Kreu Forumi mbi përkthimin Prof.As.Dr. Adriatik Derjaj: Lectio facilior në përkthimet e shqipes

Prof.As.Dr. Adriatik Derjaj: Lectio facilior në përkthimet e shqipes

Konferenca shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”, Fakulteti i Filologjisë, Universiteti “Fehmi Agani”, Gjakovë

Për procesin e bartjes së mesazhit nga një kod në një tjetër në gjuhën shqipe janë përftuar dy terma që e kanë fituar prej kohësh të drejtën e qytetarisë, përkthej dhe shqipëroj. Mes tyre duket se ka një hierarki të brendshme që zë fill tek afria më e vogël ose më e madhe ndaj shqipes, për të cilën janë ‘të vetëdijshëm’ jo vetëm specialistët, por edhe profanët, madje ca më shumë këta të fundit, sepse jo rrallë fjalëtermi shqipëroi është përdorur edhe si element marketingu. Në asnjë gjuhë nga ato që njohim dy shkollat e mëdha të përkthimit, ajo e përkthimit leteral dhe ajo e përkthimit idiomatik, nuk ndahen kaq qartë tek termi që shënon vetë procesin.

Të përkthesh në thelb do të thotë t’i bartësh kuptimet nga një gjuhë në një tjetër, prandaj është shumë e rëndësishme të gjesh në gjuhën pritëse (që zakonisht është e jotja) ato shprehje që i përgjigjen më mirë këtij qëllimi. Përkthimi ideal duhet të pasqyrojë besnikërisht origjinalin dhe ta veshë mendimin e autorit me rrobat e një gjuhe tjetër.

Në të vërtetë përkthyesve të çdo kohe u është dashur ta braktisin këtë ideal, të heqin dorë prej përkthyesit të padukshëm e të përunjur dhe me dëshirë ose jo të bëhen ortakë me autorin e pse jo edhe rivalë të tij. I kundruar kështu përkthimi është një akt i dënuar nga pa-përkryerja, sepse fjalët, qoftë edhe ato më të thjeshtat e më të njohurat, mbulojnë fusha kuptimore të cilat shpesh nuk përputhen.

Prandaj përkthimi 100% besnik ndaj origjinalit është i pamundur të realizohet. Në rastin më të mirë ai do të jetë paksa i ndryshëm prej tij.

Që këtej është e lehtë të kuptohet se thënia Il traduttore é il traditore nuk është vetëm një aforizëm, ajo më shumë i ngjet një mallkimi që i ka ndjekur njerëzit e këtij takëmi që nga agu i kohërave. Edhe Umberto Eko, në veprën e tij Si bëhet një punim diplome, pohon se «një vepër e përkthyer nuk është burim i drejtpërdrejtë: ajo është si një protezë, siç janë për shembull dhëmbët e vënë apo syzat, pra, një mjet për të arritur në njëfarë mënyre diçka, të cilën ndryshe nuk mund ta arrish.»[1] Pikërisht për këtë arsye përkthimi mbetet edhe sot e gjithë ditën një instrument i rëndësishëm komunikativ e kulturor.

Teksa përkthejmë pakkujt nga ne, i vete mendja se në një kuptim jemi vetëm një hallkë e ndërmjetme në zinxhirin e gjatë të transmetimit të teksteve të shkruara, e aq më pak që edhe përkthyesi, paçka se sot mund të ulet para një tastiere elektronike dhe jo para një pllake argjile, papirusi a pergamene, nuk ndryshon shumë prej kopistit të antikitetit dhe të mesjetës. E këtë nuk e them për të zhvlerësuar punën e çmuar të përkthyesit, përkundrazi.

Unë jam i mendimit që përkthimi si mjeshtëri lidhet ngushtë me filologjinë, ndoshta më shumë se ç’mund të mendojmë.

Kur një fjalë e shkruar rreket të futet në tru duke kaluar nga sytë, ajo është vetëm një sekuencë grafemash në kërkim të një domethënieje. Jemi me fat kur e gjen, por a është ajo e duhura? A i përgjigjet vërtet vullnetit të autorit, apo vetëm atij të përkthyesit? Po kur nuk e gjen, ç’ndodh? A nuk përpiqemi të kullandrisemi me miellin tonë? Janë të njëjtat pyetje që e mundojnë edhe filologun e në daçi edhe kopistin që e shihte me një ndjenjë të fortë kritike punën e vet. Janë po ato pyetje që sillen në kokën e njeriut prej mijëra vjetësh e që marrin jo paradoksalisht të njëjtat përgjigje. Njëra syresh, e pikërisht ajo e fundit, ka marrë prej kohësh përgjigje të tilla si identifikim shpërdorues, lexim kontekstual dhe lectio facilior.

Shembull të qartë të identifikimit shpërdorues  gjejmë edhe te fjalët të burimit turk. Sic është rasti i shprehjes  inshallah, një urim i cili në në gojët mbarë shqiptarëve del qartazi me i-shallah, ku dallojmë edhe rënienen e n-së nistore.

Identifikimi shpërdorues është përkufizuar si dukuria në të cilën përdoruesi i gjuhës arrin ta identifikojë njësinë (fjalën, shprehjen), por nuk ia del ta nyjëtojë ose ta shkruajë drejt për shkak të analogjisë së pjesshme që ajo shfaq me të tjera njësi, ose për shkak të dijes së pamjaftueshme që ai ka në lidhje me formën dhe përmbajtjen e saj[2]. Një tjetër rast të lectio facilior-it e gjejmë edhe te sintagma e anglishtes air conditioned,e cila përmes një gabimi në përkthim në italisht dhe në shqip është kalkuar respektivisht me aria condizionata dhe ajër i kondicionuar. Fjala conditioned nuk i referohet ajrit, por hapësirës ose mjedisit të klimatizuar (për ndryshe shprehja origjinale do të duhej të ishte conditioned air). E përkthyer drejt shprehja air conditioned do të tingëllonte mjedis i klimatizuar. Besoj se leximi më i thjeshtë është ‘diktuar’ sa prej ngjashmërisë formale që air e anglishtes shpërfaq me aria e ajër, aq edhe prej padijes në lidhje me kuptimet që fjala air ka në gjuhën dhënëse.

Lectio facilior,i cili ndryshe njihet edhe si parimi i banalitetit në rritje, më së shumti u atribuohet kopistëve, përkthyesve dhe redaktorëve. Në thelb ai shënon përpjekjen e natyrshme të njeriut për t’i dhënë diçkaje të panjohur pamjen ose kuptimin e një gjëje të njohur[3]. Ndryshe nga identifikimi shpërdorues që ka të bëjë më shumë me formën, lectio facilior lidhet më fort me kuptimin. Shembuj të lectio facilior-it kemi edhe në përkthimet tona nga gjuha turke. I tillë është rasti i romanit “Çallıkuşu” (shqip. Trumcaku) të romancierit turk Reshat Nuri Gyntekin, njërit prej autorëve më në zë të kësaj letërsie, vepra e të cilit në shqip ka dalë me titullin “Ferideja”. Me sa duket përkthyesja e ka parë të udhës ta ripagëzojë romanin në fjalë me emrin e heroinës së veprës, ose ngaqë nuk e ka ditur që çallıkuşu në shqip duhet të përkthehet trumcaku, ose ngaqë ka dashur t’i japë publikut një lexim të thjeshtuar. E gjej me vend të bëj edhe një sqarim tjetër. Kjo vepër   është botuar me shkurtime, edhe për shkak të njëfarë erotizmi të papranueshëm për shijet e kontrolluara të kohës.[4]  Një lloj lectio facilior-i vërejmë edhe në rastin e romanit Orta Direk (Direku qëndror) të Jashar Qemalit, që ndër ne njihet me titullin “Shtylla”[5].

Një problem tjetër i madh lidhet me faktin se në këtë kohë autorët turq përktheheshin në shqip prej gjuhëve të tjera dhe shumë pak prej origjinalit. Diçka të tillë e pranon me sinqeritet edhe Dritëro Agolli, në parathënien e veprës së Jashar Qemalit ‘Memet Imcaku’ kur thotë se “… libri është përkthyer nga Donika Omari me kujdes dhe ka ruajtur, i përkthyer ngjyrën e fjalës dhe pasurinë e saj. Doemos përkthyesja e ka pasur të vështirë, pasi e gjuha e Jashar Qemalit ndihet që është e pasur dhe që peshon, megjithëse nuk e dimë turqishten dhe nuk e shijojmë dot në origjinal. Megjithatë pasurinë dhe peshën e fjalës e ndiejmë edhe duke i lexuar veprat e tij në gjuhë të tjera”. Për korrektesë po shtojmë se në frontespicin (faqja e parë) e botimit në fjalë shkruhet e përktheu Donika Omari, por nuk thuhet se nga cila gjuhë. I tillë është edhe rasti i vëllimit të Nazim Hikmetit, “Peizazhe njerëzore”, zgjedhur e përkthyer prej Besnik Mustafajt, me shumë gjasë nga frëngjishtja. Dukuria e transmetimit të veprave nga një gjuhë tjetër e jo prej asaj të origjinalit nuk është e re. Atë e hasim edhe në mjaft botime nga më seriozet. E re është në të vërtetë përpjekja për t’i paraqitur këto vepra si të përkthyera nga origjinali. Shumëkush mund ta quante këtë ‘mëkatin e injorancës’, por për ne shkon edhe më larg se kaq. Natyrisht, përkthimi me ndërmjetësim nuk e ndihmon receptimin korrekt të veprës edhe kur ai i bëhet i njohur lexuesit. Përveç kësaj anomalie ne vërejmë edhe tjetërsimin e veprës, jo më për shkak të përkthimit, por prej botimit të cunguar ose me shkurtime. Kjo ka ngjarë me një nga klasikët e letërsisë turke Reshat Nuri Gyntekin, veprën e të cilit e përmendëm më lart, në shqip ka dalë me titullin “Ferideja”, dhe është botuar me shkurtime për shkak të njëfarë erotizmi të papranueshëm për shijet e kontrolluara të kohës.

Ndërkaq, rocesi i njohjes dhe i pranimit të një letërsie nga ana e lexuesit, në rastin e asaj turke, është ndërlikuar jo pak edhe prej faktit se nga i njëjti autor në të shumtën e herës nuk është botuar më shumë se një vepër. Në kohën për të cilën flasim duket se nga ky rregull bën përjashtim vetëm Jashar Qemali nga i cili janë botuar dy vepra, “Shtylla” më 1975 dhe “Memet Imcaku” më 1983. Siç kemi pasur rast ta përmendim edhe më parë, kjo vepër është pajisur me një parathënie nga Dritëro Agolli, njëri prej shkrimtarëve më në zë të letërsisë bashkëkohore shqipe, çka duke pasur parasysh rrethanat mund të përfillet si tregues i një vlerësimi të madh për veprën dhe kolegun turk të Agollit. Po ashtu, mjaft i vlerësuar mbetet nga elita kulturore shqiptare edhe Nazim Hikmeti, për të cilin një poet i yni, Azem Shkreli, shprehet …siç thoshte Hikmeti, ai farë poeti me fjalë prej zjarri… Ky modifikim i qëndrimit ndaj disa përfaqësuesve të letërsisë bashkëkohore turke daton aty nga fundi i viteve ’80, kohë në të cilën Shqipëria përjetoi një lloj liberalizimi.

Këto vitet e fundit si rezultat i intensifikimit të raporteve mes dy vendeve në të gjitha fushat e, pse jo, edhe si rezultat i rritjes së numrit të të interesuarve për gjuhën dhe kulturën turke, konstatojmë një vëmendje më të madhe edhe ndaj letërsisë së këtij vendi. Një nobelist si Orhan Pamuku botohet ‘flakë për flakë’ e, për kënaqësinë tonë, i përkthyer nga origjinali turqisht; për më tepër jo me një vepër të vetme. Nga i njëjti autor në shqip gjen përveç “Kështjellës së bardhë” të çmimit, edhe vepra të tjera, si “Unë jam e kuqja” dhe “Bora”.

Në filologji është i njohur parimi sipas të cilit çdo lectio facilior-i duhet t’i përgjigjemi me një lectio difficilior (ose leximi më i vështirë), me të cilin kuptojmë përpjekjen e filologut për të mbërritur te varianti që mendohet se përfaqëson vullnetin e autorit përmes zgjidhjes a leximit më të vështirë. Duam të theksojmë se kur vjen puna te përkthimet nuk mund të presim që këtë ta bëjë lexuesi. Prandaj kur ngre problemin e lectio difficilior-it në përkthim e kam fjalën për rastet kur përkthehet jo nga origjinali, por nga një tjetër gjuhë.

Zgjidhja më e mirë për identifikimin e lectio faciolior-it dhe rindërtimin e tekstit përmes lectio difficilior-it mbetet krahasimi i varianteve, ku kreun e vendit e zë pa dyshim origjinali. 

Bibliografia

Umberto Eko, Si bëhet një punim diplome, Botime Përpjekja, Tiranë, 1997, f. 80, përktheu  Kristina Jorgaqi.

Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistikë e shqipes, Shtëpia Botuese “Morava”, Tiranë, 2009.

Luçia Çezarini Martineli, Filologjia, Medaur, Tiranë, 2002, f. 132-133,

R.N.Güntekin,  Çalıkuşu, Romani “Ferideja” Tiranë 1979

Bozeman, Adda B., Strategic Intelligence and Statecraft: Selected Essays, Brassey’s Intelligence & National Security Library, Hardcoverf, 1998, f. 26.

Sapir, Edward. Selected Writtings of Edward Sapir in Language, Culture and Personality, Berkeley, Los Angeles, London, University of California Press, 1973


[1]  Umberto Eko, Si bëhet një punim diplome, Botime Përpjekja, Tiranë, 1997, f. 80, përktheu  Kristina Jorgaqi.

[2]  Shih Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistikë e shqipes, Shtëpia Botuese “Morava”, Tiranë, 2009.

[3]  Luçia Çezarini Martineli, Filologjia, Medaur, Tiranë, 2002, f. 132-133,

[4]  Romani “Ferideja” R.N.Güntekin,  Çalıkuşu, Tiranë 1979

[5]  Një problem tjetër i madh lidhet me faktin se në këtë kohë autorët turq përktheheshin në shqip prej gjuhëve të tjera dhe shumë pak prej origjinalit. Diçka të tillë e pranon me sinqeritet edhe Dritëro Agolli, në parathënien e veprës së Jashar Qemalit ‘Memet Imcaku’ kur thotë se “… libri është përkthyer nga Donika Omari me kujdes dhe ka ruajtur, i përkthyer ngjyrën e fjalës dhe pasurinë e saj. Doemos përkthyesja e ka pasur të vështirë, pasi e gjuha e Jashar Qemalit ndihet që është e pasur dhe që peshon, megjithëse nuk e dimë turqishten dhe nuk e shijojmë dot në origjinal. Megjithatë pasurinë dhe peshën e fjalës e ndiejmë edhe duke i lexuar veprat e tij në gjuhë të tjera”.

Exit mobile version