i ngjan një kënge kalorsiake apo një aventure me fund të lumtur, kemi dashurinë e Rushes së krajlit me trimin nga Jutbina.

Si në shumë epose të botës edhe në Ciklin tonë të Kreshnikëve trajtohet aspekti i grindjeve mes individësh apo fisesh për shkak të femrës. Ashtu siç ndodh në eposin grek me “mollën e sherrit” në familjen e famshme të atridëve, për shkak të Helenës së bukur apo me intrigat e Krimildes, princeshës së hijshme në eposin e Nibelungëve e në plot raste të tjera edhe në eposin tonë shembujt me femra “casus belli” janë të shumtë. Ndër më të njohurit është dueli mes dy vëllezërve në këngën “Bejlegu ndërmjet dy vllazënve të panjoftun”, ku njëkohësisht del edhe motivi i famshëm i rinjohjes. Po kështu, kemi  sherrin mes Mujit dhe Zukut për shkak të Rushes së Krajlit. Kjo e fundit na shfaqet edhe në këngë të tjera me cilësitë e gruas pasionante dhe lakmitare. Bien në sy ndër këngë tradhtia e grave sllave, të rrëmbyera, si dhe depërtimi i sllavizmit ndër fiset shqiptare. Sipas studiuesve dhe mbledhësve të Eposit, Donat Kurti e Bernardin Palaj, “mjeti i përpajnimit të sllavizmit ndër ne nuk është shpata aq fort sa gruaja”.

 Portretizimet e figurave femërore në përgjithësi bëhen me fjalë të kursyera, por ka edhe shembuj, siç është rasti i Tanushës, ku mjeshtëria artistike e përshkrimit arrin kulminacione, duke dhënë një portret, jo statik, por dinamik, plot jetë dhe lëvizje, falë përdorimit të krahasimeve me dukuri dhe objekte nga bota e gjallë.

Si përfundim, mund të thuhet se figura e femrës në Ciklin e Kreshnikëve është e pranishme siç është edhe në jetë dhe po aq e rëndësishme për t’i dhënë dritë, jetë dhe frymëmarrje Eposit tonë.    

Ilustrimi: “Orët e Mujit”, Gazmend Leka      

Exit mobile version